10 October 2013

Ku shkon Nobeli? - nga Kolec Traboini



KU SHKON NOBELI?

Kjo salvaxhente që i hidhet të mbyturit - sipas Bernard Show që e refuzoi Nobelin në vitin 1925.


Nga KOLEC TRABOINI

Ismail Kadare është një shkrimtar i madh në atë nivel që e meriton Nobelin, kjo është e pranuar nga gjithë opinionet letrare në botë, por Nobeli më së shumti nuk jepet për stilistikë dhe as për dimension e formaturë shkrimi, jepet me qëllime të caktuara dhe kanë përparësi  letërsitë e vendeve me popullsi të mëdha. Dhënia e çmimit Nobel Ivan Buninit në vitin 1933 tregoi së pari se Akademia Suedeze e Nobelit nuk ishte indiferente për çfarë ndodhte rreth e rrotull me popujt nën zgjedhë. Më shumë sesa letërsia në këtë rast luajti rol fakti se Ivan Bunin ishte një disident i regjimit bolshevik të Rusisë dhe kishte ikur në Amerikë.  Konstatohet gjithashtu se here-herë ai çmim është një stimul mbasi gjithçka në krijimtari ka përfunduar. Madje po t’i referohemi Bernard Show,  autor  i 60 dramave, që është personi i vetëm që  i është dhënë Çmimin Nobel në letërsi 1925 dhe e ka refuzuar, ai e konsideronte  Çmimin Nobel si një salvaxhente që i hidhet njeriut pasi ai është mbytur. Dhe kur opinion i kërkoi ta pranojë çmimin për hir të Irlandës, ai pranoi ta marrë çmimin e shoqja, por refuzoi edhe paratë duke kërkuar që ato të kalojnë për përkthimin e veprave të dramaturgut
August Strindberg nga suedisht në anglisht. Ky është kuptimi më i lartë që mund të japë një shkrimtar i madh, i cili nuk rend pas famës publike, por pas veprave në shërbim të njeriut, gjithashtu ai shfaqet si një altruist në ndihmë të kolegëve të vet shkrimtarë.
Nëse shohim dhënien e çmimeve vitet e fundit me Tomas Transtromer 2011 dhe Mo Yan 2012 dhe Alice Munro 2013,  konstatojmë se çmimi ka nisur të jepet pasi gjithçka në krijimtari është kryer e autorët nuk shkruajnë më.  Pra ky çmim po kalon në një vlerësim honorofik për karrierë të gjatë (natyrisht edhe për vlera)  dhe jo një stimulim i letërsisë në çastin kur ajo krijohet.
Sa i përket opinionit tonë publik më duket se ka një ekzagjerim e ekzaltim të panevojshëm duke e kthyer në kauzë popullore marrjen e Nobelit nga Kadare, madje duke e konsideruar si një ngjarje që do të ngrinte reputacionin e vendit tonë në botë. Në fakt i kemi dy çmime Nobel e nuk vëmë re të jenë njerëzit aq të impulsuar në këtë çështje si në rastin e Kadaresë.  Kemi çmimi Nobel Nënë Terezën  1979  dhe Ferid Murad 1998 dhe nëse këto do të ndikonin në reputacionin tonë në botë kjo duhej të kishte ndodhur tashmë.
Çmimet, që Dritëro Agolli thotë se janë si dhurata që u jepen fëmijëve e pleqve, nuk u jepet kombeve, as popujve, as shteteve, përkundrazi individëve. Kthimi kësaj dëshire në kauzë  publike është krejt kundër me qëllimin e Nobelit e për mendimin tim më shumë i bën dëm se sa e ndihmon Kadarenë  në marrjen e këtij çmimi të madh në botë.
 Por, problemi me Kadarenë ka edhe lidhje të komplikuara.  Me artin e tij ai është një shkrimtar i shquar me njohje në botë, por në disa aspekte të tjera që ne të gjithë i dimë e nuk është fare e nevojshme të përmënden gjërat përkeqësohen. Gjykimi mbi shkrimtarët është në kompleks, ndikojnë plot faktorë, parapëlqehen ata që janë në opozitë të përjetshme me shtetet e qeveritë të cilat e privojnë njeriun nga liria, dhe meqë arti ka karakter human, humanizmi i shkrimtarit, aspiratat e tij për lirinë e popullit vet padyshim që ngrejnë peshë. Albert Camys (1913-1960) në 1957  u nderua me çmimin Nobel në letërsi, por zyrtarisht çmimi iu dha për shkrimet e tij kundër dënimit me vdekje, si aktivist i një kauze humane.  Pra jo thjesht për letërsinë, anipse ishte një shkrimtar i madh që më shumë se ekzistencialist do të mund të quhej shkrimtar i absurdit. 
Komisionet e Nobelit gjithsesi nuk janë krejt të paanshëm,  janë shumë konservatorë, ndikohen prej shumë faktorëve të cilat për ne mbase janë të parëndësishme, por për ata qëndrojnë parësore sepse kanë pikvështrime të ndryshme prej nesh.
Mjerisht ne jemi larg botëve akademike europiane prej të cilave burojnë influencat, nuk kemi as edhe institucione akademike të konsoliduara që të merremi në konsideratë me rekomandimet tona, edhe kjo nuk është pa rëndësi. E dini cila ka qënë Akademia jonë në këto vitet e fundit, kush e ka drejtuar dhe me se është marrë?! Mund të themi një vegjetacion i plotë i njerëzve që u gëzohen pagave të larta si akademikë e asgjë tjetër. Ne nuk kemi asnjë shoqatë kombëtare të letërsisë dhe e kemi katandisur letërsinë si një handikap me influencë zero në opinionin publik. Qeveritarët tanë mund të bëjnë çfarë të duan në këtë shtet, mund ta qeverisin atë si një çiflig, por të mos pandehim se bota nuk i hedh sytë e nuk e di çfarë bëhet përkëtej nga ne.
Nuk mund të lëmë pa vënë në dukje se  Kadare, që me të drejtë mund të konsiderohet një konstitucion shpirtëror me veprën e vet, anipse shkruan e angazhohet për shumë probleme, nuk është dëgjuar të flasë e as të shkruajë se pse bëhet ky linçim i krijuesve të letërsisë në Shqipëri, pse nuk shfaq kundërshtinë e tij, pse nuk i dërgoi asnjëherë një peticion qeverisë në përkrahje të kolegëve të tij, nëse i konsideron kolegë.
Shkrimtarët shqiptarë nuk kanë një kafene ku të mblidhen me njëri-tjetrin, nuk kanë një sallë ku të promovojnë librat e tyre, nuk kanë një revistë letrare të përbashkët, nuk kanë një gazetë “Drita” që është  krijuar kur ende nuk kish shtet të pavarur shqiptar, por u mbyll pasi qeveria shqiptare në mënyrë arbitrare dhe arrogante, si të ishte nje skualion i talebanëve të Kabulit, ua mori shtëpinë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe ironikisht e bëri Ministri të Kulturës.
Le të heqim një paralele mes Nobelistit Camys, që aq shumë u grind në Francë, që krijoi sa armiqësi në luftën e tij personale si humanist i madh, me shkrimtarin tonë Kadare që është krejt indiferent me fatin e shkrimtarëve shqiptarë të mbetur si muhaxhirë në atdheun e vet. Të mos mendojmë se bota e letërsisë nuk e di çfarë bëhet brenda sinoreve të shtetit tonë, aq sa është krijuar mendimi se Shqipëria aktualisht nuk ka letërsi sepse edhe Kadarenë ia atashojnë Francës. E si mund të pritet të stimulohet letërsia shqiptare nga Akademia Suedeze kur shteti shqiptar e nxjerr jashtë loje krijimtarinë letrare dhe shkrimtarët i nxjerr në rrugë?   
Siç thamë, janë shumë faktorë që ndikojnë, por ama në një gjë të jemi të qetë e të mos bëjmë aludime,  që na shfaqin si gricanjozë ballkanikë, nuk na kanë inat ne shqiptarëve që nuk na japin çmimin Nobel në Letërsi. Nëse kapemi vetëm pas këtij justifikimi disi foshnjor e nuk shohin çfarë ndodh mes nesh e në çfarë stadi jemi në stimulimin e letërsisë, ne vërtetojnë kësisoj se as që kuptojmë nga vlerat e larta njerëzore që bota  respekton, nderon e çmon.