Një libër i ri me histori dhe tradita nga Kolec Traboini
Libri “Libohovitët e Amerikës”
është një botim i veçantë që sjell para lexuesit histori dhe fate njerëzore,
por edhe kujtesën e tyre mbi traditat e qytetit të Libohovës. Autori Kolec Traboini,
i cili ka përvojë në gazetari, krahas poezisë dhe prozës është dhe autor i tetë
librave me ese dhe publicistikë. Për të realizuar librin për libohovitët e
Amerikës ka shfrytëzuar rrëfimet e veteranit të Luftës së II Botërore nëntëdhjetë
e pesë vjeçarit Vasil Malita, i cili jeton në Boston. Libri është në gjuhën
shqipe, por për shkak se shumë prej historive dhe personazheve për të cilët
flitet jetojnë në Amerikë është botuar pjesërisht edhe në anglisht.
Libri hapet me një citim
të ish Presidentit amerikan Bill Clinton drejtuar një libohoviti në Filadelfia
kur ky festonte 100-vjetorin e lindjes. Le të sjellim një fragment nga ky urim
i presidentit amerikan për Harry (Lame) Malitën:
“Gjatë 100 vjetëve të
shkuara ju ishit pjesmarrës i një kohe nga më të ndritshmet që ndonjëherë ka
njohur bota.”
Po kush ishte Lame
Malita? Ai ishte këpucëtari i qytetit të Libohovës, i cili duke qenë me 5 fëmijë
të vegjël e në varfëri të plotë në Shqipërinë e pasluftës, nuk gjente rrugë tjetër,
por veç të arratisej në vitin 1945. Historia e tij dhe e tërë fisit Malita
trajtohet në kapituj të veçantë të librit.
Kapitujt e parë kanë të bëjnë
me traditat e Libohovës, të gërshetuara këto me ngjarje e bëma historike që
fillojnë nga festat popullore tek Kisha e Stojanit, jeta në mëhallat Kalista e Çuprel,
fejesat e martesat, rituali i dasmës, lindjet e vdekjet, këngët e vajet, jeta
dhe bota e fëmijëve me lodrat e tyre karakteristike, dashuria për profesionin e
të tjera. Në vazhdim vjen kapitulli me temën e mërgimit të libohovitëve. Në
Amerikë, ndër figurat më të para të njohura si veprimtar i “Vatrës” ka qenë
Hamit Ruçi, i cili shkoi në Amerikë që në moshën 16-vjeçare. Është autor i një
libri me poezi “Ngjarjet e tmerruara”, në të cilin demaskonte me vargje
popullore krimet e andartëve grekë në jugun e Shqipërisë. Gjithashtu nga Libohova
ka qenë Nexhmie Zaimi, gazetarja e parë shqiptare
e “New York Times” dhe “Zërit të Amerikës”. Edhe ajo autore e një libri “Daughter
of the Eagle” autobiografia në anglisht i
një vajze shqiptare, libër që bëri jehonë dhe e bëri të njohur atë dhe Shqipërinë
në rrethet intelektuale amerikane. Janë edhe plot mërgimtarë të tjerë nga
Libohova, por mbi të gjithë spikatin pjesëtarët e fisit Malita me shpërndarje
nga Worcester MA, në Boston, Cape Cod dhe në Filadelfia.
Për Fisin Malita në këtë
libër ka plot histori e fate njerëzore që prekin kufijtë e një shekulli dhe
shtrirje gjeografike nga Shqipëria në Greqi, Rumani dhe Amerikë. Ata kanë qenë
edhe biznesmenë të suksesshëm, të njohur për zinxhirin e picerive me emërtimin “New
England Pizza”, që nga Worcester në Cape Cod dhe në Northeast të Filadelfias.
Duke kërkuar në jetën dhe
historinë e këtij fisi të madh nga Kalistaja e Libohovës, gjen ngjarje tepër
interesante, por herë-herë edhe tragjike. Në faqet e librit përshkruhet fati i çuditshëm
i vajzës më të bukur të Libohovës, 18-vjeçares Therjani, ka përshkrime e
histori që të lenë mbresë, si ai i dy vëllezërve që morën rrugën për në Thesali
aty nga viti 1900 dhe kurrë më nuk u kthyen në Libohovë. Apo ai tre vëllezërve
me fund tragjik Jani, Kolo dhe Vangjel
Malita e plot fate të tjera njerëzore.
Ky libër paraqitet
interesant jo vetëm për ata që janë në mërgim e jetojnë në Amerikë apo ata që kanë
lidhje me mërgimtarët, por edhe për çdo libohovit që kërkon të njihet me pjesë
të ndryshme të historisë së këtij qyteti aq i njohur për traditat dhe bujarinë
e tij. Kur themi bujarinë kemi parasysh edhe një kujtim tipizues i autorit të
librit për shoferin e linjave të largëta të autobusëve, Firdusi Bukali, një
njeri kujtimi i të cilit ruhet nga të gjithë libohovitët brenda dhe jashtë
Shqipërisë.
Pas kapitullit në anglisht
“Malita Tribe”, vjen albumi fotografik me aspekte historike apo të jetës së
sotme të libohovitëve të Amerikës, i cili e mbyll librin me afro 50 fotografi. Libri
“Libohovitët e Amerikës” botohet në serialin Pantheon Books histori &
tradita e sillet për lexuesit nga “Emal”, botime shqip 2016.
Këpucëtari i Libohovës Lame Malita që u arratis bashkë me gruan dhe 5 fëmijët e vegjël më 1945. |
Fragment nga libri “Libohovitët e
Amerikës”:
I pari nga fisi Malita i Libohovës që
ka udhëtuar për në Amerikë ka qënë Filip Foto Malita (1887-1978), që ishte
mërgimtar në Stamboll e ku kishte dëgjuar se drejt Amerikës kishin nisur të
shkonin shumë shqiptarë. Në fillim të shekullit që shkoi, Amerika u bë udha e shpresës
për të varfrit.
Filipi u vendos në shtetin Mein në
qytetin Gorevill, në veri të New England. Fillimisht punoi në një fabrikë
sfungjeri. Dy vite më pas erdhi dhe vëllai i vet Koço Malita, por siç kemi
thënë më lart, mërgimi nuk i vajti mbarë e pas humbjes së parave në një bankë
të falimentuar, u kthye në Atdhe. Filipi zbriti më poshtë në qytetin
Worcester(Uster) të Massachusetts dhe nisi të punojë si tregtar ambulant nëpër
rrugët e këtij qyteti, punë të cilën e ka bërë gjithë jetën e tij.
Pas Luftës së Parë Botërore, Filip
Malita u kthye në Atdhe ku u martua me Verjeninë nga Grapshi i Dropullit dhe
lindi djemtë Petro dhe Thoma Malita. Të dy djemtë fëmijërinë e kaluan në
Libohovë ku edhe morën mësimet e para në shkollën shqipe të këtij qyteti e ku
kishin mësues Riza Kumbaron, Eqerem Çanon dhe Malo Çobanin. Kur babai i tyre,
Filipi e tërhoqi familjen në Amerikë në vitin 1934, të dy djemtë e kishim
mësuar shqipe kështu që edhe sot e kësaj dite flasin në gjuhën amtare.
Petro Malita, djali i madh i Filipit,
që i ri u punësua në piceritë e Usterit dhe kur e mësoi zanatin në restorantin
e Niko Karagunit, hapi bisnesin e tij në këtë qytet. Petrua i njohur si picier
në Çaltham të Cape Cod ku edhe pse në moshë të thyer 85-vjeçare vazhdon të ndihmojë
në piceri djalin e vet Filipin dhe vajzën Sofia. Ndërkohë, vëllai i tij, Thoma
Malita, si mbaroi shkollën e mesme u punësua në një fabrikë për montimin e
automobilave dhe tashmë është në pension. Ka dy vajza dhe bashkë me gruan jeton
në Uster.
* *
*
Harallamb Malita, i
thirrur nga të afërmit Lame, ndërsa nga amerikanët Harry, u lind në Libohovë të
Gjirokastrës në shekullin e nëntëmbëdhjetë, më 15 janar 1896, përshkon tërë
shekullin e njëzetë dhe jeton edhe në fillimin e shekullit njëzet e një. Ishte
një njeri që megjithë fatin e rëndë që e ndoqi që në moshën dy vjeçare, kur nga
sëmundja e polimelitit iu deformua kocka e këmbës dhe e kaloi fëmijërinë me
shkopin e drunjtë, kurrë nuk e humbi shpresën dhe besimin në jetë. Ishte një
njeri që diti ta mposhtë fatin tragjik e t’i gëzohej jetës. Nuk kishte shkolla
shqipe në kohë të Turqisë dhe Lame Malita mbeti pa mësuar shkrim e këndim. E
kur pas vitesh të Pavarësisë u hap shkolla shqipe në Libohovë, ai edhe pse i
dëmtuar fizikisht dhe në moshë të madhe 24 vjeçare, kërkoi me ngulm të ulej në
bankat e shkollës dhe të mësonte gjuhën shqipe.
E tërë Libohova e
përshëndeti këtë gjest të të riut Lame Malita. Libohova e bukur, qyteti i traditave
atdhetare, i njerëzve të ditur si Myfit Libohova apo i trimave si Avni Rustemi,
ushqente tek bijtë e vet dashurinë për arsimin, kulturën e dijen.
Lame Malita edhe pse
fatkeqësia e goditi rëndë, nuk ndenji në një qoshe të vajtonte fatin e keq, por
u fut në vorbullën e jetës së qytetit të vet. Mësoi një zanat dhe më pas hapi
një dyqan të vogël në sheshin e pazarit. E libohovitët nisën ta thërrasin Lame
këpucari sipas zanatit që kish. Në moshë të pjekur u martua me një vajzë
minoritare dhe të dy krijuan një familje ku erdhën në jetë shumë fëmijë, pesë
djem dhe një vajzë. Vitet e luftës e rënduan shumë gjëndjen në Libohovë, lufta
vëllavrasëse mes partizanëve dhe ballistëve solli mbi 120 viktima në këtë
qytet. Por edhe ekonomia mori të tatëpjetën. Varfëria po e shkatërronte jetën e
familjeve libohovite. Ardhja në pushtet e komunistëve e shtoi frikën dhe
panikun e një pjesë të madhe të popullsisë që kishin ide nacionaliste.
Në tetor 1945, duke mos
patur kurrfarë mundësie për të përballuar jetën me gjashtë fëmijë të vegjël
nëpër këmbë, Lamë Malita vendos të largohet nga Shqipëria. Një herë rastisi t’i
vinte në dyqanin e tij të riparimit të këpucëve një fshatar nga Radati në kufi
me Greqinë. Duke biseduar për varfërinë e hallet e jetës, larg e larg ia hodhi
llafin radatasit. - A mundej ai ta përcillte me fëmijët e gruan matanë kufirit?
Radatasi i erdhi keq dhe i premtoi, i la edhe ditën takimit në Radat. Kështu
një ditë, bashkë me gruan dhe fëmijët e vegjël, megjithëse vetë ishte invalid,
kaloi fshat më fshat deri në Radat e pastaj matanë kufirit në Greqi. Kaloi në
Voshtinë e Delvinaq dhe që andej sipër një kamioni drush arriti në Janinë. Në
Greqi jeta nuk i kaloi pa peripeci. Që në fillim, rreshteri i postës kufitare
greke afër fshatit Argjirohor deshi ta përcillte mbrapsht për në Kakavijë, por
fatmirësisht Lame Malita u gjend i njohur nga kryeplaku i fshatit, për faktin
se vëllai i Lames, Koço Malita, ishte martuar me një bijë të këtij fshati,
Janulla Mitro Gjikën, e cila jetonte në Libohovë. Në atë fshat ai takoi dhe
motrën e Janullës, Panajota Gjika, që e strehoi në shtëpinë e vet. I ndodhur me
fat nga kjo lidhje familjare, Lame Malita u ndihmua nga Gjikajt e Argjirohorit,
për t’u vendosur në qytetin e Janinës.
Në ish kryeqendrën e Ali
Pashait, fëmijët e Lame Malitës, krahas shkollimit, nisën të merren me tregtinë
e vogël të rrugës, duke shitur portokalle, për të ndihmuar familjen. Ky ishte
një fillim i vështirë, një luftë me varfërinë që zgjati 11 vjet, në Janinë, por
shkuarja në Amerikë, tek i vëllai Filip Malita, në Worchester të Massachusetts,
do t’u jepte krahë e do t’u hapte udhët e jetës bijve të varfër të Libohovës.
Vite më vonë, në pleqëri, duke rikujtuar ikjen e tij nga Shqipëria, në anën e
pasme të një fotografie që i dërgonte motrës së vet, Zoica, shkruante këto
fjalë në vargje:
Unë jam Lame plaku,
U bëra për t’u kumbisur
tek oxhaku,
Kam një këmbë alumini, të
rremë,
Po, nuk jam i zoti të
hipi në mane e në pemë.
Më bëri nevoja që ika nga
Shqipëria,
Duke parë fëmijët të më
vdisnin nga uria.
Në pleqërinë e tij të
gjatë, Lame Malitës i vdiq e shoqja dhe ai bashkjetonte me Dhimitrin(Jimi), i
cili krahas të gjithë fëmijëve të tjerë, në mënyrë të veçantë ka treguar një
përkujdesje të jashtzakonshme për babain e vet. Vitet e fundit këmba e sëmurë
që në fëmijëri po i nxirrte probleme dhe në moshën 90 e ca vjeçare u detyrua
t’i nënshtrohej një operacioni duke e prerë.
Në 100 vjetorin e
ditëlindjes, në janar 1996, fëmijët e Lame Malitës i bënë një festim madhështor
në një nga hotelet më luksoze të Filadelfias. Në atë mbrëmje iu dorëzua letra e
urimit e presidentit Bill Clinton, që e kishte përshëndetur në njëqindvjetor
me këto fjalë sinjifikative: “Gjatë 100 vjetëve të shkuara, ju ishit
pjesmarrës i një kohe më fascinuese që ndonjëherë ka njohur bota”, si dhe u
përshëndet gjithashtu nga Kongresisti nga Pensilvania D.Fox.
Viti 2000 bashkë me
gëzimin e hyrjes në shekullin e ri, i solli edhe probleme të reja
shëndetësore. Bëri një operacion në zemër duke i vendosur një valvul, gjë e
rrallë për moshat 100 vjeçare. Operacionin e përballoi me sukses dhe mjekët i
dhanë garanci edhe për 10 vjet jetë. Mirëpo viti 2002, pasi mbushi 106 vjet dhe
hyri për të 107-tën, i erdhi një goditje fatale kësaj rradhe në mushkëri nga
një sëmundje e pashërueshme e cila megjithë kujdesin e jashtzakonshëm të
mjekëve të shquar të Filadelfias, brenda pak ditësh e shuajti jetën e gjatë të
shqiptaro-amerikanit më të moshuar, Harallamb (Lame-Harry) Malita, apo xhaxha
Lames, siç ai kishte dëshirë ta thërrisnin dhjetra e dhjetra nipër e mbesa që
nga Filadelfia, në Cape Cod e Boston.
Në faqet e gazetës
shqiptare-amerikane “Illyria” nr. 485, 1996, bashkë me fotografinë e Lame
Malitës botoheshin dhe fjalët e tij:
“Më vjen keq që nuk jam
në gjendje të ngrihem e të marr rrugën për në Shqipëri, për në Libohovën time,
të rri nën hijen e rrepeve, të pi atë ujë të kulluar që më duket se më dha aq
jetë sa rrojta.”
* * *
Pas disa vjet qëndrimi në veri, kur
Figalia Malita, u martua në Filadelfia, Lame Malita me familje vendosën të
shpërngulen edhe ata duke u vendosur përfundimisht në rajonin Northist të
qytetit të Philadelfia, ku hapën edhe picerinë e tyre me emrin “New England”.
Këtu Lame Malita dhe djemtë e tij punëtorë të palodhur, u futën në një biznes
të vërtetë, i cili do t’u sillte fitime dhe do t’u jepte emër si bisnesmenë të
suksesshëm. I biri i tij Dhimitri(Jimi) Malita vlerësohet si një nga
biznesmenët më të shquar në këtë qytet. Edhe Foti Malita ka disa piceri, por
merret edhe me biznese ndërtimesh dhe për arritjet e tij ka shkruar dhe gazeta
shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York.
Me këtë mjeshtri u morën për vite
Andoni dhe Lefteri. Ndërsa Teofilo Malita kur doli në pension, i pëlqente ideja
e investimeve në Shqipëri, madje bëri disa vizita në atdhe, mirëpo paqëndrushmëria
politike dhe situata pa rend e siguri të plotë në atë kohë e stepi nisiativën
e tij. Edhe Foti me gruan e tij, Aleksandra, erdhën në Libohovë dhe u çmallën
me qytetin e tij të lindjes.
Në moshë të re, pas
Luftës së Parë Botërore, Anastas Malita(1901-1976)kish emigruar në Stamboll dhe
më pas në 1923 emigroi në Amerikë dhe u vendos në Uster me ndihmën e
kushëririt të vet Filip Malita. Për vite punoi në një fabrikë tekstile dhe mori
nënshtetësinë amerikane në vitin 1928. U kthye përgjithmonë në Shqipëri në
vitin 1950 për të jetuar në familjen e tij. Në vitin 1952-1955 e internuan
individualisht në Levan të Fierit ngaqë dyshonin se meqë kishte statusin si
shtetas amerikan do të ikte sërish në Amerikë. Pas internimit u kthye në
Libohovë pranë familjes, gruas dhe djalit, ku jetoi deri sa vdiq. I biri, Jorgo
Malita, punonte marangoz në Libohovë, zanat që e ushtron edhe në Filadelfia,
ku jeton bashkë me gruan Sofia dhe dy djemtë, Spiro dhe Anastas Malita.
Veterani 95 vjeçar Vasil Malita në Boston, gjatë një prej rrëfimeve të tij për Libohovën. |