(K)URBANISTIKA, KANABISI DHE POPULLI NË
DELIR
Nga KOLEC TRABOINI
Seç ka një hipokrizi zulmëmadhe në këtë
Albanistanin tonë heroik, luftëtar, durimmadh i pamposhtur. Të gjithë flasin
për mafia ndërtimesh, mafie droge, mafie avionësh, mafie pastrimi parash e ku
ta di unë, dhe i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit nga pozicioni i djathtë apo i
majtë. Në të vërtetë të dy krahët janë zhytur deri në fyt me kësisoj histori
myteberrësh. Ah po. Se desh harrova pse e nisa dhe bitisa këtë shkrim me titull
paradoksal (k)urbanistika. Me një fjalë kaosi ku jetojmë përditë dhe kryeqyteti
si kurban i të pangopurve tanë të mëdhenj.
Ja si e kam përshkruar në librin e fundit
me poezi makthin tim prej kësaj(k)urbanistike që vjen e përplaset dhunshëm deri
tek xhamat e dritareve tona: Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ngritën
një ndërtesë të stërmadhe gri/që të kujton dinozaurët /e lartë, hijerëndë e të
egër./Tani nuk kam më veç një përçik qiell/e një çarçaf të verdhë/varur në
ballkon si diell...
Pushtuar prej kësisoj mendimesh aspak
poetike i hodha një sy për herë të fundit e jo pa pikëllim elegjiak ndërtesës
që dikur kishte qenë ndanë Kishës Katolike në rrugën e Kavajës. Ishte pastruar
në mënyrë shembullore gjithçka, për t’ia pasur zili edhe ushtarët në kryerjen e
detyrave ushtarake si pastrimtarë brigjeve të detit. Çfarë të shihje...Thua nuk
kishte patur një ndërtesë ndonjë herë në këtë vend. Çdo gjë në prefeksion
shkatërrimtar nën parullën “Gati për betonime të reja!”
Po vrisja mendjen a ka qeveria e
rrogëtarët e saj ndonjë plan urbanistik për rrugën e Kavajës që ka aq shumë
ngjarje në historinë e Tiranës. Ndërsa meditoja për kohë të shkuara kur këndej
gjithnjë takoje shkrimtarë, sepse kjo rrugë lidhte Lidhjen e Shkrimtarëve (nuk
ka më lidhje e as zgjidhje shkrimtarësh me shkakun se qeveritë, majtas-djathtas
vend numëro, i kanë shpallur luftë
shkrimtarëve), e lidhte pra me
ndërmarrjen botuese. Shto edhe shtypshkronjat,
ishte si të thuash rrugë e shkrimtarëve. Tani nuk gjen më një pikë
shkrimtari veç Koço Kostës dhe Sayan Golikut që e kanë shtëpinë përballë
ish-shtypshkronjës “Mihal Duri” ku shiten llambadarë aristokratësh.
Ndalova paksa para ndërtesës ku kam qenë në shkollë pedagogjike
dekada më parë, kjo ndërtesë si tempull ka shërbyer edhe si Lice Artistik, edhe
si Muze i Shkencave të Natyrës. Çfarë të shoh. Mjerim. Gërmadhë. E kanë lënë të
degradohet atë ndërtesë të bukur dhe e dini çfarë është bërë!? I ka dalë pronari i tokës, thonë. Mirë bëri që doli pronari i tokës,
mirëpo ato ndërtime kush i ka bërë. Janë bërë me djersën e popullit. Sa ka
paguar pronari i tokës për atë ndërtesë kaq të bukur që u la qëllimisht të
degradohej që pronari që na doli si
kofini pas të vjeli, të mos paguante asnjë dyshkë. Këtu në lojë ka qenë qeveria
e shkuar e cila kësisoj ka bërë me të gjitha ndërtimet shtetërore, pronë të
popullit. Kanë shkuar për dhjamë qeni. Janë lënë qëllimisht të shkatërrohen, që
të paguhen lirë ose të mos paguhen fare ose-ose të futen paratë në xhepat e
pushtetarëve. Zgjidh e merr.
- Tashmë aty është një parking makinash, -
më tha roja që vinte vërdallë me një zorrë uji në dorë.
Isha i përhumbur në kujtime shkollore.
Atëbotë kishim drejtor Gani Daiun, një mësues vërtet i lavdishëm, mësuese
vizatimi Vangjeli Çomorën gruan e shkrimtarit Spiro Çomora, mësues gjuhe një
gjuhëtar si Pjetër Elezi, apo Kamber Xheria, në matematikë Hajro Babameton dhe Ibrahim
Turdiun, kujdestar konvikti kishim Ndriçim Lakon, babain e artistit Bujar Lako
e të tjerë.
- Po speciet dhe herbariumi ku shkuan? I
privatizuan dhe ato. U doli pronari? Mos fluturuan me avion në Divjakë? -
thashë pasi dola nga kujtimet.
Roja i hutuar, ngriti supet e m’u përgjigj disi në huti:
-
Andej nga “Ali Demi” i kanë përplasur. Punë
mushkonjash e bufa kënete. Këtu do të bëhet një ndërtim i madh, - tha ai
si të më jepte një sihariq.
-
Katastrofë thuaj, - ia ktheva.
Ai ngriti sytë e më mori si për të
çmendur. Dhe kishte të drejtë. Se nga ndërtimet dalin para de... para e madhe.
Kush po pyet për shkenca në Shqipëri?!
Nuk e di a kanë ndonjë plan proteste
shoqatat që janë për të mbrojtur vlera arkitekturore e urbane të cilat po korrin disfatë pas disfate. Disfata
heroike.
Vaterlo urbanistike thuaj. Ndërsa
shteti,... ç’të flasim për shtetin, këtë qerre të vjetër. Këtij shteti i ka
zënë rrota bishtin tek mushkonjat e Divjakës dhe fletët e blerta të kanabisit.
A thue të gjitha hallet e tjera të këtij populli të jenë krye.
Në të vërtetë më mirë do të qe të frenohej
disi (k)urbanistika dhe të ligjërohej kanabisi që tek tymosnin njerëzia, çdo
disfatë t’u dukej fitore, të besonin përrallat e politikanëve, të notonim në
delire e kësisoj të na dukej vetja populli më i lumtur në botë.
Jemi a s’jemi?!
© k.p. traboini
2014
Në blogun Traboini esé mund të lexoni:
Kriza e artistit dhe supërkriza e kulturës-Traboini
Presidenti Wilson- ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë -Traboini
Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini
Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini
Punë kulturash - nga Tirana në Prishtinë - nga Kolec Traboini
Shkodrania aktore e parë e Turqisë- nga Kolec Trab...
Dallandyshe pa qiell- nga Kolec Traboini
"E vërteta"... e pavërtetë e prof. Emil Lafe - nga...
Zhvillimi letërsisë shqipe në Mal të Zi- nga Rrok Gjolaj
Akademia e mykur e Tiranës- nga Kolec Traboini
Kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini
Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit
Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini...
Lazarati në tym - shteti në delir- nga Kolec Trabo.
Zeusit i lajkatohen të gjithë- nga Traboini
Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini
Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini
Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboin...
Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindje...
Kur shpresa s’është veçse një kurvë...- nga Kolec ...
Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga ...
Dekorimi politik i Kol Idromenos- nga Kolec Traboi...
Dhjetë vjet thirrje për bustin e Ded Gjo Lulit- ng...
Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit - nga Kol...
Requiem i Verdit në vjeshtën politike të Tiranës- ...
Epika blu e Edison Gjergos- nga Kolec Traboini
Ardhacaket e Ballkanit Sofie-Safete Juka
Boston- një shekull përballë greqizimit Udhë e mbarë, o Sizif!
KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI