esè nga KOLEC TRABOINI
Pas studimeve të
panumërta në të gjithë botën, nuk di çfarë mund t`i komentohet më tepër
Bodlerit në raport me kohën e tij, shekullin dhe shoqërinë franceze ku jetoi e
që tashmë është pak e vëshirë ta njohim. Shpirt i pikëllimit, tribun i
përbuzjes, urrejtës i shoqërisë të cilën e shihte të shpërfytyruar, i pakuptuar
në kohën e tij, me vepër të ndaluar, gjyqe, por edhe absolut në ndikimin e tij
në mbarë poezinë botërore, pra tepër vështirë të merremi me të, veç të
përvijojmë faktin se sa gjejmë në jetën tonë të tilla motive dhe sa të tilla
fenomene ende e gërryejnë shoqërinë njerëzore, por edhe i sfilitin jetët
individuale. Parë në këtë këndvështrim, e shoh më aktual se kurrë Bodlerin në
Shqipëri, ku dita i zbulon poshtërsitë e jetës e nata dosido i mbulon ato, ndaj
tingëllojnë aq thellë në shpirtrat tanë fjalët "...Si ecë e ëmbël
nata!".
Tek dita, Bodleri,
nuk shihte asgjë, ose të paktën shihte vetëm të këqjia, ndaj dhe titulli i
vëllimit të tij qe "Lulet e së keqes". Si në poezitë e tij, nuk gjen
dot vepër e autor tjetër bashkkohës, por dhe më pas të kenë përbuzuar veset
shoqërore ( që mbase në ato kohë, a ende edhe në kohën tonë, nga mediokrit
cilësoheshin e cilësohen si virtute). Është krejt e natyrshme që poetët e
poezinë e revoltës ta lindë koha, në një lindje të vështirë sigurisht, të
detyruar, si një shpërthim i stresit të përgjithshëm shoqëror. Në një shprehje
të tij Bodler thekson: "E keqja shkaktohet pa u sforcuar, se është vepër e
faktit.", ndërsa më tej " E mira është gjithnjë një art.".. Pra
e thënë hapur, sot që arti në përgjithësi është në pikë të hallit, thuaj pa
asnjë peshë në jetën shoqërore, ku në modë është politika mediokre, fare pak ka
edhe të mira, madje mirësia është krejt e përjashtuar si term social. Përdoret
fjala bamirësia si term, por në fakt lakohet për qëllime më tepër
religjioze,ose më e keqja nga ekstremistët e kamufluar nga bota arabe e
bashkpunëtorët tyre vendas, që kërkojnë vënien e shoqërisë civile nën tutelën e
frymës së tyre talibaniste.
A kanë lidhje këto me
Bodlerin, mund të pyes ndonjë lexues i i pavëmendshëm, i mësuar ky me mëmëligën
e shtypit shqiptar, që është thjeshtësuar jo vetëm në këndin e trajtimit të
problemeve, por edhe në përdorimin e frazeologjisë shterpë e pa ngjyrim fjale
të një gjuhe komunikimi që është varfëruar skajshëm. Them se kanë lidhje, sepse
në kohën që shoqëria shqiptare ka strese të mëdha, individi ndjehet i braktisur
në aspektin e trajtimit social, shumë pak apo aspak nuk ndjehet zëri i
protestës për gjëndjen mizerabël të pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare.
Gjithkush e di si është rrethuar Tirana, në pikëpamje të migrimit të
popullsisë. Dikur me përbuzje përdornin fjalën çeçenë, tani për të qënë brënda(
se duhen edhe votat e çeçenëve) e kanë harruar këtë etiketim përbuzës, ani pse
periferia ka mbetur Çeçeni e shkuar saj, në pikëpamje të kushteve të jetës,
varfërisë së skajshme, shto mentalitetin që mbartin me vete duke u zhvendosur
nga krahinat më të largëta, në rrethinat e kryeqytetit ku janë të vetizoluar e
ku shpesh kanë vazhduar të bartin mentalitetin krahinor, përdorimin e dhunës në
zgjidhjen e problemeve brënda e jashtë familjes, mosnjohjen e moszbatimin e
ligjeve dhe plot të tjera.
Natyrisht kjo nuk
është pjesë e vështrimit tonë në këtë shkrim, por duam ta përdorim si sfond për
problemet e reflektimit të ndërgjegjes shoqërore ndaj fenomeneve që ndodhin në
shoqërinë shqiptare. Në një vend ku mbizotëron në tërë qelizat e jetës
politika, një vend tmerrësisht i varfër, me udhëheqës që mendojnë se bëjnë
politikë të madhe në një vend të vogël e për fat të keq të papërfillshëm. Tërë
media e shkruar dhe vizive merret me shkëlqimin e politikës, kur në të vërtetë
ajo që shitet si shkëlqim është kurrgjë tjetër veç një lëtyrë, një manipulim
politik. Dhe ata njerëz që shtiren si politikanë të mëdhenj, nuk bëjnë kurrgjë
tjetër, por veç masturbohen nëpër media të shkruar dhe të folur( mitingje,
foltore, parlament, TV Show-politik).
Pra, ka dy segmente
që e përshkojne tërë jetën shqiptare, fort të dukshme këto, varfëria e gjendja
pa rrugëdalje e ekonomisë dhe e dyta, demagogjia e pompës politike, sikur çdo
gjë e mirë këtij populli i vjen nga fjalët pa fund e pa sens të politikës që
vazhdon të ligjëroje si në kohë të Hoxhës, se gjoja mendojnë e punojnë për
popullin. Veç duhet thënë se i kanë shtuar demagogjisë politike edhe nocionin
Komb dhe Europë, për t`u bërë më sportivë në pelivanllëqe në tele-shtyp, por në
të vertetë gjej pak apo dhe aspak ndryshime në demagogjinë e foltoreve të dy
kohëve që pretendojnë, po me llafe ere, të jenë të kundërta.
Po kush e beson
dhelprën se ka vendosur të heqë dorë nga gjuetia e pulave?! Me se do të rrojë e
zeza dhelpër?! E për të dalë aty ku ishim, aq më tepër kur politika është bërë
bisnesi më fitimprurës në Shqipëri, kjo politikë prodhon para me thasë, si të
ishte ky Atdheu i Ali Babës e 40 hajdutëve të përrallave persiane. Këto janë
fenomene që i shohin e i konstatojne të gjithë, por më e pakta i prekin Mediat.
Mirë Mediat, po ku është arti, ku janë artistët, ku është shpirti i tyre i
ndjeshëm. A nuk u rreh zemra ndopak këtyre njerëzve që quhen Ajka e kombit,
përpara kësaj katrahure në tërë segmentet e shoqërisë. A nuk e dinë se ende
mentaliteti shqiptar vazhdon të sundohet, më keq se në çdo vend tjetër në
Europë, apo pse jo edhe në Azi, në idenë e ikjes nga sytë këmbët. Në Shqipëri
trumbetohet me të madhe për nacionalizmin, spekullohet me nacionalizmin,
tregohen përralla të bukura me nacionalizmin folklorik, ndërtohen kështjella në
erë me nacionalizmin primitiv, kur e verteta është se më shumë se kurrë ka
humbur interesi i njerëzve për fatet e kombit. Vetmashtrohemi me fjalë, cyrle,
tollumbace me ngjyra, por realiteti është krejt ndryshe. Bëjmë koncerte me çifteli
e sharki në segmentin Tiranë-Prishtinë, hedhim valle me kostume popullore e
qeleshe, vëmë parulla të mëdha festive, mbajmë fjalime për suksese të mëdha,
por realiteti nuk është tek fasada, por përtej fasadës.
Realiteti është
trishtues e pesimist, vazhdon të dëgjohet fjala se ky vend nuk bëhet, se po të
linte kufijtë e hapur Europa, këmbë shqiptari nuk do të mbetej në këtë vend.
Ah, po! Do të mbeteshin llafazanët politikë të cilët do të sillnin ca ujgurë e
ca kinezë që të krijonin sërish popullin e ri, se me ato që do të mbeteshin nuk
do të sajonin dot as një tabor luftarak për mbrojtur këtë vend shqiponjash të
ikura.
Kështu në të vërtetë
janë punët tona. Ndaj them se Bodleri është më aktual se kurrë në këtë vend ku
lulëzojnë lulet e së keqes. Edhe frutat të zeza i bëjnë ato lule. Se ua
dëgjojmë zërin përditë në stacionet televizive të Europës, ku sa herë flitet
për një prostitute të rrahur a përdhunuar rrugëve, a vrarë e hedhur në pyll pa
indentitet, është e sigurtë se ajo do të pasohet me fjalën "shqiptare".
Sa herë që vidhet një shtëpi në Itali a Greqi... thuhet, e kanë bërë
shqiptarët. Sa herë bëhet një krim prapë shqiptarët. Ne shqiptarët që jemi
futur në NATO - dhe shkalafitemi nga qejfi skur Nato do t'i japë bukë e punë
këtij populli. Përralla të bukura politike. Karamele limonatë, që i mbllaçisin
edhe ata që duhet të ishin në anën e trishtimit dhe përbuzjes, në anën e frymës
së Bodlerit. Artistët pra. Ku janë. Çfarë bëjnë. Përse shkruajnë? Cilat janë
temat sociale? Ku është nervi migjenian, ky gjeni, ky Bodler me gjak e shpirt
shqiptar? Kur dihet se po të jetonte Migjeni në këtë kohe, po aq do ta
shkruante "Kangën e mjerimit". Artistët tanë as nuk ndjehen. Madje
edhe lihen të manipulohen nga politika dhe i gjen madje edhe ambasadorë. Shkruajnë
ende për kohën që ka vdekur këtu e 20 vjet më parë. Kur fëmija që ka lindur atë
vit tani është njëzetvjeçar, i papunë, kalon ilegalisht kufijtë në rrezik jete.
Propaganda punon në invers. Siç bënte monizmi me zogizmin, bën koha jonë me
enverizmin. Mallkime pa fund për një kufomë të kalbur të komunizmit, kur trupat
e gjallë në jetën shoqërore vinë erë kërmë ideologjike, e ka njerëz që janë më
shumë të vdekur se të gjallë. Po marrin dhe çmime këta artistë. Pse jo!? Çmime
të mëdha për vepra që nuk kanë në qendër kurrgjë nga realiteti bashkëkohor
social shqiptar. Fryjnë emrat e mëdhenj në letërsi, por realiteti mbytës që ka
rrethuar Tiranën dhe e ka ngërthyer jetën në qytete të tjera në tragjedi
njerëzore, kur njeriu vetvritet se nuk ka me se të ushqejë veten e familjen, ku
gjendet në këtë letërsi e në këtë art? Kurrkund.
Bodleri vazhdon të
trishtohet atje në Montparnas. Trishtohet për ne, për Shqipërinë e shqiptarët.
Se ne nuk kemi as dëshirë e as fuqi shpirtërore të trishtohemi e ta përbuzim
këtë realitet të zymtë e të pistë siç bënte ai. E sikur na thotë:
"Që të mos ta ndjeni veten skllevër martirë të
kohës/ dehuni/ dehuni pa pushim me verë/ me poezi/ me virtyte/ sipas dëshirës
../."
Thënë shul shqip,
larg retorikash poetike:
Ne jemi kthyer në një
art të tredhur nga politika...
Dua ta mbyll këtë shkrim me vargjet po të Bodlerit të
madh:
Rri urtë o Brenga ime dhe falmë qetësinë
Ti mbrëmjen e kërkoje, ja tek po zbret tani
Pëlhurën mbi qytet të mugëtit po e shtrin
Disave u sjell paqe, të tjerëve mërzi
Kur turma e ndyrë e njerzve, që veç dëfrime dinë
Të fshikur nga kamxhiku i Epshit në gosti
Të poshtër zhgrryhen krejt ndërsa pendime u vinë
O Brengë, nëma dorën, me mua eja e rri.
__________________________
Charles BAUDELAIRE
Biografi nga Vikipedia
Charles Baudelaire (Sharl Bodler) lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris dhe vdiq më 31 gusht të vitit 1867, ishte poet, kritik dhe përkthyes i njohur francez. E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi tek ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën. Në 1833 njerku regjistroi në Kolezh Ruajal. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat, kështu që njerku i zemëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharl: e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotismin, që duket më së mirë në kryeveprën e tij "Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit. Në 1842, njohu poetët Gerard de Nerval dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim te Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se çfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet t`i kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej..Në 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: "Arti romantik" e "Kuriozitete estetike". Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij "Lulet e së keqes", që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet ndërsa botuesi detyrohet të censurojë disa prej poezive. Bodleri ra në depresion të thellë. Në 1861 u përpoq të vetvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akadèmia franceze, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.
I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkoli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44-vjeçare. Heshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge.
Veprat: "Lulet e së keqes"(1857), "Parajsat artificiale"(1860), "Rrënojat"(1864), "Prozat poetike"(1869).