10 August 2018

Shqipëria tumllas me bejtexhi, edhe krimineli vjershëtar- nga Kol Shkodrani



SHQIPËRIA TUMLLAS ME BEJTEXHI - EDHE KRIMINELI VJERSHËTAR

“Jam njeri i Shqipërisë.
Jam poet i dashurisë.”

Nga KOL SHKODRANI


Kalova tek faqja elektronike e kriminelit 24 vjeçar Ritvan Zykaj që me 10 gusht vrau 8 vetë të fisit të vet pa pasur as mëshirë për dy fëmijë të vegjël. Ngjarja ndodhi në fshatin Resulaj të Selenicës së Vlorës dhe shokoi gjithë Shqipërinë, siç thonë mediat, por edhe shumë për tu shokuar nuk jemi, se vrasje makabre po ndodhin përditë.  
Kishte tre profile të ndryshme e në njërën prej tyre shënonte se ishte një punonjës i FBI (Federal
Bureau of Investigation)  dhe në tjetrën se kish mbaruar Universitetin George Washington. Kishte dhe një tjetër anonim, me punësim gjoja në Greqi, kishte në profil edhe foto me maskë nga ato që përdorin grabitësit e bankave. Këto lloj veprimesh janë të zakonshme për shumë të rinj parazitë  që e përdorin facebook-un për trille, për mashtrime, për shantazhe. Faqja e tij kryesore në të vërtetë u mbyll punë orësh pas ngjarjes makabre. Dikush, mbase investiguesit,  u interesuan ta mbyllnin. Megjithatë arritëm të fotokopjojmë  disa pamje.
Në faqen e tij vihej re se ky na ishte edhe një vjershëtar me pompë, të cilit i bënin lajka plot djem e vajza, madje edhe me shenjën zemër. Kaq pëlqime që për të ardhur keq nuk i shkojnë as poetëve të mëdhenj botërore ta zëmë Robert Frost-it. Sepse shqipot e vjershave bajate nuk e kuptojnë Frostin apo Ezra Pound e Cesare Valejo, por mirëkuptohen me bejtet e njëri-tjetrit. Ka mijëra të tillë  bejtexhinj  si puna e këtij Vani Zykaj që e quajnë veten poetë, edhe ky krimineli ishte një prej tyre sepse kishte edhe plot suksese në mes të bejtexhinjve që e kanë mbushur facebookun.
Ishte dhe frekuentues i faqeve me grupime injorantësh si "Poezia më e bukur" dhe disa faqe e grupe të tjera ordinere e të çoroditura. Arritëm të marrim dy bejte prej tij ku e ndjente veten levend si shumë marrokë të tjerë grafomanë, veç ky kishte edhe shpirtin e kriminelit. Kishte edhe një foto me maskë që policia po të ishte e vëmendshme, vetëm për këtë duhet ta kishte investiguar.
Ja dhe përcjelljet e tij të cilat po i lemë pa redaktuar siç i kishte në faqen që më pas u zhduk nga pamja në internet:

Me mungon moj budalaqe.
Me mungojne ato faqe.
Me mungojne syte e tu.
Me mungojne fjalet e tua.
Buza jote porsi ftua.
Me mungojne me te vertete.
Pa te goc nuk dua jet…

E më tej

Jam njeri i shqiperise.
Jam poet i dashurise.
Jam simbol i trimerise.
Jam 1 ngrenes i qershisë.
Ma do zemra edhe veshka.
Me pelqen edhe pjeshka...


Kam përshtypjen se pjesa më e madhe e vjershëtarëve tanë ja kishin zili nivelit të këtij myteberri, prandaj duhet parë me kujdes se mos këta mijëra bejtexhinj tanë të internetit, të ashtuquajtur poetë e poetesha, se mos na shkallojnë e u bëjnë gjëmën njerëzve si ky kriminel i vetëquajtur poet, se poezisë ja kanë bërë gjëmën me vakt e me kohë.

10 gusht 2018