EUTHANASI SHQIPTARE: AS ZGJEDHJE AS ZGJIDHJE -
Mënyra më sigurtë që një popull të bëjë vetëvrasje është të delegojë pushtetin si sovran tek bandat e banditët që nuk dinë tjetër veç të vjedhin e grabisin.
Mënyra më sigurtë që një popull të bëjë vetëvrasje është të delegojë pushtetin si sovran tek bandat e banditët që nuk dinë tjetër veç të vjedhin e grabisin.
Nga KOLEC TRABOINI
Shumëkush po thotë se e ka fajin populli që
nuk punon ndaj jemi në këtë ngecje. Thonë kemi popull dembel që nuk i kthehet
punës. Po mirë, shkuar pas kësaj trage po thërrasim në ndihmë të madhin Naim
Frashëri me vjershën "Punë, punë natë e ditë". Vëmë popullin ta
këndojë si në kohën e Revolucionit Kulturor e jemi OK! Po pse more kështu
zgjidhen punët e shtetit e problemet e popullit. Po në cilin shekull jetojmë.
Çfarë psikologji kemi? Po shqiptarët shkojnë në zgjedhje e vrasin mendjen të
zgjedhin cili është hajduti më i mirë e meriton të jetë në krye. Se nuk ka
asnjë alternative tjetër. Këtej Rama, konfuz e i papërgjegjshëm, zullumqar i
pandreqshëm, që në zyrë merret me zhargavina që i vë nëpër ekspozita banale, me
ministrin e brendshëm të diktaturës në shpatull, andej Luli me fytyre të butë
por pas të cilit hijerëndë rri Saliu me 700 katastrofa si karvan, për më andej
si Jago rri Mediu në sfond të Gërdecit me 26 kufoma.
Pas tyre një tufë demagogësh që politikën e
kanë si kafe. Cilin të zgjedh populli. I kanë mbyllur të gjitha shtigjet e
lirisë për të zgjedhur. As kaq nuk kuptoni o njerëz? Kë zgjodhët kësaj herë?
Ekipin me idiot që mund të ekzistojë në qeverisje. Po a bëhen harabelat ministra. Hë më ju lumtë. Mënyra më e mirë për ta
shkatërruar një vend është vënia e kokëboshëve sharlatanëve në qeverisje. Dhe
mënyra më sigurtë që një popull të bëjë vetëvrasje është të delegojë pushtetin
si sovran tek bandat e banditët që nuk dinë tjetër veç të vjedhin e grabisin.
Kjo është katastrofë e ju më thoni se nuk ka
faj despoti që jep urdhër, as xhelati që pret koka, por i mjeri njeri i varfër
që vodhi një çap bukë për të mbajtur frymën. Njerëzit vjedhin atëherë kur nuk
kanë asnjë zgjidhje tjetër. Ju i shkarkoni fajet e krimineleve në pushtet e
qeverisje a në politikë tek njeriu i varfër. Ky është antihumanizëm. Kjo është
barbari. Kjo është të jetosh me psikologjinë e xhunglës. Por unë kam një mendje
tjetër. Atje ku shteti sillet si bandë hajdutesh, populli ka të drejtë të revoltohet
dhe të ngrihet e ta përmbysë keqqeverisjen me të gjitha mundësitë që ekzistojnë
për të shpëtuar nga tirania e pamundësisë për të jetuar.
Sepse për lirinë ja vlen çdo sakrificë. Për
lirinë ja vlen të rrezikosh. Dhe një gjë për të mos u harruar është edhe se,
pamundësia ekonomike është ekzaktësisht mungesë e plotë lirie. Është skllavëri
ekonomike. Është mungesa e lirisë për të jetuar. Liria nuk është një koncept i
ngushtë dhe nuk mund assesi të kuptohet vetëm si mundësi për të vrarë veten si
e vetmja zgjidhje e shpëtim nga prangat ekonomike.
Për të shpëtuar prej të tillave ekseseve, prej
kësaj gjendje kritike ku mund të vihet njeriu, qytetarët zgjedhin qeverinë e
cila detyrë të parë ka rregullimin e jetës në një shtet dhe përkushtimin si
nëpunës kokulur të popullit. E jo të këndojnë për fitoren e vet si gjeli maj
mullarit të plehut pasi ka shkelur pulat e oborrit.
Jo nuk e ka fajin populli. Për gjendjen
katastrofike ku jemi e kanë fajin banda e horrave që mashtron popullin e vinë
në pushtet të vjedhin e të grabisin pasuritë kombëtare e popullin kësisoj e
kanë varfëruar deri ne atë skaj sa tragjikisht të ndërtojë psikozën “Shqipëria
nuk bëhet”.
Fati i Atdheut nuk është fati i njeriut të
vetëm. Edhe pse jeta e çdo njeriu ka rëndësi potenciale në një shtet. Kjo është
e ditur. Peshon shumë e më shumë fati i Atdheut. Prandaj nuk mund të gjykojmë
si provincialë të vetmuar që e kanë mendjen veç tek parcela e vet e vogël e
bota le të bëjë si të dojë, le të digjet e përvëlohet. Jo! Nuk na lejohet një
luks i tillë banal. Kam pas e kam tjetër vizion. Se Shqipëria mund e duhet të
bëhet. Pengesë janë pushtetarët që më shumë se sa si drejtues të mençur
veprojnë si pushta para pasqyrës me psikologjinë e dëlirin për vetveten. E kam
këtë bindje se e di mirëfilli se Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha
natyrore që shkojnë në xhepat e bandave politike dhe banditëve në pushtet.
Qytetarët shqiptarë janë viktima të represionit ekonomik, ku një kryeministër
më shumë i kushton përkushtim atleteve të veta Adidas me vijë të kuqe, se sa
probleme ekonomike që po e zhbëjnë ketë vend. Ky është vizioni im për problemet
social ekonomike dhe despotizmin e oligarkisë që e kanë pllakosur e duan ta
shkatërrojnë këtë vend e ta shpërbëjnë këtë popull
Cila është zgjidhja? Zgjidhja është dëbimi. Më
mirë të ikin pushtetarët se sa populli. 400 mijë shqiptarë kanë ikur jashtë
përgjithmonë në katër vjet të kësaj qeverisje të papërgjegjshme e të korruptuar
deri në palcë. Shqipëria pakësohet me
100 mijë shqiptarë në vit. Një ministre jep koncesion pa përfitim nga shteti 1
milion metër katror për 100 vjet. Pyetja me e thjeshte dhe e drejtpërdrejtë
është, sa para morën ndërmjetësit e këtij skandali pa precedent në Evropë por
rëndomë në Shqipëri. A ka kontroll shteti. A ka prokurori në këtë vend?!
Një gjë është më se e sigurt: me këto ritme
shpopullimi dhe afera në dy dekada në vazhdim nuk do të ketë më Shqipëri e
shqiptarë. Harrojeni. Në agjendat sekrete pan-ballkanike shuarja e shtetit
shqiptar është në veprim e sipër. Antagonistët e kësaj prirje kanë një agjendë
tjetër po aq të rafinuar, kthimin e Shqipërisë në një Kalifat në suazën e
perandorisë së re osmane të udhëhequr nga erdoganizmi. Këto janë dy forcat
kryesore ogurzeza që veprojnë në konspiracion të plotë e me buxhet mbështetje
miliona dollarë. Po ku janë atdhetarët? Ku janë intelektualët e idealistët
kombëtar të paktë që i kanë mbetur këtij vendi? Pse nuk flasin e shkruajnë. Pse
nuk mblidhen të kundërshtojnë. Ti japin përgjigje pyetjes: Çfarë duhet bërë
përpara këtyre alternativat kobzeza e
komb vrasëse?
Pa dashur të bëj të diturin shpreh bindjet e
mia me shprese se jam në udhëz të drejtë. Zgjidhje mendoj se është zgjimi nga
letargjia dhe shpërthimi në kundërshti e revolta popullore. Asnjë rrugë tjetër
nuk ka. Zgjedhjet si ato te 25 qershorit janë në mënyrë të përsëritur në 27
vjet, një fasadë, një hipokrizi, një mashtrim, legjitimim i banditizmit, dhe
një mënyrë që në emër gjoja të sovranit
të sjellin e ri sjellin në pushtet bandat që e kanë kapluar politikën.
Cila është zgjidhja? Dalja në rrugë, të bëhemi
bashkë dhe imponojmë vullnetin tonë në të drejtën për punë, për liri, për
mirëqeverisje nga të cilat buron mirëqenia e popullit.
Jemi një vend i pasur nuk ka asnjë shkak të
jemi një popull i varfër. Çdo qeveritar që nuk ka frikë nga populli është
despot. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet harruar. E para dhe e fundit
fjalë gjejnë njëra-tjetrën nëse duam të jetojmë si njerëz:
Trimërohuni që t’ju kenë frikë. Kjo është e
vetmja zgjidhje.
qershor 2017 - qershor 2019