07 September 2013

🔴 Politika në animal farm - nga K. P. Traboini



Politika në animal farm*

Nga Kolec TRABOINI

Politikanët shqiptarë e kanë futur Shqipërinë në kaos. Këtu ka një skllavërim politik të paimagjinueshëm. I shpërfytyruar njeriu. Themi me të drejtë se në diktaturë na kanë ideologjizuar. Po tani çfarë po bëjnë partitë? Akoma më keq. Akoma më shëmtuar. Se po nuk je në ndonjë parti nuk je e nuk ke asgjë. Nuk mund të gjesh asnjë të drejtë. Nuk mund të gjesh as punë që është i vetmi burim i jetës.
Por mund të kesh veç një të drejtë, të gjesh gjëkundi ndonjë copë litar e të varesh në ndonjë tra a pemë, apo të hidhesh nga kati i dhjetë (siç po ndodh përditë)  prej “lumturisë” së kësaj pseudodemokracie e këtij kapitalizmi alla shqiptar që të rrjep lëkurën,  e të shpëtosh nga kjo shoqëri mizerabël ku humanizmi nuk njihet. Nga ndonjëherë mërzitem e them, po ku dinë pinjollët e Animal Farms të bëjnë politikë e të drejtojnë shtetin. Këto parti me drejtuesit e tyre teveqelë e dinakë orientalë, janë si Ali Baba me dyzet hajdutët.  Kjo është e vetmja punë që dinë të bëjnë. Këta po e lënë Europën pa mend, e cila, me lehtë u marrka me serbët se me shqiptarët, se ja po e fusin Serbinë në Bashkimin Europian, duke hapur negociata para nesh që nuk kemi bërë ndonjë luftë, nuk vramë njerëz, nuk kemi bërë masakra, nuk bëmë gjenocid siç bënë serbët e Millosheviçit. Po vërtet, ne nuk i bëmë gjithë këto krime që bënë të tjerët, por ne falë këtyre mendjeve të mykura që kanë ditur të vijnë në krye të punëve të Shqipërisë me metoda makiaveliste, që nuk dinë të bëjmë shtet, kemi mbetur fundi i karvanit. Kemi hipur në qerren e orientit, në një miqësi nostalgjike otomane me ergodanët e Turqisë dhe duam të shkojmë gjoja në Europë. Po kush të pranon kështu me kësisoj udhëheqësish si pashallarët e Dovletit. Nuk kanë pik shpirti aristokratik. Nuk manifestojnë asnjë cilësi tradicionale të shqiptarit. Nuk dinë çfarë është bujaria; Nuk japin një dhjetëshe për të varfërit; Nuk hapin një fjetore për të pastrehët; Nuk hapin një mencë për një lugë supë për të varfërit të cilët nuk kanë asnjë mjet jetese. Por mjerimi i mjerimeve, as kishat e xhamitë në Shqipëri nuk e bëjnë këtë gjë. Thonë se ka hapur një mencë në Korçë Kisha Orthodokse  por me një lule nuk vjen pranvera e një mencë nuk sherben si alibi e antihumanizmit. Antihumanizmi është në sistem, është krijuar si mentalitet. E sheh tjetrin duke vdekur e as një dorë nuk i zgjat. E përdorin emrin e Nanë Terezës krejt falso, si një shami për të fshirë djersët. A thjesht një zbukurimore gjoja sikur ky palo shtet që kemi krijuar, ruan cilësitë e shpirtin bujar të Nanë Terezës. Gjithçka mashtrim. Kudo gënjeshtarë. Kudo hundgjatë për t’ia pasur zili edhe Pinoku. Në pushtet vijnë më së shumti njerëz që nuk kanë ndjesi. Njerëz robotikë që nuk e dinë çfarë është mëshira. Mjaftojnë të shesim dëngla nëpër botë se i kemi mbrojtur izraelitët në 1944 kur këtë punë e ka bërë më së shumti vetë qeveria kuislinge, duke ua fshehur gjermanëve listat,  kuislingë të cilët ne ende dhe sot e kësaj dite i dënojmë. Politikanët ishin të vetmit njerëz që nuk ditën të qajnë  me sinqeritet për 26 shpirtrat e Gërdecit, të cilët u bënë dy herë viktima, edhe më pas në luftën donkishoteske politike. 21 janarin harrojeni. Në një vend ku organet gjyqësore dhe  prokuroria  janë thjesht vegla politike nuk mund të ketë drejtësi. Ka vetëm korrupsion dhe vetgjyqësi. 6 mijë të vrarë për gjakmarrje në një dekadë demokraci  është një akuzë e rëndë për sistemin e instaluar që nuk funksionon edhe me ndihmën e kujdesin e të huajve. Jemi kthyer me fytyrë nga epoka e errët e mesjetës. Populli shqiptar kësisoj ndodhet në kufijtë e fatalitetit.
Këta njerëz të veshun me pushtet e politikë nuk nxorrën një pikë lot kur katër fëmijë u dogjën të gjallë prej skamjes,  jo larg kryeqytetit,  ku shpura politike në lluks marramendet si palloi në diell. A kanë zemër që t’u rrahë kur shohin fëmijët e romëve në gjëndje të mjeruar si të ishim ne një nga vendet më të varfra të Afrikës. Këta politikmutbërës  shahen në parlament si kurvat. Sot baxhellat politike janë në modë. Baxhellat nuk kanë seks, herë shfaqen si meshkuj e në të rrallë edhe si femra.  Janë eunukë partish. Dridhen përpara sulltanit Sulejmanit të tyre. Shpesh i shaj me vete kur i shoh të dalin në paradë nëpër ekrane televizionesh si manekinë, trushplarë, marioneta në teatrin e kukullave, por edhe kjo shfryrje nuk më jep ngushëllim.
Kur do ta kuptojnë këta kaposhat tanë politikë se në këtë botë të madhe janë si miza dheu. Madje me këtë mutsihane politike që kanë krijuar, ku nuk e merr vesh qeni të zonë, mund të thosha edhe diç më ndryshe, levendët e politikës më ngjajnë si miza m....

* “Animal Farm” është romani  i autorit anglez George Orwell, për sistemin e Rusisë sovjetike, botuar në vitin 1945.  

 
Gazeta Sot 10 shtator 2013

05 September 2013

Poezia e protestës së Zhaneta Ogranajt - nga Kolec Traboini

Zhaneta Ogranaja (1938-2013)

-POEZIA E PROTESTËS E ZHANETA OGRANAJ-

Nga KOLEC TRABOINI

Poetja  Zhaneta Ogranaja (1938-2013) që në rininë e saj ra në sy si një krijuese me talent e me të ardhme, me aq mundësi të pakta sa mund të kishte një krijues në diktaturë. Poezitë e saj ishin lirike dhe pëlqeheshin nga lexuesit, por dikujt i vriste sytë shkëlqimi i talentit të Zhanetës dhe e burgosën për shkak të shpirtit të saj të lirë. Edhe në burg duke parë një realitet poshtërues ndaj të cilit kishte fare pak rezistencë, shkruante: “ Medet- Asnjë, për shpërblimin e lirisë s’e ngre zënë/qoftë dhe kur uji u hyn në palcë në trupat lakuriq”.
Pas shumë viteve burg ajo e priti shembjen e diktaturës si një rilindje e vertetë fizike e shpirtërore, mirëpo shumë shpejt poetja e ndjeshme do të zhgënjehej. Shumë ëndërrime që t`i përndizte liria do t’i veniteshin. Horizontit të shoqërisë shqiptare do të shfaqej një tymnajë përngjashëm me atë që një poet si Ali Asllani do ta quante që herët në vitet `40 të shekullit të kaluar “Kohë e maskarejve”, ku: “ të papunë i gjeti dreka, milionerë i gjeti darka”. Shkuar pas këtij rendi, disa servilë të politikes një  b. për dy karrike, ia dolën të mbijetonin e të dilnin në elitën politiko-shoqërore të kohës si vaj mbi lakër, por edhe mjaft të përzgjedhur të real-soc-it, që ishin beniaminë të spërdredhur të regjimit shtypës, bënë goxha karrierë pas shembjes së diktaturës duke u shfaqur me një shkëlqim të rremë si politikanë, shtetarë e diplomatë, duke i harruar idealet e shkrimtarëve të vërtetë e duke vënë pasuri me të dyja duart.
Përkundër kësaj lukunie, një poete si Zhaneta Ogranaja u la në varfëri, u braktis, sepse ajo siç nuk e bëri rolin e servilit poetik në të djeshmen, s'mund ta bënte as në të sotmen për sundimtarët e rinj. Për këtë e dënuan, jo me burg natyrisht, por me braktisje e heshtje, pasi ata që mbajnë skeptrin në të gjitha hallkat e piramidës së shtetit dhe politikës nuk mund t’i përtypnin vargjet e saj: "Partia ime është populli i varfër i rënduar nga çmimet”/ Partia ime është populli im, i thjeshtë, i uritur...." apo më tej: “ Po iki prap` me zhgënjimin për gjithçka/ nga politika, demokracia dhe miqtë/nga smirëzinjtë, që shtiren si shpëtimtarët e mi, ata/që me të keq ma kanë mua dhe Shqipërisë.( botuar në gazetën "Egnatia" Athinë 1994).
Në parathënien " Dy fjalë për veten" të librit të saj, poetja shkruan: "Karrierës sime letrare i kanë zënë çdo shteg, bile me pusi të shëmtuara dhe banale, misterioze, me akuza të verbra, duke më rrasur burgjeve, nga burg shtëpiak, burg social dhe doemos, burg shtetëror.”.
Gjithçfarë shkruante Zhaneta Ogranaja ishtë vërtet drithëruese. Ishtë dhimbje, thirrmë proteste ndaj atyre që i rrëmbyen dikur lirinë, apo të tjerëve që lirinë e saj, fituar pas vite robërie e viktimizuan për hir të interesave të karrierës e pasurive personale. Eh, sa pak gjëra kanë ndryshuar në shoqërinë shqiptare që nga koha e Migjenit, më të madhit poet shqiptar, shkëlqimi i të cilit veç rritet duke zënë kryevendin e letërsisë shqipe, sepse art i tij ishte e mbeti mishërim i idealeve njerëzore, art i protestës e jo i lajkave, art i revoltës për padrejtësitë, çfarë ata që shkruajnë sot dhe kërkojnë skeptrin as kanë guximin qytetar ta mendojnë e jo më ta trajtojnë.
Ata e kanë më të lehtë të kërkojnë thërrime të përgjakura tek sofra diktatorit ku kriminelët i hanë kokën njëri-tjetrit, se sa ta prekin kokrrën e misrit migjenian nga frika se i “shiton zana”.
Demagogjia krejt përngjashëm më të djeshmen nuk ka fund. Thonë se arti është i lirë, ndërkohë artistët e vërtetë i lënë të vdesin në varfëri, pa harruar që kur të ndërrojnë jetë t’i qajnë me lotë krokodili.
Në këtë sens, ndoshta Zhaneta është sot zëri më i guximshëm e më i veçantë i protestës kundër hipokrizisë bashkohëse, falsitetit e hipokrizisë që sundon në shoqërinë shqiptare. Por në të njëjtën kohë, zëri që nuk deshen ta dëgjonin e për më tepër, zëri që u përpoqen ta mbysin sepse e vërteta është si Dielli që, kur e sheh me sy, të verbon nëse je urith i vrimave të nëndheut.
Zhaneta Ogranaja ishtë poetja që e anashkaluan se u çirrte maskën shumëkujt në këtë shoqëri të pamëshirshme dhe aspak humane. Këtë poete e kishin halë në sy edhe ata që trumbetojnë vuajtjet e veta nën diktaturë duke u paraqitur si viktima të mëdha me të vetmin qëllim - përfitime materiale, duke qënë pikërisht ata që u bënë promotorë për t’u shkaktuar vuajtje të tjerëve. A e dini se kush i ka shkaktuar vuajtjen e re, plagë mbi plagë Zhaneta Ogranajt? Pikërisht ata që e monopolizuan vuajtjen e popullit nën diktaturë për t’u shfaqur si sundimtarë të rinj. Mjerisht ky lloj pisllëku i dy sistemeve ia ka arritur qëllimit. Mjafton të shohësh kush ka ardhur në krye të punëve në dy dekadat e fundit dhe çfarë meritash kanë që janë me të prapmen në majë të kolltukëve. Edhe në prerjen historike, paraardhësit e këtij lloj pisëllë ku kanë bërë rolin e puthadorëve të tërë sistemeve, madje kanë qenë dylberë të devotshëm të pushtuesve. Harrojnë këta mjeranë që kanë pas shpatullave hiç-kurrë-mosgjënë, se janë kalimtarë dhe kur të kenë ikur, po ashtu hiç-kurrë-mosgjë prej tyre ka për të mbetur, ani pse sot fryhen në media si gjela deti në fund të dhjetorit... Paçin fatin e tyre!
Fati i poetëve dihet dhe kurrnji prej atyre që vërtet janë poetë nuk do të kishin kurrfarë dëshire për të patur fat tjetër nga ai që kanë përshkuar, anipse plot vuajtje e tundime. Edhe Zhaneta po ashtu. Poezia e saj është dhimbja e popullit, atij që e quante partia ime, të cilit i dërgonte vargjet e zemrës së saj, me zogjtë, me qiellin, me erën... gjithnjë e gjithnjë.

Nuk guxojmë të harrojmë - nga Kolec Traboini

Gazeta SOT 6 shtator 2013 f.16

Nuk guxojmë të harrojmë
 Pas një interviste të analistit Koço Danaj përkitazi me bëmat e Mehmet Maliqit

Nga Kolec TRABOINI

E lexova intervistën e z. Danaj e në përgjithësi më pëlqeu sepse prekte mirë në plagën e çdo shqiptari, në atë dëshirë të zjarrtë për bashkim kombëtar.

Megjithatë vende-vende u është shmangur disa pyetjeve “delikate” që i janë bërë drejt përdrejtë e ai u ka kaluar përskaj. Por le të flasim për ato çfarë është prononcuar: Si është e mundur të krahasohet një diplomat si Rexhai Surroi, ish gazetar, shkrimtar, nismëtar i flaktë  për themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe drejues i ndërmarrjes botuese “Rilindja” me Mehmet Maliqin, këtë vrasës të pashpirt e kriminel i UDB dhe ministër i brendshëm për Kosovën, një prej atyre që organizuar masakrën e Tivarit ku u vranë mizorisht me mijra djem shqiptar të Kosovës. Mal me kufoma në  ndërgjegjen e falangave serbe  në mes të cilëve më i zjarrti në instikte vrasese ishte Mehmet Maliqi. Kaq poshtë ka rënë puna sot sa të legjitimohet krimi. Po për çfarë shkaku?! Vetëm për faktin se pinjolli i Mehmet Maliq kriminelit na është përzgjedhur si këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë. Si mund të harrojmë aq më tepër se zërat janë evidente, media shkruan përditë, faktet janë rënqethëse për çfarë ka ngjarë në Kosovë që nga viti 1913 e përkëtej. Çfarë ka ngjarë pas Luftës së Dytë Botërore e çfarë ka ngjarë pas demostratave të pranverës 1981 e deri në 1999. Nuk po flasim për malet me kufoma por po kujtojmë se edhe sot e kësaj dite janë gjallë ata që kanë përjetuar tmerret e një sistemi kriminal ku lulëzonin njerëz që kishin lindur me instikte vrasese si Mehmet Maliqi.
Çfarë të bëjmë tani ti fshehim krimet e Mehmet Maliqëve sepse i biri u zgjodh këshilltar shteti apo se mos i mbetet qejfi Kryeministrit që ne vetë e kemi zgjedhur dhe dëshërojmë të jetë koherent me dëshirat e ndjesitë e popullit, i cili popull-votues sheh tek ai një shpresë të madhe. Nuk mendojmë se kësisoj i shërbejmë ndonjë kauze të drejtë, apo i bëjmë nder kryeministrit Rama nëse i fshehin mendimet që kemi. Përkundrazi duke i fshehur mendimet tona ne do ta mashtronim atë, por kryekreje popullin tonë në dy anët e kufinjëve të shpifur që na ndajnë me vetvëten. Ja  çfarë shkruan këto ditë nga Zhuri i Kosovës  autori Reshat Badallaj:
“Mehmet Maliqi, kriminel i dëshmuar kundër shqiptarëve, nuk është emër i panjohur për kombin tonë. Edhe sot, kur e përmënd këtë emër, të këtij krimineli dridhet fëmija në djep dhe në barkun e nënës… Mehmet Maliqi, ky spiun i dëshmuar i serbosllavisë gjakatare, me datën 7 mars 1982, dërgon një llavë milicësh të armatosur deri në dhëmbë për ta arrestuar dhëndrin tim, Mehë Ukën,tani Dëshmor i Kombit, vendimi mbante nënshkrimin e kryetradhtarit të kombit Mehmet Maliqit...”
Reshat Badallaj shtron pyetje se cili ka qënë qëndrimi i të birit të Mehmetit, Shkelzen Maliqit nga Beogradi aso kohe për Demostratat e Kosovës në 1981. Ato demostrata kanë qënë një gur prove për atdhetarët por edhe për tradhtarët, atje janë hedhur themelet e lirisë.
Le ti referohemi shkrimit të gazetares Kimete Berisha nga Kosova: “Financial Times (London); February 5, 1982, Friday, By Paul Lendvai in Vienna.  Mehmet Maliqi - Ministri i punëve të brëndshme, tha:
“Armiku shqiptar ka krijuar në përgjithësi një atmosferë për migrimin e serbëve, duke shfrytëzuar metoda të ndyra të presionit, siç janë sulmet ndaj pasurisë individuale të serbëve dhe malazezëve. Armiku shqiptar ka shkruar kërcënime të ndyra nëpër shtëpitë e serbëve, ndër të tjera gjëra edhe se ata duhet të migrojnë, si dhe kanë shkruar letra anonime që kërkojnë largimin urgjent të serbëve nga shtëpitë e tyre.” - ka thënë Mehmet Maliqi, sekretar i Ministrisë së Brendshme të Kosovës më 16 Nëntor 1982.” Dhe me tej në shkrimin e Kimete Berishës: : “Mehmet Maliqi, në shkurt të vitit 1982 raporton se ka zbuluar 33 grupe shqiptarësh nacionalistë, 350 nga ata janë identifikuar nga ky grup. Për suksesin e tij që arriti duke arrestuar shqiptarët nacionalistë, studentët demonstrues Mehmet Mailiqi, mbajti një fjalim, që iu botua në të gjitha mediat jugosllave. Në fjalimin e tij me shkronja kapitale nënvizoi: "Hostile activities by the Albanian nationalists have continued. “Ne kemi arrestuar mbi 800 shqiptarë që kanë përkrah demostratat e studentëve. Maliqi tha e “90% e djajëve shqiptarë, keqbërësve janë evidencuar, dihen emrat dhe mbiemrat e tyre".
Çfarë mund të thuhet më shumë se ato çfarë ka deklaruar vet krimineli Mehmet Maliqi duke i quajtur shqiptarët djaj. Eshte e vërtetë që faji dhe krimi nuk delegohen gjenetikisht nga një brez në një tjetër por kjo gjithësesi nuk është një alibi për ti fshehur krimet e baballarëve nëse pinjollët e tyre na qënkan “të suksesshëm”.
Shkelzen Maliqi është ai që është, kur flet për babain e vet e motivon me alibinë mjerane “Babai im, ushtar i spikatur i revolucionit”.  Shkelzen Maliqi  gjithësesi ka në ndërgjegje thirrjen që ju bënte shqiptarëve të Kosovës të dilnin në zgjedhjet e Serbisë( çfarë direkt e nënkuptonte Kosovën pjesë e Serbisë”.
Ka në ndërgjegje deklaratën e tij publike në vitin 1998 kur Millosheviqi bënte masakra të përbindëshme: “Nuk ka moment më të pavolitshëm se ky në histori se me e nis tash luftën me Serbinë” duke e shfaqur veten kundërshtar i djemëve të UÇK-së që nisën luftën për liri.
Po ka edhe thënien e tij të tanishme se tërë institucionet dhe kultura e Kosovës është mediokrre,  por ai është dhe një anketues i “Gani Bobit” që i rrihte krahët Sali Berishës dhe ishte pjesë integrale e TV Klan-Kosovës. Natyrisht nuk janë përgjegjësia e bijëve krimet e baballarëve të vet tradhtarë por ndërgjegja e vrarë e familjes duhet të jetë.  Gjithkush ka jetën e tij, të drejtën e tij por sa më përket mua si individ,  me një gjykim personal them se, nuk do të kisha fytyrë me dalë në mes njerëzish po të isha bir i ndonjë krimineli si Mehmet Maliqi me damkë...e jo më të kërkoja poste të larta publike në një shtet.Do të ishte shprehje e ndershmërisë jo pranimi por refuzimi i një posti në shtetin shqiptar.
Por më e rëndësishmja e që vlen të mendohet gjatë për këtë është fakti se,  mundet që Shkelzen Mehmet Maliqat apo ata që rrjedhin nga Rrahman Morinat e shërbëtorë-xhelatë të tjerë të serbëve, mbase dëshërojnë që gjithë çka ngjarë në njëqind vjet krime e vrasje, ai lumë gjaku të harrohen, por populli nuk mund të harrojë. Intelektualët e vërtetë, sado mediokër ti duken Shkelzen Maliqit me deklaratat e tij tejet cinike, nuk mund të harrojnë. Do të ishte një krim mbi krim nëse do të harroheshin ata që sakrifikuan jetën e tyre për këtë vend e për këtë popull. Pranverën e vitit 1981(Kur Shkelzen Maliqi vegjetonte plot 16 vjet në Beograd) nuk mund të harrojmë, as nuk guxojmë të harrojmë emrat e djemëve trima që e udhëheqen demostratet duke u bërë martir në altarin e lirisë: Naser Hajrizi 1962- 2 prill 1981, Asllan Pireva 1961- 3 prill 1981, Riza Matoshi 1955- 3 prill 1981. Kësisoj nuk mund të harrojmë as emrin e kryekriminelit Mehmet Maliqi që për tu pëlqyer sunduesve të Beogradit i masakroi këta bijt të popullit shqiptar të Kosovës.
Por….me atë çfarë po ndodh asgjë nuk është për t’u çuditur.  Gjithmonë në këtë vend kanë dalë në krye o tradhtarët, o bijtë e tyre. Pra një formulim klasik etër e bij. Nuk të afron njeri në pushtet po të jesh atdhetar e bir atdhetari. Dihet tashmë. Edhe politika është pjesë e një agjenture gjithë përfshirëse. Keq më vjen kur shkruaj kështu,do të dëshëroja të shkruaja ndryshe, por kur edhe  Koço Danaj, që i ka dalë zot punës me flamur të shqiptarizmit për bashkimit kombëtar e zbut efektin e tradhtisë dhe krimit që është bërë mbi popullin e Kosovës atëherë në shoqërinë tonë ka diçka që nuk shkon, diçka e papranueshme. Sepse jo të harrojmë por të kujtojmë e kurrë të mos harrojmë përndryshe e kemi humbur lirinë e cila fillon para së gjithash në ndërgjegjen e kujtesën tonë.
Ka dy mënyra për ta humbur lirinë, prej armikut ose prej vetvetes. Prandaj nuk guxojmë të harrojmë, sepse nese ndodh kjo rrezikojmë lirinë tonë e të brezave që vijnë e kësisoj nga pas do t’na ndjekë përjetësisht mallkimi i popullit!

NEXT: Shen Albani shenjtori i mbajtjes se beses si shqiptaret

31 August 2013

🔵 Shën Albani - shënjtori i besës se mbajtur si shqiptarët -nga Kolec Traboini

Shën Albani - shënjtori i parë kristian i Britanisë
Shën Albani - shënjtori i besës se mbajtur si shqiptarët

Nga KOLEC TRABOINI

Alban ishte një qytetar romak pagan dhe jetonte në qytetin romak 2000 vjeçar Verulamium, rreth 35 km. në veri të Londrës - ish koha kur Britaninë e kishin pushtuar romakët që ende i ndiqnin e i vrisnin itharët e Krishtit. Tek Albani, që kishte dhënë ndihmesë në fushatat luftarake të romakëve, kërkoi strehë një prift i krishterë që ndiqej, Shën Amphibalus. Gjatë kohës që prifti qëndroi fshehur tek ai, Albani nisi të admirojë përkushtimin e priftit dhe kështu u pagëzua i krishterë. Kur erdhën ushtarët për ta marrë e dërguar në gjyq Shën Amphibalusin si përhapës i krishterimit, gjetën Albanin veshur me rrobat e priftit. E morën dhe e dërguan tek gjykatësit.  Gjykatësi e njohu Albanin dhe e kuptoi gabimin që kishin bërë ushtarët të cilët i kishin sjellë përpara një ushtarak romak që i kishte shërbyer perandorisë. Në fillim desh ta linte të lirë, por ndërkohë mendoi që nepërmjet Albanit ta gjente e dënonte priftin. Albani nuk pranoi ta dorëzonte priftin, ndaj gjyqi i priftit u kthye në gjyq të tij. Para gjykatës ai foli hapur se tashmë ai ishte kristian i devotshëm dhe nuk e dorëzonte priftin. Jetës së tij i jepte kuptim duke mbrojtur mikun e jo duke e dorëzuar atë. U përpoqën ta bindnin që të hiqte dorë nga kristianizmi dhe të dorëzonte priftin, por nuk ia arritën ndaj vendosën ta thyenin me tortura. Por, asnjë torturë sado mizore nuk e theu besimin e tij, bile edhe besnikërinë e tij në besën e dhënë.
Atëherë gjyqtarët e dënuan atë me vdekje. Duke e dërguar në vendin e ekzekutimit atij i shkuan pas gjithë banorët e qytetit. Njerëzit e kishin njohur gjithnjë si njeri të mirë dhe e admironin edhe për trimërinë e devocionin që tregoi në gjyq. Emri i tij tashmë ishte bërë një kauzë, një besim, një virtyt. Në shkrimet me karakter fetar përshkruhet  pak a shumë kjo  legjendë-mrekulli: për ta ndihmuar, banorët e qytetit e prishën urën mbi lumë,  përmes së cilës duhej të kalohej për të shkuar tek vendi ku bëheshin ekzekutimet. Lumi ishte i rrëmbyeshëm e përmes tij nuk mund të kalohej.
Albani, i bindur në fatin e tij si martir, me fytyrë drejt qiellit iu lut Zotit ta ndihmojë që të gjendej sa më shpejt pranë tij. Atëherë ndodhi një mrekulli. Lumi u shter dhe mundën të kalonin nëpër shtratin e tharë. Duke e parë këtë mrekulli, ekzekutuesi i tij hodhi poshtë shpatën dhe iu lut Albanit të dënohej edhe ai me të ose në vend të tij. Albani nuk pranoi. Si u ngjitën në kodrën Holmhurst, Albani u lut sërish me fytyrë drejt qiellit që të kthehej uji i lumit që i jepte jetë luginës e tokave përreth. Dhe uji u kthye. Albanit i prenë kokën me urdhër të perandorit Severus, që në atë kohë ndodhej në Britani. Ishte 22 qershor i vitit 209. Shën Albani konsiderohet i pari shenjtor i krishterë Britanisë, por mbase i mbarë botës latine. Ka dhe burime që e shtyjnë këtë ngjarje  një shekull më vonë, në vitin 308 dhe me urdhër të perandorit romak Diocletian.
Përtej aspektit fetar, a nuk vihet re një tipar i veçantë në shkrimet e shenjta e rrëfimet mbi jetën e vdekjen e Shën Albanit? Atë të besës që e kishin iliro-arbëreshët e hershëm dhe e ardhur kjo besë deri vonë si tipar themelor i shqiptarëve. Ndoshta në këtë drejtim mund të hamendësohet, aq më tepër që ilirët ishin paganë dhe dihet se kishin një qytet me emrin Albanopol, që do të thotë qyteti i Albanëve ose i Albanit, siç kemi edhe Adrianopolin. Ky qytet dhe tërë Iliria kishin rënë prej dy shekujsh nën sundimin e romakëve, pra konsideroheshin pjesë e perandorisë dhe ilirët pjesëtarë të saj e mund të lëviznin në tërë skajet e perandorisë. Nuk rezulton në gjeografinë e Ptolemeut ndonjë qytet tjetër me këtë emër. Shën Albani është shenjtori i parë kristian i Britanisë. Me këtë emër u shënuan kisha, por edhe qytete apo territore. Në shtetin e New York-ut ka një qytet Albany, që shumë thonë nuk ka lidhje me trojet tona iliro-arbërore, ama dihet se ka ardhur nga emri i qytetarit romak pagan që u bë shenjtor i parë i Anglisë. A ka shkuar ai apo paraardhësit e tij qytetarë romakë nga trojet iliriane në Britani dhe veç Albanopolis a ka patur të tjera qytete me këtë emër në perandorinë romake e për më tepër a është përdorur ky emër në Perandorinë Romake në atë pjesë që u përkiste latinëve?!
Shumë gjëra në histori vijnë me supozime sakohë që nuk gjenden shkrime apo objekte që e mbështesin një ide. Edhe emri i qytetit të lashtë anglez Verulamium ku jetonte Shën Albani është venë prej romakëve, por nuk dihet etimologjia e tij. A ka shpjegim në latinisht? Në shqipen tonë të vjetër tingëllon si në veri të lumit. Dhe vërtet ai qytet e kishte një lumë pranë të cilit u krye martirizimi dhe ndodhi mrekullia. Ky qytet romak tanimë ka vetëm rrënoja dhe një muze me emrin e tij,  por pranë tij është ndërtuar qyteti me emrin e Shën Albanit. Në vendin e ekzekutimit është ngritur katedralja madhështore me emrin e tij. Dhe më tej edhe në Amerikë në shtetin e New York-ut është emërtuar një qytet, Albany. Por ka edhe qendra e institucione, qyteza, kisha, urdhra fetarë, shkolla, sheshe e rrugë me një emërtim të tillë, Saint Alban, duke e bërë atë një nga emrat më të njohur e më të përhapur. Në fund të fjalës është me origjinë nga brigjet iliriane apo jo, Shën Albani mbetet shenjtori i besës, virtyt që është tipik në histori për iliro-arbëresho-shqiptarët ku histori të tilla besnikërie për të mos e dorëzuar mikun është e ngulitur jo vetëm në gojëdhanat e rrëfimet popullore, por edhe në Kodet zakonore të shqiptarëve, të atyre pra që tërë bota i njeh si albanë.

© k.p.traboini
Gërmadhat e qytetit të lashte romak Verulamium në veri të Londrës
Kisha e Shën Albanit në vendin ku është ekzekutuar
Verulamium Park

23 August 2013

Protektorat grek mbi orthodoksinë?!- gazeta SOT 23 gusht 2013

PROTEKTORAT GREK MBI ORTHODOKSINE?!

Nga KOLEC TRABOINI


Fqinjët tanë të jugut, nuk lënë rast pa dalë kinse në mbrojtje të orthodoksisë e të  bëjnë rolin e protektorit mbi këtë komunitet fetar shqiptar që nuk ka asnjë lidhje me Greqinë veç faktit që në krye të kishës është një grek, Anastasios Janullatos.  Ne i kemi ditur gjithmonë orekset e fqinjëve të jugut e kjo tashmë përbën një histori të cilën ata gjithnjë e thërrasin në aktualitet.  Gjithësesi nuk mund të themi se kjo që po ndodh sot është e papritur dhe e paditur prej nesh. Grekët janë në linjën e tyre që prej një shekulli kur arritën të fusin në zotërim me bekimin e Europës 1913 trojet shqiptare që nga Preveza në Janinë e cila ka qënë deklaruar edhe nga vetë ish kryeministri britanik Disraeli, që e ka vizituar këtë qytet, si kryeqytet i shqiptarëve. Të gjitha këto i dimë. Dhe është krejt e natyrshme të jemi të përgatitur për broçkullat greke herë pas here. Mirëpo a jemi ne të përgatitur sa e si duhet për ti përballuar  këto provokime dhe ndërhyrje në punët e brëndshme të Shqipërisë.
Gazeta SOT 23 gusht 2013 f.15
Në periudhën e diktaturës kishte një vigjilencë të madhe e mbrojtje të suksesshme, ku grekët nuk patën asnjë mundësi të bënin demarshet e tyre në drejtim të Shqipërise. Vetëm në provokimet e gushtit 1949  grekët lanë jetën e 300 ushtarëve, të cilët i sollën ditën të gjallë dhe i tërhoqën natën të vdekur. Eshtë e përmëndur edhe historia që ende sot e kësaj dite i turpëron qarqet greke, që në verë të vitit 1949, në kohën e provokacioneve një shqiptar trim, piloti Esat Tetova, vajti deri në Athinë dhe u rrembeu avionin të cilin e solli në Shqipëri,  e do të bëhej avioni i parë qeveritar i udhehëqësve shqiptarë të asaj kohe. Për gjysëm shekulli asnjë oreks nacionalist grek i ushqyer e frymëzuar nga ish prifti shovenist Sebastianos nuk gjeti terren në Shqipëri.
 Por gjërat ndryshuan pas përmbysjes së diktaturës, shkatrrimit të ushtrisë, bazës së saj materiale (ende edhe sot vazhdojnë ta shkatrrojnë),  pra ardhjes së demokracisë kaotike në Shqipëri, ku qeveritarët më shumë se me punët shtetit e qeverisjes merreshin me dallavere e korrupsion për përfitime personale.
Tërë kjo histori mardhëniesh herë në dukje të qeta e herë nervoze  te skajshme, ka nisur pas një plani  të detajuar mirë nga kryeministri i asaj kohe Konstandin Micotaqi me lidhjet e tij mbase edhe të padukshme me qarqet ultra nacionaliste që në kushtet e një shteti të brishtë shqiptar kërkonin të realizonin ëndrrën e çmendur për Vorio Epirin, duke bërë kinse të paditurin se duhej të ishte Shqipëria që të kërkonte Epirin e Jugut, Çamërinë e jo Greqia  cila e ka zgjeruar territorin e vet duke gllabëruar toka shqiptare. Cili ishte skenari i Sebastianosit që tanimë është në botën tjetër me enderrat e çmendura me itharët e Kapsalit mbledhur rreth gazetës shoveniste të asaj kohe “Stohos”. Së pari krijimi i kushteve për të organizuar shoqata nga rradhët e emigrantëve shqiptarë, për të ngritur kësisoj baza në jug me qëllim final të shkëputjes së trojeve shqiptare dhe coptimin përfundimtar të Shqipërisë. Kjo nuk është hamendje. Ne që kemi jetuar në Athinë në vitet 1991-1995 i kemi ndjerë tërë këto lëvizje antishqiptare që u finalizua me veprimet terroriste vrastare në postën kufitare shqiptare të organizatës MAVI.
Institucionet fetare të çliruar prej ndalimeve në fundin e vitit 1990, ishin piksynimet e qarqeve greke për ti bërë ato vatra të përçimit të ideve të tyre. Kjo duhet parë në dy plane sepse edhe nga vendet arabe atbotë u nisën taboret e para ekspansioniste islamike nepermjet pseudoshoqatave bamirëse me qëllime dominuese. Dhe e vërteta është se të dy këto inkursione u realizuan me sukses. Aso kohe në shtypin shqiptar u shkruajt se Shqipëria ishte bërë depo e municionit islamik. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për anën tjetër të medaljes.  
Kësisoj grekët arritën të vendosin në krye të Kishës  Autoqefale Shqiptare Fanoliste njeriun e tyre, Anastasios Janullatos me vendimin personal të presidentit Shqiptar të asaj kohe Sali Berisha. Padyshim ky akt ishte një thikë pas shpine në Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. E vërteta është se Kisha Orthodokse kishte nevojë për ndihmë, kish nevojë si materiale edhe për përgatitjen e klerikëve por çeshtja është se Janullatos që erdhi si një ndihmë  për Kishën Shqiptare pak nga pak u ngul si gozhdë, u kthye në një uzurpator të përjetshëm. Realiteti është se në tashmë nuk kemi një Kishë Autoqefale në frymën e Fan Nolit,  por kemi një Kishë me fytyrë nga Athina. Të gjitha këto nuk janë të reja, është një realitet i prekshëm. Çeshtja është jo çfarë bëjnë grekët për të hyrë në këtë aspekt të jetës shpirtërore të qytetarëve shqiptarë  por se çfarë bëjmë ne që të mos i lëmë të bëjnë prapësitë e tyre. Dhe ajo çfarë bëjmë ne është shumë më e dëmshme se sa ajo që na bëjnë grekët që duan të futën në punët tona. Ata futën në punët e jetën tonë sepse këtë e lejojmë ne,  apo se u krijojmë kushte dhe rrethana që ato të jenë të pranishëm çdo herë.
Për tetë vjet qeveria e Sali Berishës nuk ishte gjë tjetër veç një raja e Athinës. Një heshtje e çuditshme e qeverisë shqiptare, një tërheqja deri në servilizëm të shpifur. Me bekimin e këtij kryeministri u ngritën varrezat e ushtarëve grekë si të ishin liberatorët tanë. Varrezat e djemëve e vajzave shqiptare që ranë duke luftuar kundër okupatorëve nazifashist u lanë në mjerim, bustet e heronjëve priteshin e shkonin për skrap ndërsa grekët ngrinin varreza të reja për të rënët e tyre në tokën shqiptare  sikur të mos kishin ardhur si pushtues. Duhet thënë një herë e mirë se futja e ushtarëve grekë në trojet shqiptare kishte qëllim pushtimi e jo çlirimi në vitin 1940. Shqiptarët nuk i kishin bërë thirrje grekevë për t’i çliruar por erdhën për të pushtuar jugun e Shqipërisë me ligjin e tyre të çmëndur të luftës që ende e mbajnë si hije varri.  Dhe rezultati dihet, lanë kockat, që Greqia u kishte dash ti mblidhte e ti dërgonte të preheshin në atdheun e vet e jo në një shtet tjetër për qëllime ekspansioniste. Por edhe kjo është një krim që kemi bërë ne para se ta bënin grekët. Këtë e bëri qeveria e Sali Berishës. Dhe tmerri më i madh është se u përdhosën varret e shqiptarëve nga dëshira marroke për të kërkuar kocka,  për të mbushur varrezat e ngritura nga grekët. Kjo qeveri e kjo qeverisje ( qe ka per aleat edhe partine çame të Shpëtim Idrizit, as që mori mundimin një herë të kërkonte tu bëheshin varret edhe atyre  shqiptarëve që janë masakruar në Çamëri pas Luftës së Dytë Botërore nga bandat e zerviste. Por këtë nuk e bëri, përkundër kësaj  beniamini i kryeministrit  Lulzim Basha firmosi faljen e hapsirës detare duke bërë kështu atë tradhëti kombëtare  që bëri udhëheqësi shpirtëror i kryeministrit Berisha , Ahmet Zogu,  i cili dhe ai  i  fali jugosllave Shën Naumin.
Me kësisoj shëmbujsh skandaloz po krijohet përshtypja tek shqiptarët se vetëm po të jesh spiun, agjent i huaj, tradhtar që i shet interestat e Atdheut atëherë mund të hysh në histori si udheheqës me statuja e lapidarë,  e nuk ka asnjë shans që me drejtesi e ndershmëri të bësh karierë në këtë vend.
Po le të shkojmë më tej çfarë është sjellja e një kryeministri në ditët e fundit të karierës së vet të dështuar. Përpiqet të krijojë sa më shumë konflikte në këtë periudhë tranzitore të qeverisjes, madje duke përfshirë konflikte të brëndshme e të jashtme. Në aspektet e brendshme krijon situata të tensionuara duke rrembyer SHQUP-in si të ishte një plaçkë në pazar dhe për të larguar vemëndjen nëpërmjet lidhjeve të tij klanore,  inicon atë që ngjau në Përmet. Eshtë mëndjelehtësi të mendohet se kjo ndodhi e Përmetit është e rastësishme. Kurrsesi. Eshtë interesi i Sali Berishës i cili solli në këtë vend Janullatosin, t’i bëjë edhe një dhuratë tjetër këtij uzurpatori të Kishës Autoqefale Shqiptare, duke i sajuar një incident që ta shfaq ate në rolin e viktimës. E gjithë kjo është një skenar greko-berishian.  Në interes të dy palëve.
Acarimi i mardhënieve me Greqinë i nxjerr  problem  qeverisë në ardhje dhe kjo është  pjesa e skenarit diabolik berishian i lidhur në miqësi tarafo-familiare me qarqet greko-serbe. Dhe për të dalë i larë nga tërë kjo katraurë që krijoi në këto ditë të ikjes se tij del e mban një qëndrim që çudit edhe vetë miqtë e tij grekë,  sepse kështu ai u sherben edhe më mirë. Ky qëndrim gjoja i rreptë u jep grekëve mundësi që të shkojnë deri në instancat europiane kinse në Shqipëri po shtypën besimtarët orthodoksë. Ky është një shërbim i shkelqyer që i bëhet Greqisë prej mikut të tyre Sali Berisha. Dhe sa më shumë që zgjatet kjo situate (qëllimisht fle gjumë presidenti), sa më shumë acarohet konflikti i thjeshtë i një prone, aq më tepër merr përmasat e një flake të rënë në mes të pyllit në ditët perveluese të gushtit. Ajo çfarë ndodhi në Përmet si pikënisje ishte një zjarr i vogël, qe Berisha dhe greket po i hedhin kova me benzinë , sepse këtyre segmeteve antishqiptare ju intereson t’i vënë zjarrin Shqipërisë. Falë edhe deklaratave  bufonada të Kryeministrit në ikje Berisha, si pjesë e skenarit antishqiptar,  greku tashmë ndjehet më mirë dhe më i motivuar se kurrë që të shfaqet në qarqet europiane si protektor i orthodoksisë shqiptare. Mesaduket edhe për këtë kishim nevojë?!

NEXT:  Politika e murtajes