🟪 MARIA ISHTE BUKUROSHE...
nga K.P.TRABOINI
I thanë
një herë një gjyshi plak, se si shumë kjo mbesa jote e bukur rri e preket me
çunat. Ai, pa e zgjatur ua ktheu, po ja do trupi more djem e kur ja do trupi
nuk ka si e ndalon turpi.
E për të
vërtetë, çfarë faji kanë bukuroshet sa kohë që ua kërkon gjaku, dëshirat e
jetës. Vërtetë çfarë faji kanë ato kur ne burrave, sado të sertë të jemi, na
mbeten sytë tek bukuroshet. Se çfarë bëhet me lëngjet e përbrendshme me të
cilat merret mjekja e famshme e Teksasit Kristine Durante, që shpjegon dëshirat
seksuale intensive të grave, vartësish ndikuar prej bukurisë se tyre fizike,
nuk e di, por di një barcaletë për një bukuroshe shkodrane që luante nga fiqiri
çdo mashkull, sado zotni e namuzqar të ishte. E një nga këto burra që
tollovitej prej grave e vajzave të bukura ishte edhe mësuesi ynë Kol Tuxhari.
...Një
mëngjes zotni Kola hyri ne klasë. Të gjithë fëmijët zunë vendet. Por dy nxënës
që i kishin bankat pranë dritares çuçuritnin. Mësues Kola zgjati kokën e pa nga
dritarja. Po kalonte një femër e bukur në rrugë. Krrëk ja bëri diçka brenda
vetes zotni Kolës.
Si u zhduk imazhi i femrës marramendëse, zotni
Kola ju afrua njërit prej nxënësve dhe, si e zuri për veshi, e pyeti se çfarë
dëgjoi nga shoku i vet.
Ky i
shkreti desh s'desh u tregua i sinqerte:
-Zoti
mësues, ky Marku me tha se Maria është kurvë!
Klasa
beri një uuuuu... dhe priste shpërthimin e zotni Kolës, i cili ishte mësuesi më
nevrik i shkollës. Kish arritur t'i rrihte nxënësit me vizore. Prej tij
tmerroheshin vetë mësuesit.
Në klasë
nuk dëgjohej pipëtimë. Mirëpo kurrgjë e tillë nuk ndodhi.
Përkundrazi
zotni Kola buzëqeshi lehte e i tha atij pranë dritares, që kishte bërë faj e
dridhej si purteka në ujë:
- Kur të
mbaroje mësimi, ti do të rrish në klasë.
Mbaroi
dhe ajo orë e tensionuar mësimi dhe i shkreti nxënës, i tmerruar për çfarë do
të pësonte prej zotni Kolës, të tmerrshmit të shkollës, qe mbledhur si grusht. Shihte vetëm majat e
këpucëve të veta.
Ai nuk
ishte Luli i vocërr e mësuesi i tij nuk ishte Migjeni zemërbutë. Ishte mësues
Kola, i sertë e i ashpër si shkëmb.
Fëmijët e
tjerë përgjonin pas dere e prisnin ulërimat e mësuesit të pasuara me të qarat e
nxënësit.
Por
ndodhi ajo që nuk pritej. Brenda klasës një qetësi e çuditshme. Kur nxënësi u
shfaq tek porta, shokët iu mblodhën përqark si zogjtë dhe pyeten a mos e rrahu
mësuesi, i bërtiti, i theu notën në sjellje apo diç tjetër?
Por
kurrgjë nga këto nuk kishte ngjarë.
- Po
çfarë të tha, pra... - e pyetën shokët me padurim.
- Asgjë,
- u përgjigj nxënësi.- Me pyeti se ku e kishte shtëpinë Maria dhe ja tregova.
Vetëm kaq.
E pse
duhet të ngjiste diç tjetër?! Po fundja... Çfarë faji kishte nxënësi? Çfarë
faji kishte mësues Kola?!
Askush
nuk kishte faj pse Maria ishte bukuroshe.
As vetë
Maria...
© K.P.
Traboini 2009