12 August 2017

Gjenerali duhet të flasë - nga Kolec Traboini



GJENERALI DUHET TË FLASË
- Për masakrën e Shkupit, Gazibabë, më 7 gusht 2001 -

Nga  Kolec TRABOINI

Padyshim që gjeneral Gzim Ostreni duhet të flasë. Pastaj të nis të zbërthehet zinxhiri i tradhtisë konformë Marrëveshjes disfatiste të Ohrit, që e kishte dështimin që në embrion dhe ishte padyshim strumbullari i tradhtisë që çoi në masakrën e Gazi Babës së Shkupit më 7 gusht 2001. Tepër e rëndë është të vdesësh duke marrë mbi supe si gur varri një tradhti të tillë ku 16 vjet më parë u vranë mizorisht në gjumë 5 djem shqiptarë, luftëtarët e njësitit “Teli-69”, Ndriçim Koxhaj, Pajtim Roçi, Arben Bajrami e Abaz Beqiri, (me pas Adem Hasani),  mes tyre legjendari Komandant Teli.
I kam lexuar të gjitha deponimet e Ostrenit në Hagë ku ai nuk kërkon që kjo masakër të hetohet e gjykohet. Mesaduket se do të trazoheshin shumë ujëra, do të dilnin në sipërfaqe e do zbuloheshin rrënjët e tradhtisë që nisi nga shtabi. Kemi lexuar edhe deponimet e Nazim Bushit, komandantit të brigadës 114 të UÇK-së, në Gjyqin e Hagës. Asnjë iniciativë për hapjen e procesit për masakrën e Gazi Babës. Por duhet thënë një e vërtetë. I vetmi që e ka ngritur zërin në Gjyqin e Hagës duke e cilësuar masakrën si një tradhti ka qenë Nazim Bushi. Po e citojmë:
“Unë mendoj se vdekja e tij (Komandant Telit- shënim im) ishte rezultat i një tradhtia dhe ka një hetimi ende në vazhdim”.
Hetimi që është bërë nga Shtabi i UÇK-së me sa duket ka qenë formalisht sepse po vetë ata, më pas e kanë mbyllur pa nxjerrë asnjë përfundim se kush ua a dha forcave policore maqedone informacionin se ku ndodhej njësiti që drejtohej nga komandant Teli.
Menjëherë pas luftës, u tentua të mbyllej çështja duke vrarë një komandant të UÇK-së me atentat e më pas për ta përpunuar opinionin se i vrari ishte tradhtari. Fati deshi që Komandant Hoxha shpëtoi. E kjo e ndërlikoi akoma më shumë gjendjen e grupimit që përbën bërthamën e tradhtisë se Gazi Babës, por shtoi akoma më shumë ankthin e tradhtisë së madhe që nuk po “zbulohej”, po ashtu nuk po arrihej të mbulohej.
Për ta ndihmuar Gzim Ostrenin, ish shefin e Shtabit të UÇK-së ku dihet se u krye tradhtia, për freskimin e kujtesës së plakur tashmë, po i sjellim një rrëfim të një ish ushtari të UÇK-së të dhënë për ne më 11 shkurt 2011, te cilën e kemi në dosjen tonë të kërkimeve e le të na thotë publikisht se sa vërtetë është:
Në një takim me ambasadorin Batler në Shkup dhe Gilbert, F-4 shërbimi EUS, Mekarti F-4 shërbimi EUS, unë i pyeta pse nuk hetohet rasti Gazibaba. Ata më thanë: “Gzim Osdreni ka njoftuar shërbimet relevante se ka grupe të armatosura në Shkup të dala jashtë kontrollit që rrezikojnë Marrëveshjen e Ohrit. Ky ka qenë preteksti që ju kemi lënë dorë të lira forcave maqedonase – tha Ambasadori Batler, që vazhdoi - këtë informatë e kam nga NRO, Shërbimi Mbikëqyrës i Inteligjencies Amerikane.
I bëj thirrje të flasë megjithëse e di se as Gzim Ostreni, as Ali Ahmeti, por as Daim Hiseni që atë natë ka qenë në Shkup (pse vallë la malet atë natë?), as Maliq Ndreca që ka deklaruar mëngjesin e 7 gushtit 2001 se Komandant Teli ishte dezertor dhe ndiqej për tu arrestuar nga policia e UÇK-së. As Faslli Veliu nuk dëshëron të flasë. Beqir Sinani që u muar me hetimin nuk ka pranuar të tregojë çfarë kanë dosjet e tij. Xhezair Shaqiri që ka pranuar të flasë mund të ndihmojë në zbardhjen e kësaj tragjedie.
Ndërkohë, ani pse ka pas dijeni të plotë si pjesë e inteligjencës së Shtabit, Haruni Aliu ( Kushtrimi) heshti në të gjallë e nuk mund më të flasë se e kanë vrarë, Ridvan Neziri (Hoxha) për të njëjtën arsye. Dikush ka qenë e vazhdon të jetë më i interesuar të zhdukë dëshmitarët, që deri diku ja ka arritur, se sa ta zbulojnë bashkëpunëtorët e masakrës. Kësisoj masakra nga tradhti kaloi në konspiracion të thellë.
Po edhe heshtja e tyre gjithsesi flet. Dhe populli di të deshifrojë këtë heshtje monstruoze në afro dy dekada. Ndërsa gjashtë luftëtarët e UÇK-së, këta bij të popullit shqiptar, gjendën në varr duke pritur të vendoset drejtësia njerëzore, ani pse brengën e vrasjes tradhtisht në gjumë nuk ka varr që e tret.

Shkrimi u botua në disa organe të shtypit shqiptar dhe në Mediat Elektronike në Kosovë dhe Maqedoni si dhe nga gazeta “Bota sot”.

12 gusht 2017