24 March 2010

Requiem per poetin Tonin Shtjefni/ nga Kolec Traboini

  REQUIEM PËR POETIN TONIN SHTJEFNI

”Ku shkove kështu,/ cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë,/ si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur,/ ikën e ikën e asnjë fjale s’të thamë.”/

Shkruar nga KOLEC TRABOINI

Në rininë tonë në Shkodër, Tonin Shtjefni konsiderohej si një nga poetët e rinj më të talentuar dhe me një të ardhme të padyshimtë. Ishte një lirik i spikatur dhe ne fillestarët në fushë të letrave e ndiqnim me admirim krijimtarinë e poetin të ri gjimnazist. Në atë kohe në Shkodër shkruanin autorë tashmë të njohur Frederik Reshpja, Aleksandër Gera, Fadil Kraja, si dhe disa të tjerë që nomenklatura i imponoi përdhunshëm, por u harruan shpejt.
Nga autorët fillestarë binin në sy grupi i Profesor Hasan Lekaj, i cili drejtonte rrethin e letrarëve të rinj para e pas vitit 1970, ndër të cilët ishin Tonin Shtjefni, Alfred Çapaliku, Riza Lahi, Fluturak Gërmënji, Mehmet Gucia e tjerë. Binte në sy dhe studenti i Institutit të Lartë Petagogjik Dodë Kaçaj, që bëri karrierë në politikë, u zgjodh deputet demokrat, ndërroj jetë në moshë relativisht të re dhe një shkollë në Malësi të Madhe mban emrin e këtij mësuesi e poeti.
Siç kishim të njëjtin pasion për letërsinë, rasti e solli që të studionim në të njëjtin fakultet, atë të gazetarisë, në Universitetin e Tiranës. Pas librit per femije “Endrra të këputura” do te botonte dy vellime publicistike. Tonin Shtjefni krahas studimeve do të bënte punën e kryeredaktorit të gazetës universitare "Studenti". Mbas mbarimit të studimeve do të punonte në disa organe shtypi si "Zëri i Rinisë" dhe revista “Ylli" dhe më pas mjaft vite si punonjës aparati. Gjatë kësaj kohe boton edhe dy libra të cilat nuk i takojnë sferës së letërsisë artistike.
Në vitet të demokracisë, kur ishte me detyrën e drejtuesit të Bibliotekës së Universitetit Politeknik të Tiranës, tashmë me fytyrë të kthyer nga letërsia, botoi dy librat: "Krishti e ka fajin", impresione personale, 2003; si dhe vëllimin me esè në vargje "Filozofia e jetës".
Të dy këto botime me sasi faqesh modeste, por me mendime të thella reflektive, spikasin si arritjet më të mira në krijimtarinë e Tonin Shtjefnit. Ndersa “Shtegtarët e Velushit” dhe “Pallati i miqësisë”, të botuar në 2007, ishin punime të viteve `80, ndoshta për këtë, nuk shënojnë arritje përkundër dy titujve që cituam.,
Në librin "Krishti e ka fajin" ka vëzhgime të imta të ngjarjeve të vitit 1990 dhe më pas, në ato mjedise ku ai ishte dëshmitar autentik. Si leitmotiv ka vënë vargjet sinjifikative: "Pse ngecëm në mes të ferrave/ ku jemi /na ndihmo o Zot, na ndihmo Shën Mëri. /Ja kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur /por robër të mëkatit mbetëm përsëri."
Që në krye të librit "Filozofia e jetës" Tonini Shtjefni shkruan, "…Vendosa ta botoj këtë libër i shtyrë jo vetëm nga malli për vitet e largëta, atëherë kur mendoja se poezia ishte gjithçka....". Mesa duket autori e pranon se prej poezisë kishte hequr dorë shpejt e me ndërgjegje dhe iu kthye asaj vetëm në fund të jetës, por pa marrë guximin ta cilësojë librin e tij poezi, anipse ato janë poezi të mirëfillta dhe vende-vende shumë të realizuara artistikisht. Le të citojmë:
"Kam parë yjet që binin nëpër qiejt e Europës/kam kujtuar shumë gjëra/dhe kam harruar shumë/ nëpër këtë lotim qiejsh kam kërkuar vetveten/dhe kam thirrur me forcë:/ Kush jam unë?”
Në faqet e librit gjen vargje të goditura që të vënë ndër mendime:
“Ne dëshmitarët e kësaj bote çdo të kujtojmë nesër? / Nesër, kur bota më e bukur do të jetë/do i themi njeri-tjetrit/si në një marrëveshje të heshtur/rob të kujt ishim/dhe rob të kujt kemi mbetë.”
Dhe ja një fund i trishtë, i rënduar tej mase në një ecje të autorit që meditonte në të gjallë për fatin e të shuarve, shpesh herë të harruarve:
“Unë ecja në trotuar/sipër kokës sime degët e thata kërcitën dhe ranë/unë i shkela me këmbë/por ato sikur pëshpëritën./ Kështu vitet e tua kanë filluar të thyhen/dhe kur ti të biesh i gjithë përtokë/dikush mbi to do të ecë rëndë-rëndë.”
Nuk e dimë se cilat ishin shkaqet e brendshme që e shtynë autorin në konkluzionin se “në rini mendohet se poezia është gjithçka”, apo kur shkruan: “Në këtë shekull erdha/asnjë gjurmë për të mos lënë/në mes të miliona anonimëve për të mbet anonim/fletoren e bardhë e mbylla/ për ta dorëzuar ashtu/me fletë të bardha, pa asnjë shënim./Ndonëse gjysma ëndërr më thoshte / shkruaj diçka/gjysma tjetër më thërriste “JO””.
Ishte kohë antipoetike. Tonin Shtjefni e dinte këtë më mirë se kushdo, sepse koha në invers, aty nën hijen e Piramidës, i vuri talentet të hartonin raporte, analiza, të shkruanin për një dritë që nuk shihej kurrkund, vetëm në kokën e ideologëve të demagogjisë. Ja si e shtjellon më tej mendimet e dilemat e tij tek “Filozofia e jetës”: “Ndonëse kisha shumë gjëra për të thënë/si në një morg të rëndë/unë vetëm heshta/gjersa në një mëngjes si somnambul/ në trotuar, mes njerëzve/veten gjeta./ Po qenka shumë vonë /më kuptoni miq më ndjeni shokë/gjysëm zgjuar, gjysëm ëndërr/ përsëri do të vazhdoj të endem nëpër botë.”
Poezia në të vërtetë është gjithçka, por ajo kërkon hapësira lirie, është e vërteta më pranë diellit, në kuptimin e artit të arteve, gjithdimensionale, që shkruhet e pëlqehet pa dallim moshe apo profesioni, poezia është gjithëçka për ata që i përkushtohen asaj dhe nëse i jep poezisë shumëçka nga jeta jote, ajo ta kthen madhërisht përkushtimin.
Ndoshta kthimi i vonuar i Tonin Shtjefnit përkah poezia ka qenë një pendim i thellë, një dramë personale për pasionin e harruar të rinisë, të cilën nëpër vite si punonjës i një strukturë hijerëndë kish patur frikë t`ia zinte në gojë edhe emrin, sepse mentaliteti kuadrovik të gjykonte… si mund të merrej me poezi një punonjës aparati?!
Sa e vërtetë është kjo e thotë vetë poeti në vargjet e tij si testament poetik: “Ju të gjithë më shikoni të çuditur,/ku shkon ky nëpër muzg,/nëpër natë,/pa e ditur se ç’bren e ç’gërryen një njeri, /memecllëku i gjatë.”
Drama e mospohimit të vetvetes ka peshën e saj emocionale në mesazhin poetik të Tonin Shtjefnit. Ajo është e vërteta e dhembshme që na bën ta sjellim në kujtesë si një autor premtues që e bëri harakiri talentin e tij apo se ndoshta nënvleftësoi vetveten si letrar, se harroi nëpër vite se veprat krijuese janë jeta e dytë e njeriut në art. Kryekreje ky autor përjetoi një dramë, të cilën e mbarti tërë jetën me vete dhe që tashmë kthehet në një mesazh të krijimtarisë së tij.
Të gjitha harrohen, edhe ato të cilat i konsiderojmë aq të qenësishme në jetën tonë, por ato pak çfarë shkroi me dashuri e dhembje një autor, i kujtojmë dhe i rilexojmë me endje edhe atëherë kur emri i tij të jetë kthyer në një kujtim.
Ikja e Tonin Shtjefnit kaloi në heshtje. Nuk lexuam kurrkund dy fjalë për këtë autor kur në kryeqytetin tonë dalin vandakë gazetash e revistash e ku shkruhen marrëzira të pafund, perversitete politike, llafeollogji mjerane dhe servilizëm i shpifur partiak, ndaj dhe e shohim me vend ta mbyllim këtë Requiem për një mik të rinisë, një talent që heshti pa arritur të thoshte deri në fund fjalën e vet, t`i drejtohemi pra Tonin Shtjefnit me vargjet që ai vetë shkroi nga fundi i jetës : ”Ku shkove kështu?/Cilat zemra të mbuluan e më nuk të pamë?!/ Si një dashuri mes dashurive në qiej të hapur /ikën e ikën e asnjë fjalë s’të thamë.”

KOLEC TRABOINI
Tiranë 2010
Copyright©Traboini 2010


Tonin Shtjefni, me profesion gazetar, ka lindur ne vitin 1949 dhe ka ndrruar jete ne vitin 2009. Pas mbarimit te studimeve universitare per gazetari ka punuar ne organe te shtypit, gazeta "Studenti" gazeta "Zeri i Rinise", Revista " Ylli". Mjaft vite ka qene punonjes aparati, ndersa mbas vendosjes se demokracise eshte ngarkuar me detyren e shefit te zyres se shtypit ne Kuvendin Popullor e pas kesaj drejtor i Bibliotekes se Universitetit Politeknik te Tiranes. Ka botuar shtate libra, poezi, publicistike dhe dy novela.


Tonin Shtjefni
FILOZOFIA E JETËS

Me këmbët e zbathura në rrathët e ferrit,
ecim dhe mundohemi
këtë shteg të kalojmë,
duke shtyrë njeri-tjetrin,
ne të burgosurit e lirisë në mëkatin tonë.
Jemi të gjithë këtu, me nga një kryq mbi supe,
duke u përgjakur mbi ferrat ku ecim,
duam të bindim vetveten se jemi të ndershëm,
Por ç’do të thotë ndershmëri,
pyesim dhe heshtim.
Përse ngecem këtu në mes të ferrave,
ku jemi,
na ndihmo Zot na ndihmo Shën Mëri,
Ja kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur,
por robër të mëkatit mbetëm përsëri.
Në këtë shteg të lodhshëm po na zë nata,
ditët po i presim në këtë shteg me rradhë,
duke urryer njeri-tjetrin,
duke e rrëzuar njeri-tjetrin,
njeri-tjetrin duke pështyrë dhe sharë.

* * *
Dje ishte një ditë me diell,
por kopshti i mendimeve kishte ngrirë nga ngrica,
unë shkela në truadhin që kërciste mjerueshëm,
shkela përdhunshëm,
dhe përdhunshëm ika.
Mu dhimbs kopshti im që e lashë në të ftohtë,
ktheva kokën dhe e pashë përsëri,
i bindur se një ditë prap këtu do të kthehem
kur të vijë pranvera e ngrica të shkrijë.

* * *
Një kalë trokon nëpër heshtjen time,
trokon,trokon e ikën papushim,
sa larg ai qënka,
sa kohë paska shkuar,
sa kohë paska shkuar,
duke trokuar në ditët pa kthim.
Ky kalë i vetmuar qënkam unë vetë,
i lodhur, i djersitur,
nëpër diell e shi,
njerëzit kthejnë kokën dhe I thonë njeri-tjetrit,
nga vjen e ku shkon ky kalë në vetmi.

Tonin Shtjefni, fragment nga libri “Filozofia e jetës”,
Enti botues “Gjergj Fishta” 2003
Drejtues i Bibliotekës së Universitetit Politeknik të Tiranës.


02 August 2009

Trishtimi dhe përbuzja e Bodlerit - nga Kolec Traboini




TRISHTIMI DHE PËRBUZJA E BODLERIT
esè nga KOLEC TRABOINI

Pas studimeve të panumërta në të gjithë botën, nuk di çfarë mund t`i komentohet më tepër Bodlerit në raport me kohën e tij, shekullin dhe shoqërinë franceze ku jetoi e që tashmë është pak e vëshirë ta njohim. Shpirt i pikëllimit, tribun i përbuzjes, urrejtës i shoqërisë të cilën e shihte të shpërfytyruar, i pakuptuar në kohën e tij, me vepër të ndaluar, gjyqe, por edhe absolut në ndikimin e tij në mbarë poezinë botërore, pra tepër vështirë të merremi me të, veç të përvijojmë faktin se sa gjejmë në jetën tonë të tilla motive dhe sa të tilla fenomene ende e gërryejnë shoqërinë njerëzore, por edhe i sfilitin jetët individuale. Parë në këtë këndvështrim, e shoh më aktual se kurrë Bodlerin në Shqipëri, ku dita i zbulon poshtërsitë e jetës e nata dosido i mbulon ato, ndaj tingëllojnë aq thellë në shpirtrat tanë fjalët "...Si ecë e ëmbël nata!".
Tek dita, Bodleri, nuk shihte asgjë, ose të paktën shihte vetëm të këqjia, ndaj dhe titulli i vëllimit të tij qe "Lulet e së keqes". Si në poezitë e tij, nuk gjen dot vepër e autor tjetër bashkkohës, por dhe më pas të kenë përbuzuar veset shoqërore ( që mbase në ato kohë, a ende edhe në kohën tonë, nga mediokrit cilësoheshin e cilësohen si virtute). Është krejt e natyrshme që poetët e poezinë e revoltës ta lindë koha, në një lindje të vështirë sigurisht, të detyruar, si një shpërthim i stresit të përgjithshëm shoqëror. Në një shprehje të tij Bodler thekson: "E keqja shkaktohet pa u sforcuar, se është vepër e faktit.", ndërsa më tej " E mira është gjithnjë një art.".. Pra e thënë hapur, sot që arti në përgjithësi është në pikë të hallit, thuaj pa asnjë peshë në jetën shoqërore, ku në modë është politika mediokre, fare pak ka edhe të mira, madje mirësia është krejt e përjashtuar si term social. Përdoret fjala bamirësia si term, por në fakt lakohet për qëllime më tepër religjioze,ose më e keqja nga ekstremistët e kamufluar nga bota arabe e bashkpunëtorët tyre vendas, që kërkojnë vënien e shoqërisë civile nën tutelën e frymës së tyre talibaniste.
A kanë lidhje këto me Bodlerin, mund të pyes ndonjë lexues i i pavëmendshëm, i mësuar ky me mëmëligën e shtypit shqiptar, që është thjeshtësuar jo vetëm në këndin e trajtimit të problemeve, por edhe në përdorimin e frazeologjisë shterpë e pa ngjyrim fjale të një gjuhe komunikimi që është varfëruar skajshëm. Them se kanë lidhje, sepse në kohën që shoqëria shqiptare ka strese të mëdha, individi ndjehet i braktisur në aspektin e trajtimit social, shumë pak apo aspak nuk ndjehet zëri i protestës për gjëndjen mizerabël të pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare. Gjithkush e di si është rrethuar Tirana, në pikëpamje të migrimit të popullsisë. Dikur me përbuzje përdornin fjalën çeçenë, tani për të qënë brënda( se duhen edhe votat e çeçenëve) e kanë harruar këtë etiketim përbuzës, ani pse periferia ka mbetur Çeçeni e shkuar saj, në pikëpamje të kushteve të jetës, varfërisë së skajshme, shto mentalitetin që mbartin me vete duke u zhvendosur nga krahinat më të largëta, në rrethinat e kryeqytetit ku janë të vetizoluar e ku shpesh kanë vazhduar të bartin mentalitetin krahinor, përdorimin e dhunës në zgjidhjen e problemeve brënda e jashtë familjes, mosnjohjen e moszbatimin e ligjeve dhe plot të tjera.
Natyrisht kjo nuk është pjesë e vështrimit tonë në këtë shkrim, por duam ta përdorim si sfond për problemet e reflektimit të ndërgjegjes shoqërore ndaj fenomeneve që ndodhin në shoqërinë shqiptare. Në një vend ku mbizotëron në tërë qelizat e jetës politika, një vend tmerrësisht i varfër, me udhëheqës që mendojnë se bëjnë politikë të madhe në një vend të vogël e për fat të keq të papërfillshëm. Tërë media e shkruar dhe vizive merret me shkëlqimin e politikës, kur në të vërtetë ajo që shitet si shkëlqim është kurrgjë tjetër veç një lëtyrë, një manipulim politik. Dhe ata njerëz që shtiren si politikanë të mëdhenj, nuk bëjnë kurrgjë tjetër, por veç masturbohen nëpër media të shkruar dhe të folur( mitingje, foltore, parlament, TV Show-politik).
Pra, ka dy segmente që e përshkojne tërë jetën shqiptare, fort të dukshme këto, varfëria e gjendja pa rrugëdalje e ekonomisë dhe e dyta, demagogjia e pompës politike, sikur çdo gjë e mirë këtij populli i vjen nga fjalët pa fund e pa sens të politikës që vazhdon të ligjëroje si në kohë të Hoxhës, se gjoja mendojnë e punojnë për popullin. Veç duhet thënë se i kanë shtuar demagogjisë politike edhe nocionin Komb dhe Europë, për t`u bërë më sportivë në pelivanllëqe në tele-shtyp, por në të vertetë gjej pak apo dhe aspak ndryshime në demagogjinë e foltoreve të dy kohëve që pretendojnë, po me llafe ere, të jenë të kundërta.
Po kush e beson dhelprën se ka vendosur të heqë dorë nga gjuetia e pulave?! Me se do të rrojë e zeza dhelpër?! E për të dalë aty ku ishim, aq më tepër kur politika është bërë bisnesi më fitimprurës në Shqipëri, kjo politikë prodhon para me thasë, si të ishte ky Atdheu i Ali Babës e 40 hajdutëve të përrallave persiane. Këto janë fenomene që i shohin e i konstatojne të gjithë, por më e pakta i prekin Mediat. Mirë Mediat, po ku është arti, ku janë artistët, ku është shpirti i tyre i ndjeshëm. A nuk u rreh zemra ndopak këtyre njerëzve që quhen Ajka e kombit, përpara kësaj katrahure në tërë segmentet e shoqërisë. A nuk e dinë se ende mentaliteti shqiptar vazhdon të sundohet, më keq se në çdo vend tjetër në Europë, apo pse jo edhe në Azi, në idenë e ikjes nga sytë këmbët. Në Shqipëri trumbetohet me të madhe për nacionalizmin, spekullohet me nacionalizmin, tregohen përralla të bukura me nacionalizmin folklorik, ndërtohen kështjella në erë me nacionalizmin primitiv, kur e verteta është se më shumë se kurrë ka humbur interesi i njerëzve për fatet e kombit. Vetmashtrohemi me fjalë, cyrle, tollumbace me ngjyra, por realiteti është krejt ndryshe. Bëjmë koncerte me çifteli e sharki në segmentin Tiranë-Prishtinë, hedhim valle me kostume popullore e qeleshe, vëmë parulla të mëdha festive, mbajmë fjalime për suksese të mëdha, por realiteti nuk është tek fasada, por përtej fasadës.
Realiteti është trishtues e pesimist, vazhdon të dëgjohet fjala se ky vend nuk bëhet, se po të linte kufijtë e hapur Europa, këmbë shqiptari nuk do të mbetej në këtë vend. Ah, po! Do të mbeteshin llafazanët politikë të cilët do të sillnin ca ujgurë e ca kinezë që të krijonin sërish popullin e ri, se me ato që do të mbeteshin nuk do të sajonin dot as një tabor luftarak për mbrojtur këtë vend shqiponjash të ikura.
Kështu në të vërtetë janë punët tona. Ndaj them se Bodleri është më aktual se kurrë në këtë vend ku lulëzojnë lulet e së keqes. Edhe frutat të zeza i bëjnë ato lule. Se ua dëgjojmë zërin përditë në stacionet televizive të Europës, ku sa herë flitet për një prostitute të rrahur a përdhunuar rrugëve, a vrarë e hedhur në pyll pa indentitet, është e sigurtë se ajo do të pasohet me fjalën "shqiptare". Sa herë që vidhet një shtëpi në Itali a Greqi... thuhet, e kanë bërë shqiptarët. Sa herë bëhet një krim prapë shqiptarët. Ne shqiptarët që jemi futur në NATO - dhe shkalafitemi nga qejfi skur Nato do t'i japë bukë e punë këtij populli. Përralla të bukura politike. Karamele limonatë, që i mbllaçisin edhe ata që duhet të ishin në anën e trishtimit dhe përbuzjes, në anën e frymës së Bodlerit. Artistët pra. Ku janë. Çfarë bëjnë. Përse shkruajnë? Cilat janë temat sociale? Ku është nervi migjenian, ky gjeni, ky Bodler me gjak e shpirt shqiptar? Kur dihet se po të jetonte Migjeni në këtë kohe, po aq do ta shkruante "Kangën e mjerimit". Artistët tanë as nuk ndjehen. Madje edhe lihen të manipulohen nga politika dhe i gjen madje edhe ambasadorë. Shkruajnë ende për kohën që ka vdekur këtu e 20 vjet më parë. Kur fëmija që ka lindur atë vit tani është njëzetvjeçar, i papunë, kalon ilegalisht kufijtë në rrezik jete. Propaganda punon në invers. Siç bënte monizmi me zogizmin, bën koha jonë me enverizmin. Mallkime pa fund për një kufomë të kalbur të komunizmit, kur trupat e gjallë në jetën shoqërore vinë erë kërmë ideologjike, e ka njerëz që janë më shumë të vdekur se të gjallë. Po marrin dhe çmime këta artistë. Pse jo!? Çmime të mëdha për vepra që nuk kanë në qendër kurrgjë nga realiteti bashkëkohor social shqiptar. Fryjnë emrat e mëdhenj në letërsi, por realiteti mbytës që ka rrethuar Tiranën dhe e ka ngërthyer jetën në qytete të tjera në tragjedi njerëzore, kur njeriu vetvritet se nuk ka me se të ushqejë veten e familjen, ku gjendet në këtë letërsi e në këtë art? Kurrkund.
Bodleri vazhdon të trishtohet atje në Montparnas. Trishtohet për ne, për Shqipërinë e shqiptarët. Se ne nuk kemi as dëshirë e as fuqi shpirtërore të trishtohemi e ta përbuzim këtë realitet të zymtë e të pistë siç bënte ai. E sikur na thotë:
"Që të mos ta ndjeni veten skllevër martirë të kohës/ dehuni/ dehuni pa pushim me verë/ me poezi/ me virtyte/ sipas dëshirës ../."
Thënë shul shqip, larg retorikash poetike:
Ne jemi kthyer në një art të tredhur nga politika...
Dua ta mbyll këtë shkrim me vargjet po të Bodlerit të madh:


Rri urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin
Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi
Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë
Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
Të poshtër zhgrryhen krejt ndërsa pendime u vinë
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri.


__________________________


Charles BAUDELAIRE
Biografi nga Vikipedia

Charles Baudelaire (Sharl Bodler) lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris dhe vdiq më 31 gusht të vitit 1867, ishte poet, kritik dhe përkthyes i njohur francez. E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi tek ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën. Në 1833 njerku regjistroi në Kolezh Ruajal. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat, kështu që njerku i zemëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharl: e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotismin, që duket më së mirë në kryeveprën e tij "Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit. Në 1842, njohu poetët Gerard de Nerval dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim te Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se çfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet t`i kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej..Në 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: "Arti romantik" e "Kuriozitete estetike". Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij "Lulet e së keqes", që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet ndërsa botuesi detyrohet të censurojë disa prej poezive. Bodleri ra në depresion të thellë. Në 1861 u përpoq të vetvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akadèmia franceze, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.
I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkoli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44-vjeçare. Heshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge.
Veprat: "Lulet e së keqes"(1857), "Parajsat artificiale"(1860), "Rrënojat"(1864), "Prozat poetike"(1869).