19 January 2020

🔵 Prenkë Gjoni - Gojçaj i Hotit dhe djemt e tij


PRENKË GJONI - GOJÇAJ I HOTIT DHE DJEMT E TIJ

Familja e Prenkë Gojçajt në vitin 1981 dhe i biri Kolë Gojçaj në Detroit

Ishte një ndër familjet e fisit Gojçaj nder më të nderuara të Malësisë së Hotit, e rritur me tradita malësore dhe e brumosur me ndjenja patriotike shqiptare.
Ngjarjet e vitit 1981, si shumicën e malësorëve, e tronditen rëndë këtë familje, sidomos aksionet që ndërmori sigurimi malazez ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Bijtë e bijat e Malësisë ishin aktivistet më të shquar për mbrojtjen e çështjes kombëtare në diasporë. Kështu edhe i biri i tyre Kolë Gojçaj, i cili jetonte në Detroit të SHBA-së, ishte një ndër veprimtarët e shquar të çështjes shqiptare.
Në vitin 1981 kur ai me një grup shokësh vizitoj Shqipërinë, nuk ngurroj që Radio Televizionit Shqiptar ti japë një intervistë.
Në të ai foli edhe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi si dhe keqtrajtimet e regjimit jugosllav ndaj tyre. Paraqitja e Kolës në Televizionin Shqiptar e irritoj pa masë UDB-në malazeze. Ajo e dinte se nuk mund ti hakmerrej Kolës, i cili ndodhej në listën e zezë dhe nuk guxonte të hynë në Jugosllavi. Por ajo kishte një mundësi tjetër, të hakmerrej ndaj prindërve dhe vëllezërve të Kolës që jetonin në Malësi.
Jo shumë kohë mbas kësaj ngjarje sipas skenarit të UDB-së, inspektorët e sigurimit bastisën shtëpinë e familjes Gojçaj. Sipas thënieve të tyre, kërkonin gjoja materiale propagandistike sepse ishin të informuar se familja Gojçaj merrej me veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe vëllazërim-bashkimit. Në shtëpinë e Prenkë Gojçajt, inspektorët e sigurimit morën disa kaseta magnetofonit me këngë popullore patriotike dhe disa numra të revistës  “Shqipëria e re”, të cilat më vonë i përdoren si dëshmi kundër Prenkës dhe dy djemve të tij, Dodës dhe Lucës.
Në bazë të akuzës nga UDB-ja, me 8 shtatorë 1981 u arrestuan Prenkë Gojçaj dhe tre djemtë e tij, dhe i dërguan në burgun hetues të Shpuzës.

Kush ishte Prenkë Gojçaj

Ishte një burrë malësor, i cili megjithëse ishte në moshë të thyer 76-vjeçarë, për asnjë moment nuk u përkulë por qëndroj me atë krenarinë tipike malësore, e cila i karakterizon shumë burra të Malësisë.
Duke e parë në moshë të thyer, sigurimi i shtetit ofroj që të bëjë një deklaratë publike kundër intervistës së djalit të tij, Kolës, në këmbim që ta lironin nga burgu. Por si shumë herë të tjera, intriga e UDB-së nuk u pranua as nga Prenka, i cili ishte i vetëdijshëm se qarqet shoviniste malaze do ta dënonin me burg. Kështu edhe ndodhi. Gjyqi Komunal i Titogradit e dënoj Prenkën me 1 vit e 8 muaj burg, të cilat i bëri në burgun e Shpuzës.
Siç tregojnë të burgosurit, të cilët e kanë vuajtur dënimin së bashku me të, Prenka vërtetë ishte krenarë dhe kurrë nuk ankohej, prandaj ai u bë burim frymëzimi dhe simbol qëndrese edhe për të burgosurit e tjerë shqiptarë në Mal të zi.

Dodë Prenkë Gojçaj

Është djali i Prenkës, i cili u arrestua të njëjtën kohë dhe me të njëjtën motivacion. Ai para inspektoreve të sigurimit dhe gjatë procesit hetues kishte deklarua se gazetat dhe kasetat ishin të tij, mbasi ai ishte mësues. Prandaj kërkoj ta lironin babain, Prenken, sepse ai ishte analfabet dhe nuk dinte as shkrim, as lexim.
Ai kërkoj po ashtu lirimin e vëllait të tij, Lucës, sepse ai nuk dinte as një gjë, sepse posa ishte kthyer nga shërbimi ushtarak. Por UDB-së nuk i interesonin se të kujt ishin kasetat, sepse ata kishin në plan që të hakmerreshin ndaj tyre familjarisht. Kështu i njëjti Gjyq i Titogradit, e dënoj Dodë Prenkë Gojçajn me 2 vjet burg, të cilat i vuajti në burgun e Shpuzës.

Lucë Prenkë Gojçaj

Luca është djali i tretë i Prenkës ndaj të cilit sigurimi malazez donte të hakmerrej. Pavarësisht faktit se ai ishte i ri, i posa kthyer nga shërbimi ushtarak e personalisht nuk i kishin gjetur asgjë, e arrestuan në të njëjtën ditë me babain dhe dy vëllezërit e tij. Luca kishte deklaruar se pavarësisht fakteve është në gjendje të marrë përgjegjësinë dhe të vuaj dënimin për të tërë familjen me kusht që të lironin babën dhe të dy vëllezërit e tij.
Si për të gjithë të persekutuarit politikë shqiptarë, në Mal te Zi, gjykata ishin të detyruar të zbatojnë urdhërat e UDB-së, prandaj me të njëjtën procedurë, Gjyqi Komunal i Titogradit e dënoj Lucën me 18 muaj burg, të cilat i bëri në burgun e Shpuzës në Mal të Zi.
Në të njëjtën kohë, UDB-ja e arrestoj dhe djalin tjetër të Prenkës, Dedën, i cili jetonte në SHBA dhe bashkë me gruan dhe pesë fëmijët e tij gjendej për vizitë pranë familjes së vet. Ai e kishte biletën për tu kthyer në SHBA me 9 shtator 1981, ndërsa policia malazeze e arrestoi një ditë përpara, me 8 shtator. Në gjykimin familjar me 28 nëntor 1981, e liruan për mungesë faktesh, por nuk ja kthyen pasaportën, që ia kishin marrë me rastin e arrestimit. Pas 3 muaj e 12 ditësh, sigurimi ia ktheu pasaportën dhe ai u largua në SHBA ku e priste familja e tij.


"Pishtarët e Lirisë"

Gjylaver Avdiu

17 January 2020

🔵 Imzot Ernest Çoba- Arqipeshkvi i Shkodrës (1912-1980)



IMZOT ERNEST ÇOBA- ARQIPESHKVI I SHKODRËS
(1912-1980) 

Imzot Ernest Çoba, ipeshkëv i butë, i ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë. Në periudhën e diktaturës komuniste e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar. Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980.

Më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, pasi, në kundërshtim me natyrën e tij të butë e të brishtë, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar.
Imzot Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit. Pas vdekjes së imzot Gaspër Thaçit dhe arrestimit të dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi imzot Ernest Çobën, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952.
Vishte petkat (paramentet) liturgjike me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë simbolizonte gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta për Fé e Atdhé. Ai merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës. Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzot Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën e Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan, ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, pas rënies së diktaturës komuniste, imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë":
Imzot Ernest Çoba" kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errëta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve.
Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë. Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së Kishave, në një të diel të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej nga regjimi komunist, imzot Ernest Çoba u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predikimii, për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat në prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave e të Tempujve tjerë të Zotit, do të mbylleshin. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.
Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij.

Vatican News, 7 janar 2020

05 January 2020

🔴 Jemi popull atomik - nga K.P. Traboini


JEMI POPULL ATOMIK



Nga KOLEC TRABOINI


   Përkundër entuziazmit retorik të politikës e qeverisjes për sukseset që do të kemi kur të ndërtojmë centralin atomik për të shpëtuar nga errësira, fort keq e përshkroi situatën një shkodran. I ulun galuc( si skulptura e Rodenit) aty ku dikur kanë qënë në këmbe 5 herojt e Vigut, i binte me grushta kresë e thërriste; "Kuku, moj nane, c'na ka gjetë ne s'ka gjetë kurrkend!"
    Ju afruan shkodranë të tjerë sehirxhijë e të papunë e i thanë: 
"Po çfarë të ka gjetë, mor njeri? Na thuaj!"
"Pse ala nuk e keni marrë vesh, a ? Po ju a shihni televizor? A e patë demonstratën me 26 prill? Duan me na tredh të tanve."
     Sehirxhinjtë zunë me qeshë por ai serioz u tha: "Kur të mos ju punojë ma zemreku(e tregoi me gisht në mes të shalëve të tyre), do të më kujtoni. Pse a nuk e dini ju se atomiku që duan me ngrit në Shkodër na bën të tanëve eunukë? Mos me kenë të zot as për gratë tona..."
Ndërsa shokët e vet qeshnin, ai vazhdonte avazin duke thirrë "Kuku moj nane ç'ka na ka gjete! Duam me na tredh të tanëve! Duan me na lane pa kartë identiteti si mashkuj!"...
   Vërtetë pse politika kërkon të tredhë popullin e vet, nisën të mendojnë shkodranët tek shihnin shokun e vet që i binte me grushta krese me do thirrje ogurzeza.... Mos kanë ndonjë plan që ta popullojnë Shqipërinë me kinezë që janë një popull i urtë e ngopet me një tas pilaf e dy shkopinj, pa pasur nevojë për salltanete lugësh.
    Ky populli ynë duhet të kënaqet me atë që i afrojnë. I afrojnë drita, të brohorasë, i afrojnë errësirë të mos flasë, e lënë papunë, të qepë gojën, i afrojnë një luge të zbrazur, ta lëpijë e të ngopet, i afrojnë atom të lumturohet.  Në mos, të marrë nga sytë këmbët se një popull edhe mund të gjendet por një qeveri për të qenë si kjo atomikja jonë, kurrë e kurrës. I ngrenë i pangrënë, me dritë a pa dritë, me ujë a pa ujë, me punë a pa punë, shko e fli o popull se qeveria t'i gjeneron edhe ëndrrat, e gjasat janë të shohësh edhe ëndrra atomike.Cili popull tjetër në botë ka lumturinë të shohë ëndrra atomike veç nesh? Meqë ra fjala për ëndrra, po tregojmë një histori për ta mbyllur këtë mesele me politike e qeveri. Na shkon një tjeter qyqar-qytetar shkodran në ambulancën e spitalit neurologjik. 
“Çfarë ke që je i tronditur?”-e pyeti doktori shkodranin. Ky pa e zgjatur ja ktheu: “Kam parë një ëndërr të keqe”.
“Me se po merreshe para se të zinte gjumi?”.
“Po shihja e dëgjoja fjalimin e kryqeveritarit për atë punën e atomikut që do të ngrihet në Shkodër. Isha në një kafene e pranë meje qenë ca djem të ndërsyer nga Vlora. Njëri nga ata u tha shokëve të vet
“Çfarë mendojnë këta të qeverisë?! Po ne në 97-tën me ca pushkë të qelbura kineze bëmë namin, e jo më po të na bjerë në dorë atomikja. Nanë e zezë, do ta tundim Ballkanin. Ujin e zi do t’ia nxjerrim Evropës!”.
“E, çfarë pe në ëndërr?”- vazhdoi pyetjet i përqendruar doktori.
“Sikur po fluturoja lakuriq mbi ca shtëllunga lesh, mbi Bangladesh.”- u pergjigj pacienti
     Doktori erdhi vërdallë, bëri kinse hapte një dosje, hoqi syzet e tha:
“S’kam çfarë të bëj, o njeri. Sa të kemi kësisoj leshkosh në politike e qeverisje, e kësisoj budallenjsh nëpër rrugë, ëndrra me lesh e Bangladesh do të shohësh.”.
“Nuk kam fare shpresë për shpëtim, doktor?”- pyeti krahprerë pacienti shkodran.
“Mos fli gjumë që mos shohësh ëndrra”- tha prerë doktori e nisi nëpër dhëmbë të këndojë një këngë të improvizuar aty për aty:
“ Zgjohu popull e mos fli
Die në rrugë e thërrit

Me kësi leshkosh në qeveri
Jemi popull atomik!….“.
Pacienti u hutua nga ky shpërthim i doktorit e tha me vete:
“Iku, e pat dhe ky si ai tjetri i atomikut!"
    O zot, po pse të gjithë doktorët janë të falisun. Kush do të na shpëtojë ne të mjerëve prej ëndrrash me lesh e Bangladesh?!.