22 September 2017

Q... breshkë se të ka ardh dita, tha lepuri - nga Kol Shkodrani

 Q... BRESHKË SE TË KA ARDH DITA, THA LEPURI

- Erioni, do kemi ujë të pijshëm sa me dhi në të
- Rama, ha qershitë e pshurrura në Washington
- Basha, nuk di me ja lyp popullit
- Q...breshkë se të ka ardh dita! - tha lepuri...-
( Lajme në Kaza të Tiranës)


nga Kol SHKODRANI


Ngrihet tjetri e nis një ditë të re. Del në ballkon. Mirëdita Diell! Prit mos bie telefoni për ndonjë kafe. Hiq krejt. Krejt kot. Kot bosh. Bosh fare...U pa kjo punë. Ktheu e dëgjo titujt e gazetave të Bashkim Hoxhës në News 24 orë në Kaza të Tiranës.
Goxha lajme. Boll të majme:
- Rama, këmbët e gjata e faqja e bardhë, inkonjito në Hollandë. Pastaj në Itali, Pastaj në Turqi. Shumë e paren e paska pas ky popull fukara. Si thesin që sa herë e shkund nxjerr miell, ani pse është bosh e trokë...Pastaj në OKB në këmbë të presidentit Meta, që tash si president nuk po i di punët e veta. I lëshon shteg Ramës, se Kokëministrit i duhet një Mea Culpra me Donald Trampin në Washington. Një foto në pak sekonda dhe qershijat e pshurrura nuk janë më të pshurruara e mund të hahen pa merak fare, madje edhe pa i larë.
Biçim milet - insan e tarbjet...
- Luli i bën një kopjativ Ramës në programin e qeverisjes së punëve të partisë me popullin. Edhe ky po ja kërkon popullit, por populli nuk po ja jep se ky Luli nuk di me ja lypë, siç thotë një këngë tallava idiote.
- Erion Veliaj bën spërdredhjen e suksesit të fundit; u miratua rritja e çmimit të ujit të papijshëm. Pije po deshe të nxjerrësh veshkat nga përdorimi bashkë me zorrë e planca.
Priteni tani ujin "full time" pas pesë vjetësh - tha me syrin filxhan bandill-palikari.
U a dhjeu gjithë popullit të Tiranës krye bashkiaku me ndihmën e dy mercenareve të LSI në Këshillin Bashkiak.
Nuk është gjë për tu habitur. Gjithmonë ka pasur të shitur që nga koha e Judës.
- O popull trim e lavdidashës deri në zgërlaqje: shihni tarracat tani se 5 vjet janë një jetë.
Mbill një fik sot, ti hash koqe - kokrrat pas 5 vjetëve - tha Erioni.
Jepi Erionkë, jepi. Jepi e të lumtë sqepi!
- Q....breshkë se të ka ardh dita - tha lepuri!...

Shënime defteri në Kaza të Tiranës
Më 27 të gusht-mushtit, viti i ixhrit 2017 hiq 200


Free Edition - mund ta ribotojë kushdo sipas qejfit e lezetit dhe në çfarëdo organi duke përfshirë edhe qitapët e krye bashkiakut të Kazasë së Tiranës.

21 September 2017

Muhaxhirët sipas Faik Konicës - nga Revista "Albania"





MUHAXHIRET 
SIPAS 
FAIK KONICËS

«E THASHË edhe tjater herë: për mua, fara me e ndyrë e Shqiperisë janë muhaxhirët.
Muhaxhirë u thomi atyre muhamedanve që, duke lënë vendin e tyre, erthnë të zënë vent në Shqipëri. Ka muhaxhirë nga Bosnja, nga Serbia, edhe disa Shqipëtarë nga Podgorica edhe nga Ulqini.
Të qè se këta Shqiptarë të kishin ardhur ndër né per mall te Shqipërisë, fort bukur. Po jo! Ata erthnë se i mori malli i minareve. Shqipërinë e shesin për një pesëshe, e veç nukë duan të rrojnë nënë “kaaurrin”.
Se të kishin ardhur per mall të Shqipërisë, duhej t’ishin kombëtarë të nxehtë e miq të parë me né që luftojmë kunder të gjithve per të mbajtur lart flamurin e kombësisë. Po, jo! Ata vijnë të bëhen spijunë të Qeverisë.
Tradhëtojnë, hedhin në burg Shqipëtarë, tallen me vendin tonë. Edhe bukën tonë hanë, edhe na lëshojnë….balten e tyre permi mesalle!
Të kishin pakë ment Shqipëtarët, nukë këmbejnë as një fjalë me këta zgjebët. Të mos ish kombi shqipëtarë një komb i poshter e i ndyrë, i dergojin muhaxhirët n’Anadoll, me një shkelm prapa!»

FAIK BEJ KONITZA
Revista “Albania” nr.8

17 September 2017

Kulla e Prek Calit dhe restoranti në Tiranë i Tonin Marinaj/nga Kastriot Myftaraj

Kulla e Prek Calit dhe restoranti në Tiranë i kryetarit të bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj

Nga KASTRIOT MZFTARAJ

Bashkia e Malësisë së Madhe, domethënë kryetari i saj Tonin Marinaj, ka dalë me një deklaratë publike për prishjen e kullës së Prekë Calit, duke thënë se do të prishet çdo ndërtim që është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Burrë i ligjeve ky Tonin Marinaj! E atë bar-restorant “Mastela” që ai ka në Tiranë, pranë Hipotekës (Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) në rregull e ka me ligjet në fuqi? Lokalin shumë të bollshëm ia ka dhënë biznesmeni Irfan Hysenbelliu, i cili ka në atë zonë një kompleks pallatesh. Arsyeja për të cilën ia ka dhënë është se kanë disa punë konfidenciale bashkë me shishet e birrës së Fanes që udhëtojnë transit në territorin e bashkisë së Toninit, me korrierë privatë, të përshtatura për të mbajtur “meze” të shtrenjtë brenda.
Nëse ka në Shqipëri ndonjë monument të ndërtimeve të paligjshme, madje të kundërligjshme, sa i përket zaptimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve abuzive në to, ky me siguri që është kompleksi i pallateve që ka ndërtuar Irfani, pasi ka zaptuar një pjesë të oborrit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) në Tiranë. Kjo ka ndodhur para vitit 2005, pra kur në pushtet ishte PS. Në atë kohë zaptimi i kësaj hapësire publike u bë shkak që që Banka Botërore të tërhiqej nga financimi i një pjese të projektit për modernizimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pallati më i lartë i kompleksit ndërtimor, i cili i bën hije Burgut 313, që gjendet aty afër, dhe i cili pallat ka shtatë kate pa leje, është monument i pushtetit abuzues që siguruan disa oligarkë si Hysenbelliu, duke keqpërdorur gazetat dhe televizionet që kanë në pronësi, në kohën që PD ishte në pushtet, në vitet 2005-2013.
Ironikisht, lejën fillestare për ndërtim Hysenbelliu e mori nga Edi Rama, në kohën që ai ishte kryetar bashkie. Por katet pa leje Irfani i i ndërtoi kur në pushtet erdhi Berisha në 2005, se kishte garancinë nga Berisha dhe Basha se nuk do t’ i prekeshin ato. Dhe tani Edi Rama kryeministër ia legalizoi Fanes ndërtimet abuzive.
Prek Cali mbrojti kufirin shqiptar në kohën që në Shqipëri erdhi komisioni ndërkombëtar për caktimin e kufirit, dhe kur të dërguarit e Beogradit shkuan në Malësinë e Madhe me thasë me flori për t’ u thënë banorëve katolikë që të kërkonin që trojet e tyre t’ i bashkoheshin Jugosllavisë. Dhe nuk ishte çudi që të ndodhte kështu, sepse megjithëse kufijtë ishin vendosur në Konferencën e Londrës në 1913, në 10-12 vitet e ardhshme pati ndryshime në dëm të shtetit shqiptar, siç ishte humbja e rreth 2000 km² në kufijtë verilindorë, në atë që njihej si Zona Neutrale e Junikut, gjë që ndodhi për shkak të luftës së pakuptim, pa mbështetje ndërkombëtare të kaçakëve kosovarë që e përdornin këtë territor të shtetit shqiptar, si bazë për veprimet luftarake.
Prek Cali të cilët i trokitën në derë të dërguarit e Beogradit, mund t’ i kishte marrë florinjtë e tyre dhe të kishte pallate e restorante nëpër Europë por nuk e bëri këtë gjë se ishte atdhetar shqiptar. Autoriteti i Prek Calit nuk vinte nga leja për të mbjellë hashash pa të prekur shteti, siç vjen autoriteti i Tonin Marinajt të Edi Ramës. Autoriteti i Prek Calit vinte nga burrnia e atdhetaria e tij.
Kulla e Prek Calit u shemb me urdhër personal të Edi Ramës dhe argati Tonin Marinaj e ka zbatuar këtë urdhër për turpin e tij dhe të fisit të tij. Kulla e Prek Calit u shemb pikërisht në kohën që u shpall projekti i Jugosllavisë së Re (me Shqipërinë brenda) nën maskën e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
Kur komunistët erdhën në pushtet dhe bënë aleancën me Jugosllavinë, Enver Hoxha para se të shkonte në Beograd dhe të nënshkruante traktatin që e bënte Shqipërinë protektorat të Jugosllavisë, duhet të jepte një provë të madhe të goditjes së një simboli të mbrojtjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Beogradi. Dhe ky simbol u gjet duke poshtëruar Prek Calin, të cilin Mehmet Shehu personalisht e tërhoqi zvarrë të lidhur me litar pas xhipit të tij deri në Koplik. Çuditërisht, edhe në narrativën antikomuniste shqiptare është në fuqi legjenda e rreme e krijuar nga propaganda e Enver Hoxhës se Kelmendin e nënshtruan brigadat partizane shqiptare. Në të vërtetë këtë e bënë brigadat jugosllave.
Prek Calin e kapën rob me tradhti partizanët jugosllavë në mars 1945 dhe kur e kapën, i kumtuan fjalët e Rankoviçit, Ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, se jo vetc që do t’ i falej jeta por edhe do të shpërblehej mirë nëse do të pranonte të bëhej deputet në parlamentin e Shqipërisë dhe të shoqëronte Enver Hoxhën në vizitën e tij në Beograd. Kuptohet se Beogradit i duhej Prek Cali për ta bërë të pranueshëm projektin për aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia. Por Prek Cali, atëherë rreth 70 vjeç, refuzoi duke thënë se nuk e ka shitur Shqipërinë në rini dhe nuk do ta shiste në pleqëri. Këtë histori ma ka treguar një ish-oficer partizan malazez nga ata që u arratisën në Shqipëri në 1948 pas prishjes së Titos me Stalinin, dhe që kishte qenë i pranishëm në vendngjarje.
Enver Hoxha e poshtëroi Prek Calin, por nuk e shembi kullën e tij. Këtë e bëri Edi Rama me Tonin Marinajn. Kur Mehmet Shehu e lidhi Prek Calin pas xhipit të tij, u tha partizanëve të pranishëm se cili katolik prej tyre do të dilte vullnetar të merrte timonin. Disa prej tyre dinin ta drejtonin makinën por asnjë nuk lëvizi. Asnjë prej tyre nuk u vu në rolin e Tonin Marinajt.
Shqiptaro-amerikanët me prejardhje nga Malësia e Madhe që investuan për restaurimin e kullës së Prekë Calit duhet ta dinë se shembja e saj nuk ka lidhje me ligjet në fuqi në Shqipëri. Kulla u shemb në emër të ligjeve të pashkruara të Jugosllavisë së Re.
Në çdo vend të botës, një burrë me meritat e Prek Calit do ta kishte monumentin në kryeqytetin e vendit, me mbishkrimin “Burri i Kufirit”. Kulla do t’ i ishte restauruar me shpenzimet e shtetit. Në Shqipëri ata që kanë uzurpuar shtetin jo veç që nuk e bëjnë këtë, por nuk lejon as që kjo të bëhet me financim privat.
Ata që shembën kullën e Prek Calit veç sa zbuluan më qartë fytyrën e tyre si kolaboracionistë neojugosllavë. Do vijë dita që t’ i tërheqim zvarrë të lidhur pas “Mercedesëve” të tyre nga Tirana në Kelmend. Më saktë nga Kryeministria dhe restorant “Mastela” të vendi i kullës së Prek Calit.

© Kastriot Myftaraj, 17 shtator 2017

05 September 2017

Rrënues të mitit apo rrënues të kombit?- nga Kolec Traboini




RRËNUES TË MITIT APO RRËNUES TË KOMBIT?
-Pyetje për një katolike dhe një ortodoks që Gjergj Kastriotin e quajnë mit komunist-

Nga KOLEC TRABOINI


Debatet e mia për qëndrimin meskin ndaj Gjergj Kastriotit nuk i bëj vetëm me vëllezërit e mi shqiptarë myslimanë, por edhe me ata që janë katolikë apo edhe ato ortodoksë si Fatos Lubonja, por që ndajnë mes vetës të njëjtin qëndrim e mendim nihilist e mohues. Kur lexon shkrimet e mendimet e këtyre vetëshpallurve anti-kastriot, të duket  sikur lavdia e historisë ua ha barkun. Ose nuk kanë tjetër me se merren dhe u gjet sebepi për të rrëzuar jetën e veprën e Gjergj Kastriotit nën pretekstin absurd të rrëzimit të Mitit, të vetmit figure kombëtare gjithë evropiane që kanë shqiptarët e pa të cilin del të jemi popull nomad ashtu siç duan të na quajnë armiqtë e djeshëm e të sotëm apo dhe të nesërm të Shqipërisë.
Ca e ndërtojnë imazhin e vet duke ndërtuar, po ja që paska edhe nga ata që duke mos pas prirje ndërtuese, mesa duket u lëshohen kazmës për të rrënuar bazamente monumentesh që njerëzit kanë ngritur në nderim të historisë por edhe të vetvetes.
 Ky kor i përzishëm ndaj një monumenti në sheshe e në zemrat e shqiptarëve, edhe mua si shumë të tjerëve më irriton, ndaj gjej rast ti përgjigjem kësaj motre shqiptare katolike shkodrane J. L. që mjerisht ndan të njëjtin mendim degradues me rrënuesit e “miteve”. Do të flas hapur, se e vërteta mund të jetë e ashpër por kurrë nuk bën dëm.
Nuk bën të shkruhet apriori me një retorikë të zbërdhultë, si një mulli që bluan pa pasur një kokërr misër në mokërr. Gjergj Kastriotin moj zonje  e nderuar shqiptare katolike shkodrane, ndaj të cilit anti-kastriotët shfryjnë si çyryk vapori me avull të shekullit të 19, nuk e krijoj retorika komuniste, siç ju e citoni duke ja faturuar lavdinë e Gjergj Kastriotit diktatorit Enver Hoxha. Kjo është si të flasësh përçart. Gjergj Kastriotin, ende pa lindur diktatori Enver Hoxha, madje 4 shekuj para se të lindte ai, e krijoj nevoja historike për tu mbrojtur e për të përballuar hordhitë barbare të lindjes që po i shkretonin tokat arbërore, burrat i vrisnin, gratë i bënin robinja, vajzat pasi i përdhunonin i fusnin në haremet e veta ose i shisnin, ndërsa djemtë kush qe mbi 14 u pritej koka dhe kush qe më i vogël dërgohej në kampe për tu bërë mish për top në ushtrinë turko-osmane.
A keni lexuar “Rrethimin e Shkodrës” të madhit Marin Barleti. 300 djemve të rinj luftëtarë të Drishtit që ju dorëzuan në besë ushtrisë turko osmane( besë karakteristike turko-osmane kjo), ju pre koka në një ditë përpara mureve të kështjellës së Rozafës. “300 djemve luftëtarë të Drishtit që dorëzuan në besë, ua prenë kokat një e nga një, për tmerr e turp të tyre” shkruan Barleti për pabesinë e pushtuesve. Po edhe kjo masakër gjaku është një mit. Po edhe në qoftë ashtu, është një mit me gjak shqiptari. A keni dëgjuar për jeniçerët. Nuk e di sa e si e lexoni historinë, por jemi të detyruar, pa bërë leksion të mërzitshëm, tu themi se heronjtë i krijon së pari koha në të cilën jetojnë e më pas vjen jehona. Dhe pas bëmave të mëdha që stepën Evropën në rrezik prej hordhive turko-osmane, figura e Gjergj Kastriotit u krijua ndër bashkëkohësit e vet, por edhe në Evropë duke e konsideruar heroin më të lavdishëm të shekullit te XV. Dhe kishte emra të mëdhenj historik Arbëria në atë kohë; Lek e Nikoll Dukagjini, Lek Dushmani, Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Teodor Muzaka, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani e të tjerë të cilët tashmë më të vërtetë të duken si mite e legjenda, por kanë qenë persona real dhe bëmat e tyre në histori janë të mëdha.
Gjergj Kastrioti si burri më i shquar në Arbëri dhe aq shumë mori emër sa edhe vetë sulltanët e kishin goditje psikologjike e ankth ekzistencën e rezistencën e tij. Ky nuk është mit. Ky është realiteti atij shekulli. Miti do të vinte më pas ashtu si trimave që pasi bëjnë trimëri u thurin këngë. Dhe këngëtarët popullorë padyshim janë në të drejtën e tyre të lavdërojnë bëmat e heronjve të popullit të vet. Ndër të gjitha kombet bëhet kështu e jo vetëm tek ne. Merr Simon Bolivarin në Amerikën Latine. Është krijuar edhe një shtet me emrin e tij. Bolivari është  kthyer në një mit që askush nuk guxon ta nëpërkëmbin e çmitizojnë sepse e linçojnë publikisht. Ne as kemi qenë e as jemi në këtë gjendje. Përkundrazi kemi arritur deri në atë stad “përparimi” në degradimin të figurave që përbëjnë shenjën më të fortë të identitetit kombëtar sa e përdhosim të vetmen figurë kombëtare të njohur ndërkombëtarisht si shpëtuesi i Evropës. Dhe motivohemi sikur po e objektivizojmë historinë, siç bën mjerisht Fatos Lubonja, një analist për të cilin kam respekt, por që kalon në absurd në këtë rast se i duket se është specialist edhe për skënderbejadën, të cilën mendon se mund ta shkërmoqë si mit i vjetër e dalë kohe. Nuk guxon njeri ta pyes sepse të quan analfabet i historisë nga që nuk kemi tejqyrën e tij.
Por le të ndalojmë pak në këtë përqasje të mbrapsht ndaj fenomenit Gjergj Kastrioti. Të shohim se përse një realitet historik mori përmasat e legjendës.   Dhe kur. Pas 5 shekuj që ishte  harruar nga populli i mbetur i shtypur e në errësirën e mosdijen që mbolli dhunshëm pushtimi osman. E më tej nevoja për të krijuar një shtet të pavarur të shqiptarëve e bëri të natyrshme të gërmohet në histori dhe të rikrijohet figura e tij me aq fakte sa kishin. Por prapë si në rastin e parë në viti 1444 e deri në 1468 kur vdiq, ishte nevoja historike për atë, ndaj dhe u konsiderua si një mit ani pse ai ishte histori e vërtetë. Edhe intelektualët e shquar evropianë e pranuan rikrijimin e figurës historike dhe në saj të këtij “miti”, që i bezdis aq shumë nihilistët e historisë kohës së trishtuar të  Oliver Jens Schmitt, një historian kafenesh,  u arrit të bindeshin qarqet diplomatike evropiane që të kishte një shtet të shqiptarëve të Gjergj Kastriotit.
Është e sigurt se pa atë “mitin” e atij që sot po e konsiderojnë të papranueshëm dhe duan ta shprishin si plaka leshtë në gërhanë, nuk do të kishte sot një shtet shqiptar, as Kosovë nuk do të kishte dhe shqiptarët do të tjetërsoheshin me dhunë e vrasje siç bënë serbët dhe grekët në shekullin e XX. Me mit pa mit ai ishte një realitet historik, betejat i ka kryer, nuk i mohon dot as zvicerani Oliver Jens Schmitt, as orthodoksi Fatos Lubonja, as katolikja J. L., aq më tepër radikalët islamikë. Por gjithsesi rilindësit tanë dinin çfarë po bënin, nuk kishin këtë mendjen tonë “të ndritur” që dimë vetëm të rrëzojmë e jo të krijojmë. Rilindësit e thirrën nga mesjeta apo e rikrijuan nuk ka rëndësi, por qëllimi ishte për të zgjuar këtë popull që flinte nën injorancën osmane, pra e bënë veprën e figurën e Gjergj Kastriotit si një pishtar për të parë udhën e lirisë.
Pa ndriçimin e mendjes dhe krijimin e shpresës nuk mund të bëhej asgjë. Natyrisht se ka gloria, por prapë se prapë është glorifikim i ngjarjeve shkuara për nevoja historike të kohës. Siç më lart e përmendëm kështu kanë bërë të gjithë popujt, francezët, amerikanët, anglezët me dhjetëra figura të tilla në historitë e tyre. Ne kemi vetëm një e duam ta shkërmoqim në emër të ca egove apo të revansheve fetare të atyre që janë pre e fanatizmit e padijes. Të kesh një hero kombëtar nuk është dëshirë apo ego individuale, është aspiratë kolektive, është shprehje e dëshirës për një indentitet të fortë përfaqësues. Shumë qytetarë amerikanë as që dinë ku bie Shqipëria, pyesin ku bie, e u themi diku në mes të Greqisë dhe të Italisë, të cilat i njohin se grekët kanë madhështinë e lashtësisë, italianët shkëlqimin romak dhe Garibaldin por kanë edhe Verdin. Dhe ata, amerikanët pra, thonë ahaaa...sikur të thoshin nuk e dimë dhe kaq. Por, po tu përmëndësh e kujtosh se një nga poetët më të mëdhenj amerikanë, me shtatore në Washington DC dhe në Boston, Henry Wadsworth Longfellow,  ka bërë një libër poemë për Skënderbeun ata ndjejnë afinitet dhe realizojnë njohjen.
Tani u dashka, sipas ca mendjeve shqiptare, të rrëmbejmë kazmën e ta shkërmoqim mitin se ky po na penguaka për të hyrë në suazën e perandorisë së re neo-osmane që po piketohet prej mendjeve të mykura në Ballkan. 
Lavdia e Gjergj Kastriotit nuk ka si të jetë një mit i komunizmit të Enver Hoxhës, siç e cilëson zonja katolike shkodrane J. L., apo siç elaboron Fatos Lubonja me skepticizmin e tij karakteristik në intervista  që hyjnë si pykë në mes të lajmeve në News 24 e ku pyetja ju bë për Gudarët e Krokutët e Akademisë së mykur të Shkencave, ku ai nuk gjen asnjë vërejtje e kalon tek miti i Gjergj Kastriotit që u dashka zhbërë. Apo ekzemplari tjetër Kreshnik Çollaku, eksponenti i seksioneve të partisë demokratike që komenton nëpër media sociale si të ishte një riosh fanatik fetar, apo duke shkuar me tej siç do  ta paraqesë Gjergj Kastriotin banda e injorantëve të terrinës fetare neo-osmane në jazëk portalin “Impakt”.
Ju pëlqen apo jo këtyre apo atyre, me ose pa mit, i madhërishmi Gjergj Kastrioti, aty është, në histori, e do mbetet edhe kur tërë batalioni i kazmaxhinjëve apo mendje kandarëve e tërë handraku i këtij vendi do të shkojnë në amshim.
Kot lodheni. Ai e ka fituar betejën mbi invadorët e Atdheut të tij, por do ta fitojë edhe betejën historike mbi të gjithë ata që hedhin baltë mbi gur mbi fytyrën e tij të ndritur në histori, gurë themel të kombit shqiptar. Të jeni të sigurtë që do ta fitojë edhe betejën me kazmaxhijtë.
Hani sa të doni fara kungulli kur nxirrni qentë në shëtitje. Ai atje është. Në kohë me diell e kohë me shi. Në ngrica e furtunë. Nuk pyet as për rrufe e bubullima. Kur të tjerët struken ai aty qëndron. Madhështor si ai. Dhe do të jetë në jetë të jetëve.
Pas pyetjes që i kam bërë hierarkisë (e jo individëve) të komunitetit mysliman lidhur me qëndrimin rreth Gjergj Kastriotit, shtroj pyetjen edhe përpara atyre që i përkasin religjioneve të tjera e që merren po aq ligsht me heroin kombëtar të shqiptarëve:
Është koha të deklaroni, jeni rrënues të mitit apo rrënues të kombit?!

6 shtator 2017