Kolec Traboini në promovimin e librit "Flamuri në Deçiq", në Prizren 21 nëntor 2012 |
REVANSHI TURKO-OSMAN
NË BALLKAN
NË BALLKAN
Nga KOLEC TRABOINI
Po kërkohet grupimi i forcave dhe
krijimi i aleancave në Ballkan. Veç një qorr nuk po sheh se beteja e domeneve
tashmë në këtë rajon gjeopolitik të nxehtë është në ardhje. Çështja siriane u
zbeh sepse në krahun e kundërshtarëve të Assadit u vunë forcat më regresive të
shoqërisë, u vunë terroristët islamikë aleatë të Al Kaedës, të cilët nuk njohin
asnjë kulturë e qytetërim veç ligjeve barbare të mesjetës. Përpara shkatërrimit e djegies të qindra
kishave e prerjeve të kokave në mënyrë publike, perëndimi dhe Amerika u stepën
aq sa edhe pse Assadin e urrejnë nuk kanë më atë entuziazmin e parë kur
thërrisnin për luftë. Po i thërrasin mendjes. Nuk mund t’i ndihmojnë një kauze
që shkatërron qytetërimin sirian dhe e kthen vendin qindra vjet pas. Madje në
mënyrë indirekte e pranuan edhe grushtin ushtarak të shtetit kundër
Presidentit islamik Morsi që inspironte
një regjim total fetar në Egjipt dhe mbylljen e dyerve të qytetërimit
mijëravjeçar egjiptian. Nuk mund Amerika të bëjë lojën e terroristëve ndaj dhe
kemi këtë tablo fort të dukshme ani pse bëjmë sikur nuk e shohim. Askush nuk po jep më lajme për ngjarjet në
Siri ku na paskan shkuar edhe dhjetëra shqiptarë të fandaksur pas islamizmit
fanatik. Është e kuptueshme se me shmangien e konfliktit të mundshëm siriano-turk,
ku Erdogani, ky regres i gjallë i qytetërimit turk shpresonte të ishte faktor
lufte për shtrirjen e influencave të tij si kundërpeshë ndaj Izraelit, tanimë
aspiranti për sulltan nuk i mbeti tjetër veç t’i hedhë sytë e ambiciet në
Ballkan.
Platforma turke e ridimensionimit të
Ballkanit nën tutelën turke nuk është e panjohur. Ka vite që punohet me këtë
platformë e cila është edhe si kundra peshë ndaj qarqeve europiane që nuk po e
pranojnë shtetin e madh islamik në gjirin e Bashkimit dhe gjasat janë mos ta
pranojnë kurrë. Sepse ekspansioni
islamik, i cili është i konsiderueshëm e
për të cilin shpenzohen miliarda dollarë prej vendeve arabe të pasura me naftë,
edhe më tej vazhdon të konsiderohet një rrezik për kulturën perëndimore
europiane. Teoria e Samuel P.
Huntingtonit se luftërat e ardhshme do
të jenë ato mes kulturave të ndryshme, nuk është e tejkaluar. Pra si kundërpeshë ndaj mospranimit në
Bashkimin Europian, Erdogani ëndërron Bashkimin Islamik të Ballkanit në të
cilin ai llogarit katërshen Turqi- Shqipëri- Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë.
Prandaj me t’u shuar mundësia e një lufte në jug me Sirinë, të cilën e frenuan
vetë amerikanët që në fillim e nxitën, tashmë Ergodani ndërmerr inkursionin e
tij në Kosovë dhe bën deklaratën bombë “Kosova është Turqi”, që me siguri i ka
çoroditur kuintat e diplomacive europiane. Natyrisht europianët nuk nguten të
deklarohen, nuk duan t’ia bëjnë atë nder Erdoganit, bëjnë sikur nuk i kanë dëgjuar, por në të
vërtetë fjalët e tij janë vath në vesh të europianëve. Potencialisht Turqia
përbën një rrezik me inkursionin e orekset ekspansioniste të qeverisë së saj
islamike. Nuk është krejt pa shkak që në kohën që shkon Erdogani në Kosovë ka
lëvizje të izraeliteve në Serbi. Ka dhe deklarata të ambasadorit izraelit Jozef
Levi për ngrohtësinë më të cilën serbët i presin izraelitët dhe se ata,
Izraeli, nuk e kanë njohur Kosovën, çfarë nënkupton se ia njohin atë Serbisë,
ndryshe ç ‘kuptim ka ky deklarim. Por deklarimet e diplomatëve kurrë nuk
janë të paqëllimta. Të mos harrojmë se
serbët kanë ndërmarrë edhe aktin e lejimit të shtetasve izraelitë të hyjnë e
dalin lirisht në Serbi pa pasur nevojën e vizave.
Po le të kthehemi nga vetja. Tashmë dihet se nuk kemi më në Europë një
shtet perandorak si Austro-Hungaria që na mbrojti me aq këmbëngulje në rrugën
tonë të Pavarësisë. Sepse për Turqinë e për shtetet e tjera të mëdha ne nuk do
të ishim në hartat e Europës si shtet i pavarur, ndaj nuk ka kush të mbrojë
interesat e shqiptarëve siç ndodhi në fillimin e shekullit të kaluar, nëse do
të krijohej ndonjë kaos ballkanik apo konflikt rajonal.
Kësisoj kemi këtë tablo të kohës ku
Arnautët e Ballkanit si gjithnjë të mbetur në tymnajë nga mungesa e një udhëheqje
vizionare, po rreshtohemi krejt gabueshëm në krahun e Turqisë si vasale të bindur.
Të mos bëjmë naivin. Erdogani në të vërtetë nuk foli për të dëgjuar ne
shqiptarët, qëllimi ka qenë shumë më i largët, u tha sllavëve e Rusëve se
Kosova është Turqi. Ndërkohë ne me këto
lakadredhje e lamë veten që Europa të mendojë për ne sikur jemi me kampin
islamik turk që kërkon ta zotërojë Ballkanin e të ringjallë Perandorinë Turko-Osmane
të influencave si kundërpeshë ndaj Europës.
Kemi kësisoj një betejë fjalësh të
shpalosura në mënyrë nervoze, ndërkohë Izraeli që vepron pa bërë deklarata të
shumta jep sinjalin me ambasadorin e vet
në Serbi. Dhe në Beograd e njëjta skenë si në Prizren, pra Izraeli dhe Turqia i
tregojnë dhëmbët njëri-tjetrit jo më në kufirin me Sirinë, por në Ballkan.
Në këtë radhitje delirante e mburravece
faqe botës, padyshim që ne jemi humbës. Sepse në ndodhtë më e keqja në Ballkan
nuk do të na i nxjerrë gështenjat nga zjarri gjithmonë Amerika, sepse Amerika
ka më shumë interesa e miqësi me Izraelin se sa me ne. Zgjedhja e gabuar mund
të na sjellë fatalitet dhe shkatërrim të kauzës kombëtare. Si mund t’i mbajmë
shpresat tek Turqia që na shpërfytyroi e mohoi çdo të drejtë për 500 vjet, ajo
do të sillka për shqiptarët Bashkimin Kombëtar. Po në qoftë se ka mbetur puna
të na bashkojë hasmi i historisë sado e largët qoftë ajo, që na përgjaku për
500 vjet, pra të na mbledhë nën flamurin
e tij e nën syzerinitetin e tij, kurrë mos u bëftë e lipsur qoftë ai bashkim
nën gjysmë hënën turke. Mallkim më të madh në histori nuk do të kishim.
26 tetor 2013