28 October 2016

Si u dhjenë partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese - nga K.Traboini




SI U DHJENË PARTIZANËT E BRIGADËS SË PARË SULMUESE
- Histori autentike e luftës legjendare të Mehmet Shehut –

Nga KOLEC TRABOINI

Një partizan i Brigadës së Parë Sulmuese më ka treguar një histori tragji-komike se kur kaloi Brigada e Parë për në Veri në kuadër të Divizionit te Parë Sulmues, kanë qëndruar në Mat - Dibër ku intendenca urdhëroi të rrëmbenin tufat e bagëtive të Kaloshëve, bajraktarë të pasur nacionalistë. Çobanët nuk deshën ti dorëzonin, por ajo punë u zgjidh shpejt e shpejt se i pushkatuan pa gjyq. Me qindra dele e dhi u therën e partizanët trima të uritur u lëshuan në të ngrënë mish. E çfarë mishi! Por kohë e keqe, me shi e ku pjekur e ku papjekur. Por problemi ishte se nuk kishin as kripe. As bukë. Kishin uri e u dendën mirë e mirë me mish. Mbushën edhe çantat që ti kishin për marrshim, por i zu belaja pa nisur udhën.
Tre ditë tërë formacioni partizan zuri shkurret çdo një orë, sepse i zu barku. I zu e nuk i lëshoi....Shyqyr që nuk kishte aty rrotull gjermanë se do kishin lënë nam në trimëri shkurresh. E këta ishin partizanë safi, e ai që ma tregoi këtë histori tragji-komike ka qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese që nga themelimi në Vithkuq e deri me fund të luftës. Kusuret e atij mishi të dhive të armiqve nacionalisto-ballist i kishte hequr edhe ai. Tani historitë me pula ballistësh në komunizëm edhe haheshin, sepse vesi i shëmtuar i komunistëve faqezinj ishte të talleshin me të mundurit (çobanë hesapi), siç bënte Buburicka ai shkrimtari komunist rakitik që bënte bejte politike.
Po çfarë kanë këta bijtë e etërve që na çajnë trapin me propagandat e Enver Hoxhës për ballistë pulash edhe sot pas njëzet e pesë vjet demokraci. Sikur baballarët e tyre komunistët ta kishin gojën të mbyllur me dry dhe meazallah nuk hanin. Po pse more, me se e mbajtën shpirtin baballarët tuaj? Mos rronin me bar e me fruta si majmunët.
Po çfarë të themi tani, nëse ndjekim stilin e këtyre mendjeshkurtërve e zhgarravina-shkruesve, se ata, partizanët legjendarë të Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Zagarit ishin dhjeracakë. Jo more, jo...Na ruaj Zot.... Nuk e lejojmë veten të biem në pozitat e propagandës idiote të këlyshëve të komunistëve që thonë se pulat i hanin vetëm ballistët, e se partizanët as hanin e as dhisnin.
Duket edhe në këtë fotografi autentike të Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut e Dushan Mugoshës (Çalamani alias Sali Murati), ky i fundit tek pjek bagëti në hell bashkë me Mehmetin, se me të vërtetë pulat nuk ishin në menynë e formacioneve partizane.




26 October 2016

Si i pushkatoi Vito Kapo dy libohovitë të pafajshëm- nga Kolec Traboini


SI I PUSHKATOI VITO KAPO DY LIBOHOVITË TË PAFAJSHËM
 
Nga KOLEC P. TRABOINI
 
Ndërkohë që kishte plasur një debat i madh a duheshin nderuar si martir të demokracisë 67 shqiptarë të pafajshëm që pushkatoi katili Mehmet Shehu në shtator 1943, shumë njerëz me lidhje gjaku apo shpirtërore me komunizmin e konsiderojnë këtë dekorim një gabim i madh. Në këtë kor bretkosash postkomuniste nuk ndenji pa u përzierë edhe gërmadha e diktaturës Vito Kapo, e cila e lëshoi zërin e saj si qyqe vjeshte në mbrojtje të krimeve të komunizmit. Lexoni çfarë tha kjo hata e zezë:  “Nuk ka gjë më të ulët. E pashë dhe mu duk një çmenduri. Si mund të dekorosh ata që u bashkuan me pushtuesin e huaj kundër partizanëve, bijve të popullit. Ata kanë qenë dhe mbetën tradhtarë të Shqipërisë që jo vetëm nuk duhen dekoruar por nuk duhet të zihen fare në gojë”.
Kjo plakë e rrjedhur, gruaja e eksponentit të komunistëve shqiptare Hysni Kapo, kërkon tu mësojë shqiptarëve se çfarë duhet të bëjnë e të mos bëjnë. Ajo ka guximin të mos i quaj as shqiptarë ata që u vranë egërsisht nga Mehmet Shehu, por thjeshtë e me përçmim: ballistë. Dhe as të analizoje sadopak se në çfarë rrethanash u vranë mizorisht ata 67 njerëz. Vito Kapo bën sikur nuk di  se pak më parë ishte bërë Marrëveshja e Mukjes ku partizanë e ballistë ranë dakort që me çlirimin e Shqipërisë do ta ndanin pushtetin në mes tyre. Nuk thotë fare Vito Kapo se ishin komunistët të udhëzuar nga miku i saj dhe armiku i popullit shqiptar Dushan Mugosha, që prishën në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Mukjes. Nuk thotë kjo plakë komuniste as faktin se kur u bë ajo masakër në Lushnjë nuk kishte pushtues askund. Sepse italianët kishin kapitulluar ndërsa gjermanet ende nuk kishin ardhur në tokat shqiptare prandaj nga na dalin këto viktima të komunistëve që të kenë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve. Vito Kapo ka qenë në forumet udhëheqëse të komunistëve rreth pesë dekada, edhe ministre ka qenë dhe e di mirë mënyrën si funksiononte demagogjia, gënjeshtra dhe propaganda komuniste. Prandaj dhe në mënyrë krejt mashtruese i akuzon 67 viktimat e pushkatuara si bashkëpunëtorë të armikut pushtues, kur ato ditë pushtues nuk kishte asgjëkundi në Shqipëri.
Po se çfarë është mashtruesja Vito Kapo  më mirë se kushdo e dinë libohovitët. Sulejman Jusufati që nxirrte gazetën "Libohova" më tregoi një histori që lidhet me këtë eksponente të diktaturës.
Ka një ngjarje gjatë viteve të luftës që e tregon shpirtin gjakësor të kësaj shtrige të kuqe komuniste. Dihet se në mes të libohovitëve, për shkak te ndarjes partizanë e ballistë kishte plas një luftë vëllavrasëse.  Secila palë, herë partizanë e herë ballistë,  vinin në këtë qytet paqësor dhe bënte masakra mbi popullsinë, rrëmbenin qytetarë dhe i pushkatonin. Në një nga këto ardhje, një njësit partizan rrëmbeu rreth 15 libohovitë dhe i mori me vete për ti dërguar në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë së Enver Hoxhës në Odriçan. Atje improvizuan një gjyq partizan dhe dy nga libohovitët që i mbanin si rob, u vendos ti dënonin me vdekje. Fillimisht i lanë të lidhur nën hijen e një peme deri sa të vinte koha për ekzekutimin.  Andej kalon partizania Vito Kapo që atë kohë shërbente në Odriçan pranë shtabit të Enver Hoxhës. Afrohet nga robërit libohovitë dhe pyet se çfarë janë këta. I thanë i kemi sjellë nga Libohova e janë familje ballistësh. Vito Kapo që ishte vetë nga Zagoria, i njihte libohovitët ndaj  iu afrua dhe i pyeti një për një. Pasi bëri këtë gjë u takua me atë që drejtonte gjyqin dhe e pyeti se sa do të pushkatonin.
- Dy, i tha ai partizani, besoj se kaq mjafton. Të tjerët do ti lëmë të lirë.
- Jo, thërriti partizania Vito Kapo. Jo, dy janë pak, po të pushkatohen katër.
Pastaj shkoi tek ata që i mbanin të lidhur, zgjodhi dhe dy të tjerë, e kështu të katërt i mbajtën. Të tjerëve u thanë të iknin e po të donin mund të futeshin në radhët e partizanëve. Të katërt ata që i ndanë në një anë pas pak i pushkatuan. Kështu që dy shpirtra njerëzorë janë në ndërgjegjen e pavrarë shtrigës komuniste  Vito Kapo. Mirë është të pyetet kjo plakë se çfarë kishte me ata dy libohovitët e mjerë. Për me tepër duhet pyetur çfarë mban mend ende nga ajo kohë krimesh të përbindshme,  e kjo para se të ketë rrjedhur krejt e të ketë dredhur bishtin. Këtë histori ma tregoi kohët e fundit një libohovit që nuk dëshiron të identifikohet sepse është person i njohur publik.
Por ajo partizania shtabiste e Enverit nuk ka në ndërgjegje vetëm jetën e dy libohovitëve. Vito Kapo ka qenë antare e presidiumit të Kuvendit Popullor që miratonte dënimet me vdekje. Ka miratuar dënimin me vdekje të Skënder Dajës dhe tre të burgosurve të tjerë të Revoltës së Spaçit më 24 maj 1973. E ka miratuar vendimin me vdekje të 22 vjeçarit Skënder Daja vetëm pse këndonte me kitarë këngët e Adriano Çelentanos. Skënder Daja ishte bir i një babai të pushkatuar, Qemal Daja në 1953.
Vito Kapo ka ndërgjegjen e saj edhe pushkatimet e Dervish Bejkos, Pal Zefit, Hajri Pashajt e qindra të tjerëve. Dhe asnjë prej kriminelëve komuniste nuk është dënuar nga drejtësia për rolin e tyre si xhelatë në duart e diktatorit që ka ekzekutuar rreth 6500 shqiptarë. Nuk e dimë pse hesht Europa në këtë rigjallërim të rrezikshëm të elementeve që e terrorizuan popullin shqiptar për 50 vjet deri në kufijtë e gjenocidit.
Ka një rigjallërim të llahtarshëm të vemjeve të kuqe. Mendojnë se ju ka ardhur ora për revansh. Prandaj është e kuptueshme se pse kjo plakë e kuqe komuniste në ngordhje,  ka guximin marrok të mbrojë krimet e komunistëve, sepse kështu ajo mbron dhe krimet e veta të përbindshme për të cilat mjerisht nuk është dënuar asnjë herë.

14 October 2016

Në ujërat tinëzare të propogandës serbe - nga Kolec Traboini



NË UJËRAT TINËZARE TË PROPAGANDËS SERBE?

Nga KOLEC TRABOINI

Mjaftoi një lajm mashtrues i përgatitur në kulisat e Beogradit, sikur Donald Trump kishte thënë se ka qenë gabim sulmi mbi Serbinë në pranverë 1999, dhe menjëherë disa shqiptare nisën të fjalosin zhurmshëm sikur kandidati për President i SHBA është kështu e është ashtu. Nuk lanë fjalë pa thënë. Po ne të gjithë e dimë se ka jo pak shqiptare dembelë Stambolli që nuk kanë bërë një punë së mbari në jetën e tyre që nuk ngurojnë te  anatemojnë një Donald Trump, i cili ka krijuar një perandori pasurie në të gjithë Amerikën dhe në botë me punën e tij. Ai është shembulli më i mirë çfarë mund të bëjë një biznesmen i përkushtuar dhe i palodhur për vendin e vet. Tërë shpenzimet e fushatës prej miliona dollarë i vuri nga pasuria e vet e nuk bëri, siç kanë bërë deri tani presidentët e tjerë duke mbushur depozitat e veta milionëshe me donacione për fushatat elektorale. Pra, atë që është një shembull i punës vetëmohuese, modelin me të lartë në botë të investitorit të suksesshëm, dembelët e Shqipërisë tonë të shkatërruar nga politika e mafia,  e marrin si gjëja më e keqe që mund ti ndodh Amerikës po u zgjodh Donald Trump si president.
Krijimi i psikologjise së gabuar si nxitje turmash, se po u zgjodh Donald Trump president dëmtohet Shqipëria, Kosova e shqiptarët është një veprim jo thjeshtë naiv por spekulues dhe në dem të interesave të shqiptarëve. Mjerisht në këto ujëra të turbullta noton edhe kryeministri shqiptar duke treguar një naivitet të pashoq, paaftësi për ta kuptuar politikën ndërkombëtare, aspak intuitë, çfarë të kujton presidentin jashtë kontrollit të logjikës në Filipine. Pra sikur të ishte një njeri që nuk di se çfarë flet e se çfarë përgjegjësie ka mbi supe kur bën deklarata mbi prishjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Amerikës. Ti marrësh gjërat kaq lehte në marrëdhëniet e politikën ndërkombëtare është e pafalshme, por kur një kryeministër në shtetin e tij sillet ende si një krye bashkiak që lyen fasada dhe merret me plehra për ta mbushur Shqipërinë me kundërmim helmues si të ishte plehërishta e Evropës, kësisoj të duket normale çdo lajthitje kryeministrore e këtij njeriu. Prej tij nëse vazhdon këtë rrugë pritet gjithçka dhe mund të them për të po ato fjalë që ka thënë ai për Donald Trump, që ekzistenca e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë është e dëmshme dhe e rrezikshme për popullin shqiptar. Madje më e rrezikshme se sa ai mendon për Donald Trump po të vinte ky i fundit në Shtëpinë e Bardhë. Po ne as ju nuk shkojnë askund me këto klasifikime aspak konstruktive dhe ekstremisht të dëmshme. Prandaj hiqjuni propagandave papagalle të mediave serbe apo miqve të tyre, hiqjuni marrëzive që për tu dukur snob modern a për te qenë gjoja sportiv, mbase edhe për t’ju shitur serbëve ca libra të mjerimit politik të shfaqeni kësisoj. Mos u shpreheni solidare me mendimet e tyre mbi qytetarin e madh amerikan Donald Trump, për të cilin zgjidhet apo nuk zgjidhet, bota për flet dhe do të flasë edhe po nuk u zgjodh. Je aq larg prej hijes së tij, o kryeministër.
Zgjedhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhe nuk përbën asnjë rrezik për Shqipërinë, as Kosovën e as për shqiptarët në përgjithësi. Po ashtu mund të themi edhe për Hillary Clinton që është mike e deklaruar dhe e nderuar e shqiptarëve në të gjithë Ballkanin pa përjashtim. Kushdo që do të zgjidhet, nga të dy kandidatët për postin e presidentit,  ne si shqiptarë, në miqësinë e sprovuar amerikane do të themi “rroftë presidenti i zgjedhur, Zoti e bekoftë Amerikën!”.
Ata që për këto zgjedhje bëjnë skedina me llogarira për përfitime politike, le të hiqen në një anë se të luash bixhoz me miqësinë e popullit shqiptar me Amerikën është e rrezikshme e ju çon në tradhti kombëtare si Enver Hoxha në vitin 1945-1946.
E le të merremi me këtë kotecin tonë te vogël ballkanik ku po shqyejmë njeri-tjetrin politikisht, ndërkohë që këta të politikës po e rrjepin popullin shqiptar nga babëzia e pashuar për pushtet e pasuri. Le të merremi me handrakun tonë, ti pastrojmë hauret nga ky pisllëk çerekshekullor i pseudodemokracisë që po e shkatrrën shoqërinë shqiptare dhe po e bën brezin e ri  të pashpresë e të ike nga sytë këmbët në një hemorragji kombëtare të pambaruar. 

14 tetor 2016

05 October 2016

Takim me shkrimtarë në Institutin e të Miturve në Kavajë


TAKIM ME SHKRIMTARË NË INSTITUTIN E TË MITURVE NË KAVAJË

Një grup shkrimtarësh në ditët e para të tetorit vizitoi Institutin e të Miturve në Kavajë ku u takuan me fëmijët adoleshentë të këtij institucioni. Grupi përbëhej nga Pandeli Koçi, Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, këngëtarja Myfarete Laze dhe aktori i teatrit “Skampa” në Elbasan, Eduard Çala. Pasi u priten nga drejtori Durim Perja ku u njohën me veprimtarinë edukative të këtij institucioni, grupi pa nga afër mjediset në të cilat të rinjtë kalojnë kohën e tyre sipas programeve mësimore por edhe argëtuese. Ky instituti i të miturve është hapur në tetor të vitit 2009 dhe shërben si një qendër rehabilitimi, këshillimi dhe shkolle për të miturit, projekt që u realizua me investim të BE me një fond prej 2.4 milion euro. Sipas programit që ka publikuar instituti në web-sitin e vet, në këtë institut, trajtohen fëmijë minoren të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale e mosha e të miturve që do të vuajnë dënimin aty është nga 14-18 vjeç. Aty mund të trajtohen rreth 40 persona, ndërsa personeli në pjesën më të madhe, pothuaj 80 % është civil e të tjerët punonjës të policisë. Në një pjesë të programit në këtë Institut është dhe puna me librin, për këtë ata kanë një sallë leximi dhe një bibliotekë të pasur me libra, kryesisht të dhuruar nga autorë apo botues të ndryshëm.  Në një sallë të madhe që shërben edhe si një qendër kompjuterësh,  u zhvillua një bisedë e lire në mes të grupit të shkrimtareve dhe fëmijëve që gjenden në këtë institucion.
Shkrimtari Pandeli Koçi, i cili për shumë vite ka qenë kryetar i shoqatës së krijuesve të letërsisë për fëmijë e të rinj, foli për krijimtarinë e vet në ketë fushë, por edhe punën si redaktor në botimin e librave për fëmijë e të rinj. Kolec Traboini solli përvojën si kineast e shkrimtar dhe foli edhe për romanin e tij “Katërkëndëshi i mundimeve” që do të sillet për ribotim,  me subjekt  të ngjashëm me këtë kategori fëmijësh në kohën e diktaturës. Poetja Iliriana Sulkuqi, që jeton në New York e ndodhet me pushime në Shqipëri, foli mbi artin poetik dhe recitoi disa vargje nga poetë të njohur Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja dhe Betim Muço. Këngëtarja Myfarete Laze foli për përvojën në botën e psikologjinë e fëmijëve dhe interesat e tyre për artet. Aktori Eduard Çala pasi citoi një thënie frymëzuese të Nënë Terezës “Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe”,  shprehu dëshirën që me fëmijët e këtij institucioni të vinte në skenë një pjesë teatrale në kuadrin e programit për edukimin dhe pajisjen me kulturë si dhe e zhvillimin e talenteve. Në fund të takimit shkrimtarët Kolec Traboini, Pandeli Koçi dhe Iliriana Sulkuqi, dhuruan një sasi librash si autorë për bibliotekën e Institutit të Miturve,  të njëjtën gjë bëri edhe shtëpia botuese “Ada”.