08 August 2017

Testamenti mjeran i Arbër Xhaferrit për Gegnishtën - nga Kolec Traboini

Ish nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit Lupço Georgievski, dhe Arbër Xhaferi
TESTAMENTI MJERAN I ARBËR XHAFERRIT PËR GEGNISHTËN
- Një muaj para se të ndrronte jetë deklaroi se gegnishtja është rrënuese. 
Tani për të themi, I ndjeri, Pushoftë në Paqe!, por e vërteta nuk ka të bëje me vdekjen. 
Ajo nuk vdes kurrë. Nuk pushon në Paqe dhe nuk i mban hatrin askujt. -

Nga Kolec TRABOINI

Hama dreq orën nuk e mora vesh çka desh me thanë ai politiku i Shkupit që e pat tjerr aq gjatë intervistën dhënë për gazetën "Shqip" më 17 korrik 2012, veç për me hedh poshtë gegnishtën. Ku e ka hallin ky, a din kush gja? Na nuk kena dalë me rrzue standartin, nuk po thona me rrzue e me vue një tjetër Standart, as me hjek një Kostallar e me vue një tjetër sozi te tij, por veç me e pasunue këtë gjuhë që asht katandis si mo Zot ma keq, me një leksik prej ndoshta 5.000 fjalë se nja 4.000 të tjera janë turko-greke.
Që të bindeni për turqizmat tona në gjuhë, shikoni serialët televizivë me Sulejman të madhërishëm që jep Tirana për natë - e lexoni përzishëm se në fund, ky “vlla gjaku” qeveritar, ka me i pre kokën vezirit shqiptar Ibrahim Pargaliut. Flasim e shkruajmë pra, me e shikue mundësinë e paskajores, apo që mos me e përdor rotacionin strikt deri në vandalizëm se po na e shpif të folmën, që siç thuhet ranishte të thuhen edhe fjalë të tjera të cilat gërma n i zbut si fjalë i ban ma poetike, dhe gjuhën e zbukuron, e largon prej greqizmave dhe turqizmave, bash kjo gegnishtja jonë. Na nuk po thona me nda por me bashkue e ti pse je kundër bashkimit?!
Për ma tepër ai zotnia politik i Shkupit, nëse nuk merrte vesh nga gjuha siç thoshte pse e shprushte zjermin? E pse i qiste telashe vedit? Pse te flasësh për një gja që nuk e njeh a veç me ba të ditunin? Se ky vetë nga politika e ka pasë ndrit krejt, e dimë. Po krejt po ju them, qysh në gusht të vitit 2001 me Marrëveshjen e Ohrit në të cilën shqiptarët që ishin në avantazh luftarak dhe kishin arritur që me forcat e veta të UÇK-së të afroheshin deri Haraçinë, 7 km nga Shkupi, ky farë politiku shkoi e firmosi një Marrëveshje që nuk i ka mbet kurrgja veç nuanca e tradhtisë së interesave të shqiptarëve për hir të kolltukut politik e shtetnor që ky gëzoi. Po ky nuk e tundi fare kur 5 djem shqiptar luftëtarë të UÇK-së si sot njëmbëdhjetë vjet ma parë, më 7 gusht 2001, u masakruan në gjumë. Mirë kur nuk u tha sllavëve ju lumtë se për pak këta djem atdhetarë na e prishën marrëveshjen e tradhtisë se unë nuk kam pa që shqiptarët si popull të kenë fitue diçka prej saj, veç përfitimit të politikanëve të kolltukëve. Ma mirë u kish dashtë mos me folë fare për punë të gjuhës se ky nuk ban dot politikë përçarëse ndaj Gegnishtes. Nuk asht në Oher e nuk ka të bajë me gegë syleshë. Ky ha bukë me sllavo-maqedonët, flet maqedonisht me politikanët sllav, pin edhe venë( atij i pelqen me i thanë verë mirëpo harron se vërrë i thuhet edhe diçkaje tjetër në jug që fillon e nuk pushon), pinë venë me ta pra, bajnë edhe aleanca, dhe Gegnishtën Letrare të Shkodrës po e sheh me sy tinzar. Atëherë edhe na kështu thona. Na vjen keq, o mik politik kushdoqofsh, por gja në dritë nuk je tue qit as në politikë e si po na kullandris punët e Gjuhes Standart që e vendosi me diktat Byroja Politike dhe e mbrojnë profesorat që kanë qenë të shumtë antarë të PPSH( partisë së diktaturës). A keni lexue gja nga jeta e vepra e studiuesit të madh Nikoll Daka, që ka reague bash në ditët që vendosej Standarti. Hiç nuk keni lexue. Se atë e ka fut në burg diktatura dy herë, sa ja mori shpirtin nga dashnija për gegnishtën. Po ju lexon veç gazetat "Dnevnik","Nova Makedonija", "Utrinski Vesnik", "Vecer" sigurisht dhe fletushkat e Beogradit për tu kthjellue në politikën kozmopolite larg “arkaizmit” kombëtar. Me këtë intervistë të fundit që keni dhanë, ti kjosh vetë o Arbër Xhaferi, se ora e politikës së vjetër me çarkisufin e Sulltan Hamitit, ka mbarue. Ti të paktën pshto vedin, shpirtin tand, pshto emrin e bukur shqip që ke, e mos shko me turp si Androkli Kostallari e kompania e Lal Krosave të Enver Hoxhës që edhe në paçin frymue deri më tash, krahthatët janë në të shuem. Edhe ti kështu ke me mbetun. Nuk ka rrugë tjetër për ata qe denigrojnë gjuhën e popullit të vet.

Shënim: Shkrimi është botuar më 7 gusht 2012 dhe më 15 gusht politikani Arbër Xhaferri ka ndrruar jetë, por problemet me gegnishtën i ka lanë të hapura si testament politik mjeran.

Referenca: http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/07/17/arben-xhaferi-militantet-e-ndryshimit-te-standardit-po-rrenojne-identitetin/

Kur firmosej Marrëveshja e Ohrit...
...dhe shtërngoheshin duart  me sllavo-maqedonët  që kurrë nuk i realizuan premtimet
duke i lënë shqiptaret humbës..