Skulpturë e Mikelangjelos në Kishën e Shën Pjetrit në Vatikan. |
KRISHTI ËSHTË DASHURI
-
reflektim -
Bisedë
me një mike që është më pranë engjëjve të qiellit se sa unë mëkatari i
dashurisë tokësore, që ndjek më së shumti atë udhë të Hyjit që quhet revolta
hyjnore e Jesu Krishtit ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj.
Nga Kolec TRABOINI
Fjala besim është shumëplanëshe. Nuk ka vetëm kuptimin e bindjes
së verbër. Nuk ka vetëm kuptimin e mosvënies në dyshim të koncepteve që kemi
trashëguar brez pas brezi, por ka edhe kuptimin e humbjes së baraspeshës të
emocionit e mendimit brenda vetes, ku ti nuk flet me priftin, por flet në një
intimitet të thellë me Atë që në çdo hall e nevojë i drejtohemi me fjalën,
"O Zot!". E kam lexuar Biblën me mendje të kthjellët. Atje veç
mësimit të besimit e përkushtimit, ka edhe katrahurën njerëzore, dënimet që
Zoti, para se të trupëzohej e shfaqej si Krisht, i jepte njerëzimit sepse ai ,
njerëzimi, kish shkuar tepër larg e në tjetër shteg e jo në atë që krijuesi kish
parathënë, ndaj më duket mbrapshti tinëzare kur për çdo marrëzi e ligësi që
bëjnë njerëzit të themi "Kështu desh Zoti." Jo ashtu nuk desh Zoti i vërtetë, por zoti i rremë, vetë njeriu, sepse Zoti i vërtetë, sipas asaj që kam
lexuar e kuptuar, ka hequr dorë prej njeriut me shkakun se mori udhë për skajore
që nga momenti i ngjizjes. Sepse Zoti e ka krijuar njeriun për ta bërë botën të
bukur brenda dhe jashtë tij! E ne që tashmë e lexojmë historinë ungjillore të
botës, e dimë se ndër dy pinjollët e parë që lindën në këtë dhè, Abeli dhe
Kaini, ndodhi një vëllavrasje. I dyti e vrau të parin pa dhembje e pa mëshirë.
Pas mëkatit të prindërve Adam dhe Evë, ndodhi krimi i parë i botës që do të për-shumohej me një vras-ti marramendëse deri në ditët e vona. Ndaj për t'a ndaluar
rrjedhën e gjakut u shfaq Krishti, fryma e Zotit e mishëruar në trajtë njeriu,
se ndoshta kështu do t'a bindej të ndërronte udhën që kish marrë drejt
greminave të shpirtit. U shfaq për t'a shpëtuar njerëzimin. Por ndodhi ajo
çfarë nuk mund të mendohej. Njeriu kish shkuar aq larg në shtigjet e errtë të
së mbrapshtës sa ishte gati të vriste vetë Krijuesin brenda trupëzimit si
Krisht. Dhe e vrau tupin, por në të vërtetë njerëzimi bëri vetëvrasjen më të
madhe në tërë historinë e ekzistencës së vet, mëkat që nuk është shlyer kurrë ,
ndaj dhe të gjithë qeniet njerëzore konsiderohen si pjesëz e botës mëkatare. E
kështu na quajnë, madje edhe ne vetë, vetëquhemi mëkatarë. Që nga momenti që u
shfaq në tokën e Izraelit, Krishti është Zot për ne katolikët, tek ai sendërtohet
gjithçka, me atë ne e perceptojmë jetën në cikle të ripërtërira në breza të pafundmë. Misioni ynë ndaj tij është para se devocioni, ripërtëritja, çfarë
nënkuptoj se popujt janë grigja e Krishtit, pasuria e vetme e tij si Zot, sepse
çdo gjë tjetër e gjithësisë që shkon në skaje të pa matshme e të pafundme,
është veç gur, zjarr e shtjella gazi e yjesh, vrima të zeza thithëse të
gjithësisë që përpijnë e shuajnë planetë. Misioni i çdo ardhësi në këtë botë
është devocioni e ripërtëritja, të cilat mishërohen në atë që quhet dashuri. Çdo
lloj dashurie së pari lind të Krishti, tek dashuria e sakrifica e tij për
njerëzit, e pastaj kjo dashuri e madhe e zemrës së tij shumohet në miliona
njerëz që përfytyrohen si një pishtar që kurrë nuk duhet shuar. Këtë pishtar e
mban gjallë dashuria. Ajo që vret është urrejtja, smira, ligësia, pasioni i
egër për karrierë, egoja për lavdi tokësore. Ajo çfarë në pamje te par; ndodh në
jetën e përditshme e marrëdhëniet njerëzore, dashuria, martesa, lindja, është
vetëm një shkak për të mbajtur ndezur pishtarin e Zotit në tokë. Ndaj gjithnjë
kam thënë e them se Krishti është dashuri. Ndjej ta dua Krishtin shumë e shumë
më tepër se ekipet e kuadruara e të veshur bukur të klerikëve, të cilët vërtetë
përkushtohen, por më së shumti këtë e bëjnë për interesa vetjake profesionale
apo sepse janë me profesionin klerik dhe është një lloj përkushtimi i
kushtëzuar. Mbetëm me mendimin se Krishti është dashuri, e kurrsesi allçi,
parafinë, statuja të rëndomta nga artistë gjysmakë nëpër hije e skuta monastiresh,
të cilat të largojnë aq shumë nga e vërteta hyjnore, trupëzojnë hyjni në
objekte materiale e fare pak e shpirtëzojnë atë tek qeniet njerëzore, mesa duket
shpesh e harrojnë se Krishti është pjesë e jetës dhe jo e vdekjes. Kalvari dhe
vdekja në kryq nuk shënon largimin e Zotit nga njeriu, braktisjen e tij, por
shënon katarsisin, mësimin nga mëkati, çfarë do të thotë se që nga shfaqja e
Krishtit e përkëtej, Zoti më shumë ka hyrë tek njeriu. Përjashto këtu shfaqjet
e rrema, kur njeriut i duket vetja si zot, vendos pushtetin e tij të egër mbi
të tjerët, kur në të vërtetë ai është një Luciferr a Kryedreq. Sa më përket mua
mund të them se, i përqasem asaj pjese të grigjës që ndjek me dëshirë e vullnet
e pa ndikimin e askujt udhën e Hyjit, në aspektin që quhet revolta hyjnore e
Jesu Krishtit ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj. Të jesh në paqe e
harmoni me veten dhe hyjninë, nënkuptoj të shfaqësh bukurinë njerëzore të
shpirtit e cilësive të larta të mirësisë e dashurisë, sepse për këtë destinë në
eterniti e ka krijuar Zoti njeriut.
Krishti është dashuri! Dashuri dhe dritë! Amen!
Krishti është dashuri! Dashuri dhe dritë! Amen!