02 August 2008

ARISTIDH KOLIA - Prometeu i arvanitasve të Greqisë.



ARISTIDH KOLIA
PROMETEU I ARVANITASVE TË GREQISË


"....e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditëshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë ... Mbi kokën time nuk pranoj kurrgjë tjetër veç qiellit të lirë e pafund!"- Aristidh Kolia.




shkruar nga KOLEC TRABOINI



Personaliteti i madh arvanitas Aristidh Kolia vdiq në mënyrë enigmatike, siç cilëson ende dhe sot e kësaj dite anipse me gjysem zë shtypi shqiptar, por e thënë hapur e vranë ultranacionalistët grekë siç janë vrarë edhe arvanitas të tjerë të shquar në histori, duke filluar me Gjergj Karaiskaqin në pusi, që fjalen e fundit te jetes e tha ne gjuhen shqipe, helmuan Teodor Kollokotronin (Bithguri) në burgjet ku u përplas heroi kombëtar nga hierarkët grekë të fanatizmit nacionalist, e vite më pas me të zjarrtin arvanitas të Salaminës, gazetarin Anastas Kullurioti e të tjerë, krime të cilat historia i mban akoma në skutat e fshehta e të errëta të arkivave greke, mbase për të mos u hapur kurrë.
Ky fillim shekulli kishte ruajtur të njëjtin fat edhe për ish presidentin e Arvanitasve të Greqisë, historianin e studiuesin Aristidh Kolia, për të treguar kështu, se edhe në kushtet e zhvillimeve moderne Greqia, që e quan veten pjesëtare të asaj bote të ndritur e të kulturuar, që quhet Bashkim Europian, mjerisht vazhdon ende qëndrimin e paprinciptë të një shteti arrogant, që nuk njeh asnjë të drejtë për minoritetet, për t’u shkolluar e ruajtur traditat dhe kulturën e tyre. Traditat dhe kulturat e minoriteteve përbëjnë sot vlera për çdo lloj shoqërie në shtetet e zhvilluara demokratike, por natyrisht, jo në Greqinë e mentalitetit mesjetar e bizantin, të cilët mjerisht kanë harruar se ishin vetë grekët ata që urreheshin dhe persekutoheshin si popull nga hierarkët bizantinë. Grekët e sotëm, ndërkohë që përdorin të tërë makinacionet e stilit bizantin për t'u mohuar të drejtat minoriteteve, çuditërisht, i kanë si idhujt e tyre të admirueshëm shtypësit e tyre të dikurshëm. Të kthesh në idhull xhelatin tënd që të ka dhunuar, përzënë e shfarosur, është një paradoks i çuditshëm që vetëm në Ballkan mund të ndodhë.
Në shkrimin “Vrasja e dytë e Aristidh Kolës”, botuar në gazetën “Dielli”, New York 2000, kemi shënuar se me vrasjen fizike të studiuesit e udhëheqësit arvanitas Aristidh Kolia, nuk qe e mbaruar puna e megaloidhesë shoviniste, e mohuesve të lirisë e të drejtave të arvanitasve për gjuhën e kulturën e vet, se edhe më tej do të vazhdonin të vrisnin pak e nga pak idealin e ndritur të Anastas Kulluriotit dhe Aristidh Kolias.
Nuk do të shkonin veç dy vite pas tragjedisë së Aristidh Kolias, që në shtypin grek, e më pas përkthyer edhe në shtypin shqiptar, të shfaqej një shkrim i dy autorëve grekë Leonidha Embirikos dhe Lambros Balciotis me titull: “Grekët dhe shqiptarët në shekullin e 19-të dhe 20-të”, i cili që në krye e deklaron thuajse hapur qëllimin dhe platformën e vet kur thotë se “është absurd e qesharak pretendimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi se Aristidh Kolian e helmoi shteti grek”.
Zotërinjtë në fjalë, që tashmë në shtyp na hiqen si ish miq të afërt të Aristidh Kolias duke shprehur një keqardhje hipokrite për vdekjen (jo vrasjen) e tij, jo pa qëllim përpiqen të konfondojnë faktin se askush prej miqve të tij të vërtetë qofshin shqiptarë apo grekë, nuk kanë thënë më parë e as nuk e thonë tani se shteti grek është drejt për së drejti vrasës i Aristidh Kolias, përkundrazi është thënë fillimisht prej vetë Aristidh Kolias në shtratin e vdekjes dhe më pas prej miqve të tij se, vrasës janë qarqe të caktuara shoviniste, që gjithsesi kanë të drejtë të shfaqen në forma legale sepse kanë përkrahjen indirekte a direkte, jo vetëm nga shteti por edhe nga mediat ultranacionaliste dhe klima raciste që ekziston masivisht në shoqërinë greke.
Zotërinjtë Leonidha Embirikos dhe Lambros Balciotis nuk marrin fare në konsideratë faktin se dënimi me vdekje i Aristidh Kolias është shpallur publikisht para se të ekzekutohej fshehtësisht, pra të gjithë e parandjenin atë që do të ndodhte. Nuk marrin në konsideratë bisedën në një rubrikë televizive direkte transmetuar në Athinë më 1999, kur gjithë të pranishmit në një kor shovinist e racist (intelektualë grekë këta!!!) të dirigjuar nga komunistja shterpë Liana Kaneli, shanin e mallkonin pa pikë kulture dhe etike dhe u hodhën si të tërbuar kundër Aristidh Kolias që gjithsesi i qëndroi me dinjitet kësaj lukunie çakejsh si të kishin dalë nga shpellat e mesjetës, e që nuk janë pa përgjegjësi me përgatitjen e klimës për vrasjen e Aristidh Kolias. Sulmeve të pacipa deri në masmedia publike, shkrimtari arvanitas i priti me gjakftohtësi, pa acarime, me një kulturë qe i shkonte për shtat emrit të tij si shkrimtar e studiues i shquar, veprat e të cilit kishin përhapje të gjerë dhe ribotoheshin shpesh herë. Ja si shkruan në revistën e tij duke iu referuar këtij incidenti të turpshëm të masmedias greke:






"Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në "Skaj" 5 Maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja...

Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse "e drejta del, vjen kur ti vijë ora…". E kam dashur dhe e dua vendin tim, por dashuria ime nuk është me fjalë por me veprat e mia, të cilat do të kujtohen kur balta e zonjës…Kaneli të kalojë në harresën e shekullit. Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat . Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjera dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditëshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time..."



Por gjithsesi, zemra e madhe e Aristidh Kolias e dinte se sa shqetësim e sa dëme i sillnin në krijimtari, sa tundime madje edhe në rrethin familjar, sepse presioni i opinionit shoqëror binte edhe mbi familjen e tij, mbi të afërmit dhe miqtë.
Nuk marret në konsideratë fakti se banditët kapsalistë kishin shkruar nëpër muret e Athinës “Vdekje Aristidh Kolias”, apo “Tradhëtari Kolia në litar”, për faktin se Aristidh Kolia denonconte gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës në librin e tij “Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”. Këto gjëra, për këta dy zotërinj nuk ekzistojnë. Nuk ekziston as fakti se zyrat e Aristidh Kolias në rrugën “Filipidu” të Athinës kanë patur një bombardim intensiv me rreze radioaktive, sa ndoshta edhe sot e kesaj dite, do të kenë mbetur ende gjurmë. Përpara se zotërinjtë grekë, pseudo miq të arvanitasit të madh, të mohojnë me një të rënë të lapsit plot të vërteta mbi çfarë po ndodh me arvanitasit në Greqi apo të mohojnë çfarë të tjerët besojnë se tragjikisht e mizorisht ka ndodhur, le t’i kërkojnë organeve të specializuara t’i bëjnë një hetim studios së Aristidh Kolias, që tashmë familjarët e tij, me të drejtë e kanë kthyer në rezidencën e vet për t’iu shmangur sa të jetë e mundur manipulimit të fakteve që ende mund të kenë mbetur diku në suvatë e mureve e që nesër mund të flasin. E, për më tepër, këta dy zotërinj që duan të mbrojnë dinjitetin e shtetit grek, le t’i kërkojnë shtetit apo organeve të specializuara të Bashkimit Europian të bëjë të mundur që të analizohen kockat e Aristidh Kolias nëse kanë apo nuk kanë ende gjurmë radioaktive që çojnë fatalisht drejt leuçemisë. Mbase kështu do ta lehtësojnë shtetin dhe opinionin mediatik të mbarsur me shovinizëm prej peshës së fajit e të krimit të përbashkët të mbarë shoqërisë greke jo vetëm ndaj Aristidh Kolias, por ndaj mbarë arvanitasve që nuk janë pak por mbi një milion, paçka se shifrat e vërteta fshihen po nga ky shtet i "pafajshëm" sipas tyre.
Gjithmonë kur do të shkatërrosh dikë, mënyra më e mirë është të hiqesh si mik, e këtë dy zotërinjtë grekë Embirikos dhe Balciotis e dinë më mirë se kushdo në botë sepse janë grekë dhe kanë lidhje jo vetëm shpirtërore por dhe gjeneze me Kalin e Trojës.
Zotërinjtë e tyre arrijë deri atje sa stilin grek të eliminimit fizik të njerëzve "të padëshirueshëm" ta vënë në dyshim madje deri dhe në rastin flagrant të Anastas Kulloriotit, duke shkruar në artikullin e tyre se ai ishte mbase një rast “i mundshëm në dhjetëvjeçarin 1880”. Pra grekët bashkëkohorë, (tashmë të europianizuar!!!) ngjarjen reale e bëjnë të dyshueshme (mbase), ndërsa rastin e dyshueshëm e bëjnë të paqënë duke shtuar se këto janë më shumë vartësi të ideologjive të shkuara madje edhe atyre të shekullit të 19-të, të cilat, gjithnjë sipas dyshes greke Embirikos dhe Balciotis, “torturojnë” edhe sot shoqërinë shqiptare dhe shkencën e historisë.
Këta dy antishqiptarë, çfarë nënkupton dhe antiarvanitas, më kot hiqen si ish miq të Aristidh Kolias me të cilin, siç thonë, që në të gjallë kishin patur divergjenca në lidhje me vlerësimet të historisë. Duket hapur qëllimi i tyre që në krye të shkrimit, ndaj të gjitha rrokanisjet e tjera gjoja shkencore për marrëdhëniet shqiptaro - greke në histori, janë vetëm një kontorno e stilit grek të helmit në kafe ku përpara Aristidh Kolias mund të radhitet një plejadë herojsh duke filluar me kryeheroin Teodor Kollokotronin e plot të tjerë.
Por sidoqë të vinë punët, e sidoqë të spërdridhen grekët e politikës dhe diplomacisë së paprinciptë, arvanitët, arbëreshët e Greqisë, të steresë dhe të ishujve, kurrë nuk mund ta harrojnë amanetin e të pavdekshmit Anastas Kullurioti, i cili nga Salamina e betejave navale arvanitase ngrinte zërin e tij: "Kombet nuk janë insekte që mund të heqin dorë dhe të braktisin aq kollaj kombësinë, gjuhën, zakonet dhe traditat e tyre si gjarpërinjtë që ndërrojnë lëkurën, të mohojnë etërit, mëmëdheun dhe fisnikërinë e tij, traditat e trimërisë së vet; është anakronizëm dhe e padëgjuar që në historinë e kombeve të gjejmë një popull aq haram dhe indiferent ndaj vetvetes".
Kështu tha në të gjallë të tij Anastas Kullorioti dhe nga këto mësime u udhëhoq në të gjallë të tij Aristidh Kolia për zgjimin dhe ndërgjegjësimin e mbi një milion arvanitasve të Greqisë, prandaj edhe i vranë që të dy. Ashtu siç vranë në vitin 1982 edhe presidentin arvanitas Jorgo Maruga. I vranë se guxuan. I vranë se mbrojtën të vërtetën. Edhe mësuesin, edhe dishepullin e vazhduesin e veprës së tij.
Tashmë hienat e shovinizmit grek po i përvishen ethshëm veprave të tyre. Por këtu e kanë të vështirë. Tepër të vështirë. Dhe, në këtë rast, për mjerimin e tyre, nuk u bëjnë punë as helmi në kafe e as rrezet radioaktive, por as dhe haluçinacionet e pseudostudiuesve, që nën petkun e “mikut” të martirëve, marrin në mbrojtje mbrapshtitë e shekujve.


IDETË E ARISTIDH KOLIAS

Në shkrimin e veprave, Aristidh Kolia nuk u nis vetëm nga vetja, por u mbështet edhe në shumë studiues të tjerë paraardhës, qofshin studiues arvanitas, akademikë grekë apo albanologë shqiptarë e të huaj, prandaj nuk ka shkak të lëshohen pasthirrma padurimi nga ndonjë lexues i pavëmendshëm, se fjalët e lashtësisë që gjen dhe përqas ky autor me gjuhën arvanitase - përkatësisht shqiptare, kanë mungesa të argumentimeve të thella shkencore në fushën e gjuhësisë.
Në fund të fundit, Aristidh Kolia jep shembuj dhe ngre hipoteza pa pretenduar të sjellë risi apo ndryshime në strukturën gjeneologjike të gjuhësisë në hapsirën ballkanike. Ai gjen ngjashmëri ashtu si shumë studiues e gjuhëtarë me parë kanë gjetur, duke përfshirë edhe të madhin Eqerem Çabej, dhe i sistemon ato me qëllimin për të lartësuar dinjitetin e një populli të nëpërkëmbur.
Këto ai i quante kërkime, sistemime, nxjerrje në evidencë e jo zbulime. Nuk e kemi dëgjuar, të paktën ne që e kemi njohur personalisht, po as nuk kemi lexuar të jetë shprehur gjëkundi në këtë mënyrë për veprën e vet, përkundrazi, ai ishte teper modest dhe përdorte gjithnjë referenca veprash të historianëve e dijetarëve që prej lashtësisë deri në kohët moderne. Prandaj nuk duhet të kapemi pas ndonjë fjale apo shprehjeje që nuk gjen mbështetje të plotë shkencore, por që në të njëjtën kohë është shumë e vështirë ta kundërshtosh, kur një fjalë a shprehje që gjendet tek Homeri nuk mund ta përqasësh a ti gjesh spjegim me ndonjë fjalë të ndonjë gjuhe tjetër në botë, përveçse trajtës të së folurës së moçme shqipe.
Por, në të njëjtën kohë, të mos harrojmë se është spekullim me veprën e Aristidh Kolias edhe nëse kalohet në ekstremin tjetër, pra, nëse ndonjë studiues mediokër shqiptar, duke u nisur nga shëmbëllesat e përqasjet e fjalëve dhe shprehjeve të studiuesit arvanitas, të ngrejë teorira sikur gjuha shqipe na qënkërka mëma që ka pjellë gjuhët europiane, se kështu, të na falin këta studiues ëndrrimtarë, do t’ua kalojmë për nga megallomania edhe grekëve. Kësisoj, veçse keqinternpretohet vepra e Aristidh Kolias, e cila nuk është vepër e mirëfilltë studimesh gjuhësore, por "një vështrim historik, folklorik, politik, gjuhësor", siç vetë e ka cilësuar në faqen e parë të kryeveprës së tij, që është vepra më e plotë e shkruar deri më sot për arvanitët - arbëreshët e Greqisë "Arvanitët dhe prejardhja e grekëve" e njohur në më shumë se nëntë botime në të gjallë të autorit.
Për më tej, nëse Aristidh Kolia thotë se fustanella që sot mbajnë grekët në parada (çolejt), janë thjesht kostume të arbëreshëve (arvanitasve) të Greqisë, kjo për grekët është një thagmë e vërtetë (pa çka se e dinë fort mirë se janë arvanite), por për shqiptarët është një fakt që qëndron dhe e vërtetuar nga njohësit dhe studiuesit e kulturës popullore shqiptare dhe helene.
Nëse vallja çamiko sot konsiderohet pjesë e krenarisë së folklorit grek, kjo nuk do të thotë se ajo është puro greke por valle çame dhe dihet botërisht se çamët janë shqiptarë. Prandaj kur flitet për veprën e Aristidh Kolias duhet ndalur e folur qetë e shtruar, jo për t’u kapur pas dy - tre fjalëve, sepse vepra e tij nuk qëndron vetëm në argumentin leksikografik. Duhet kuptuar qëllimi i veprës së tij, e cila kurrsesi nuk konsiston në ndonjë dëshirë për të ulur popullin grek a për të ngritur atë shqiptar, por thjesht për të ndërgjegjësuar arvanitët të cilët meritojnë të jenë të nderuar si të tillë e jo të turpëruar e të poshtëruar për origjinën e tyre, siç një pjesë e madhe ndihen sot prej një politike që i poshtëron minoritetet në Greqi. Për më tepër, Arvanitët janë shtetformues sepse 80 deri në 90 përqind e heronjve të Pavarësisë së Greqisë janë arvanitas dhe, në parlamentin e parë të shtetit të ri grek dëgjohej shqipja po aq sa greqishtja, sa që u propozua të fliteshin dy gjuhë, por shpejt u ndalua.
Të gjitha këto i thotë Aristidh Kolia në veprën e vet. Edhe më tej, në kohët moderne, në kushtet kur mes Greqisë dhe Shqipërisë ekziston një hendek i madh e i rrezikshëm, Kolia "hyn" mes palëve në grindje e u thotë : "Po dale more, se në fund të fundit bashkëjetesa ndër shekuj dhe rrënjët pellazgjige si popujt më të lashtë në Ballkan, na nxjerrin të afërt, me të afërt se çdo popull tjetër përqark, prandaj, lerini luftrat, shihni miqësinë e përparimin."
Politika që kanë ndjekur a ndjekin grekët ka qënë dhe mund të vazhdojë të jetë negative, e kjo nuk varet nga ne por politika, ndërsa popujt, nëse çlirohen nga mentaliteti i politikës së egër të udhëheqësve, kurrë nuk gjejnë shkak për të patur mëri apo shpallur luftë njeri -tjetrit. A e dini se sa vajza shqiptare nga jugu para luftës së dytë botërore janë martuar në Greqi, dhe sa mijra shqiptarë janë vendosur atje. Kjo dyndje arbërish në të gjitha periudhat historike drejt lindjes, patjetër që kanë sjellë përzierje që akademikët e historianët më të njohur grekë e kanë quajtur një urë lidhjeje, një strukturë të re të popullsisë dhe një amalgamë grekoshqiptare. Ndaj, nëse popujt lihen të qetë e pa ngarkesa nacionaliste e shoviniste, janë aq të afërt shpirtërisht sa do ta gjejnë vetë rrugën e miqësisë e të bashkëjetesës pa patur nevojë për ‘izmat’ e politikës dhe demagogjisë.
Ne mund të flasim për malazezët çfarë të duam e të gjitha të vërteta janë, por sidoqoftë ka një fakt; edhe në kohë të monizmit po të shkoje në Shkodër, rrugëve dëgjoje të buçisnin këngë sllave të Podgoricës, sa që me humor vizitorët thoshin, "Bobo - na polli belaja, kemi kaluar kufirin". Sepse populli e kalon kufirin nëpërmjet vlerave shpirtërore të cilat i gjen edhe tek popujt e tjerë edhe pse për njëqint e një arsye gjenden "armiq". Për kësisoj "prapësirash" nuk besoj se politika duhet ta shpallë popullin tradhëtar.
Populli, shpesh herë, është shumë më i emancipuar se sa vetë politika.
Kështu i kalonte kufijtë e shteteve edhe Aristidh Kolia, si pjesa më ndërgjegjshme e popullit grek me gjak shqiptar në deje, si bashkëkohësit e tij arvanitas Melina Merkuri, aktorja Irenë Papas, akademiku Niko Haxhiqiriako - Gjikas, piktori i madh Tasos Haxhis, shkrimtari Jani Gjika e plot të tjerë, e, në këto kalime kërkonte gjurmë e lidhje në histori midis popujve të armiqësuar, por që kjo armiqësi një ditë duhej të kapërcehej, duhej të shuhej; ky ishte ideali i tij.
Se si e ku i kërkonte ai këto lidhje e rrënjë historike; në fjalë, në këngë, në vargjet e Homerit, në mitologjitë greke, tek Kadmi ilir, tek perëndesha Athena - thënësja e fatit, (Kadare i kërkon tek Eskili), tek Kollokotroni, Karaiskaqi, Boçari, Xhavella, nuk kanë fare rëndësi përpara qëllimit dhe ideve të tij të ndritura.
Rrezet e diellit që lindin mbi një shpatull mali mund të përplasen edhe baltrave, por ato kurrë nuk përlyhen, mbeten gjithjë rreze të praruara. Ashtu ndodh dhe me idetë e njerëzve të ndritur, ndër të cilët - për ne shqiptarët, arvanitët e arbëreshët -, në mënyrë të padyshimtë radhitet edhe emri i studiuesit dhe udhëheqësit arvanitas Aristidh Kolia, si një nga figurat më të shquara të kombit shqiptar. Sa më shumë të shkojë koha, aq më tepër do të prarojnë vepra dhe idetë e tij që predikonin dashuri midis njerëzve, mirëkuptim midis popujve, dinjitet ndërmjet kombeve dhe guxim në kërkimin dhe pohimin e të vërtetave historike prej të cilave, para se të kemi drojë duhet të na bëhen mësim ne ballkanasve të trazuar aq keq në egoizëm nacional dhe lavdidashje të paskrupullt.
Veprat e njerëzve me mendje të ndritur si Aristidh Kolia na mësojnë të kemi guxim për të kaluar kufijtë e shteteve, për të kapërcyer nacionalizmin primitiv që e karakterizon fuqinë e barutit ballkanik e, mbi të gjitha, për të kapërcyer vetveten që shpesh herë na lë pas në kohë e hapësirë duke mbetur në bisht të historisë dhe larg Europës në hapësirat e një shekulli.



ETIMOLOGJIA NË THES TË POLITIKËS



Aristidh Kolia, i cili i ka studiuar me themel Çabejn dhe studiuesit e tjerë shqiptarë dhe te huaj dhe ka referenca të shumta nga ata, spjegon në veprën e vet se shumica e emrave të perëndive të Olimpit nuk kanë kurrfarë mundësie spjegimi në gjuhën greke, përkundrazi spjegohen më së miri në gjuhën arvanite që është shqipja e vjetër.
Greket e sot
ëm e fort të vështirë të pranojnë se dyndjet e arbërve në tokat greke solli që
" kjo amalgamë popujsh" te ripërtrinte dhe ti jepte gjallëri popullit grek, i cili në periudhën e bizantit ishte degraduar gati deri në shfarosje.

Ja një referencë historike, nxjerrë nga një botim i vitit 1944 në Athinë, nga ish Kryeministri me gjak shqiptar gjenerali Pangalo:
"Admirali Konduriotis, tre Nikolaidët (gjyshi, babai dhe nipi), i paharruari gjeneral Kondulis, Admirali Saqellario, heroi i nëndetëses "L.Kaconis" B.Laskos dhe shumë të tjerë grekë të shquar, janë të gjithë me prejardhje shqiptare dhe është i njohur shërbimi që ata i kanë bërë atdheut. Paparigopulos ka shkruar se
prej të gjitha racave që kanë ardhur në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar ishte një ballsam e amalgamë e shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sakturis si dhe mijra luftëtarë që nga 1921 e deri në kohën tonë, e mbështesin dhe e dëshmojnë të vërtetë mendimin e Paparigopulos."
Kjo sa i përket historisë, ndërsa etimologjia ka vendin e vet pa patur nevojë të futet në thesin e shpuar të politikës megallomane ballkanike.
Gjatë pesë vjetëve, t
ë qendrimit tim në Greqi kam hasur shumë emra vendesh në gjuhën shqipe si Kryekuq, Varibopi e plot fshatra të tjerë arvanitase, që nga Luca, Spata e ishujt Evia dhe Salamina, madje deri brenda në Athinë tek shtëpitë që varen buzë Akropolit me emrin, lagjia "Plakë".
Duke lexuar "Gjuhën e Perëndive" botuar në Athinë 1989, gjejmë hipoteza të tilla si prejardhja e fjalës Athina, emër
i cili më parë në mitologji njihej si Krana´polis, dhe Akropoli quhej Krana´ që, në gjuhën arvanitase, Krana është e njëjtë me fjalën Thana.
Pra spjegimi kërkohet që në fjalët e vjetra të ardhura nga koha pellazgjike, si në emrin e vjetër Krana, (Thana) dhe në emrin e ri Athina (E thëna) sipas emrit të rivënë në mitologji.
Max Muller ka hipotezën se ky emër vjen nga sanskristishtja Ahana. Më 1854 në librin e tij "Albanesischen studien" J.G.Han supozon se emri Xronu (perëndia e dytë pas Uranos) ka prejardhje nga gjuha shqipe Kroni.
Sipas një miti të vjetër, jo Zeusi, por Poisedoni bëri dashuri me Dhimitrën nga u lind një vajzë që kurrkush nuk dëshironte t’i vinte emrin...por
që u thirr me disa mënyra Persefoni, Persefassa, Persefatta, Fersefassa, Ferrefatta, Ferofatia, etj.
Spjegimi nga A.Kolia është se gjasat janë që emri të ketë ardhur nga bashkimi i dy fjalëve që në gjuhën arvanitase do të thotë Farr e Thata pra Farrethateia.
Në greqisht nuk mund të spjegohet me këtë fjalë sepse Sporos, ndryshe prej arvanitases është fjalë e gjinisë mashkullore.
Nuk është vendi këtu për të detajuar librin e studiuesit arvanitas por thjesht për të vënë në dukje se mundet që vendi ynë, momentalisht të ndodhet në pikë të hallit dhe çdo lloj
kërkimi i kësaj natyre në histori, arkeologji apo gjuhësi, mund të merret si një mburravecllëk e punë e kotë, mirëpo gjithsesi, gjendja ekonomike e vendeve dhe popujve ndryshon, por historia nuk mund të ndryshojë përditë sipas orekseve diplomatike apo kurseve të bursave që i fusin ekonomitë e shteteve në krizë dhe qeveritarët në panik.

Në këtë kuptim, u pëlqen apo nuk u pëlqen fqinjëve tanë të jugut e miqve të tyre qeverisës në Tiranë, etimologjia e hapsirave gjeografike ku historikisht kanë jetuar e jetojnë shqiptarët në Ballkan, veçmas në Greqi, nuk mund të futet në thesin e shpuar të politikës.



TË DHËNA BIOGRAFIKE


Aristidh Kolia është lindur më 8 korrik 1944 në Leontari (Kaskaveli) Thivës, rrethin e Tebës dhe kishte dy motra dhe një vëlla. Mbaroi gjimnazin e Thivës në vitin 1963 dhe më pas vazhdoi juridikun në Universitetin e Athinës, Fakultetin Juridik të cilin e përfundoi në 1968. Në këtë vit bën një përpjekje për të vazhduar studimet pasuniversitare në Francë por për shkak të situatave të turbullta nga demostratat dhe revoltat e studentëve parisianë, detyrohet të kthehet sërish në Athinë ku ushtron profesionin e juristit. Në vitet ’80, Aristidh Kolia do të linte profesionin për t’u marrë me pasionin e jetës së tij; studimet historike, traditat, folklorin dhe gjuhën arvanitase që ishte gjuhë e fëmijërisë së tij dhe e rrënjëve të tij arvanitase. Aristidh Kolia ishte shumë i apasionuar edhe pas arteve, njohës i muzikës klasike dhe popullore, piktor amator i admirueshëm, kjo për shkak të traditave familjare. Babai ishte piktor ikonash po ashtu dhe motra e tij, tashmë ka bërë emër si piktore ikonografe në Gjermani. Falë aftësive vëzhguese dhe analitike si dhe njohjes së arteve, që në studimet e para arvanitase do të kishte sukses të plotë. Libri i tij i parë “ Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” u botua në Athinë në vitin 1983, duke njohur 9 (nëntë) botime deri në vitin 1999 dhe duke u bërë, krahas librit të Kosta Birit po për arvanitët, libri klasik që hyri masivisht në çdo familje arvanitase në Greqi. Autori i ri fitoi një popullaritet të madh tek arvanitasit dhe në rrethet studimore. Që nga viti 1986 e deri në vitin 1995, ai u zgjodh vazhdimisht president i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë. Në vitin 1989 boton librin e dytë studimor “Gjuha e perëndive” në përpjekje për të spjeguar fjalët dhe shprehjet e mitologjisë greke me ndihmën e të folurës arvanitase. Në vitin 1995 boton librin me temë aktuale “Greqia në grackën e serbëve të Milosheviçit”, që do të përkthehej më pas në gjuhën shqipe duke u bërë një nga librat më të shitur e kërkuar në vitin 1998 në Shqipëri. Në vitin 2002 ( pas vdekjes)do të botohej i përkthyer në Shqipëri edhe libri i tij madhor “Arvanitët”.
Aristidh Kolia ishte edhe themelues i “Qendrës së Studimeve Arvanitase”, të cilën e drejtoi në shumë vite.
Bashkë me kompozitorin dhe muzikologun Thanasis Moraitis, Aristidh Kolia do të ishte organizatori i festivalit të parë me këngë arvanite, më 15 dhjetor 1986, nga e cila do të dilnin kasetat dhe disqet e para. Më 7 mars 1998 do të organizohej po nga këta edhe festivali i dytë, nga i cili, në vitin 1999 do të qarkullonte një kompakt disk me titull “Trëndafilat e shkëmbit”.
Boton fillimisht revistën “Besa” si organ të Lidhjes Arvanitase, të cilën e drejton deri në vitin 1995 (34 numra) dhe, pas ndërprerjes së saj, do të krijonte shtëpinë botuese “Thamiris” dhe revistën e re dymujore “Arvanon” 1998-1999 (në 8 numra). I ngarkuar tej mase me punët studimore, detyrohet të ndërpresë botimin e revistës “Arvanon”.
Në vitin 2000 boton librin “Antonio Bellusci dhe magjia e gojëdhanave popullore”.
Janë të shumtë librat e shkruar por të pabotuar të Aristidh Kolias, ndër këta “Zeusi pellazgjik dhe mashtrimi indo-europian”, “Kadmos dhe Alfabeti”, “Marko Boçari, roman biografik”, “Poezi dhe tregime”, e të tjera vepra në dorëshkrim.
Aristidh Kolia u sëmur krejt pa pritur më 24 maj 2000 dhe të mërkurën e 11 Tetorit 2000, jeta e tij u shua duke lënë pas gruan Nansi, vajzën Polikseni, djalin Pano si dhe veprat që shkroi dhe e bëjnë emrin e tij të pavdekshëm në historinë e arvanitasve që është edhe pjesë e historisë së Shqipërisë.


DIALOGU BELLUSHI - KOLIA


Thenie të A.Kolias në një bisedë e inçizuar në studion e tij në gjuhën italiane:


"Ne arbërorët i kemi qorruar sytë tanë me duart tona kur kemi fshehur origjinën tonë etnike dhe gjuhën tonë".
"Problemet tona aktuale sipas një rregulli përparësor janë si vijon:
1. Të mos fshehim origjinën dhe gjuhën tonë.
2. Të njohim historinë tonë.
3. Të mbledhim material të bollshëm për folklorin.
4. Të mësojmë se si shkruhet gjuha shqiptare dhe të publikojmë libra në këtë gjuhë.


Antonio Bellushi, i cili ka botuar një libër voluminoz për arvanitët, të titulluar "Ricerche e studi tra gli arberori dell-'Ellade" ("Kërkime dhe studime për arbërorët e Greqisë"), libër që parathënien ia ka shkruar i shquari Aristidh Kolia, e përshkruan takimin me këtë arvanitas në këtë mënyrë:


"Kemi kaluar gjithë natën zgjuar në shtëpinë e arbërorit Aristidh Kolia. Ashtu si dhe vitin e shkuar, aty gjetëm një ngrohtësi dhe mikpritje të madhe. Ishte një lidhje tepër tërheqëse, që nisi që në momentet e para të takimit tonë. Një burrë me karakter të hapur, të fortë, i ri dhe shumë i çiltër. Gjithashtu është pjesëmarrës në një aksion të dukshëm kulturor pranë gjithë komunitetit arbëror të Greqisë. Libri i tij "Arvanitët" u shit shpejt e shpejt. Ai u përpi menjëherë nga tregu, duke u lexuar dhe studiuar me një zell të jashtëzakonshëm. Tre botime brenda një viti.

Gjendemi në shtëpinë e tij. Ndërsa shijojmë kafenë e ngrohtë, i drejtojmë disa pyetje mbi jetën e tij të përditshme, mbi motivet që e nxitën të shkruante veprën "Arvanitët", si dhe mbi përshtypjet që i kishte lënë udhëtimi i tij jo shumë i largët në Kalabri dhe Siçili së bashku me një grup arbëreshësh".

Po në shtëpinë e tij në Athinë, Antonio Belushi bëri një bisedë me të lidhur me punën dhe studimet e tij.

Bellushi: Po, ti shërben edhe si diqigoros. Si është puna, është e rëndë?

Kolia: E ashtu, dhe ashtu.

Bellushi: Të merr shumë kohë?

Kola: Pak, se tani kam shtie sevdanë me librat, në historinë, edhe unë si ti.

Bellushi: Aristidh Kolia shkruajti librin "Arvanites kai katagogi ton ellinon", një libër shumë të bukur e me shumë vlera historike. Sa copë kishe bërë në botimin e parë?

Kolia: Dy mijë copë botimi i parë. E para do kohe pata nxjerrë botimin e dytë. Ka edhe pak kopje akoma. Tani do të bëj edhe botimin e tretë.

Bellushi: Si zure të studioje, si fillove të shkruaje? Ku e gjete kohën?

Kolia: Kohën e pres nga atje ku s'pritet. Dhe natën, tërë ato ditë që nuk kisha punë, shkruaja. Libri më mori katër pesë vite.

Bellushi: Je i gëzuar se e bëre këtë libër?

Kolia: Shumë i gëzuar, pse për mua dhe për të tjerët ish një, si të thom...

Bellushi: Edhe shumë e shumë për të tjerët, pse ata nuk dinë faregjë për jetën arbërore.

Kolia: Nuk dinë faregjë. Thonë se arvanitët janë bastardo e se edhe gluha ish një gluhë bastarde. Po gluha jonë është shumë e vjetër, shumë e bukur, shumë e embël. Po neve ata na shtynë në atë propogandë, në atë politikë. Tani unë nuk mund të flas. Tani flas sikur kam një shatë në golë. Plaka ime flit shumë mirë. Mëma e madhe flit shumë mirë. Unë s'mund flas shumë mirë.




KORRESPONDENCA ME ARISTIDH KOLIAN


Disa ditë para se të largohesha nga Greqia për në SHBA, Aristidh Kolia më ftoi familiarisht në shtëpinë e tij në një darkë lamtumire. Për të bërë shoqëri në atë mbrëmje kish ftuar edhe piktorin Robert Alia-Dragot me të shoqen Mimozën, shkrimtarin Tasos Karantis, mikun e tij të rinisë, grekun Niko, me të cilin dikur kishin shkuar deri në Francë në tentativë për të ndjekur studimet pasuniversitare, si dhe një familje tjetër shqiptare çiftin Albana dhe Adrian Prifti . Ajo mbrëmje e bukur vere athiniote ruhet në kujtesën tonë si më e bukura ditë e pesë viteve jetë në Greqi. Në fund të mbrëmjes, të cilën Robert Aliaj nuk mungoi ta xhironte me kamera, Aristidh Kolia la miqtë e tjerë në shtëpi, nxorri makinën nga parkingu dhe na përcolli deri në shtëpi, në rrugën Filolao. Ishte pasmesnate dhe pjesëtarët e familjes sime u ndanë nga ai me sy të përlotur. Kur po ndahesha më tha miqësisht se bashkë do të takoheshim përsëri pasi e kishim lënë që me shoqërinë e gazetarit të BBC-së, Robert Goro e disa shqiptarë të tjerë intelektualë të shkonim në një lokal. Edhe ajo ishte një mbrëmje e bukur. Aristidh Kola në mes nesh ishte si shqiptari në mes të shqiptarëve. Në bisedë të afërt, ndër të tjera, mbaj mend fjalët që më tha për një brengë që ai kish. “Pse - më tha - ne shqiptarët vrasim njëri-tjetrin? Nuk bën! Nuk bën!” përsëriti disa herë.
Ai ishte një njeri që i kuptonte fenomenet që ndodhnin në gjirin e shoqërisë shqiptare, por i vinin shumë të hidhura lajmet kur ndonjë emigrant kish vrarë shokun vet për para. Ishte shumë i dhimbsur si njeri dhe i vinte keq për njerëzit e gjakut të vet.
Intervistën që i pata marrë atij e që u botua në gazetën “Illyria”, e priti me shumë kënaqësi. Ja si shprehet në një letër.
“ Athinë me 06.08.1996
I dashur dhe i paharruar vëlla, Mora letrën tënde të bukur që më dergove (në zarf i kisha dërguar dhe dy gazeta “Illyria” ku ishte botuar intervista e tij-shënimi im-KT) dhe mendoj se ishte dhurata më interesante për ditëlindjen time.
Dhe më pas vazhdon në shqip:
... të dërgoj librin e fundit që kam botuar i cili është një dokument historik i vitit 1899 me shumë interes, shpresoj se do ta përkthejnë djelmtë….”
Në një letër tjetër më shkruante se ishte i mërzitur se një foto që i kisha bërë në Athinë, atë me çibuk, ia kishte kërkuar një gazetare kosovare që i kishte bërë një intervistë në zyrë, me premtimin se do t’ia kthente, por që nuk ia ktheu më kurrë.
Nuk mungonte të më shkruante se si shkonin punët në gazetën e emigrantëve “Egnatia” të cilën e lexonte rregullisht “Gazeta jote ‘Egnatia’ - më shkruante - vete shumë mirë, ke gjetur njeri shumë të përshtatshëm tek Floriana (Paskali) që po e përparon gazetën”
Në vitin 1999, im bir Donald, që asokohe vazhdonte studimet në Boston University, bashkë me një grup studentësh shqiptarë, propozuan që në kuadrin e takimeve e bisedave që organizonte universiteti të ftohej Aristidh Kolia për t’u folur studentëve mbi ngjarjet aktuale në Ballkan dhe arvanitasit në histori. Propozimi i bërë në emër të shoqatës së studentëve shqiptarë u mor në evidencë dhe, pas kësaj, hymë në lidhje me Aristidh Kolian që e priti me kënaqësi. Ia kish shprehur këtë edhe ambasadorit shqiptar Kastriot Robo.
Por në Universitetin e Bostonit nuk u gjet e mundur të bëhej ftesë për vitin 1999, me argumentin se për atë vit ishte i ftuar anglezi Malkolm, i cili kishte botuar një libër për Kosovën. Mund të shtyhej për vitin tjetër. Mirëpo duke ditur influencën e lobit grek në këtë universitet, asnjë nga studentët nuk u besoi argumentave që solli udhëheqësia e universitetit.
Ndërkohë, diaspora shqiptare, megjithë ndonjë përpjekje që bëra, nuk e kishte në mendje ta ftonte Aristidh Kolian në Amerikë, në mënyrë që, në takime direkte me intelektualët shqiptaro-amerikanë të shihej mundësia e përkthimit të veprës së tij në anglisht dhe të botohej në SHBA. Diaspora ishte tepër e zënë me pritjet dhe përcjelljet e partiakëve të hallakatur nga Shqipëria Kosova dhe nuk ia kishte ngenë veprimtarive kulturore intelektuale. Kështu humbi një rast e një mundësi që nuk do të vijë më kurrë.


* Anastas Kullurioti, sipas të dhënave të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, ka lindur në vitin 1820. Ishte arvanitas i ishullit të Salaminës. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit botoi gazetën “I foni tis Alvanias” ( Zëri i Shqipërisë). Botoi abetare shqipe, si dhe broshura të ndryshme për çështjen shqiptare “Ankimet e shqiptarëve”. Mbrojti çështjen shqiptare dhe të drejtat e arvanitasve për gjuhë, kulturë e dije bashkë me kolegun e tij arvanitas të shquar Panajot Kupidorin (1821-1881) Në verë 1883 bëri një udhëtim në Shqipëri, por nuk qëndroi gjatë për shkak të ndërhyrjeve të konsullatës greke pranë autoriteteve osmane të Gjirokastrës, të cilat e dëbuan nga Shqipëria. Luftoi hapur kundër Megali Idhesë greke që punonte në dëm të çështjes shqiptare, për çfarë fitoi armiqësinë dhe më pas vdekjen prej qarqeve ultrashoviniste të cilat e helmuan në vitin 1887. Anastas Kullurioti është figura më e ndritur e arvanitasve në vitet 1880, ndaj të cilit edhe sot e kësaj dite në Greqi mbahet një qëndrim mohues duke u përpjekur që arvanitasit të mos ndikohen prej ideve të tij iluministe, si për shqiptarët në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, po ashtu dhe arvanitasit anë e mbanë Greqisë. *Jorgo Maruga themeloi Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë ”Marko Boçari”në 1982 e po atë vit e vranë në mënyrë misterioze. Pas tij u zgjodh president Aristidh P. Kolia( 1944-2000) që pati të njëjtin fund tragjik.






Aristidh Kolia në shtratin e vdekjes u tha miqëve të vet shqiptarë:

"Ju lutem mos ushqeni asnjë iluzion. Mua me vranë dhe kështu kanë vepruar edhe me dy kryetarët e tjerë të Shoqatës së Arvanitasve "Marko Boçari", të cilët vdiqën edhe ata nga "Leuçemia", këto fjalë ua kam thënë edhe të tjerë miqëve të mi."


Nga libri , ”E verteta përvëluese e Aristidh Kolias”, esè, K.Traboini


31 July 2008

"MË FAL, BILAL XHAFERRI !" - nga TRABOINI

"MË FAL, BILAL XHAFERRI !"

Spiunimi publik i Bilal Xhaferrit dhe histeria e varrim-çvarrimit të dosjeve.

nga TRABOINI
 

Bilal Xhaferri
2 November 1935 – 14 October 1986
Për të bërë pendesën, persekutuesit mëkatarë të Bilal Xhaferrit nuk është e nevojshme të kërkojnë të hapen dosje... Madje edhe pse spiunimi i tij është bërë krejt i hapur dhe dënimi një lloj linçimi publik, askush nuk i tha shkrimtarit (të paktën për së vdekuri), "Më fal, Bilal Xhaferri!" Atëherë çfarë kërkojmë nëpër varreza dosjesh dhe çfarë është qëllimi i hapjes së tyre?! Si mund të kërkojmë shërimin e shoqërisë pa i vënë melhem plagës së shpirtit sonë si mëkatarë?! Mjerisht, ata që sot kërkojnë me insistim të quhen disidentë, dikur e martirizuan shkrimtarin, ndër më të talentuarit e letërsisë shqipe. Thonë të hapen dosjet. Bukur! Le të hapen (paçka se u kujtuan si kofini pas të vjeli), nëse vërtet ka mbetur gjëkund ndonjë dosje?! Por për të gjetur persekutuesit e Bilal Xhaferrit nuk ka nevojë të hapen Arkivat e Shtetit (prej ku nisin të gjitha spekullimet e sotme), as ato të Komitetit Qendror e të Ministrisë së Brendshme, sepse spiunimi i tij është bërë publikisht në Lidhjen e Shkrimtarëve, por edhe në gazeta e libra të atyre që jetojnë ende nëpër delire disidencash të paqëna.
Edhe pse diktatura është shembur dhe shkrimtari i deklaruar "armik", Bilal Xhaferri, ka afro dy dekada i tretur në dhè, ai vazhdon ende të jetë i persekutuar. Sigurisht, jo nga lexuesit e dashamirësit e tij të shumtë, por nga ata që u përpoqën sa mundën t'ia nxijnë jetën njeriut, kolegut të tyrej shkrimtar.
Madje edhe ish këmbora e madhe e letërsisë që u katandis mjerimi i madhështisë së vet fodulle, Fadil Paçrami( pak kohë para se të vdiste), ka deklaruar se kishte patur fakte që Bilal Xhaferri ka qënë “spiun i sigurimit”. Po nuk thoshte ky xhelat shkrimtarësh (para se të metamorfohej prej Enver Hoxhës në viktimë e përgjunjun), se nga i mori këto të dhëna dhe a ka ndonjë të dhënë tjetër plotësuese se kush e plagosi me thikë e kush i dogji dy herë redaksinë e dorëshkrimet në Amerikë. Dhe më tej, kush e vrau në mënyrë misterioze në spitalin e Çikagos Bilal Xhaferrin? Mesa duket, Fadil Paçrami që e anatemoi dhe ekzekutoi moralisht Bilal Xhaferrin në Lidhjen e Shkrimtarëve, duke e nxjerrë jashtë nga salla me ulurimat "pinjoll i armikut të Partisë, që të kemi pushtatuar babain", ky Fadil i pamëshirshem, kërkonte ta persekutonte edhe pas vdekjes shkrimtarin Bilal Xhaferri. Mirëpo Fadil Paçrami harronte se ky nuk është mision shkrimtarësh por nekrofagësh; është i njëjti mision që ai kishte patur si një nga llafeollogët dhe demagogët më të zellshëm të diktaturës, si kuadër i lartë i Partisë vrastare të Punes. E nuk mund, mesa dukej, të rrinte pa e ushtruar zanatin e vjetër të ekzekutorit edhe në fund të jetës se vet zullumqare, në kohë të demokracisë...
I lindur në nëntor 1935, në fshatin Ninat të Konispolit, në një familje patriote çame, Bilal Xhaferri u rrit jetim, pa nënë e pa baba (baba të pushkatuar si armik nga shokët e idealeve komuniste të Fadil Paçramit), dhe e ndjeu që në fëmijëri varfërinë dhe përbuzjen klasore. Punoi që i ri nëpër kantiere, i dënuar për të mos ëndërruar arsimimin e lartë. Punëtori i Ulzës shumë shpejt do të binte në sy për talentin e madh letrar, për çfarë u pa sa me simpati e dashamirësi nga lexuesit, aq edhe me cmirë e ligësi nga shkrimtarët e përkëdhelur të regjimit, të cilët jetonin në fodullëk e bënin roje në domenët e letërsisë së partishme.
Nuk e lanë të botonte përveçse një libër me tregime,"Tokë e lashtë - njerëz të rinj" që gjithsesi i dha emër të nderuar tek lexuesi i thjeshtë, si edhe tek disa kritikë e rrethe letrare dashamirëse që e përkrahnin.
Deri këtu e lejuan, botonte tregime tek gazeta "Zëri i Rinisë" të cilat përpiheshin nga letrarët e rinjë dhe pasionantët e letërsisë, por kur Bilal Xhaferri guxoi të mendonte dhe të shkruante një roman historik për periudhën e Skënderbeut si "Krastakraus," lindën plot ambicje keqdashëse, plot fjalë nisën të qarkullojnë për birin e një të pushkatuari, që guxonte të konkuronte me majat e letërsisë se kohës, me korifejt e realsocit. Këtë, Partia e Punës (dhe e Lidhjes së Shkrimtarëve) nuk mund ta linte të ndodhte, prandaj mezi prisnin rastin të dënonin pinjollin e "armikut". Dhe rastin u a dha në dorë vetë Bilal Xhaferri, i cili duke jetuar e vuajtur bashkë me popullin e vet, dinte shumë më tepër se sa kritika zyrtare apo aparatçikët e Komitetit Qëndror mbi problemet e letërsisë e artit dhe të lidhjeve të saj me realitetin e jetës.
Por, çfarë tha ne esencë Bilal Xhaferri në Lidhjen e Shkrimtarëve. Pse nuk e pohoi Fadil Paçrami, në fund të jetës së vet te papënduar, vallë çfarë gjëme i bëri letërsisë shqiptare diskutimi i Bilal Xhaferrit? Vetëm pse tha që, trajtimi i figurës së grave malësore në një roman (
skematik e konformist me ideologjinë zyrtare të PPSH, që disa shkrimtarë mediokër e quanin "hymni i letërsisë së klasës punëtore"), ishte i gabuar. Kjo për faktin se, vërtet gruaja malësore në shfaqje dukej e nështruar, e poshtëruar, por në thelb shoqëria dhe mjedisi shqiptar gjithnjë e kanë respektuar. Edhe analizat e Kanunit bëheshin prej pseudokritikëve të rregjimit, gjithnjë me qëllimin e keq për ta nxjerrë si ana më e zezë e jetës shqiptare. Malësia dhe malësorët ishin bërë sinonim i egërsisë dhe i prapambetjes shekullore në letërsinë e partisë. Malësia e Madhe e Shkodrës, Mirëdita dhe Puka, kryesisht krahinat ku banonin katolikët konsideroheshin armike. Atje rezistenca ishte më e madhe por edhe shtypja më mizore. Në Malesinë e Madhe, "reaksionare", malësorët, këta njerëz me zemër fisnike e bujare, pushkatoheshin pa gjyq nga kriminel si Toger Baba, Asllan Lici, Pal Melyshi e Xhemal Selimi. Internimet e burgosjet ishin të zakonëshme. Kërkohej ndryshimi i mënyrës së jetesës e traditave në mënyre të dhunëshme. Dërgimi i vajzave të reja në aksione ishte traumë për malësoret, po ku donte të dinte partia për tradita e zakone, për psikologji e konceptet. Edhe Kanuni lexohej dhe interpretohej sëprapthi, duke mos gjetur tek ai kurrfarë vlere, as të paktën historike për kohët kur shoqëria shqiptare jetonte ende jashtë legjislacioneve civile dhe në kushte izolimi historik. Vetë libri i Kanunit, i Atë Shtjefen Gjeçovit të vrarë prej serbëve, ishte i ndaluar si të ishte "Main Kampf" i Hitlerit. Po të gjenin një libër "Kanuni" a kopje të "Lahuta e Malcisë" e Gjergj Fishtës të priste burgu.
Duke jetuar në mes të malësorëve të zonave veriore, ku dhuna komuniste ishte shfaqur me egërsi të pashoqe, Bilal Xhaferri do të zbulonte tek ata jo vetëm vuajtjen e mjerimin ku e kish katandisur popullin regjimi monist, por do të dallonte edhe tiparet e madhështisë së malësorëve shqiptarë si nderi, besnikëria, urtësia, mikpritja, respekti njerëzor. Bilal Xhaferri nuk mund të mos i mbronte ato tipare e virtute të larta të njerëzve në vatrat malësore ku ai kishte ngrënë bukë dhe ishte pritur me bujari, ani pse tmerrsisht t
ë varfër.
Bilal Xhaferri foli anipse rreziku ishte i madh. Foli kur të tjerët ishin kthyer hija e vetvetes e bilbilonin nëpër vepra ideologjinë e partise dhunë. Foli sepse si Prometeu i Eskilit, vuante dilemën "më dhëmb kur hesht, më dhëmb kur flas, as vetë s'e di kur m
ë dhëmb më shumë". Guxoi e tha të vërtetën që buçiste jo vetën në shpirtin e tij, por edhe në gjokset e malësorëve të martirizuar prej skuadroneve të ndjekjes (lexo vdekjes)." Në Malesi gruaja respektohet e nuk poshtrohet".
Bilal Xhaferrit deshën t'ia bënin varrin së gjalli duke e ndarë nga letërsia. Librin "Lirishta e kuqe" që ia vonuan për t’ia nxjerrë në dritë (jo pa qëllim), ia kthyen në karton. Romanin në dorëshkrim "Krastakraus" që shikohej me lente, thonë se edhe nga vetë Ramiz Alia (fjalë e përhapur me qëllim mbase), ia zhdukën që të mos i mbetej nam e nishan sfidës që i “deklasuari” i bënte një romani historik (me kohë të përqasur) e që ishte ngritur aso kohe në peidesdal dhe hymnizohej prej kritikës shabllone të rregjimit. Kushdo që guxonte të fliste një fjalë për veprat e shkrimtarëve zyrtare shkonte në burg. Kjo është e verteta, pavarësisht se çfare thonë ca ish të dënuar që sot për interesa të caktuara dalin në mbrojtje të veprave të real-socit katastrofik.
Ajo çfarë i kishte mbetur Bilal Xhaferrit ishte të shpëtonte të paktën jetën, para se ta shqyenin çakenjtë e diktaturës. Urrejtja ishte aq madhe ndaj tij, qoft
ë nga partia qoftë nga krerët e letërsisë moniste, sa atë do ta pushkatonin me siguri. Bilal Xhaferri ishte i ndërgjegjshem për këtë fund tragjik që po i pergatitej nëpër kulisat e Sigurimit të Shtetit. Falë njohjeve, miqve të mirë, respektit që njerëzit kishin për të, arriti të arratisej në fund të gushtit të vitit 1969, duke shpëtuar nga kthetrat e vdekjes.
Por, më kot mendoi Bilal Xhaferri se do t'i shpëtonte egërsisë e dinakërisë së rregjimit. Do ta gjenin edhe pse larg. Enigma mbeti vdekja e tij. Pas një operacioni në kokë të deklaruar "i suksesshëm" shkrimtari u nxorr nga salla i vdekur e kurrfarë hetimi i plotë nuk u bë. Kjo të bën të kuptosh se "parja e kuqe e hafijellëkut" (siç më thoshte në të gjallë i ndjeri Preng Gruda, që e kishte strehuar mjaft kohë Bilal Xhaferrin në shtëpinë e vet në Detroit e, për këtë, më ka lënë një kujtim me shkrim), ka shkuar pra, në dorën që duhej për të kryer punën e Sigurimit të Tiranës.
Gjithsesi, kjo vdekje mbeti plag
ë e thellë dhe shkaktoi traumë për Komunitetin Shqiptar në Amerikë, ku Bilal Xhaferri ishte ndër intelektualët më aktivë me revistën e tij "Krahu i Shqiponjës", dhe padyshim një humbje e madhe për Letërsinë Shqipe jashtë kupoles komuniste.
Në vend që të heshtej me dhimbje për këtë vdekje tragjike, në një botim të ditëve të fundit të monizmit, emri i Bilal Xhaferrit (edhe pse me iniciale), u satirizua në mënyrë cinike nga një shkrimtar i nderuar e i respektuar, por që megjithë talentin e admirueshëm q
ë nuk mund t'ia mohojë kurrkush, kurrë nuk i shpëtoi vogëlsirave në të cilën e fuste në ngasje ambicja.
Është e vërtetë që "shkrimtarin B.XH. koha ia dha varrit" por, jo për t'u harruar siç thuhet tekstualisht në atë libër botuar rreth vitit 90, përkundrazi, për të shkëlqyer dhe për t’u admiruar nga populli shqiptar duke u vendosur në altar e Atdheut si martir dhe talent i madh
i letrave shqipe, që kurrsesi, megjithë dëshirat vetiake të ndokujt, nuk mund të përbëhet vetëm nga një dorë, vetëm nga një mendje e kurrsesi vetëm nga një penë...
Në spitalin e Çikagos, në tetor të vitit 1986, në moshën 51 vjeçare vdiq njeriu, por mbeti gjallë në kujtesën e njerëzve krijuesi i martirizuar, krijimtaria e tij që sot është pronë e gjithë lexuesve shqiptarë. Mirënjohjen prej lexuesve e meriton intelektualja çame Ballkiz Halili, e cila ruajti një kopje në dorëshkrim të romanit "Krastakraus"qe ja kish dhënë vetë autori. Duke shpëtuar veprën e Bilal Xhaferrit prej zhdukjes, përmes rrezikut të jetës së vet, ajo bëri shumë më tepër se një akt disident. Sepse disidenca është vepër, është akt nën sh
ëmbëllesen e Adem Demaçit, e jo monolog me vetveten me zë të brendshëm brenda katër mureve të shtëpisë... Në këtë rast, ruajtja e librit të "armikut", është akt shumë herë më kurajoz nga "disidencat" e disa shkrimtarëve zyrtarë, që më kot përpiqen t’i mësojnë publikut që t’ua lexojnë veprat, që deri dje ishin konformiste të regjimit monist, si disidente e kundërshtare. E njëjta mirënjohje i takon edhe kritikut Adriatik Kallulli që ka ruajtur poezi të Bilal Xhaferrit në shtëpinë e tij, kur kjo përbënte një rrezik të jashtzakonshem për jetën.
Miti i martirit të letërsisë Bilal Xhaferri ndrit udhën e brezave shqiptarë, të atyre që artin e bëjnë nëpërmjet dhimbjeve dhe sakrificave, e që vlerat i arrijnë nëpërmjet veprave të veta dhe aspak nëpërmjet mizanskenave, tarafeve, klaneve, të cilat (pse jo) të japin edhe çmime të mëdha kombëtare kur dhënësve ua do mideja dhe interesi.
Ne kete kontekst edhe hapja ose mos hapja e dosjeve, është një lojë (krahas tërë lojrave dinake pseudo-demokratike të tranzicionit) që po luhet prej 17 vjetësh e, po në këtë sens, do të luhet akoma nga ata që diç duan të përfitojnë, qoftë nga varrimi apo çvarrimi i dosjeve në varrezat e diktaturës.
Ia nxinë jetën popullit duke varrosur të vërtetat dhe jetët njerëzore, e tashmë kur populli ka plot halle të tjera, kur korrupsioni dhe krimi të zë sytë, varfëria e skajshme e ka sjellë jetën në zgrip, u dashka një spektakël i ri; çvarrimi i dosjeve, zbulimi i shkrimtarëve spiunë. Atyre shkrimtarëve që sot nuk janë kurrgjë veç hija e vetvetes dhe nuk përbëjnë më asnjë vlerë të qënësishme në pushtet e masmedia. Si ekzistenca dhe mosekzistenca e tyre janë jashtë vëmendjes publike, që tashmë është e politizuar skajshëm, e për më tepër, veprat e tyre, edhe sikur të duan, njerëzit nuk kanë para t’ua blejnë...
”Të hapen dosjet!” thuhet me një kumbim të bujshëm. Patjetër, sepse populli ka nevojë për spektakël e hashish informativ sensacional... O burra t’i japim pra popullit delire të trëndafilta, t’i ngrejmë sipare ngjarjesh të mëdha, ta ngopim me kufomat e një pjese mjerane shkrimtarësh, a pensionistësh që heqin këmbët zvarrë, që t'i rritet oreksi e lavdia një pjese tjetër, atyre që kanë bërë "qëndresë" në kështjella ëndërrimesh.
Ashtu si për zbulimim e “bujshëm” të poemës "Pashallarët e kuq" që u bë çështje e madhe por u fry e u çfry si tollumbacet e 1 Majit para tribunave, (me "urra" kur u ngrit e "urra" kur u rrëzua), ashtu do të përfundojë edhe kjo nismë zulmëmadhe dosjesh pas afro 17 vjetëve të vendosjes së pluralizmit. Sot politika e konsideron popullin si lolo e vazhdon të tallet me të, e, sikurse u hedhin karamele arinjëve në kopshtin zologjik, këta të politikës hedhin e presin dosje në sytë e të mjerit popull. E kurrkush nuk e vret mendjen se kemi një dosje të Bilal Xhaferrit me "spiunë" të vetëdeklaruar. Pse heshtet e nuk ka kurrfarë vrasje ndërgjegjeje e reagimi në publik?
Le t’i marrim gjërat me rradhë, pra të lexohen së pari dosjet e hapura,se ka plot, pastaj gjejuani anën atyre të fshehura, se vërtet duhen hapur të gjitha (në ju lëntë Komiteti Shqiptar i Helsinkit që herë herë merr nën mbrojtje mafien zyrtare dhe banditët e qeverisjes), pra të hapen nëse ka mbetur ende ndonjë dosje dhe për më tepër, pa u manipuluar gjëkund...
Por me që kemi një dosje që e ka lexuar gjithë populli, si krye fjalë të thuhet:
- Më fal, Bilal Xhaferri!
E këto fjalë t'ja shkruajmë në pllakën e mermertë të varrit ku pushon martiri gjeni, ta lemë të gdhëndur për brezat e ardhshëm pendesën tonë, jo se nuk nuk kishim kurajo ta luftonim diktaturën, por se u bëmë lakej të saj, përndryshe, siç thoshte poeti i madh lirik i persekutuar Frederik Rreshpja, "Kristalin'' e kohës sonë..." gjithmonë do ta grryej diamanti Bilal Xhaferri".

2004-2008

26 July 2008

Tollovia ndjellakeqe - nga K.P. Traboini

TOLLOVIA NDJELLAKEQE
 

Shkruar nga K. P. TRABOINI
 
Një tollovi ogurkeqe, një erë plot re të zeza, një stuhi fjalësh të vrazhdëta shpellore që dalin jashtë kontekstit të artit, letërsisë, kulturës e traditave shqiptare më shtyn të ulem e të shkruaj këtë reagim e thirrje për ti qëndruar larg tundimeve ndjellëse të atyre që në barqet e veta si kazana të pistë gatuajnë gjellën e shtrigave.. Nuk mund të jem i qetë, kur shoh se ajo luftë marroqe me mullijë e erës që është shpifshpallur nëpër faqe të tjera elektronike, a në shtyp në Prishtinë, po don shesh për mejdan edhe tek forumet mediatike në Internet.  
Mirëpo Zemra e mirë nuk i duron tollovitë e ndjellakëqeve. Zemra është vendi i mirësisë, burim jete e jo errësire, prej zemrës buron dashuri e jo urrejtje. Ndaj mbetem pa mend kur shoh këtë agresivitet të atyre që këto Media shqiptarësh, që duhej të ishin për dije e   kulturë, me pseudonime e komente lloj lloj,  duan ti kthejnë në fushbeteje për të larë hesape e për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit. U marrofshin!
Ndonëse kam patur njoftime prej miqëve të mi se edhe emri im është lakuar mbarë e mbrapsht prej do xhagajdureve, që nuk dinë gjë tjetër të bëjnë veç luftë, grindje, çpifje krejt rrallë kam reaguar. Për më tepër nuk kam hyrë në atë qorrsokak ku të grishin injorantët  dhe fanatikët fetarë sepse e di që debatet e do shqiptarëve janë si të pallmat e gomarëve. 
Askurrë më pak e asqysh më shumë, kjo sepse ne nuk respektojmë rregullat e bashkbisedimit në debate e polemika. Sa herë nisim një diskutim serioz, dalin ca tipa-rripa, kryesisht anonim dhe bëjnë sulme personale. Nuk na i kursejnë me të shame as robtë e shtëpisë, çfarë ne, malësorë më origjinë, e kemi fort rëndë psikologjikisht. 
Nuk i shahet nana tjetrit, nuk bën kurrë ti shaj nanën e motrat shqiptari shqiptarit. Mirëpo ky atavizëm jeniçerësh anadollakë, në këtë kohë zhburrnimi me përmasa katastrofike si komb, po ndodh edhe në parlamentin shqiptar. Sikur të jemi ende në kohën e mesjetës kur beu i fushave fuste në shtrat tërë nuset e reja të fshatarëve, duke i zhburrëruar deri në shpërftyrim e brirëzuar sa as fëmijët nuk i kishin më të vetet të mjerët fshatarë të varfër , por të beut që ish bërë bej pasi kish shërbyer vite luftrash në ushtrinë osmane. 
Të mos po biem viktimë të dhunës e perversitetit të pinjollëve të jeniçerëve, të cilët, gjëja e parë që bënin pas pushtimit të trojeve të vendeve tjera ishte, të digjnin e shkretonin, të vrisnin burrat e të përdhunonin gratë për të tjetërsuar genet e atij populli? Ndryshe si mund të spjegohet ky shpërthim verbal dhune e perversiteti në tërë shkallëzimet e shoqerisë shqiptare, por deri dhe në Parlament. Me kësisoj incidentesh me ndyrësi fjalësh që lë pa gojë jo vetëm popullin tonë në dy shtetet, por edhe mbarë Europën, kjo ka të drejtë të na shohë ende me skeptiçizëm për kah civilizimi, se për nga ekonomia nuk dimë ku kemi kokën, s'ka rul e shul që e vë ekonominë tonë në shina sa të jenë Ali Babat e Al Kaponet në qeverisje të shqiptarëve.
Këta gojëpistë sikur mos me qenë shqiptarë, por pjellë e egersisë që u dynd nga Mongolia duke shkatrruar kulturën europiane të lindjes si dhe shkretuar Ballkanin. Se si shkojnë debatet ndër shqiptaret e di fort mirë edhe kurrizi im. Madje edhe prej ndonjërit që sot shfaqet predikues (ashtu qoftë) për paqe e miqësi, (mirë bën që predikon) dikur kanë qënë promotor të tinëzive e thikave pas shpine nga pozita fanatike fetare, kamufluar kinse pas ca partive levozhgë. Mbështjellur dhe pas një lloj kinse nacionalizmi por fetar (anipse fetë rallë i njohin kombet) që e kanë zanafillën tek Haxhi Qamili dhe Beqir Grebeneja me Bab Sulltanin në zemer se mendje nuk kishin.  
Ani. Fali zot. Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer në udhën e mirësisë, por në qoftë pendimi i rremë, ai është më i rrezikshëm se sa mospendimi. Kam qënë viktimë e fjalëve e shpifjeve deri në atë shkallë sa për 4 vjet ka qëndruar në internet nekrologjia e sajuar për vdekjen time, kinse nga droga e marrëzira të tjera, katranosur nga një skuthe e një skuth interneti në Nju Jork, që i kam epitetuar publikisht si Gaforrja e Kuqe dhe Kapterri i Benxolit. Pasi i kam indentifikuar (shiten kinse si shkrimtarë që të dy këto shkarpa interneti), i kam shumëzuar me zero, sepse janë njerëz të cilët as nuk ja vlen ti llogaritësh se rrojnë në këtë botë, sikurse nuk e vrasim mendjen për krimbat e dheut e brumbujt e llomit të bajgave.
Të tillë ka plot. Të shumtit janë me pseudonime. Janë nofka, skutha, braca, kulima. Nuk kanë karakter, nuk janë njerëz që dalin hapur. Se po të dalin hapur me emrat që kanë të paktën je më i qetë sepse ke përpara një njeri që e di se ekziston. Ata më së shumti përpiqen ta kruajnë qerosen e vet me duart e të tjerëve.
Keq të vjen që disa kosovarë, me t’u çliruar Kosova nga pushtimi serb prej aleateve tanë Amerikanë (pa mohuar luftën e djemve trima të UÇK-së), nxorrën pallat e vjetra anadollake e filluan të luftojnë njeri-tjetrin me egërsi bishe. U bënë trima ca Lavderima, sa shkuan deri në Siri për të prerë koka me shpatë. Allaraxolla! Për pira u qoftë e për koka të veta që i lanë si mercenarë të së keqes dhe errësirës. Por veç “trima” me vra e prè njeri-tjetrin e me ja ba zemrën mal armikut, është si me ba vetvrasje si popull e si komb. Mirë e kish Konica, shqiptari armikun më të madh ka veten. Boll u kam bërë thirrje palëve t’i përfundojnë këto beteja sharlatane, por nuk ka qënë e mundur që të arsyetojnë e ftohin gjakrat.
Të dy palët duke përfshirë profesorë dhe nënpunës biblotekash, shkrimtarë e publiçistë kosovarë, sulmojnë njeri-tjetrin madje edhe në gazeta si ajo "Express", në Prishtinë, me të njëjtën akuzë të rendë, agjentë të UDB-s. Tash del edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj si kofini pas të vjeli dhe na thotë "mrekulline" groteske se paska zbuluar që Albin Kurti ka qenë agjent i Serbisë. I kisha thanë Ramush Hajradinajt, e ke mbush plot kovën me tamël e tash mos e derdh. Ke ditë me ba luftën e nuk po di hiq me ba politikën.  Je krejt amator në politikë, ndaj nuk kupton gja prej gjaje nga politika që ban Albin Kurti, i cili nuk don t'i leje marre vedit siç bane ti kur i dhe Çakorret shtetit fqinj si të ishin arat e tua e jo të popullit. 
Por akuzat që sjellin e mbështjellin janë të vaketa e jo bindëse, veç fjalë e pa asnjë dokument arkival. Tani këtu ka një konfuzion në akuzat ndërmjetëse, ku të gjithë akuzojnë të gjithë. O kanë qënë të dy palët agjentë të UDB-së, o s'ka qënë asnjëra veç bëjnë bla-bla pa bereqet për interesa politike. Veç këta njerëz akuzues duhet të mos spekullojnë me ca mikrofakte, se gjithësecili duhet të gjykohet nga rrethanat dhe pasojat që ka sjellë veprimi i tij. Ndokush mund të jetë kompromentuar, tu jetë nënshtruar presioneve të dhunëshme psikologjike dhe fizike burgjeve, por mund të mos ketë bërë kurrfarë krimi ndaj bashkqytetarëve të vet. Kosova ka qënë nën pushtim dhe pushtimet nën shtete shovene si Serbia, dihet se sa të rënda janë. Sa të frikëshme aq shtypse për personalitetin njerëzor. Ndaj nuk i shoh serioze akuzat e bëra publike, por vetëm si qëllim për të poshtëruar njeri-tjetrin dhe për të fituar diçka politikisht nën moton shpif, shpif, se diçka do të mbetet.
Për t'ju shmangur konflikteve që mund të lindin prej kësaj folnaje gjigande mos ua vini veshin provokimeve, mos i dëgjoni e mos i lexoni, madje as ata që ju thurin lavde sot e nesër të thonë ke qenë spiun, a ke vjedhur veze në qymezin e komshiut kur kë qenë dhjetë vjeç. Kështu mu sul një këngëtar pordhshitës që miklohet politikisht, i cili më parë më kishte bërë lëvdata të mëdha "O poeti i fjordeve" se isha në Boston e ai në New York  aso kohe, kur krejt e papritur u shfaq si gjeluc maj plehut duke vjell vrer e duke nxjerr zorrët e veta, por nuk ja vura veshin. Shumëzimi me zero është një medikament social i dobishëm, a thënë ndryshe një deodorant për heqjen e erës së keqe që prodhojnë kësisoj memurresh.
Duke kaluar një jetë plot trazime, por jo pak edhe më konflikte, kam  mendimin se shpesh tollovia ndjellakeqe është ogurzeza dhe kërkon të terheq në vorbullën e vet të shpirtligësisë e konflikteve q
ë mund të përshkalzohen deri në hakmarrje primitive! Aq më tepër mos u armiqësoni me njeri për hir të një tjetri se kjo botë është më tepër se sa duhet tinzare.  Mjerisht prapësite i bëjnë të liqtë, por e pësojnë të mirët. Shume djemte të rinj kanë humbur jetën e shumë plagë janë hapur prej ngatrresave që krijojnë njerëz të papërgjegjeshëm. 
 Një mësim urtësie ka dalë prej historisë se maleve tona, trimëria pa mençurinë nuk vlen kurrnji grosh. Ndaj pastrojeni haurin, fshini të gjitha debatet-helmet e ogurzinjëve gjëmësjellës e mos lini në faqet tuaja mediatike  asnjë plesht ngatrrestar. Zbojini, i bllokoni duke shfrytëzuar mundësit teknike që ju jep elektronika e si gjyqe behari le të shkojnë t’i bëjnë vezët në ndonjë fole tjetër por jo tek ju. Kohët janë fort të pista, por veç edhe në llom bagtish ta futësh margaritarin ai prap në rreze të diellit vezullon. Koha grryen shkëmbin por jo karakterin e njeriut fisnik dhe të kulturuar.
Fola se nuk mund të rrija pa folë, fola se tash kudo nëpër Media po zien kuvendimi si në kazan shtrigash, me rend e pa rend, fola sepse po të mos flisja sot do të më randonte ndërgjegja nesër, por fola bash tash, kur punët ende nuk janë çatrafilue e kam shpresë në arsyen e shëndoshë se punët do të vinë për kah e mbara, për nga mbrothësia siç thoshte zemërzjarrti Naimi Frashëri.
Fola me mendimin t’i dal të keqes përpara sepse, trimëria pas lufte e mençuria pas kuvendit nuk vlejnë, hamadreq, kurrnji grosh. Do ta mbyll me fjalët lapidar të Gjergj Fishtës:
 
Por i urti kurrë nuk ngutet
Prej trimnisë e jo prej tutet!
 
🔻--> BESA BESË NUK JANË SHQIPTARË!



16 July 2008

SALUT MAESTRO - esè


SALUT MAESTRO

esè


Trillet e ngjizjes

Ka ca trille në rrjedhjen

kalimtare
ku era e gdhend kohën në shkëmb
e jeta mplekset me artin
puqur si dy lumej
ta zëmë si Drini i Bardhë e

Drini i Zi
më tej Buna bën dashuri me Drinin Dyzak
Trizakja, si lind, shtrin

shpatullat e veta
e pa droje i futet detit në shtrat...



Këto vargje të improvizuara në këtë shkrim, m'i sugjestionoj leximi i tregimit të jetuar të gazetarit shqiptar që tashmë jeton në Bordo, Francë, Aleko

Likajt "Një verë me Lasgushin"... Duke qënë se jam në fatin e atyre që e kanë njohur qoftë dhe paksa Lasgushin(siç lumturish e kanë njohur dhe mjeshtrisht kanë shkruar për këtë njohje Roland

Gjoza e të tjerë), e rigjej edhe në tregimin Likajt figuren e gjeniut të Nositit, të ravizuar në sfondin e kaltërsive të liqerit dhe erërave që flladisin valet pasi kane zbritur tej e përtej Ohrit e Moravës, tek sjellin e marrin përjetësisht magji në mes të dy brigjeve. Një magji për të magjepsur ky liqer i Poradecit. Ndjeva frymen e poetit të kreshperuar që kishte shok veç eren e kreshtat e valëve e një qenush të bardhë

si shkumba e brigjeve, e natyrisht kurrkund nuk i pashë hijen, “mikun” sigurims që nuk i ndahej. Paradoks demonian kjo miqësi e perjetëshme e spiunëve me poetët. Ndjeva pra vetëm dritëzim, atë copëz refleks magjiplotë, atë mrekulli jete në atë qytet, në të cilin, tashmë poeti është ngjizur perjetësisht. Një qytet njeri - një njeri qytet, ky Lasgushi ynë. Kurrë nuk kam shkruar për njohjen time, që përbën më shumë një incident të trillit lasgushian, se sa një situatë të qetë, por tashmë duke lexuar tregimin Aleko Likaj them, duhet ta gërvish edhe unë kujtesen time, çdokush duhet ta bëjë këtë gervishje, se sadopak ja vlen, kemi kaluar pranë një gjeniu, fat, thotë për këto rastësi shkrimtari sugjestiv Faruk Myrtaj, fat e përmbi fat shtoj unë, por nëse nuk ulemi të shkruajmë për çfarë pamë, u gjendëm e takuam, fati nuk është kurrgjë tjetër veç një re kalimtare, që harron të kthehet në shi, në vlagë....

Aleko Likaj e hoqi nga shpatullat një brengë krijuese që e mundonte deri sa u a la këtë barrë ( krijuese meditative ) të tjerëve. Ai e krijoj copëzen e jetës së përjetuar në një pasqyrë ku mund ta shohin Lasgushin, ta shohim e rishohim shumë herë...

Është një rrëfim fort i ndjerë që e nderon penën e Likaj, e konsolidon në atë fushë ku ndjehet vertetë zotërues, në mishërimin artistik të realitetit të përjetuar, që mua më parapelqen më shumë se çfarëdo naracioni tjetër prozaidik, ndoshta se, emocioni në raste të tilla është i drejtpërdrejtë, nuk ka sajesa e finesa, nuk është çdo gjë e përkryer ashtu siç vetë jeta nuk është, çfarë sajimet artistike të limuara, të shumtën e herës nuk e kanëë për këtë e vuajnë shkelqimin e vet.
Pas kujtimeve për Drita Çomon, meditimi Lasgushian të shtyn të mendosh e besosh
se shumë shpejt do të kemi në dorë librin e memorieve aq mbresëlënëse të Aleko Likaj, që pati fatin të kalojë përskaj jetëve njerëzore meteorike, ta takojë në të gjallë e tani, në tregimin e vet, t’i thotë gjeniut të Nositit "Salut Maestro!".

Kolec Traboini
Boston


19 June 2008

SI I MUNDA NEKROFAGËT....


SI I MUNDA NEKROFAGËT....

Letër kolegut Aleko Likaj

O mik i dashur e njeri i mirë, mos u shqeteso se shëndosh e mirë jam, ka dashur Hyji!
Le të gazmenden me veten ata njerëz që u sjell kënaqesi hartimi i nekrologjive, që lumturohen me idene e vdekjes së tjetrit që gjallnon më tepër se ata. Ai është qëllimi i jetës së tyre, të cilën e jetojnë se prapthi si gaforret e kuqe. Grryerja e eshtrave është pasioni e ankthi i nekrofagëve të errësirës, dënuar me anonimitet të përjetshëm, ndaj endërrojnë sa të jetë e mundur më shumë kufoma. Por sido t’a kenë dëshirën, babëzinë e makuterinë e tyre e mund mirësia dhe drita, e mund virtuti njerëzor. Do sjell një rrëfim se çfarë ndodhi me mua, kur u ndodha para lajmit të stisur të vdekjes sime prej ca shqiptarëve mizorë, që them se gjithçka mund të jenë, por jo shqiptare. Mund të jenë atavizma biologjike të barbarëve që na kanë mbajtur nën zgjedhë si komb e si popull qindra vjet. Kur e lexova lajmin e stisur kobëzi, në mbrëmjen e datës 16 qershor, në ora 11 të natës, e kuptova se nekrofagët, duke parë humbjen e vet përpara të vertetave që kam kurajo t’i them a t’i mbroj, thirrën në ndihmë Vdekjen. E kë mund të thërrisnin tjetër, kur ata nuk i përfill kurrkush, veç ndonje zë minor marroq. Natyrisht u inatosa, pastaj i thashë vetes, është rasti më ideal të gjej forca në vetvete të qetësohem. Jeta është provë për karakterët e fortë. Po si të qetësohem?! Pyeta veten e vetja m’u pergjigj: duke bërë një të mirë! Po unë jam i varfër e bamirës nuk bëhëm dot, se kush në botë e pranon dhuratë varfërinë e poetëve? Atëherë më shkoi mendja të sajoj ndonjë faqe elektronike për ndonjë kolegun tim poet.
Mund që kjo nuk ka ndonjë vlerë materiale, por lë përshtypje të mirë tek njeriu, autori, për përkujdesjen ndaj veprës e tij. Kësaj radhe zgjodha poeten Luljeta Lleshanaku, sepse e kam dobësi si krijuese. Poezia e saj më impresionon, më fisnikëron, më bën të ndjehem me një dimension tjetër. Me këtë ndjenjë shkrova dhe esènë për këtë poete “Luljeta-poezi”.
Punova tërë natën deri sa u gdhi. Si krijova Blogun poetik e ndjeva veten të qetësuar e plot vitalitet... E kisha mundur vdekjen me bukurinë e jetës. E kisha mundur vdekjen me poezitë e Luljeta Lleshanakut. Kisha mundur vdekjen dhe nekrofagët me fuqinë që të jep akti i krijimit, ndaj shkova të fle me një ndjenjë lumturie.
I qetë " si çdo njeri që ka kryer detyrën e tij thotë Ricosi i madh. Telefonat e alarmuar të miqëve e të mikeshave të mia të artit të krijimit binin pa pushim. Ishin Merita, Iliriana e të tjerë por unë nuk i ndjeja se kisha rënë në një gjume të butë, e zilet me vinin si rrjedhjet e currilave te shiut mbi parvaz, me atë shushurimen magjindjellëse, që të tret e harron ndër enderrime.
Ajo cfarë perjetova atë natë në vetmine time pa vetmi, ishte se kish peshen e vet edhe ajri që thithja. Më lumturonte ideja e të qenurit pjesë e jetës e jo e vdekjes... Është kënaqesi të jetosh. Të jesh, anipse një qelize sado e vogël e kesaj botë njerëzore, pjesëz krijuese e jo shkatrruese e saj.
Ne ato çaste, ne mes te krijimit dhe vdekjes, e ndjeva vehten për herë të parë si një Budë e nxorra mësimin e mënçur se e keqja mundet prej të mirës. Thyhet e shkërmoqat siç bëhet fir errësira kur lind dielli e zgjon gjithësinë ne ripërtritje. Më erdhi ndër mend Krishti e thashë, tërë madheshtia e tij ndër shekuj qëndron më shumë tek fjala se tek ringjallja. Ringjallja si akt është mrekullia e kthimit, por fjala është magjia çudibërese e shërimit. A nuk i tha Krishti një të verbëri, pasi i preku me duar zgavrrat e syve, “shiko” dhe ai shikoi...Magjia e fjalës është e gjithëpushtetshme në këtë botë, ndaj dhe poeti nuk vdes.

poeti nuk vdes

jetoj tragjikomiken që dhjetë vjet
njëri me ngjall e tjetri më vret
më vrasin armiqtë e më ngjallin miqtë
çuditen njerëzit "si u ngjall e si vdiq!"

e unë vazhdoj të rivdes çdo pranverë
pa mundur të më varrosin as dhe një herë

tre herë m’a shpallën vdekjen nekrofagët
ata që më duan tre here më ringjallën!

por me kot lodhën të dy palët
poeti veç lind, as vdes e as ngjallet.

KOLEC TRABOINI
18 Qershor 2008


BLOG-PORTAL

LULJETA LLESHANAKU - POEZI

LULJETA LLESHANAKU

L ULJETA


P OEZI

Luljeta Lleshanaku shfaqet si një nga poetet më impresionante në poezinë shqipe pas vitit 1990. E lindur në vitin 1968 nën diktaturë, që e përndiqte familjen e rrethin e saj, destina e kësaj vajze me shpirt të ndjeshëm ishte për të heshtur e për t'u thyer, ndaj ky fakt
shpesh më kujton se, sa fati i saj do të ishte i ngjashëm me shpirtin e dhëmbshur e tragjik të poetes Drita Çomo. Por Luljeta në kohën e rinisë së saj përjetoi çlirimin prej hallkave të shpirtit të burgosur në harrim dhe shpërtheu.
Kjo fontane poetike ishte mbajtur mbyllur e veç kohen e kthjellimit të qiellit priste.
Megjithëse shumëkush në shtypin e përditeshëm lakon emra poetesh me shumicë, mashkullorë e femërore, Luljeta Lleshanaku është një sfide e vërtete per garden e mplakur te rondokopeve poetike të cilët ende krijojnë në mënyre skematike dhe ngjasin me njërit tjetrin si dy pika uji. Diktatura, të cilës i kënduan sa u çirren, i bëri si vëllezër siamezë dhe potenca krijuese ju rërëzua. Luljeta poete ështe ndryshe. Kaq të natyrshme i ka poezitë e krijuara nga dora e shpirti i saj, sa të duket se kurrë Luljeta në vajzerinë e saj nuk ka rëndur pas poezisë, ka qënë poezia që e ka rrembyer atë , duke e shtërnguar në krahë e duke e bërë bijë të frymës e të shpirtit të vet. Luljeta ashtu si e ka emrin Lule e Jetës, breron e gjitha lirizëm poetik.
Kushdo që e ndjen sadopak poezinë, nuk mund të mos bjerë nën efekt a flirt me polenin e shpirtit të saj, që kullon e tëra poezi. Është si hoje mjalti poetik. Dashuruar pas poezisë së saj, krijova blogun internetik Luljeta-Poezi, thjeshtë nga dëshira që poezitë e Luljetës, në mungesë të pasjes së librave të saj, ti kem në mes të faqeve të mia internetike të grupuara në Blog Portal TRABOINI© Coonect, një tip Antologjie Virtuale. Ti kem ato si burim i pastër kristal poetik, në kushtet e një Sahare internetike, varfërie gjuhësore si dhe vetshpallje masive të tërë mërgimtareve shqiptarë në SHBA, Itali, Gjermani e gjetkë, kushdo që ka kompjuter, si poet e shkrimtar. Në këto kushte pra, të tysninë së mediokrritetit, jam përpjekur të mbledh çfarë më shume ndjej, vlerësoj e respektoj nga krijimtaria e kolegëve të mi të poezisë, me të cilët bashkudhëtoj çdo çast e çdo orë, kaloj nëpër të njëjtat shtigje të mundimëshme me ta, paçka se mbase pa arritur të takohemi kurrë.
Po fundja le të takohemi në vargjet e lirizmit të shpirtrave tanë. Se, poetët e poeteshat, njihen apo nuk njihen ndër vedi, janë miq me njëri tjetrin. Janë profetët e shpirtrave njerëzore. Kështu e kam takuar e do ta takoj gjithjë edhe Luljetën, poeten që sa herë që e lexoj, më ngjiz një frymë
magjie e misteri, duke më tërhequr në skutat më të thella të shpirtit të saj, drejt thellësive të atij deti të pa fund, prej të cilit ajo gjithnjë nxjerr perla që flirtojnë me rrezet e diellit e lexuesit i bën të emocionohen e dashurohen pas fjalës së bukur shqipe.
Edhe si lexues edhe si autor unë e le vehten me kënaqesi të rrëmbehem e përfshihem nga dallgët, kreshtat, honet e sterkalat e shpirtit të poetes me emrin Luljeta.

TRABOINI
Blog Editor , qershor 2008
___________________________

Luljeta Lleshanaku: Është autorja e këtyre vëllimeve me poezi :
“Sytë e somnambulës” (1994),
“Këmbanat e së djelës” (1995),
“Gjysëmkubizëm” (1997),
“Antipastorale” (1999),
” Palca e verdhë” (2000),
“ Fresco” (Sh.B.A, 2002) e tjerë.

07 June 2008

Impresion:



DIJA & POEZIA

....e thjeshtë dhe e bukur si zambak Prizreni,
e mistershme si fantazi persiane

Nga KOLEC TRABOINI

Leximi i poezive të Radije Hoxhës - Dijes nga Prishtina( lindur në Shkup) më shpalosi një botë ndjenjash e emocionesh si dhe mendimesh filozofike për kohën e njerëzit, për zjarrin e dashurisë e trishtimin e largimeve të akullta, largime vetmitare që herë herë na i mbushin zgavrrat e gjoksit me zemër akullnajash. Tek lexoja, meditova e u tundova bashkë me të. Shkova nëpër ato vende, vise e popuj pas gjurmëve të saj poetikë, shkova pranë atyre njerëzve, pranë atyre dhëmbjeve e gëzimeve, prane atyre riteve a besytnive, dëshirave në fantazi persiane që ajo i kishte prekur me flatrat e shpirtit. Pastaj u ktheva e u shtrova të pi një kafe me Nexhmije Pagarushen, miken e poetes Dije, bilbileshen e Kosovës, të cilës i putha dorën siç në eter, në rininë time, i kisha puthur zërin, atë zë që këndonte bareshen, zërin që elegjonte Rexhën dhëndërr, i vdekur në grazhd të kalit. Aso kohe kanë qënë kufijtë të mbyllur e shpirtërat e kyçur, kish frikë t’a takonte njeriu njeriun. Por falë Zotit erdhën kohë të tjera, erdhi shekulli i ri, e... Tung Pagarushë e bukur si Dielli! Ja ku të gjeta tek vargjet e Dijes.
U mundova që nëpërmjet poezive të lexoja njeriun. Diç arrita, megjithëse duhet lexuar edhe rrjeshti i fundit për të arritur tek njeriu që i ka filtruar vargjet përmes frymës së gjoksit. Është sa reale aq mistike Radije Hoxha, mjeke nga profesioni, shkrimtare nga pasioni. Dija-poete në strukturat poetike, në tërë qelizat, indet e mishërimin e tyre, bashkon mistiken e finesen Lindjes persiane, nga e ka çuar në mjaft vite udha e fatit dhe e detyrës, me mjeshtrinë e artit modern perendimor. Ndërkohë që është tokësore, e kapshme, e dukshme, aspak hermetike. Mendimet, ndjenjat dhe emocionet e saj janë të drejtpërdrejta, çdo gjë e punuar bukur si filigranë argjendari, deri në detajet më të imta, çfarë tregon se para se të shkoj Dija tek Poezia ka ardhur dhe e ka përqafur Poezia atë. Ndaj i shoh të përqafuar aq perjetësisht të dyja...Lum si ajo, Poezia që ka i ka hedhur krahet një krijese jo vetëm të mënçur, të ndjeshme por edhe të bukur... Por lum edhe si ajo, Dija, në atë dashuri për artin sublim që nuk ka mortje...E thjeshtë dhe e bukur si zambak Prizreni, e mistershme si fantazia persiane. Ndaj të duket, ndoshta jo gabueshem, se vetë Dija është një poezi.
Pas leximit impresionues e ndjeva për detyrë të krijoj një blog internetik prezantues për poeten Dije nga Prishtina, së pari që edhe të tjerët të shijojnë mrekullinë e poezisë së saj, së dyti për të kujtuar se mirënjohja është një nga aspektet e fisnikërisë së shpirtit, që kurrë nuk vdes si cilësi njerëzore. Një lexues duhet të jetë mirënjohës për një poet a poete që i ka shpalosur thellësitë e ndjesive e skutat e mendimit të vet. Tek lexoja librin e saj "Gjeniu pleqnon çmendinë time, u ndjeva mirënjohës, e thashë "të faleminderit Dije! Ma shfaqe shpirtin në duar si një pëllumb".
Këtë lloj komunikimi eteror e sublim ta jep si mundësi vetëm arti, ndaj, për hir të artit të magjisë së frymës e ndjesive, tërë botën le t’a mbjellim me trendafila. Dhe për Dijen nga Prishtina një tufë trendafila të kësaj pranvere lirie, gjithashtu…

Qershor 2008



Poezitë e Dijes nga Prishtina në blogun:

http://www.dija-poezi.blogspot.com