Rrëfime për Marien e rrugës Badra
Nga K. P.
TRABOINI
Mbaj mend
diç nga feminia në rrugën tonë Badra. Kështu i thonin edhe si rrugë edhe si
lagje. Ndjehej fatkeq ai fëmijë që e kishte nanën më të bukur se shokët e vet.
I shkreti, rrinte si fajtor se ja shihnin nanën me lakmi të gjithë burrat e
lagjes. Por edhe ne fëmijët, të pa paditur në ca punë të rriturve që bëheshin
natën e molloiseshin ditën, edhe ne shihnim me kureshtje.
Ne të
vegjlit, si lepurushë, hapnin sytë kush po vjen e kush po shkon....
- Ja,- i
thonim shokut tonë,- po kalon nana jote.
Dhe vraponim
si harabela kush me parë ti qëndronte pranë duke dashur ti shërbenim nanës se
shokut. Tani ju e merrni me mend se pse.
Të vegjël
të vegjël po na pëlqenin të bukurat. Dhe menjëherë, pronto sinjora:
- Zonja
Marie , a ta çoj unë byrekun tënd në furre?
Sepse
Maria e bukur nuk e dërgonte asnjëherë të birin tek furrta ngaqë e rriste me
pekule.
Zonja e
bukur Marie na shikonte dhe zgjidhte njërin prej nesh.
Eh, sa të
lumtur që ishim. Ishte lumturia me e madhe në botë të kishe rastin ti prekje
byrekun më të bukurës së lagjes "Badra". Pa, për ta hëngër, nuk qe e
mundur se ja hante i shoqi, Rrok Kuqali, një mekanik biçikletash, i cili e
merrte byrekun tek furra e Naumit, kur linte punën e bënte pushimin e drekës.
Se si
ishin lidhur në jetë, një grua aq e bukur si Maria me një shëmtaraq si Rrok
peshku i kuq, askush nuk i jepte shpjegim. E pikërisht me Marien, yllin e
bukurisë së lagjes "Badra", para të cilës gjunjëzoheshin të gjithë.
Edhe pleqtë.
Por edhe
ne fëmijëve sikur na përpinte bukuria e saj, ajo fytyre e ëmbël, e pastër, e
qeshur, ato sy e vetulla të pangjarë me asnjë vajze a grua që kishim parë në
jetën tonë.
Kjo gjë
ndodhte thuaj përditë me ne fëmijët e rrugës "Badra".
Ne
ndjeheshim të lumtur, ndërsa i shkreti shoku ynë, çuni nanës së bukur, mblidhej
shuk.
Tek e
shihja ashtu, thoja me vete, shyqyr që nuk kam fatin e tij. Shyqyr-sheqer që
kjo nana ime nuk është e bukur.
Krenar e
i lumtur se e kisha nanën të pabukur. Kur kalonte rrugës asnjë mashkull nuk ja
hidhte sytë. Apo nuk është e sertë ajo, mendoja, nuk bëhej shaka me nanën time.
Edhe për sertësinë e mos bukurinë e saj ndjehesha krenar dhe i lumtur. Aq më
tepër se, megjithëse nanën nuk e kam pasur të bukur, përkundrazi babën e kam
pasur fort të hijshëm. Burrë zotni me kobure e mustaqe. Dhe kur dilte në rrugë
baba im, gratë e lagjes dilnin e shihnin nga dritaret e i lëshonin një zë:
- Nadja
mirë zotni Pal, - dhe ofshanin.
Ma shumë
prej të gjithave ofshante nana e shokut tim,
Maria e bukur...
Nuk e di
a shkuan në atë bote me pishman im atë dhe Maria, por di ca thënie që të çojnë
për kah hullia e të vërtetave alegorike:
Molla bie
nën mollë e dardhë nën dardhë.
Tenxherja
vjen e nga vjen dhe gjen kapakun.
Parja tek
parja dhe... e bukura të bukurin kërkon.
Aq më
tepër kur e bukura e ka emrin Marie...
©K.P.Traboini
2009