JAM GEGË... JAM TOSKË...
- Parodi mediatike -
Nga Kolec TRABOINI
Meqënëse
përsiatjet në alternativën “Jam Gegë...jam Toskë” u priten me eufori
mediatike, edhe unë që jam Gegë me themel në Hotin e Malësisë së Madhe, nuk po mund t’i
qëndroj tundimit pa u përzie në këtë idolari krahinare e të bëj edhe unë
apologjinë time, por edhe të gërrmoj si
Tarja për të gjetur motivin pse jam ky që po më thonë se jam e jo tjetër, apo ku qëndron dallimi mes meje, Gegë, dhe
miqve të mi Toskë. Le ta shkoqisim:
Së
pari, lum miqtë e mi lexues të nderuar, jam
ky që jam se kështu desh im Atë që bëri ç’bëri me tim ëmë pa më pyetur mua
fare. E sikur, mos o Zot, të mos i
fryhej...mëndja të bënte atë që bëri, unë nuk do të isha fare Gegë, por as dhe
në këtë jetë, prandaj nuk kam asfarë
merite se jam Gegë.
Kur
isha i vogël pyesja tim ëmë se ku më ke gjetur. Ajo, nga që koka ime ende e vogël
nuk i kuptonte shumë gjëra të kësaj bote, më thoshte: tek mullari. Por unë kam
një mik toskë shkrimtar, Sazan Goliku, që nëna i thoshte se e kish gjetur në
qilar.
Tani
në bazë të përvojes sime vetanake, të
dalim tek dallimet e Gegëve e të Toskëve, të cilat po i zhbirilojnë disa autorë
nëpër përsiatje edhe ato vetmore - vetanake, e që ta gjejmë llafin, do të desha të them edhe unë mendimin tim, sado
paradoksal që iu duket mediave gego-toskore që veprojnë krejt ngjashëm me
proverbin “Gjuha mish është, por kockë thyen”.
Kam
mendimin se dallimet e Gegëve e të Toskëve janë të mëdha e piksepari në fushë të
seksologjisë, kësisoj po ta marrim shqyrtimin nga zanafilla e botës njerëzore
na del se Gegët ia hipin grave tek mullari, ndërsa Toskët tek qilari...
Qe
pra ndryshimet, që për faqe të bardhë duhen bërë objekt studimesh akademike
voluminoze “Nga mullari tek qilari”, meqë
gjë tjetër për të shqyrtuar e studiuar nuk ka Akademia pleqërore rrjedhimore e Tiranës
apo pse jo dhe ajo e Prishtinës. Duhet të thellohemi në këto ndryshime që nuk janë të vogla, duhen
qëmtuar origjinat tona si bij të Evave pellazgjiko-iliro-arbërore mëkatare që
jemi.
Të
tjerat i lexoni nëpër librat me përsiatje të atyre që merren me hendeqet e
dyfeqet e Tosknisë e Gegnisë, se kush më
mirë dredh duhan apo bën përshesh, se unë jam me atë që shkruan burri i urtë me
zâ bylbyli Dom Ndre Mjeda:
Geg e Toskë, Malsi, Jallija
Jan nji komb me u da s’duron
Fund e maj nji asht Shqipnia
E nji gjuh’ gjith na bashkon.15 tetor 2013