ARRESTOHET PROKURORI SI NË FILMAT E
HOLLIVUDIT
Nga Kolec TRABOINI
Nuk është parë gjëkundi që arrestimi i një
prokurori të shtetit të bëhet krah për krah policia dhe kamera filmike. Por në këtë
Shqipërinë tonë ku përrallisin (pëllasin
thuaj), gjithë ditën e gjithë natën në televizione se gjoja po bëjnë reformë të
madhe në drejtësi, ngecur keq pra se askush me dy para mend në kokë nuk e beson
se drejtësinë mund ta bëjnë vetë hajdutët, ndaj dhe duan një spektakël me
prokuror. Dhe ky spektakël u gjend. Në fakt nuk u ra nga qielli por ishte këtu
në tokë në përditshmëri. Ruajnë një prokuror dhe e ndjekin në çdo hap deri në
atë çast që u duhej një shou i fortë mediatik. Me qëllim që Pushteti e Prokuroria të shpëlahen
disi prej pisllëkut që i ka mbuluar, ndaj ndajnë një dele të zezë prej vetes (kur të gjitha të zeza
janë) marrin edhe kameran, jepet komanda
- gati, dhe vetëm atëherë kur kameramani e ka fokusuar objektin, ai që do të bëjë
arrestimin nis aksionin. Gjithçka e kronometruar. Çiak! Hapet dera e makinës,
me afër të akuzuarit që do të arrestohet është kameramani se sa ai që do të
kryej arrestimin. Të duket se ke të bësh me një
film policor të Hollivudit, apo nga ato qe bëhen me kamera të fshehtë,
por veç fundi nuk është me të gajasura. Nuk ka vend për të qeshur këtu se
dekonspirohet marrëveshja Polici - Televizione dhe atëherë efekti shou nuk
realizohet. Pas kësaj tërë stacionet
televizive grijnë sallatë. Buuum! Një
kryelajm. U arrestua një prokuror. Pra kuptimi
qe del: shteti po punon. prokuroria po punon(i ra bretku) policia po punon. Pra gjithkush po punon në
këtë vend ku askush nuk punon. E ndoshta
është komedia ajo që po punon më mirë në këtë vend. Duan të krijojnë
përshtypjen se e kanë marr seriozisht politika e pushteti, por veç kanë nisur nga një provincë e humbur e
jo nga kryeqyteti ku manipulohen mijëra
e miliona dollarë, euro, lekë apo çfarë të kap dora. Tani që u krye edhe kjo
punë, cili është impakti i këtij shou të rrallës. Mos vallë populli do ta hajë këtë
kokërr ulliri e të ngopet me të. Mos vallë Qeveria e shlyen veten prej dhjetëra
afera korruptive me tendera, të cilat i merr i biri i këtij apo kushëriri i këtij,
i merr babai, vëllai apo kushëriri, apo pse jo dhe kushërinjtë e ministrit, siç
po flitet këto ditë nga opozitarët që thënë të drejtën e hakun të mos ua hamë, më
shumë flenë se rrinë zgjuar.
Po çfarë te lajë e shpëlajë më parë Prokuroria në bashkëpunim me Qeverinë në këtë skenë arrestimi si në skeçet grotesket të “Portokalli-s”.
Po çfarë te lajë e shpëlajë më parë Prokuroria në bashkëpunim me Qeverinë në këtë skenë arrestimi si në skeçet grotesket të “Portokalli-s”.
Nuk besoj se populli është aq budalla që
të mos e kuptojë se një arrestim i tillë me kamera dhe transmetimi plot bujë në
televizione, është thjeshtë një farse, është
një përpjekje mjerane si punë struci që fut kokën në rërë për të mos e
parë luanët e shkretirës.
Edhe këta zyrtarët tanë të lartë kështu bëjnë,
e fusin kokën në pleh korruptiv e mendojnë
se nuk e dinë njerëzit çfarë katrahure bëhet me drejtësinë, se nuk ka drejtësi pa u larguar e gjithë kjo
bandë prokurorësh e gjyqtarësh, të cilët nuk janë në gjendje asnjëri të tregojnë
si i kanë vënë pasuritë e mëdha që kanë. Kaq të vështirë e ka shteti që jo vetëm
atij prokurorit provincial mendjerabeckë që ra në pranga si nëpër estrada, por t’u
bëjë inventarin e pasurive të gjithë atyre që kanë qenë apo dhe janë nëpunës shteti.
Po këtu ke ministren, more, e cila pas dy vjet në qeveri bleu shtëpinë me 240
mijë dollarë. Nga dolën këta dollarë?!
Ne që e njohim Amerikën, po ju themi se
po të ndodhte kjo andej, do t’ia kërkonin me rrënjë e me degë se nga i kish
siguruar ato para, në cilën bankë i ka pasur, si kanë hyrë e si kanë dalë që
andej. Po këtu jo. Këtu parat ti le
gjyshja qe na i paska ruajtur në dyshek. Këtu të hedhin në sy mediatikisht një
cironkë e të thonë se jemi duke zënë peshk të madh, kur peshkaqenët e balenat,
po edhe ngjalat e Gjirit të Lalëzit e Lagunës Blu, janë në krye të pushtetit dhe tundin këmborën
e madhe, apo dhe kanë qenë, por sot na bëjnë një lloj opozitë qesharake. Dhe
vetë opozitarët nuk janë në gjendje të bëjnë transparencën e parave e të
pronave të veta që i kanë bërë pas 1990 kur ishim të gjithë varfanjakë. Kësisoj si mund të merren seriozisht kritikat
e demaskimi që u bëjnë pushtetarëve. Bëni
si them unë e mos bëni çfarë bëj unë. Po kush është ai hajvan që mund t’i japë votën
një personi politik apo shtetari që nuk bën transparencen e pasurive të veta.
Pse kjo çështje anashkalohet? Pse u shpikën listat e zgjedhjeve, ku deputeti
nuk zgjidhet drejt për drejtë nga populli,
e nëpërmjet këtyre listave hartuar nga kryetarët e partive, këtyre
padrinove të përjetshëm të formacioneve politike, na hyri në parlament derri e dosa. Kuptohet se të gjithë ata që e kanë kapluar
shtetin e politikën kanë pasuri marramendëse të siguruar me korrupsione duke shfrytëzuar
pushtetin. Po si e motivojnë ato këto pasuri? Në këtë pikë nuk gjen asnjë politikan
apo shtetar të flasë. Ju ka rënë flama në gjuhë.
Dhe ja impakti i llogaritur nga ky pushtet i korruptuar deri në
palcë me këtë ceremonial arrestimi mediatikisht të bujshëm e realist zero me
bisht. Përmes kësaj tabloje me arrestime me kamera pasuar me shfaqje televizive,
populli na u dashka të shoh që një prokuror arrestohet. E sheh drejtpërdrejtë.
Pra drejtësia gjoja ka nis të reformohet. Kurban u bë një hajvan i vogël, një
cironkë provinciale ndaj të gjithë duhet të krijojnë bindjen se drejtësia e
qelbur po vihet në binarë, po pastrohet, po rregullohet; putanës së katër rrugëve e sokakëve po i
kthehet virgjëria. Na ruaj Zot!
Për më tej kujt i interesonte që të
krijohej përshtypja në popull se ka filluar lufta e rrepte kundër
korrupsionit. Me një gur vret dy zogj si
Prokuroria, që ka nisur të bëjë flirte
me Qeverinë, por dhe kjo e fundit që nuk e di ku ka kokën, në Stamboll a në
Pekin e ka nevojë për pak delir populist. E të dyja këto manxurana që herë-herë
edhe bëjnë karrshillëk kinse janë pushtete të pavarur nga njeri tjetri, në këtë
rast pra llogarisin të fitojnë ca pikë se në të vërtetë janë në një gjendje mjerane
në sy të opinionit publik. Por llogaritet efekti edhe tek miqtë tanë evropianë,
që thënë të drejtën na janë bërë “hyn e del e duku”, e nuk dinë tjetër veç të
japin këshilla e receta si kofini pas të vjeli e pa asnjë rezultat.
Kësisoj llogaria e atyre që mbajnë
skeptrin në këtë vend, në këtë vend që
mbeti e mbeti si një humbëtirë përtej gardhit evropian, është se të huajt kanë
rast të shohin me sytë e tyre këtë arrestim spektakular, këtë sukses të madh, dhe kësisoj të shtojnë pikë për këta që kemi
mbi kokë e që mezi i durojmë. Të huajt që shkojnë e vinë, hanë e pinë e kënaqin
sytë tek shikojnë bukuroshet tona, do të
kenë mundësi të krijojnë përshtypjen se në Shqipëri diçka po lëviz, ka nisur
reforma në drejtësi duke arrestuar një prokuror në një provincë të humbur, anipse
në afërsi të kryeqytetit. Pra një mizë dheu në një provincë zhyt e mbyt. Përralla në lesh, shëndeti
prej nesh!