LETËR PROF. SHENASI RAMA NË NEW YORK
- Pas vizitës së tij në Shqipëri -
Në shtyp e në libra por edhe në biseda
në Tiranë apo jashtë atdheut, e kam thënë mbi njëqind herë që në vitin 1993 e përkëtej, që partitë në
vitin 1990-1991 i formoi PPSH. Kam ikur nga Shqipëria pikërisht se e pashë se në
partitë e formuara hynë të gjithë beniaminët e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Komunistë dhe spiun sigurimi. Tani po avancohet disi e po thuhet nga ju, Prof.
Shenasi Rama, se PD e ka formuar Sigurimi i Shtetit. Unë nuk besoj se e ka
formuar Sigurimi i Shtetit, por e ka formuar Ramiz Alia dhe PPSH, ndërsa
Sigurimi ka bërë diversionin (ka porositur bluzat e bardha), duke futur brenda
ish agjentë. Plotë agjentë. Sa të mos merrte frymë demokracia e vërtetë, duke
krijuar barriera që të mos mund të depërtonin ato forca që konsideroheshin si
klasa të përmbysura të cilat realisht u shmangën dhe u neutralizuan politikisht.
A e dini vallë se në fillim të janarit 1991,
po të shkoje në zyrat e PD të sapoformuar që ishin në rrugën Fortuzi, të
shihnin me bisht të syrit... Po ky çfarë do këtu... Sepse ishin të listuar të
gjithë prej komunistëve se kush do të jetë e kush të mos jetë ne atë parti e
forumet e saj. E themi hapur edhe Sali Berisha por edhe Edi Rama ( të dy me
pardesy të bardha sigurimi)kanë qenë në listën për të kryesuar partinë gjoja
opozitare( Opozitar por vëllezër trumbetonin në mitingje sajesat e Ramiz Alisë).
Kjo tashmë është e ditur prej të gjithëve. Nuk besoj se ja vlen që të rrimë të
merremi ende me një histori që ka marrë dhenë, që tashmë duket si drita e diellit. Dy partitë
kryesore janë pjella të Partisë së Punës së Shqipërisë, pra komunistëve dhe nuk
kanë asgjë demokratike në frymën e tyre. Një PPSH e ndarë për gjysmë. Duhet thëne
ca të vërteta e të mos rrekemi me lojëra fjalësh pa fund, pra, a kemi këllqe
për një formacion të ri politik. Nëse po,
flisni hapur. Retorika e demaskimit nuk na shpëton si
popull. Jemi në zgrip të kaosit. Nuk shkohet më tej kështu. Kemi nevojë për
zgjidhje. Dhe nëse do t’ia nisni kësaj pune, siç po aludohet në intervistat që
jepni, duke dhëne shprese, mos i bëni
listat e anëtarësisë të formacionit të ri siç i bëri Partia e Punës në dhjetor
1990, sepse në ndodhtë kështu do të kalojmë fatalisht nga një dështim në një tjetër.
Nuk mendoj se bërthamën e një formacioni të ri politik, siç aludohet, duhet ta përbëjnë
ajo pjesë e studentëve që nuk përfituan pushtet e as trajtim ekonomik nga
rrjedhimet e vitit 1990-1991( që u bënë të pakënaqur dhe aq) se atëherë do
mbetemi në të njëjtin pellg. Se vërtetë ku ishin këta gjatë dy dekadave e gjysmë.
Përse vegjetuan politikisht kaq gjatë. Mos harroni se sot janë 25 vjeçar ata që
lindën në vitin 1990. Nuk mund ti përjashtojmë. Nuk mund të mbetemi peng i të
kaluarës. Ka sot djem e vajza plot Shqipëria. Prandaj pyetja shtrohet
drejtpërdrejtë kemi apo s'kemi këllqe për
të hapur lojën politike me një formacion të ri për të përballuar tre mostrat
politike që e kanë shaluar mizorisht Shqipërinë. Bëhen zgjedhje e asgjë nuk
ndodh veç ndërrohen kalorësit e Ramiz Alisë,
që edhe pse ka vdekur, në ideologjinë e këtyre partive është më i gjallë
se të gjallët.
E mirëpres si shumë intelektuale të
tjerë një formacion të ri politik, por nuk rri dot pa thënë se, as mos të mendohet
të bëhet një parti pas kuintave se do të dështohej ende pa nisur. Shembulli
partisë së kuq e zinjve të Kreshnik
Spahiut, që u nis me vrull e u zgërlaq aq shpejt, është një mësim i mirë se si
s’duhet të bëhet një formacion politik në të cilin flet veç kryetari dhe të
tjerët janë veç duartrokitës.
Kolec Traboini
Tiranë, 20 dhjetor 2015