Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 shkurt 1920 - shkruhet në faqen elektronike të Kishes Katolike. Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Romë. U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendës famullitar i Shkodrës.
U mor në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947. Pas torturave të papërshkrueshme u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet (Shqipëri e Jugut), përpara ushtarëve të regjimentit dhe i shkelur prej fanatikëve, derisa dha shpirt nën këmbët e tyre të përgjakura.
Qe një meshtar i përkryer, i zellshëm dhe i përvuajtur, i dashur, i gatshëm. Gjatë shërbimit ushtarak, edhe pse i disiplinuar, për shkak të fesë së tij katolike qe gjithmonë i përçmuar dhe i keqtrajtuar, siç kanë dëshmuar shokët e tij. Me një paraqitje engjëllore. Është një martir.
Dëshmitari okularë, bashkëushtari i tij Nikollë Koleci nga Delbnishti (Kurbin), i dëshmon gjërat e mësipërme.
Tek
shoh portretin e Dedë Maçajt, këtij meshtari të ri që kur kryente
shërbimin e detyrueshem ushtarak në Permet, e pushkatuan në repartin ku
sherbente e në prani të ushtarëve, dhe jo më shumë se 9 ditë pas
arrestimit pa asnjë akuzë e pa asnjë faj, vetëm se ishte prift; nuk mund
të mos mendoj se të gjitha ato vandakë me shkrime surogato mbi larjet e
hesapeve në mes të hijenave, banditëve e çobanëve të Byrose Politike,
që na i servir me bollëk shtypi mjeran dhe televizioni politik i
Tiranës, nuk janë tjetër veç krunde, dhe të gjithë këta që merren me
kërmat e jo me heronjtë e vërtetë, janë pjellë e farës së keqe
komuniste, në mos me origjinë biologjike, me mentalitet do si do.
Mjerisht Shqipëria vazhdon të sundohet nga njerëzit me mendësi komunist
edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas ngordhjes së kërrmës së kuqe, ani
pse antikomunistë të shfaqen të gjithë, shtetarë apo argatë, në pozitë
apo opozitë a në dreq.
Në këto kohë bastardhe, kur ekrani të
servir fytyra të ndyra buroistësh, që nisën të shqyenin njëri-tjetrin
pasi e shfarosën së bashku inteligjencen shqiptare, kur të jepet
përshtypja se historia nuk është gjë tjetër veç bëma katilësh e
diktatorësh, nuk mund t’i ndaj nga mendja e zemra njerëz si Dom Dedë
Maçaj pushkatuar 27 vjeç, Gjelosh Lulashi pushkatuar 21 vjeç,
seminaristi Mark Çuni pushkatuar 27 vjeç, Marie Shllaku pushkatuar në
Kosovë 24 vjeç, patriotin tim nga Hoti, mësuesin Gjergj Martini,
pushkatuar në Kosovë 29 vjeç, Qerim Sadiku nga Vuthaj, 27 vjeç, i
konsideruar Martir i fesë katolike sepse mbajti qëndrim heroik kur u
pushkatua dore për dorë me Atë Gjon Shllaku, Atë Giovanni Fausti dhe Atë
Daniel Dajani, më 4 mars 1946, me vjen ndermend drama e tragjedia e
vajzës së bukur fetare Marie Tuci, vrarë në moshën 22 vjeç nga
krimineli gjeneral Hilmi Hasan Seti, i cili donte ta përdorte, por nuk
mundi e nuk mundi ky vampir i kuq, që ca gazetarë e politikanë populistë
përpiqen ta shesin për hero apo viktimë të diktaturës.
Kur do të marr fund kjo masakër e shtypit dhe e mediave bastadhe me historinë e përgjakur 1944-1991.
Mjaft më me stilin e propogandës bolshevike gjak mbi gjak.
Mjaft më me histori kriminelësh, që koha u dha fatin të përfundonin në lumin e gjakut që ata vetë krijuan.
Sillni në skenë Heronjtë e Martirët e vertetë të këtij kombi.
Varri nuk i dihet dhe askush nuk u
dënua për këtë krim të përbindshem. Në katraurën e post diktaturës, kur në pushtet erdhën po komunistet dhe bijtë e tyre, mundet që krimineli që i mori jetën 27 vjeçarit Dom Dede Maçaj të këtë marrë ndonjë titull nderi.
Mjer kombi ku lartësohen kriminelët dhe lihen në harrim viktimat e Martirët duke i lënë ata edhe pa varr.
Mjer kombi ku lartësohen kriminelët dhe lihen në harrim viktimat e Martirët duke i lënë ata edhe pa varr.
KOLEC TRABOINI