12 November 2012

KAMBANA E ZOTIT PER MIKUN TONE KISH RA...



KAMBANA E ZOTIT PER MIKUN TONE KISH RA...

                                                                           Daniel Gazullit


 Nga Kolec Traboini

Gjithçka mund të shkruash për Danielin veç fjalën vdekje jo për besë. Nuk ka të bëjë vdekja me Danielin. Ishte teper vital në fjalën e tij ndaj nuk mund të mësohemi me idenë se ai nuk mund të shkruaj më. Ishim mësuar ti lexonim shkrimet e tij të cilat më së shumti kishin pathos atdhetar, ngulmonin në nxjerrjen në evidencë të traditave kombëtare por edhe në fushë të letërsisë.  Padyshim kur vinte fjala për Gazullorët pasioni i tij ishte i ndezur, sepse vinin që nga Gazulli i madh në kohën skenderbejane e deri tek të fundit vëllezrit martir Dom Gjon e Dom Nikoll Gazulli.
Daniel Gazulli ishte një njeri me vizion të gjërë, nga ata njerëz që tundohen tërë jetën për fatet e kombit ani pse nuk kanë ndonjë ofiq a kollutuk nëpër zyra qeveritare. Jo rrallë ka ndodh e vazhdon të ndodh që ata që nuk e kanë atdheun për kurrgjë, dalin me shitmendje në krye të kombit, ndërkohë ata që punojnë për komb e atdhe  pa zhurmë e bujë heshtohen.
Miku ynë Daniel ishte nga të heshturit, por që punonin përditë duke nxjerrë prej shpirtit fjalë e mendime të bukura.
Edhe natyra e tij ashtu ishte, e bukur. Buronte një urtësi tek ai, një dinjitet i meritueshëm për gazullorët me emër në histori.
Çfarë e bënte fjalën e Danielit aq të urtë, aq mirëdashëse, aq të thellë? A  thua veç prej ndikimit të gazullorëve të mëdhej të kombit. Nuk besoj se ishte vetëm kjo megjithëse kjo i jepte një dinjitet të lartë ardhë prej genit tepër vital. Por ndikonte edhe fakti se Danieli ka qënë mësues, një mësues i mirë, që përçonte tek nxënësit jo vetëm fjalën e bukur e të mënçur, pra dijen por e jeptë atë edhe nëpërmjet qëndrimit të tij, ndaj shumë e thërrisnin Profesor Danieli. Një emër plotësisht i meritueshëm anipse nuk ja dha ndonjë akademi apo institut, por atë ja dha vetë populli që di të dallojë e të vlerësojë.
Edhe atëherë kur shëndeti po e lodhte ai nuk reshti së shkruari.
Më ka ra shëndeti, më shkruante  në një letër, por megjithatë, ço e rrëzo, përpiqem me dhanë ndonjë kontribut.
Dha aq shumë me shkrime e letërsi të mirëfilltë duke përfshirë ato tregime të mrekullueshme për vendlindjen, poezitë, esét që mirëpriteshin nga lexuesit e shumtë e admiruesit e vet.
 Pat shkue me shpresë shërimi në Itali. E erdh një çast që u shkëput. Pastaj u dëgjua një zë të cilin nuk deshëm ta besonim. Teksa bisedoja me një mikun tonë të përbashkët i thamë njeri tjetrit se ka edhe keqkuptime e fjala hapet ndonjëherë edhe pa qënë e vertetë çka thuhet. Por doli se qe e vertetë. Gjëma kish ndodhur. Kambana  e Zotit për mikun tonë kish ra.  Ne ende nuk duam të bindemi. Duam të vazhdojnë të rrimë me mendimin se ka shkuar në Itali për tu kuruar e do të kthehet. E rrimë e lexojmë ato gjëra të bukura që ka shkruar. Në të vertetë jemi ne që shkojmë pak e nga pak tek ai. Kjo ështe jeta. Një kalim gjatë të cilit duhet të lëshosh sado pak dritë.
E miku ynë Daniel Gazulli e lëshoi dritën e tij.  

Kolec Traboini 12 nëntor  2012
Ky shkrim është botuar në gazetën shqiptaro-amerikane "Illyria" New York # 2199 13-15 nëntor 2012
Botuar në gazetën shqiptaro-amerikane "Illyria" New York # 2199 13-15 nëntor 2012

10 November 2012

Besimi në Flamur - nga Kolec Traboini



BESIMI NE FLAMUR

Nga KOLEC TRABOINI

 

Kjo politikë idiote me këta marroqë skandalozë që i drejtojnë nuk të japin kurrfarë shpresë se një ditë do të jetojmë të qetë në këtë vend që po e shkatërrojnë materialisht dhe shpirtërisht. U hiqni vizë kërrmave të vjetra. Nuk kanë më ç’të thonë. Janë shterpëzuar në ide. Kanë marrë fund. Le të shpresojmë tek brezi i ri, djemtë e vajzat e Flamurit, ndaj, i vini të gjithë flamurët e Gjergjit të madh në ballkon!


Aristidh Kola mbeti një Martir i Kombit shqiptar në vazhdën e Anastas Kulluriotit, Papa Kristo Negovanit, Petro Nini Luarasit e plot të tjerë të vrarë nga shovinistët e jugut, ndaj arbërorin e madh e quaj shqiponjë flamuri se vërtet një shqiponjë ish. Ai e lartësoi kombin shqiptar në fushë të studimeve e dijeve duke sjellë krenari për historinë e shqiptarëve që nga kohët pellazgjike e deri në ditët tona. Çfarë është një titullar apo ministër para një gjigandi të tillë? Pse pra nuk po tunden ta nderojnë në këtë 100 vjetor Pavarësie, por mjaftohen me një emër rruge vendosur një shtegu të ngushtë fshati në Sauk që nuk e sheh kurrkush veç ca banorë që as nuk e dinë kush është Aristidh Kola. E si mund ta dinë kur përnatë na dalin në ekran ca zvarranikë, ca flliqana partish si vemje që vegjetojnë nëpër kolltukë me mendjen vetëm si e ku ta rrjepin këtë popull.
Si mund ta besoj unë ta zëmë Bamir Topin, këshilltarit të të cilit, kur ishte president i kam kërkuar disa herë të nderojnë Aristidh Kolën e do burra të mëdhenj kombëtarë si Nik Gjelosh Lulin, kryekomandantin e kryengritjes së Malësisë së Madhe më 1911 në këtë 100 vjetor. Nik Gjelosh Luli ishte ndër të  vetmit kryekomandant bashkë me Adem Jasharin që ranë në ballë të betejës duke ngritur peshë shqiptarët me trimërinë e tyre spartane. Por as këshilltari i vogël dhe as presidenti i madh,  nuk e luajtën qimen për të nderuar ata që treguan trimëri që përshkruhen si në legjenda. Bënë të kundërtën, dekoruan një ish-sekretar partie, një komunist fanatik me një rreth familjar që kanë terrorizuar popullin, apo një komunist tjetër që deklaroi në gazetën “Koha jonë” se kam punuar me pasion në krijimet për Enver Hoxhën e pas tre muajsh ish-Presidenti e dekretoi dhe sejmenët këshilltarë i vunë në gjoks pasionantit të Enver Hoxhës një dekoratë e titull të lartë "Mjeshtër i madh". Rrofsh moj Parti e Punës, e ngordhur je por si mbretëreshë mbretëron edhe nga varri. Nuk le segment të shtetit pa i futur  pinjollët e tu.
 Çfarë pret pra qytetari nga ky lloj politikani apo të tjerë që punojnë veç për të mbajtur sumën majë kolltukut. Asgjë nuk pret.Veç rrena e mashtrime. Shpresën e kemi tek të rinjtë. Ai brez që po kuqëlon me zemër të zjarrtë për bashkim kombëtar e shporrjen e vemjeve që vegjetojnë si krimba në trungun e shtet-pushtetit. Poshtë krimbat, pra! Rrofshin heronjtë që dinë t’i venë gjoksin dallgëve e fortunave, ashtu siç trimërisht bëri edhe i dituri e trimërori arbëror Aristidh Kolia! E mos prisni këto fjalë t’i botojë ndonjë gazetë, as t’i citojë ndonjë TV, sepse edhe pushteti i katërt është kapur, është qelbur, i ka rënë murtaja e zezë e korrupsionit. Janë bërë bij kumbullash që të gjithë politikmutbërsit, hapin universitete, gazeta, TV, revista idiote për vipa e rripa, dhe për karrierë, pushtet e para shesin edhe nënat e veta.
 Kjo politikë idiote me këta marroqë skandalozë që i drejtojnë nuk të japin kurrfarë shpresë se një ditë do të jetojmë të qetë në këtë vend që po e shkatërrojnë materialisht dhe shpirtërisht. U hiqni vizë kërrmave të vjetra. Nuk kanë më ç’të thonë. Janë shterpëzuar në ide. Kanë marrë fund. Le të shpresojmë tek brezi i ri, djemtë e vajzat e Flamurit, ndaj, i vini të gjithë flamurët e Gjergjit të madh në ballkon!

11 nëntor 2012

02 November 2012

Të falemi, o Gjergj! - nga Kolec Traboini


TË FALEMI, O GJERGJ!

Ca laramane me origjinë përç-jeniçerësh mbështetur në kalamendjet e një historian konfuz e i qorollepsur prej zilisë historike, përpiqën të degradojnë atë mal të madh me emrin Gjergj Kastrioti, i cili nga studiuesit e vjetër francez, me veprën e vet frymëzuese konsiderohej udhëheqës i madh, strateg dhe mbrojtsi e krenaria e Europës. E kjo tregon se ne nuk jemi një popuj barijsh, ndryshe si ndodhi që ndër emrat e mëdhej me zë në Europë janë edhe Marin Barleti, Marin Beçikemi, Viktor Karpaçi, vllëzrit Albanez të Vincenses, Papa Klementi i IX, Mihal Artioti (shënjtori Maksim i Rusisë) e të tjerë, të gjithë këta shqiptare. 
E si dolën këta krejt papritur prej një popull kaçakësh e barijsh?!
Nuk po i drejtohem atyre, as marrokut Oliver Shmid, se me mizat e brumbuj shmidiane apo jeniçeriane ca mbetje bacile osmane  kush po flet, por kryeheroit të lavdishëm të shqiptarëve po i drejtohem:
...Te falemi, o Gjergj, o princi ynë i shekujve, na dhe një emër të madh me të cilin nderohemi ndër popujt e tjerë të Europës, emri e vepra jote na bën të mbajmë kokën lart e të ndjehemi krenar si shqiptar.

Kolec Traboini


28 October 2012

Ambasadorët që e coptuan Shqipërinë - nga K.Traboini

Etyde shqiptare:
AMBASADORET QE E COPTUAN SHQIPERINE



KETA PLEQ MATUFER EUROPIANE E BENE SHQIPERINE COPA COPA. PO NE SHQIPTARET GJALLE JEMI. NE MOS NE - BREZAT QE DO VINE DO TA BEJNE SHQIPERINE!

 Nga KOLEC TRABOINI

Akti barbar coptimi i Shqipërisë nuk ka asnjë motiv historik. Asnjë argument. Nuk ka asnjë justifikim. Veç Kosovës, Çamërisë, Iliriadës, edhe pjesa e Malësisë që quhet Hot, Traboin, vendi i gjysh stërgjyshëve të mi, nuk ka patur kurrë në histori asnjë sllav e megjithatë ju dha sllavëve. Si mund të motivohet. Për mua këta janë një tufë
kriminelash. Pse a mos e kishin të kishin të vështirë të kuptonin këta pleq të marre se sapo të hynte serbi në këto troje shqiptare do të masakronte popullsinë për ta shkombtarizuar. A i dini çfarë krimesh janë bërë në 1913-1915 e më pas. A nuk i shihnin këta krimet. Mos ishin qorra. A thua nuk dinin as të lexonin në gazetat europiane një kronikë e tmerrshme vrastare  që përgjakte tokat shqiptare duke vrarë në mënyrë makabre gra burra, pleq e fëmijë, duke ua prerë kokat shqiptarëve.  Lexoni "Golgota shqiptare" botuar nga hebreu Leo Freundlich, në Viene në vitin 1913 ,përmbledhje me dokumenta të mbledhura nga shtypi i kohës dhe të ndjeheni jo një ditë por një javë të shokuar. Asnjë motiv nuk qëndron në këtë kasaphane mbi shqiptarët. Këta pleq matufër ambasadorë janë bashpunëtor në një krim e gjenocid të përbindshëm.
Mallkuar qofshin përjetë e ju përvëloftë shpirti në flakët e ferrit. Dhe mos kini asnjë iluzion, Europa më shumë do serbët se shqiptarët. Ai që na mbrojti më shumë në atë kohë 1913 sot është shteti më pa peshë në Europë se edhe atë e shkatrruan- perandoria Austriake.
Po të mos qe Amerika çeshtja e Kosovës do të qe e humbur përgjithmonë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Amerikën!


*          *          *

Ajo çfarë kemi arritur është pak përpara asaj që synojmë të arrijmë. Thaçët e bënë punën e tyre e tash po ja gëzojnë të mirat "kombit kosovar" por mua kjo më duket më shumë vet-tradhti idealesh. Adem Jashari nuk u kall në flakë i rrethuar nga ushtarët serb vrastarë aty në kullën e vet me 60 rob të shtëpisë që të kemi një komb kosovar e një flamur tjetër nga ai i Skenderbeut por një Shqipëri të Bashkuar. Sot jemi pak, pak në Kosovë e pak në Shqipëri me këtë ideal, por lumturisht me këtë ideal është rinia shqiptare -margaritari i kurorës sonë, shpresa e të ardhmes, dhe ideali është si flaka, mbahet ndezur nën hi deri sa bubulaket oxhaku. E di që idealet kombëtare nuk realizohen në një ditë, por prushi duhet mbajtur ndezur me të gjitha mjetet.
Në mos sot, nesër apo pasnesër, duan apo nuk duan ata që na coptuan, Shqipëria do të bëhet. Eshtë koha e shqiptarëve!

K.Traboini 2012
— in Boston, MA.

22 October 2012

NJE TABLLO ME ARVANITET NE MONTREAL- nga K.Traboini

Theodoros Vryzakis – “The oath in Agia Lavra”( Betimi në Shen Lavra)


Etyde:

NJE TABLLO ME ARVANITET NE MONTREAL

Nga KOLEC TRABOINI

Në një kuadër të fiksuar nga Lida Margariti, shqiptare me banim në Boston, gjatë një vizite në një kishë orthodokse në Montreal, Kanada, paraqitet një grup arvanitësh e në mes tyre Marko Boçari. Ajo na e dërgoi atë fotografi me medimin se diç mund të përftonim prej saj në aspektin historik. Nga kjo morem shkas dha pasi që u interesuam për këtë tabllo na rezultoi se ishte një riprodhim i veprës së piktorit Theodoros Vryzakis – “The oath in Agia Lavra”( Betimi në Shen Lavra) dhe ka për temë kryengritjen, ose ajo që quhet revolucioni grek. Vumë  re se riprodhimi është shumë larg origjinalit. Ai  të jep më tepër përshtypjen e një vepre të ngrirë ikonografike se sa një tabllo e gjallë në trajtimin e ngjyrave,dritës dhe detajeve. Riprodhimi që ndodhet në Montreal nuk ka asnjë ornament ose detaj të veshjeve arvanite.
Përndryshe autori i vepres origjinale piktori Theodoros Vryzakis ka dashur të përjetsojë aktin e betimit për revolucion dhe pavarësi të Greqisë por duke i qëndruar afër të vertetës historike si të ngjarjes por edhe të atmosferës, për të sjellë sa më realisht dhe në mënyrë emocionuese në tabllo atë kohë e ata njerëz heroike. Nuk e dime nëse piktori është grek apo arvanitas, por ai megjithëse ka vënë flamurin grek të asaj kohe, nuk ka pas asnjë mundësi ti shmanget faktit se më shumë se  90 përqind e heronjve të revolucionit grek janë arvanitas dhe në kuadër janë pikturuar Marko Boçari dhe arvanitas të tjerë. Të gjithë veç priftit e ndonjë tjetri janë me veshje arvanite, një veshje impresionante me fustanellën karakteristike të shqiptareve dhe xhamadanët e qëndisur, sa të krijohet përshtypja se këta luftëtar të veshur aq bukur luftën e konsideronin si një dasëm. Krejt natyrshëm si dasma e Lirisë. Në tabllo  zotërojnë arvanitët në  tërë hapsirën, e në energjinë që përmban e përcjell emocionalisht sa të duket se nuk ka kurrgjë tjetër veç tyre në këtë betim për Revolucionin. Prandaj dhe jo pak herë është thënë se të jesh grek, më parë duhet ta vertetosh se ke prejardhje arvanitase me shkakun themelor se arvanitasit e krijuan Greqine e re. Ata që nuk kanë qënë arvanitas u bie të jenë të ardhur nga vendet arabe, kryesisht nga Egjypti, Palestina apo Libani dhe në të vertetë vihet re se nga bjond që kanë qënë grekët e lashtë tashmë në Greqi dominon ngjyra brune. Fakti se para revolucionit rreth e qark Akropolit kishte vetëm fshatra arvanite dhe flitej vetëm arvanitika, pra shqip,  është domethënëse sado të mbulohet e vërteta me sofizma e pseudoargumenta në Akademinë e Athinës që punon si një makinë e vjetëruar e jashtë kohe. Akademizmi i tyre arkaik është krejt ngjashëm me tabllonë e flashkët të kopjuar në mënyre skematike në kishën orthodokse në Montreal  ku janë përpjekur t’i shuajnë sa të jetë e mundur indentitetin arvanitas. Një përpjekje qesharake kjo më shumë se mungese talenti.
E dimë ku është Greqia sot mes ngatrresash ballkanike për emra e territore që i aspiron si  një i sëmurë ballkanas në jerm, por problemet e Greqisë do të jenë më të mëdha kur të futen edhe Shqipëria e Kosova në Bashkimin Europian. Qarqet ultra të Athinës si do ti pengojnë atëhere lidhjet e forta historike, që janë lidhje gjaku, gjuhe, e kulture të njëjtë, në mes të shqiptarëve në dy anët e kufirit, pra arvanitëve dhe shqiptarëve?! Si do ti retushojnë tabllotë e historisë?!
Gjithësesi një gjë është e qartë si drita e diellit, Megaloidheja paraqitet zymtësisht si një kauzë e humbur nëpër zgafellat e historisë. Eshte veç si një atavizëm historik e pa të ardhme, tashmë…

© K.Traboini 2012

16 October 2012

LOTET E RUDINA XHUNGES - nga Kolec Traboini



LOTET E RUDINA XHUNGES

Nga  KOLEC TRABOINI

Pasi e lakuan emrin e babait të së mjerës Aishe Vata me soj e soj epitete makabre dyshuese, për të cilën turpërohet çdo shqiptar, pasi ekspozuan vepër-tmerrin e një krimineli patalogjik 80- vjeçar në një arë me misër duke i prerë kokën një vajze që do të bëhej nënë, po ky shtyp, kur policia realizoi se vrasës ishte dikush tjetër, atëherë, shtypi pra, e ktheu ndryshe duke përdorur tone patetike sikur po i qan hallin grave e vajzave të Shqipërisë. Problemi qëndron jo se vajzat e gratë nuk janë vërtetë në hall si të jetojnë në këtë ferr që kemi sajuar, por se gjithçka që shkruhet e flitet është një hipokrizi e gjallë. Radhiten emra si në një proces gjyqësor sikur gratë e vrara të ishin vetëm numra dhe kurrfarë përgjegjësie shtetërore apo shoqërore nuk del. Në këtë rast shkruhen edhe hartime me fjalë stisura duke kërkuar fajtore në ajër e pa vënë gishtin në plagë, a thua që nuk e dimë se gruaja është viktima më e madhe e kësaj mut demokracie që na kanë afruar si peshk i qelbur në një pjatë e duhet ta hamë patjetër.
Zonja Rudina Xhunga me hartimin e saj në gazetën MAPO është pjesë e kësaj loje të pistë që luhet në shtyp dhe lotët e saj janë një sajesë e thatë gërmash e boje. Një grimasë mund të thoja. Mjafton ta shohësh kë interviston kjo gazetare e si i trajton problemet, kujt i bën elozhe e kujt i lajkatohet nga vip-rripat e politikës në këtë vend që ajo tashmë po e konsideron të mallkuar në fatin e grave e vajzave.
Kurrsesi nuk mund të themi se ky vend është i mallkuar, por një vend që gjithnjë e kanë mallkuar ata që, si të ishin Ali Pashai, vetë inspirojnë për pushtet anadollak. Mjerë femrat në këtë vend e me këta prijëtarë që na drejtojnë si të ishim një tufë me dele.
Që nga ’91-shi e këtej në këtë Shqipërinë tonë femrat shihen vetëm si mish e kurrgjë tjetër.  Plot vajza kur kërkojnë punë, pronarët e bisneseve ua thonë hapur që veç punës do të kenë edhe ca gjëra të tjera...që duhet t’i bëjnë patjetër. Ajo çfarë bëri ish ministri Pango që e kushtëzoi vendin e punës me seksin e më pas fitoi dhe gjyqin!!! ( kapitull në vete ky lloj gjykimi e kësisoj gjyqtarësh) është një praktikë në Shqipëri. Ky vend është i mbushur me Pango të vegjël, apo më tej edhe me kriminelë që duan mish të njomë dhe si rrjedhim edhe  vajza që vriten kafshërisht.
Kjo që po gëzojmë nuk është liri sa kohë që është një liri që vret. Sa për thirrjet që u bën gazetarja Rudina Xhunga deri në lutje grave të politikanëve të mëdhenj më duket qesharake si thirrje, por tragjike si realitet. Gratë e të mëdhenjve tanë (që në të vërtetë janë liliputër) janë gra pa pikë personaliteti dhe ato e kanë mendjen tek paraja, pasurimi dhe as e çajnë kokën për hallet e popullit. Më thoni kush prej tyre dha një qindarkë për të varfërit. Më thoni si reaguan ata kur Romët i trajtojnë në mënyrë raciste e në mes romëve kishte gra e fëmijë të mbetur pa bukë e pa strehë...
Ato bashkë me burrakoçat e tyre janë hija e vetvetes. Rudina Xhunga të bëjë emisione për njerëz të thjeshtë e jo për lapërdharët e politikës që e kanë krijuar këtë kaos shqiptar.
E mjera Aishe Vata nuk kërkon as lot e as qiri nga gratë e vipave të me nder politikës, por të atyre vajzave e grave shqiptare që nesër tragjikisht mund të bien në fatin e saj.