18 December 2015

Nënë Tereza -zemër shqiptare /nga Kolec Traboini



NËNË TEREZA - ZEMËR SHQIPTARE
Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit virtytin që i kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi.

Nga KOLEC TRABOINI

Nënë Tereza tani është kthyer në një simbol, në një virtyt që shpreh tiparet më të larta të popullit që e ka lindur. Të gjithë udhëtarët e botës që kanë kaluar nëpër Iliri-Arbëri-Shqipëri( ku hyn Shqipëria, Kosova, gjysma e Maqedonisë, Çamëria, trojet shqiptare në Mal të Zi, ( kujtoni Bajronin, Pukevilin, Edith Durhamin, Ipen e plot të tjerë), kanë vënë re pikërisht këtë tipar,bujarinë shqiptare, tipar që tek Nënë Tereza jonë u trashëgua e mori përmasat universale të gjenialitetit. Tanimë ky virtyt, si dinjitet e simbol, i përket gjithë njerëzimit por kurrë pa ju mohuar origjinës, Shqipërisë e shqiptarëve. Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit, në mënyrën më të devotshme se kurrkush tjetër, virtytin që e kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi. Ajo me veprën e saj humane si asnjë tjetër, i lartësoi dinjitetin dhe bëri të njohur e të respektuar popullin shqiptar kudo në botë, pikërisht atëherë kur ky popull ishte poshtëruar e rronte si skllav nën zgjedhën e djajve të kuq të ferrit komunist. Edhe ky moment duhet vlerësuar sepse shumë kush aso kohe mendonte se Shqipëria kish njollën e zezë të diktaturës mizore, ndaj dhe ish lënë në harresë e përbuzje prej qarqeve që vendosnin ekuilibrin e kësaj bote. Është në dinjitetin tonë kombëtar, historik, që ajo kur po merrte çmimin Nobel për Paqe, tha tekstualisht "nga gjaku jam shqiptare". A ka dëshmi më të madhërishme dashurie se sa kur e shpall faqe botës me krenari të qenit me gjak shqiptar, e pikërisht atëherë kur Shqipëria ishte e deklaruar si sinonimi i dhunës e diktaturës me të tmerrshme në Evropë. Në momentin solemn e kujtoi popullin e Atdheun e vet faqe gjithë njerëzimit. E kjo nuk është pak. Për një popull të vogël e të nëpërkëmbur në histori si i yni, është shumë, është më se e mjaftueshme për ta ngritur Nënë Terezën në piedestalin e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar. Kapur pas rrëfanës se ajo nuk e dinte aq mirë gjuhën shqipe, disa pasionantë interneti, përpiqen ta mohojnë tërësisht, mirëpo harrojnë këta zotërinj se më se shumti nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flet, por e vërteta që thua, nuk kanë fort rëndësi fjalët që thotë goja para dashurisë që mban zemra... Ka shumë shqiptarë në botë që e kanë harruar gjuhën shqipe, por në zemër kanë Shqipërinë. Ne nuk mund t'ua shkoqim nga zemra e tyre dashurinë vetëm me shkakun se nuk dinë të flasin shqip sepse ata flasin me gjuhën e zemrës. Dhe një gjë mos e harrojnë ata që duan ta shohin historinë ndryshe nga se ka qenë në të vërtetë, apo duan ta modifikojnë atë për hir të interesave të kohës, se turqit e historisë (e jo të sotmit sigurisht) dihet mirëfilli se i digjnin shqiptarët të gjallë po t'i zinin tek shkruanin gjuhën shqipe, madje nuk kanë qenë aspak më të mirë se grekët, që vranë shenjtorin e shqiptarizues Papa Kristo Negovani, të cilin edhe sot e kësaj dite greku Janullatos ne krye të Kishës Autoqefale Shqiptare dhe pasuesit  e tij e mohojnë. Po të përmendje Gjergj Kastriotin, në kohen e sundimit të sulltanëve të egër të Stambollit, ushtareët e Perandorisë Osmane të fshinin nga faqja e dheut, por populli Skënderbeun e mbajti në zemër nëpër shekuj robërie, dhune, gjaku e tmerresh, paçka se me gjuhë të ndaluar. Ja pra çfarë force madhështore ka gjuha e zemrës. Gjuhën mund ta ndalosh të flasë, por zemrën nuk mund ta ndalosh të rrahë për mëmëdheun sa kohë që njeriu është gjallë dhe ka dashuri për atdheun e vet. Atëherë pra, si mund t'i mohohej Nënë Terezës dashuria për Atdheun e vet, si mund t'i mohohej asaj dashuria për nënën që e kishte lindur, për babain Kol Bojaxhiun që ja kishin helmuar pushtuesit serbë, për motrën që i vdiq në Tiranë (diku në një shtëpi përdhese tiranase) e që të gjithë flisnin vetëm shqip, gjuhën e Shqipërisë e të shqiptareve. A thua për këtë e ndaloi Enver Hoxha që të takonte nënën e motrën e vet në Tiranë, se e hante meraku diktatorin se nuk do të mund të merreshin vesh në gjuhën shqipe? Jo për atë zot, nuk ish ky shkaku i mohimit të diktaturës, nuk është ky shkak i vërtetë as dhe sot, prej disave që vazhdojnë ta mohojnë me të njëjtin pasion të egër, sepse: Dashuria para së gjithash është në zemër e jo në fjalë! Kurrë mos harrojmë ta lexojmë e ta rilexojmë thirrjen e Nënë Terezës, drithërimën nga thellësia e shpirtit drejtuar shqiptarëve në vitin 1997, kur shteti po shkërmoqej si një grusht rërë, populli po vuante e rinia po vritej, varret shumoheshin si brenga në truallin arbëror. Në atë letër ka dashuri në përmasat madhështore të personalitetit  të saj. Ajo në atë letër është shqiptare në çdo qelizë në çdo frymëmarrje. Ajo në atë letër është më shqiptare se çdokush tjetër ne këtë dhè e, ku e ku në krahasim me ata që, ani pse e flasin gjuhën shqipe standart, shpesh herë e përdorin atdhetarinë si medaljon. Populli ynë ende ka nevojë për figura të mëdha të ndritura që e lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve faqe botës, sepse ata shtojnë admirimin, shtojnë miqtë e përkrahësit e shqiptarëve, çfarë deri në fillim të këtij shekulli më së shumti na kish munguar. Dhe të mos harrojmë se nuk është e lehtë ti lindësh botës të tillë personalitete që nderohen nga mbarë njerëzimi, tej e përtej religjionit, sepse tipari themelor i saj ka qenë humanizmi, përkushtimi për mbarë njerëzimin. Fundja duhet ta dimë, e në mos e ditshim ta mësojmë ( ani pse tejet të vonuar në këtë mësim), se gjuha shqipe para së gjithash duhet të jetë dashuri...e dashuria është gjuhe e përbotshme që i tejkalon të gjithë kufijtë  e barrierat me të cilët historia deri më tash mjaft keq i ka ndarë e përçarë popujt. Shqiptarët kryekreje. E së fundi, fjala para se të dale nga goja duhet të kalojë nga zemra. Vetëm atëherë ajo është e vërtetë si drita e diellit, një e vërtetë që gjen strehë ndër zemra të tjera, siç gjenin strehë tek njerëzit, popujt e kombet e tjerë, fjalët e Nënë Terezës, Nënë Terezës sonë me gjak e zemër shqiptare.