KOL ASHTA - PROFESORI I RRUGICËS SË FËMINISË SIME
Çfarë trishtimi sjellin kujtimet! Në krye të rrugës ku
kalova fëmininë e adoleshencën time, në një shtëpizë të vogël si një jerevi,
jetonte një profesor i madh edhe me trup, edhe me emër. Kol Ashta quhej.
Konsiderohej më i madhi i plejadës së gjuhëtarëve në Shkodër. Por ai gjuhëtar e
mësues i madh nuk la trashëgimtarë e pastaj gjërat derivojnë përkah harrimi.
Kush flet sot për Kol Ashtën? Askush. Nuk e di, por në krye të rrugës nuk e
pashë ndonjë pllakë përkujtimore me emrin e tij. A ndonjë emër rruge gjëkund
në Shkodër. Ndoshta ka... Por mu bë se dëgjova zërin e Profesorit Kol Ashta
që më 5 dhjetor 1942 kishte thanë për faqet e gazetës “Balli i Rinisë”:
“Mos e përbuz poezín, pse ajo
kundron zêmrat djaloshare ku levizë gjak fisnik, nji hov ilir i rí, i vërtyteve
shqiptare të pasterta, të drejta, fatosore, qi përfaqsojnë cilsít rracore të
njeriut shqiptar. Ajo këndon pafajsín, qi bjen pranverën ndër zêmra.”
Ja pra që
poezinë e paskam pasur në rrugicen time shumë kohë para se të lindja. E kisha
parë sa e sa herë profesorin me gjithë zonjën e tij mësuesen Neta dhe nuk e dija
në fëmini se fjalët e tij të arta do të bëheshin pasion i jetës sime.
Kolec P. Traboini
7 tetor 2016
Kolec P. Traboini
7 tetor 2016
__________________________________________
URDHNIMET E POEZÍS
KOLË ASHTA
Mos harró se poezija të
nalton me kundrue heroizmin e jetës. Shqiptari bashklindet me ket heroizem. Ai
jeton me krye në rrezik tue luftue e tue vuejtë. Jetën e kupton porsi nji
perpjekje të vijueshme. Kush nuk perpiqet, kush nuk punon do te deshtojë, pse
jeta e patrazime, e qetë, e pamendime, e papunë të plakë menden, të kalbë
zêmren, të mbytë ndjenjat.
Mbaje në mend se poezija
i flet ndjenjave breshnorake, shllimeve të nalta, shpirtenve djalosharë. Ajo
ngjallë ngazullimin kundra jetës mkatnore, hovin krijues kundra lakmimit
landuer. Poezija çpallë vlerën e naltë të shpirtit, qi përbuzë sendet e
landshme, fuqizimin e virtyteve të pambarueme, qi dermojnë lakmimet landore.
Poezija ngjallë naltimin e virtyteve kundra jetës së shkatrrueme e mkatnore.
Kujtó se poezija përpiqet për ringjalljen e zêmrës shqiptare, e vetdijes
kombtare, e ndjenjes atdhetare. Dueje ringjalljen e ndergjegjes, qi i don të
mirët, qi i beson ati qi e don, qi e ndihmon ate qi e mëson, qi lufton për
doket ilire.
Veshtró mirë se poezija
nuk këndon paren, se ajo të djegë dorën, të vërbon syt, të prishë menden, të
helmon jetën. Naltoje shpirtin, se parja nuk merret në vorr. Shpirti jeton mbas
vdekjes e parja shuehet. Njeriu i dhanun mbas ktí mkati nuk shef heroizmin e
jetës e prá do të ndalet. Kush ndalet ka me u dukë porsi hije ndër të tjerë,
porsi nji kufom e gjallë me sy të gropuem, porsi gjethi i pêmës i sjellun prej
ere.
Mos e përbuz poezín, pse
ajo kundron zêmrat djaloshare ku levizë gjak fisnik, nji hov ilir i rí, i
vërtyteve shqiptare të pasterta, të drejta, fatosore, qi përfaqsojnë cilsít
rracore të njeriut shqiptar. Ajo këndon pafajsín, qi bjen pranverën ndër zêmra.
Ta dijsh se poezija
rikrijon zêmrat, zhdukë dyshimin frigacak, mbytë gënjeshtrat munduese. Poezija
i çpallë luftë zêmërkqive, shfrytzuesave mendengushtë, shpirtligjve.
Ta dijsh se urdhnimet e
poezís të freskojnë thellsít e shpirtit me ujin dikues, ulin pezmin, njomsojnë
ndiesít. Por ta dijsh se të këqijt, qi flasin mbrapshtë, njerzit qi s’kan
besim, qi s’dijnë çka âsht shpirti, nuk e kuptojn poezín; por ta dijsh edhe se
ajo i flet zemrave të nalta, shpirtenve djalosharë, ndjenjave fisnike, të denja,
të pasterta, të këthillta. Mbaje në mend se poezija ngjallë hovin e virtyteve
dhe dermon veset kapërthyese, epshet vdeksore, mkatet verbuese.
BALLI
I RINISË,
Tiranë, e shtunde, 5 dhetuer 1942, f. 3.