PËR ATA QË LYPIN NË RRUGË
Nga KOLEC TRABOINI
Për sistemet autokratike dhe diktatoriale lypësit e
nevojtaret janë armiq dhe arrestohen si keqbërës. Me 30 gusht 2017 policia e
Tiranës njoftoi se ka arrestuar një njëzet e një vjeçar, i cili po lypte me
gruan e fëmijën e vogël. Kjo polici luftëtare heroike por e mposhtur prej
kanabisit që e ka mbuluar Shqipërinë, nuk thotë asgjë se cila ka qenë gjendja
shoqërore e kësaj familje të re me një fëmijë. Sa të ardhura kishin, a punonin,
a kishin asistencë sociale. Për këto policia nuk interesohet. Por as nuk
shpjegohet motivi i arrestimit. Në cilin vend të botës, veç sistemeve
autokratike e diktatoriale lypësit arrestohen si keqbërës. Lypësit nuk bëjnë
asgjë të keqe. Kemi parë lypës të veçuar në shumë shtete, madje edhe në
Washington DC, saktësisht në Georgetown, të shtrirë në një rrobë të vjetër,
pranë një kutie e një letre ku shkruhej “Help me please!”. Por askush nuk
shqetësohej veç faktit se ai ishte i varfër dhe hidhnin ndonjë 25 centësh
metalikë, por edhe ndonjë dollarë letër. Policët as nuk i preknin, as nuk
i ngacmonin e as i thoshin shko me tutje. Për arrestim as që bëhet fjalë. Këtu
në Shqipëri mesa duket janë në një stad tjetër të zhvillimit social. Aq shumë i
ndihmokërka shteti të varfrit e vet, sa ata u dashka të mos ankohen, të mos
kërkojnë asistence sociale, të mos emigrojnë, por as dhe të lypin. Sipas
policisë së një qeverisje të majtë, një absurditet ky i pashoq, qytetarët e
këtij vendi që nuk kanë asnjë mundësi jetese, nuk duhet të lypin por të
zgjidhin alternativen të vdesin urie. Lind pyetja, cili është shkollimi i
policisë sonë, kultura e dijet për problemet shoqërore, apo thjeshte janë
mitingashët e partive të veshur me uniformë vetëm e vetëm të marrin një rrogë e
as që e vrasin mendjen fare sepse e janë të siguruar, se janë trimoshat e
partive.
Por më bën përshtypje qëndrimi i Avokates së
Popullit Erinda Ballanca, e cila është zgjedhur në atë detyrë më 22 maj, si
rrjedhojë e marrëveshjes politike enigmatike e aspak transparente Rama - Basha,
dhe ka bërë betimin në kuvend me 17 qershor. Gjatë kësaj periudhe tre mujore
nuk është parë të prononcohet për asgjë. Ajo e ka pranuar atë funksion por a i di
detyrat e veta?! Nëse jo dikush duhet t’ia shpjegojë se ajo është aty pikërisht
për të mbrojtur ata që nuk gjejnë mbrojtje nga askush dhe është në një fare
mënyre shpresa e fundit. Ajo nuk duhet të presë ti trokasin në derë nevojtarët
e fatkeqët që e pësojnë, por të gjendet atje ku ndjehet nevoja më e madhe
sociale dhe atje ku ka drejtësi të munguar apo të vonuar. Është e
paimagjinueshme të marrësh detyrën e Avokatit të Popullit dhe e të ngulfatesh
në zyrë pa ditur çfarë bëhet përjashta me popullin tënd.
Para dhjetë vjetëve në një libër me ese kemi botuar
edhe shkrimin me titull ”Gazetaria investiguese nën setrën e një romi”. Po i
referohemi sepse shohim se problemet sociale jo vetëm që nuk gjejnë zgjidhje
nga shteti, pushteti edhe institucionet, duke përfshirë edhe Avokatin e
Popullit, por ato përkeqësohen keq e me keq. Asnjë ndryshim, të paktën në
këto dhjetë vjetët e fundit nuk kemi.
Po cili është pozicioni i medias në Shqipëri në
këto 27 vjet të kaosit, i emëruar ky me delikatese shpifëse si tranzicion,
ndërkohë që asgjë nuk ndryshon. Le ta shohim një shembull tipik në fushë të
gazetarisë i vështrimit të realitetit më dylbi së prapthi:
* *
*
Ata që shesin fëmijët e vet padyshim janë ashtu si
janë e nuk do koment. Por kurrë të mos harrojmë se ata janë një pjesë e fajit,
se pjesën më të madhe e ka shteti shqiptar që nuk funksionon, e ka varfëria e
tmerrshme prej së cilës, me këto parti e udhëheqje që kanë, gjithnjë e më tepër
shtohet...
Para se ta kenë individët turpin, duhet ta ketë
mbarë shoqëria. Turp duhet të kemi të gjithë, duhet të na skuqet faqja si
shqiptarë e të mos shfaqemi si mburravecë me ca pasthirrma euforike: "Oh,
sa mirë me qenë shqiptar…”, por të ulim kokën e të punojmë. Sepse sa më shumë
që ndër tubimet ndër vedi mburremi zë lartë, aq më në siklet jemi kur dalim
nëpër botë me pasaportën shqiptare, madje edhe pasaportë amerikane të kesh,
doganierët italianë të ndajnë veç dhe të shohin me dyshim se mos e ke
falsifikuar. E kjo veç pse je shqiptar. Po kohët e fundit edhe amerikanëve po u
shtohet ky fare dyshimi. Shtypi në kontinentin e ri jo rrallë herë po na lakon
për prapësitë.
Mikja e shqiptarëve senatorja Hillari Klinton në
një bisedë me shqiptarë në Nju Jork, u ka thënë hapur e me sinqeritet se keni
një nam shumë të keq ju shqiptarët, duhet të punoni shumë e shumë për ta hequr.
Kolegu gazetar Filip Çakulli, me gazetaren e re
"Anjeza", nuk e ka patur të vështirë për të futur në grackën e
kamerës nja dy - tre romë, trafikantë të pistë, por këta nuk janë e keqja e
vetme e Shqipërisë. E keqja është ulur këmbëkryq në mes të Tiranës, e ka emrin
miliona dollarë, që të shumtat janë të fshehura por disa edhe kanë kurajën
civile t’i deklarojnë hapur. Kjo e keqe ka emrin e zonjave e zotërinjve që u
vjen erë livandë evropiane të markave me emër, por që janë me të erë pista se
sa këmisha e ndonjë romi që nuk ka ujë të lahet e as strehë ku të fus kokën, as
ndonjë mensë të varfërisht ku të hajë një drekë, se këta të pasurit tanë që u
bënë milionerë sa të hapësh e të mbyllësh sytë (merret me mend se si, po kush
sot në Shqipëri të pyet se si i vure paratë), nuk japin këta asnjë
dhjetëshe për bamirësi.
Nuk mund t’i njohin cilësitë njerëzore, fisnikërinë
e bujarinë kaderusët shqiptare që pasurinë e kanë vënë me dhunë, gjak,
drogë, prostitucion si trafikant femrash, pse jo dhe me shitje fëmijësh,
veç pazaret nuk i kanë bërë në mes të lulishtes "Rinia", por mbase në
Rogner a Sheraton, si dhe në lokale të tjerë të shtrenjta ku mblidhen mafiozët
e monstrat politikës dekonstruktiviste.
Lepuri i poshtërsive njerëzore fle jo vetëm mbi
barin e parkut “Rinia” përballë Taivanit por edhe gjetkë nëpër sallone luksoze,
nëpër grand hotele, por kamerat e Top Channel-it nuk guxojnë t’i investigojnë,
sepse është sikur të prekësh gjarprin.
Gjithsesi bashkohem me indinjatën e
lexuesve ndaj atyre që në mënyrë çnjerëzorë trafikojnë fëmijë, po desha që
gazetaria investuese, kuadrin e krimeve në shoqërinë shqiptare ta shihte në një
sfond më gjerë sepse lepuri poshtërsive të sotme nuk fle vetëm nën setrën e pa
larë të ndonjë "zeshkani" pijanec...
Ka plot njerëz "bardhoshë" me kollare e
zonja bruneta e bjonde me sqimë, që në përkujdesje të lukut janë kthyer në
bufonata, që nxjerrin miliona me "duar të pastra" në makinën e
korruptuar të shteti. Madje kjo është në modë në Shqipëri. Mirëpo gazetarët
investigativ nuk shohin aq lart, u mjafton hapësira e blertë tek parku “Rinia”,
atje ku rrinë shtresat më të rraskapitura të popullsisë sa i përket e nivelit
të mirëqenies.
*
* *
E gjithë kjo që më sipër referuam ishte për
atëherë, pra kur u botua libri me ese në vitin 2007. Po tani që doli
vetingu dhe po i dalin rrënjët korrupsioni masiv që e ka kapluar këtë vend, kur
po del ne pah se prokuroria jo ka hapur, por ka mbyllur mbi 300 dosje korrupsionesh
të rangjeve të larta, a e kuptoni se sa qesharake janë bërë policia dhe media
jonë, që në sinkronë me drejtësinë (shto e padrejtësive) merren me ca cironka,
si ai burri njëzet e një vjeçar me gruan e fëmijën e vogël që po lypnin
në bulevardet e Tiranës.
Ndërkohë peshkaqenët e korrupsionit, ministra e
deputetë, drejtorë institucionesh që na gjenden 5 herë milionerë me euro, që
guxojnë të kenë 56 shtëpi, as merr mundimin ti prekë njeri se ata janë
bërë njësh me politikën dhe pushtetin. I vetmi vend në Europë ku krimi ka
guximin të ngjitet në parlament, politikë e pushtet është Shqipëria. Si do
hyjmë në Europë kësisoj? A ka njeri me mendje të kthjelltë në këtë vend të na e
thotë.
Për këta honxho-bonxho zyrash e pushtetesh, siç u
thoshte rangut të tyre Mihal Grameno, faje e krime bëjnë vetëm ata që
lypin në rrugë. E që të kthjellojmë pak mendjen, shumica e atyre që lypin në
rrugë janë romë, e kjo tregon se shoqëria jonë nuk është krejt pa shenja
racizmi.