30 July 2016

“Odeon për gjëra që ngjasin”-vëllim poetik nga Kolec Traboini


ODEON - PËR GJËRA QË NGJASIN
vëllim i ri poetik i Kolec Traboinit

Pas librave me poezi “E kam Atdheun tek Porta”, “Fajin e ka Hekuba” dhe “Orakujt zbresin në ferr”, botuar në tre vitet e fundit, Kolec Traboini vjen në 2016 me vëllimin poetik “Odeon për gjëra që ngjasin”. Ndryshe prej vëllimeve të mëparshme, në botimin e ri autori krahas meditimeve të tij kryesisht në lëvizje këndej e andej Atlantikut - nga Tirana në Washington dhe anasjelltas -  ai sjell edhe një përzgjedhje nga autorët më të njohur amerikanë, të cilët i ka shqipëruar gjatë qëndrimit në Amerikë. Pra kemi në këtë libër bashkimin e krijimtarisë personale me sprovëzën e shqipërimit të disa poetëve amerikanë duke prurë në shqip, jo pak por njëzet autorë.
Në krijimet e Traboinit kemi një optikë në lëvizje që fokuson një mori gjërash që ngjasin përreth autorit, një ndjekje hap pas hapi të udhës së tij, rrëfime emocionale nëpër linja, aeroporte, apo ajo çfarë përjeton, fjala vjen, gjatë kalimit nga Tirana për në Vjenë. Pa harruar edhe udhëtimin me taksi nga aeroporti Dulles në Virgjinia drejt kryeqytetit amerikan Washington DC. Kemi një shpalosje emocionale të mbresave që i sjell kalimi në rrugëdaljen për Baltimore, siç e titullon poezinë e tij autori, qytet në breg të oqeanit ku mbylli jetën tragjikisht Edgar Allan Poe. Këtij poeti të madh i kushton një poezi, ndërkohë sjell të shqipëruar edhe dy poezi të Edgar Allan Poes “Vetmi” dhe “El Dorado”.
Objeksioni poetik i Traboinit përmbledhur në “Odeonin” e tij është kthjelltësisht deri në detajet më të imta i fokusuar në marrëdhëniet njerëzore: “Kur të marrësh udhën për të dalë”, “Ajo nuk më puthi kur ika” apo “Përsiatje për Vjenën”, “Bangladesh”, “Kapela ime në Washington”,  “Kush dreqin ishte ky Charles Bukowski”, “Unë tani rri me Tomin” etj.
Tek poezia  “Kur të marrësh rrugën për të dalë” ka një mbyllje mjaft të ndjerë bashkë me kuptimin filozofik të largimit nga vendlindja, e kjo ndodh në kohën tonë ku jeta e çdo shqiptari në një farë mënyre është kthyer në një Itakë:

“Në çdo ikje është mirë të dish
se pjesë e ikjes janë edhe mosardhjet
mirë është ta dish para se të ikësh...”.

 Kësisoj në ndarjen nga Atdheu kemi shprehjen e një emocioni sublim që është parë me gjetje të bukura edhe në vëllimet e mëparshme. Ato i përkasin jetës prej mërgimtari në dy dekada të jetës së vet, gjatë të cilës, ka qenë i detyruar shpesh herë të lëvizte tej e përtej hapësirave oqeanike. Kjo hapësirë kaq jetike në jetën e autorit ndjehet në këtë vëllim më shumë se në asnjë libër tjetër. E kësaj natyre është dhe poezia “Zëri i detit” ku të bëhet se të ndjek hap pas hapi shushurima e valëve me mallin e përvëluar për brigjet e kaltra që lë pas.
Në vëllim spikatin poezi si “E bukur kjo ditë si grua”, që përshkruan 21 marsin, që është dita botërore e poezisë e autori këtë kremtim poetik e gjen të mishëruar në harlisjen e lule kumbullave të kuqe në një nga rrugët më të bukura të Tiranës. Shkak emocional ky që kjo ditë pranvere t’i shfaqet poetikisht me hiret e një gruaje të bukur.

Eh, sot qenka një ditë e bukur
por edhe e trishtë qenka kjo ditë e trishtë
sepse sa i prek me dorë gjërat më ikin
si petalet e borës së bardhë
në faqet e një vajze që ende s’e ka njohur
dashurinë e parë as puthjen
e aty fluturzat e borës ujësohen
avullohen e treten në qiell.

Edhe në këtë libër autori Traboini ruan lidhjet emocionale me vendin e origjinës së tij. Thua nuk ka libër pa një dedikim për Traboinin e Hotit, vendlindjen e atit ku prehen eshtrat e të parëve brez pas brezi. Kësaj herë vjen poezia “Fluturo ti shqipja e Hotit”, “Mos ma preni degën e Lisit” dhe “Një zog që këndon”.
Në vëllimin “Odeon” autori ka përfshirë dhe tri poezi të gjata në shtratin e një poeme të cilat janë krijime poetike mbështetur nga ngjarjet reale. Poezinë “Dyzetegjashtë” ja kushton një fshati martir, Belegut, të masakruar në Kosovë, ku të gjithë burrat e djemtë e fshatit u ekzekutuan nga ushtria pushtuese serbe më 29 mars të vitit 1999. Poezia është si një memorial i mermertë ku janë skalitur të gjithë emrat e viktimave duke përfshirë dhe të rinj 17 vjeçarë.

Ju mund të thoni çfarë të doni, diplomatë
të huaj - mbillni ullinjtë e paqes na thoni
e ne do t’i mbjellim ullinjtë
se luftën kurrë s’e kemi dashur
në këto troje arbërore
ku erdhën, na vranë e na dogjën.
Mund të na thoni: “Mos shihni pas!
Harroni plagët e luftës!”
por plumbat që kemi në gjoks
nuk është e lehtë t’i harrojmë.
Kemi aq dhimbje se vetë zemra
na peshon si plumb
se ata ishin 46
e tash nuk janë më askund!

Te poezia “Zero pas njëshit” gjen motiv nga vrasja e një bankieri të njohur shqiptar, akt i kryer në mes të kryeqytetit pa arritur kurrë të merret vesh e vërteta e këtij akti barbar. Këtu gjen shfaqje poezia me shqetësime qytetare, ajo që quhet reflektimi dhe protesta shoqërore, tematikë e problematikë të cilën poeti Traboini gjithherë në krijimtarinë e tij e ka trajtuar me guxim. Mjaftojmë të kujtojmë poemën e tij madhore “Orakujt kanë zbritur në ferr”, një punë këmbëngulëse që ka në vëmendje gjithçka që ka ngjarë në jetën e popullit në një periudhë mbi rreth 20-vjeçare.
Poema “11 minuta” kushtuar studentes Klea, që e thyer prej dashurisë kreu vetëvrasje, është mjaft emocionuese. Poema e ndjek veprimin minutë pas minute të ngjitjes në katin e 11-të ku shkoi të fluturonte si mjellmë në qiellin e dhjetorit me re e shi. Fjalët e kursyera janë si gurët e një mozaiku, i cili ka një përmbajtje tragjike e të dhimbshme, pikërisht atë ditë që bota festonte e lindjen e Krishtit.

Donte veç një ditë për të ardhur Krishtlindja
mrekullia që pritej të ndodhte
një qiri shprese ndezur nga pleqtë
një pemëz, ca dritëza si yje
blegërima e një qengji, zëri i vogëlushit
që ende flinte brenda njeriut.
Të gjitha këto ishin në ardhje
duhej veç një ditë, 1440 minuta
por asaj veç një minutë i kish mbetur
sa për t’u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
atje ku frynte erë
atje ku me siguri ca engjëj e prisnin
me flatrat e tyre si diell.

Autorët që sillen të shqipëruar në këtë vëllim janë poetet amerikanë që nga Charles Bukowski me gjashtë poezi, Edgar Allan Poe me dy poezi, Emili Dickinson me tre poezi, Robert Frost me pesë poezi, Ezra Pound me katër poezi, James Wright katër poezi,  si dhe Williams Carlos Williams, Hilda Doolittle, Edna St. Vincent Millay, Elizabeth Bishkop, Gwendeline Brooks, Philip Larkin, Derek Walcott, Sylvia Plath, Ted Kooser, Marilyn Nelson, Vijay Seshadri, Henry Cole, Martin Espada dhe anglezi Robert Graves. Libri mbyllet me intervistën e autorit dhënë për shtypin shqiptar: “Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën”.

Gazeta "Bota sot" 1 gusht  2016



KOLEC TRABOINI
GJËRA QË NGJASIN…

Gjërat ngjasin
e ne më kot përpiqemi të ikim prej tyre
nuk duam t’i kujtojmë
se herë-herë na sjellin shije të keqe
na sjellin parasysh dobësitë tona
dhe gabimet që i bëmë gjithashtu.
Asgjë prej tyre nuk ishte mosdashje
por tundim i ëmbël i valëve të nxehta
mikluese për botën tonë të vogël.
Lamë veten në kurth të dëshirave
e ikëm prej gjërave që na kanë ndodhur
si djalli nga temjani, jo, sigurisht
por sa më pranë tyre
aq më përcëllues është kujtimi
sepse ne vetë e lamë zjarrin të na digjte…
Sa më larg - sa më larg
oh, sa poshtë kishim rënë atë mëngjes
apo atë mbrëmje - jemi ndryshuar sakaq
jemi në kohë të ndërmjetme
në mes të asaj që ka ngjarë
e të asaj që kurrë më nuk duam të ngjasë.
Megjithatë kjo ikje mbetet imagjinare
një luhatje në lavjerës të dëshirës
diku larg në horizont- si perëndim dielli
qoftë edhe në fund të një dite
a të një jete. Asesi
nuk mundemi gjërat që ngjasin
t’i bëjmë të pangjara
dëshira të çon larg, por ngec diku.
Në këtë përpjekje për të ikur prej tyre
nis e kupton se ne jemi
me gjithë çfarë e rrethon qënien tonë
asgjë më shumë
se një tufë gjërash që ngjasin….

18 Dhjetor 2015


KUR TË MARRËSH RRUGËN
PËR TË DALË

Kur të marrësh rrugën për të dalë
te pragu i portës diku larg Atdheut
rri një çast e mendo fëmijërinë tënde
lotët e nënës, argasjen e babait
mendo sado pak se çfarë ke humbur
të gjitha këto janë pjesë e jetës tënde.
Hidh një vështrim mbi malet e tua
kur avioni nis qiellin të marrë
ndoshta është errësirë e nuk duken
por hijet e maleve aty janë
malet mbuluar prej halleve të borës
të rrudhura prej mardhjes.
Përshëndeti me sy, me mend e me zemër
dhe mos harro se Iliria të lindi
në çdo ikje është mirë të dish
se pjesë e ikjes janë dhe mosardhjet
mirë është ta dish para se të ikësh...

Aeroporti Nënë Tereza, Tiranë
  Ora 4:30 e mëngjesit, 18 janar 2016


BALTIMORE

Diku këtu në autostradën 67
është exit-dalja për Baltimore
dhe gjëja e parë që më shkoi ndërmend
ishte Egdar Allan Poe.
Atje oqeani prek brigjet
çafkat gjithnjë në erë
në baltë e hodhën pijanecët
pasi e rrahën poetin si qen.
Tek kaloi përskaj kësaj rruge
me emrin Baltimore
më tingëllon aq shqip kjo fjalë
mrekullitë e shpirtit tënd i le
e vetëm baltë ti more - Baltimore.
Edhe unë këtë ditë janari
ngjashëm me atë ditë
e ndjej veten i rrahur si qen
dhe mendoj se kur rrihen poetët
koha, historia dhe balta ngrijnë...

Arlington, 20 janar 2016


NJËMBËDHJETË MINUTA


Klea, studentja 20 vjeçare me shpirt
të brishtë e thellësisht të ndjeshëm,
nuk e përballoi dot humbjen e dashurisë
dhe kreu vetvrasje në Tiranë
më 24 dhjetor 2015.

Njëzetvjeçare, e bukur, e brishtë
si tulipanët e parë të pranverës
Klea vendosi t’i ngjisë shkallët një e nga një.
Nuk e mori ashensorin kësaj here
nuk e dëshironte praninë e njerëzve
në njëmbëdhjetë minutat e fundit në jetë
të udhëtimit të saj për në qiell.

Në katin e parë të ngjitjes
e përshëndetën dy njerëz
një grua e një burrë, të lumtur
dukja është gjithçka kur nuk njihesh
si lulja kjo vajzë e bukur
e shoqëruan me një shikim përkëdhelës.

Klea u ngjit në katin e dytë
minutën e dytë
një gjyshe që fshinte pragun i tha:
“Moj bijë, më qofsh e lumtur!”

Pastaj në katin e tretë e minutën e tretë
një djalosh me sy e përpiu
sikur i thoshte mos shko më lart
lëri engjëjt në qiell
bëhu dashnore në tokë e njeriut
kam një dhomë e një krevat këtu
në këtë dimër të ftohtë
a po kthehesh të bëjmë dashuri.
Po minuta e tretë kishte ikur
ajo s’mund të ndalonte
duhej ngjitur në katin e katërt
ku një vogëlushe e priste.

Klea mendoi për një çast se ishte vetja
që i thoshte: “Si më harrove
mos ik, më lart mos u ngjit
eja të luash me kukullën time!”
Po Klea ishte rritur e fëminia e saj
qe larg, njëzet vjet larg
asgjë s’mund ta kthente
se jeta e njeriut nuk ishte një film
që mund ta shohësh pafundësisht.

Në katin e pestë dy vajza prostituta
e ndollën, i thanë të bëhemi shoqe
ikim në Europë nëpër semaforë.
Klea s’u ndal, por ngjiti shkallët
babain e nënën iu duk sikur pa.
“Eja Klea, pse po vonohesh?”

U ngjit dhe më lart
në katin e shtatë në minutën e shtatë
aty qielli mund të shihej
por e ndalonte pallati përballë
ndoshta në katin e tetë do të shihte
ca re puplore ëndrrash që iknin
për t’u tretur e kthyer në pika shiu.

“Më lart, më lart,- i tha vetes -
atje ku mund ta prek qiellin.”
U gjend në katin e nëntë
minutat iknin
aty nuk pipëtinte frymë njeriu
ajri sikur qe ngrirë.

Ecte mes e përmes akujsh
u gjend në katin e dhjetë
nisi të shfaqej qyteti në mjegull
e njerëzit në ikje si miza lëvrinin
në panikun e ditëve të dimrit.

Donte veç një ditë për të ardhur Krishtlindja
mrekullia që pritej të ndodhte
një qiri shprese ndezur nga pleqtë
një pemëz, ca dritëza si yje
blegërima e një qengji, zëri i vogëlushit
që ende flinte brenda njeriut.

Të gjitha këto ishin në ardhje
duhej veç një ditë, 1440 minuta
por asaj veç një minutë i kish mbetur
sa për t’u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
atje ku frynte erë
atje ku me siguri ca engjëj e prisnin
me flatrat e tyre si diell.

Gjeti aty veç një zog të mardhur
që trembur rrahu krahët në qiell
sikur t’i thoshte eja dhe ti
ta shohësh botën nga lart, botën gri.
Duhej fare pak mundim
veç pak, të hidhej
engjëjt nuk do ta linin të binte.

Klea hapi krahët, i dha vetes lart
ajri si xham akulli u thye
zemra përpëlitej në erë
ku po shkoj tani, ku ndodhem
pse engjëjt s’po vijnë
ndoshta erdhën e morën shpirtin tim
e trupin e lanë të përplasej
në trotuar, pa frymë, mes njerëzve.

Ndërsa sirenat e urgjencës
e mbushnin qytetin me pikëllim
u deshën njëmbëdhjetë minuta
për t‘u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
pa llogaritur kohën e rënies
e kohën kur njeriu jep shpirt.

© Nga vëllimi poetik “Odeon për gjëra që ngjasin”
   nga Kolec Traboini. Botim i vitit 2016.