29 December 2021

🟥 Këneta e poezisë së Kunës - nga K. P. Traboini

 KËNETA E POEZISË SË KUNËS


Nga K. P. TRABOINI 

 

Në emisionin televiziv TPZ, Rudolf Marku, një poet që jeton në Londër e laureat i poezisë në Tiranë, i cili kreu funksione si deputet i PD, partisë së Sali Berishës e me vonë sekretar ambasade, solli në publik dosjen e tij, gati 300 faqe, një prej 2 milion dosjeve që komunizmi hapi për shqiptarët, sipas parimit një shqiptar një dosje. E drejtë e tij, por nuk e kuptojmë pse kaq vonë kur i kishte mundësitë më herët kur ishte në funksione të larta. Pse ky tundim kur prej asaj dosje ferr në këmbë nuk i kishte hyrë. Të tjerë ishin ata poetë që u burgosën dhe u ekzekutuan në kohen e diktaturës, ndërsa poetin në fjalë monistët e ngritën në detyrë duke e sjellë nga Lezha, redaktor të poezisë në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, pra një censor i poezisë në një vend që duheshin njerëz të besuar. Si kështu?! A thua nuk ja kishin lexuar dosjen ata që e sollën në një organ qendror në qendër të vëmendjes politike dhe publike? E pse - të nuk kanë fund. Por "Pse"-ja më e madhe është se si Rudolf Marku sjell në vëmendje publike emrin e Mark Vujit, mësues, pasi që ai ka vdekur, duke folur me përbuzje për ish mësuesin e tij. A i takon këtij poeti laureat me pompë i Ministrisë së Kulturës të merret me Mark Vujin? Dhe pse? Se i paskan dërguar një poezi për ta analizuar. Dhe ka konstatuar se poezia paska qenë pesimiste. Rudolf Marku përdor termin ekzaminuar. Le të gjykojmë mbi të vërtetën. A ishte vërtete pesimiste apo jo ajo poezi. Mark Vuji si mësues letërsie po thoshte një të vërtetë apo mashtronte për poezinë në fjalë. Në vazhdim të bisedës në TPZ, sikur të kishte harruar çfarë kishte thënë për mësuesin e vdekur,  poeti laureat del e thotë se poezia ishte e Migjenit dhe se vërtetë ishte pesimiste. Pra Mark Vuji paska konstatuar të vërtetën poetike. Dhe për këtë të vërtetë përbuzet nga një ish nxënës e me pas koleg i tij. Më duket se këtu mungon logjika e del në krye një tendencë për të poshtëruar të tjerët dhe për të dalë vetë lugë e lame prej një sistemi që i përlloçte ku mundte njerëzit, pa pasur mëshirë për askënd.

Rudolf Marku të kishte hapur lojën krejt e ti shkonte shpjegimeve deri në fund. Të mos merrej me rastin sporadik e pa asnjë pasojë me Mark Vujin, që poezinë e Migjenit e nxirrte pesimiste, sepse ajo poezi pesimiste është edhe sot e kësaj dite që mësuesi i nderuar Mark Vuji ka vdekur. Rudolf Marku të fliste për miqtë e tij poetë lezhjanë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Për episodin fatal me veprën 19 të Enver Hoxhës, që poeti tjetër lezhjan mbante nën sqetull dhe Frederik Rreshpja i tha: “Po ti me veprën 19 do të bëhesh poet?” Jo, këto as që i përmendi Rudolf Marku.  Nuk tha një fjalë a e thirrën në hetuesi për çështjen e Frederik Rreshpës. Nëse po, çfarë e pyetën e cilat qenë përgjigjet e tij? A u gjend Rudolfi në gjyqin e Fredit në Shkodër? Nëse po, ishte rastësi apo e thirrën? Kush e thirri dhe pse e thirrën, gjithnjë nëse kjo ka ndodh. Mirë është të jepet një shpjegim e jo të flitet për ata që kanë vdekur dhe nuk ka si mbrohen. Të gjithë kemi qenë të përgjuar. Për atë punë ishte Sigurimi i Shtetit. Të mos tregojmë përralla se vetëm poeti Rudolf Marku qenka përgjuar. Se ka edhe çudira për të cilat nuk flasin. Kur e paska pas dosjen një metër, si u emërua redaktor i poezisë në folenë e gjarpërinjve,  Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe për fat nuk u burgos. Që të mos ketë keqkuptime duhet hapur gjithçka në publik. Mjaft është spekuluar deri tani me dosjet. Se pari të hapet dosja e procesit gjyqësor të Frederik Rreshpës. Kush e spiunoi në Lezhë dhe kush u thirr në hetuesi si dhe procesverbalet e hetuesisë dhe të seancave të gjyqit e këto të bëhen publike. Atëherë do ta shohim të gjithë tablonë dhe do ti vlerësojmë gjestet kalorsiake të daljes në publik, siç vlerësoi zoti Marçel Hila, ani pse kjo kalorsiadë mbas tridhjetë vjetësh. E vërteta kurrë nuk mund të jetë gjysmë. Ajo, o është e plotë ose nuk është kurrsesi e vërtetë. Gjithsesi emisioni mu duk përsëritje e zbehtë dhe e vonuar e dëshmive të dosjes së Maks Velos,  por të paktën i ndjeri Maks Velo kishte bërë burg dhe kishte një motiv më tepër se bindës për të shfaqur të vërteten e persekutimit të vet në publik. Dhe për ti dhënë fund kësaj shfaqje vetanake publike me dosja, ato duhet te hapen pa hezitim dhe të gjitha. Të jenë publike por të mos harrojmë se, së pari duhen hapur arkivat sekrete të agjentëve, sepse dosje kishin edhe agjentët, edhe ata përgjoheshin, nuk i linte njeri të kullosnin azat. Se mund të dalë diku një agjent e të na vërvit si dëshmi të pastërtisë së figurës dosjen që e kontrollonte atë. Edhe spiunët përgjoheshin. Diktatura nuk ja kishte besën askujt. Dhe mos më pyesni pse po tundohem me këtë mesele pa pikë interesi intelektual në TPZ. Ja po shpjegohem për të mos lenë dilema;  Frederik Rreshpën e kisha koleg pune në Kombinatin e Drurit në Shkodër, i sinqertë deri në naivitet, shihnim tek ai mësuesin e poezisë së vërtetë mbështetur në ndjesi e jo propaganda banale, por e kisha edhe komshi në rrugën Gjuhadol dhe shoqëroheshim shpesh, ndërsa Mark Vujin e kisha nga Hoti im dhe ne e njohëm për njeri të mirë, i etur për tu mësuar nxënësve dije, me dinjitet e personalitet, të cilin gjithë banorët e Lezhës e respektonin,  sepse ne hotjanët, ashtu si dhe lezhjanët nuk i shohim njerëzit me tejqyrën “blurry” të Rudol Markut.

29 dhjetor 2021

Në foto autori i shkrimit  K. P. Traboini me mësuesin nga Hoti Mark Vuji, dalë në kishën e Ndre Mjedës në Kukël, Bushat.

16 November 2021

🔴 Byk-Kultura bën Panairin e Librit - nga K. P. Traboini


BYK - KULTURA  BËN   PANAIRIN E LIBRIT
Nga K. P. Traboini

 
Në vitin 1991 sapo kisha shkuar emigrand në Greqi ku gjëja e parë që më ra në sy ishte pazari i madh i Monastiraqit në qendër të Athinës ku gjeje edhe qumësht dallendyshe, siç i thonë, kur disa qindra kilometra në perëndim shqiptarët nuk kishin as bukë. Më bëri përshtypje gjithashtu një nga rajonet me të vjetra pranë kodrës Likavito, Kolonaqi, ku kishte me dhjetra librari ngjitur prane njëra-tjetrës dhe shtëpi botuese plot e, me qe jemi tek librat, veçanërisht Panairi i Librit në Athinë. Ky panair zhvillohej në natyrë në dy anët e rrugës aty tek Pallati i shqiptarit që punonte për Greqinë, Vasil Zhapa, por grekët i thonin Zapio.
Bashkia kishte vendosur banake e rafte këto të mbuluara dhe dukeshin si dyqane portative. Ishte një gjë e bukur ti shihje këto shtëpiza libri, disa metra larg njëra-tjetrës dhe nën krahët e pishave.
Kisha menduar se edhe në Tiranë, në dy anët ku është bulevardi "Dëshmorët e Kombit" mund të bëhej mrekullisht kështu. Dhe duke e venë qëndrën e Panairit në një vend aq domethënës, tek busti i Naim Frashërit. Po he thomëni kush ta bëjë? Erioni i Bashkisë që na sjell 2 orë ujë në ditë, më keq se në kohë të diktaturës. Apo uzurpatori i shoqatave botuese, Petrit Ymeri që si ai Armand Duka i Federates së Futbollit, i kanë kthye këto institucione në tokë të zanun.
Kanë zënë rehat në Pallat të Kongreseve, ku njerëzit mblidhen (pa dasht të ofendoj njeri) si minjtë. Dhe Corona Virusi i pamëshirshëm bëhet zot i situates duke marrë jetë njerëzish. Po ku pyesin  këta që përmendëm, apo dhe folkloristi i foltoreve me Kojrillen e tij greko- amerikane, të cilët as duan të dijnë se përditë vdesin njerëz. Dhe meqë pushteti hesht, ministresha e Shëndetësisë mban fjalime, mund të konsiderohen edhe këto bashkëpunetorë në krim. Por edhe SPAK-u që bën një sy qorr e një vesh shurdh, nuk është i pafaj; është i kapur nga politika për zverrku mesa duket.
Po le të shkojmë me tej. Edhe Panairi i i sivjetëm i Librit do të zhvillohet nëpër ëndrrat delirante të organizatorëve që nuk lexojnë asnjë libër që botohet në Kosovë dhe Shqipëri dhe kanë kurajon të ndajnë çmime për kë të duan e si të duan. Janë bërë çmimet si simite. Konsiderojnë sukses me bla-bla në media një panair inekzistent dhe ndajnë çmime. Një sharlatanizem i tillë nuk guxonte te behej as ne diktaturë ku gjithsesi komisionet e vlerësimit ishin të detyruar ti lexonin veprat që autorët paraqisnin. Por këtu nuk ka konkurim. Këtu sundon byk-kultura. A e patë si u laurua me kurora dafinash poeti që frymëzohet nga maja e pikaloit në Angli. E do ta çojë përpara poezinë në Shqipëri e Kosove nëpërmjet facebookut. Por edhe atje nuk i gjejmë dot poezitë e laureatit. Është krijuar një grupim që manipulon gjithçka nëpërmjet miqve e tarafit. Këtu nuk konkurojnë vlera. Këtu parakalojnë si turma amorfe pa indentitet antivlerat që bëjnë ligjin e Maliqin si kudo edhe në fushën e artit. Frederik Rreshpja i njohu më mirë se askush këtë lloj brumi batak dhe prej tyre hoqi kalvarin e poetit të kryqëzuar burgjeve te komunizmit vetëm pse tha "Po pse more, me veprën e 19 (të Enver Hoxhës) do bëheni poetë". Dhe rioshët e poezisë e dëgjuan dhe e spiunuan. Dy burgje beri Frederik Rreshpja e tani nuk është në te gjallë. Ndërsa poetët që u bënë me veprën 19 të Enverit nën sqetull, vazhdojnë të lazdrohen në opinionin publik pa u ngopur kurrë me lavdi. Paradoks i kohës të cilin mjerisht po e përjetojmë.
Dhe qershia mbi tortë: Një panair me denoncuesen e poetëve të ekzekutuar, në podium. Lavdia e Memurreve të Byk-Kulturës. Mirë ka thënë, në mos gaboj Friedrich Nietzsche, në ferr nuk gjen më djaj. Të gjithë kanë ardhur në tokë. 
Dhe thonë se komunizmi ka ngordhur. Jo besa. Vemjet janë gjallë.
 
© k. p.traboini 2021

11 November 2021

🟩 DJALË TROPOJE, nga K. P. Traboini


DJALË TROPOJE
-Për shokun e bankës në pedagogjike, Shkodër,
Zeqir Lushaj (1949-2021)

Nga K. P. TRABOINI

Me mbarimin e shkollës pedagogjike 2 vjeçare në Tiranë, Ministria e Arsimit nuk pranoi të na pajiste me diplomat e arsimtarit dhe na rekomandoi të ndiqnim shkollat Pedagogjike në rrethe.  Mua me një grup shokësh e shoqesh na caktuan në Shkodër. U paraqita në shkollë dhe u regjistrova në vitin e tretë. Klasa ku më caktuan kishte mësuese kujdestare Emine Oktrovën. Dija se ajo ishte bashkëshortja e regjisorit të njohur të teatrit “Migjeni”. Kur u gjenda në klasë mësuesja po lexonte emrat në regjistër për tu njohur me secilin nxënës. Pasi thirri emrin tim, më tha të ulesha në një bankë me Zeqirin. Unë nuk e dija kush ishte Zeqiri. Vështrova përreth dhe me ra në sy një djalë i qeshur, i cili ngriti dorën duke më treguar se do të isha shok banke me të.

Ka qenë e njohur ndër nxënësit e shkollave të mesme se shoku i bankës ishte disi më i afërt se sa bashkënxënësit e tjerë. Pasi u ula, Zeqiri më dha miqësisht dorën e më tha “Jam Zeqir Lushaj prej Tropoje” e unë ja ktheva “ Jam Kolec Traboini nga Hoti”. As e kisha idenë nga binte Tropoja se kisha qenë dy vjet në Tiranë, kisha shkuar edhe në Korçë tre muaj, në Shëngjin tek kushërinjt e mi vllaznit Pjetër e Ndoc Ujka, por në asnjë qytet tjetër. Kështu u bëra shok me Zeqirin. Ajo çfarë më pëlqente tek shoku i bankës ishte natyra e tij e çiltër. Ai nuk nxehej kurrë, nuk fliste ashpër e nuk mbante mëni edhe kur ndonjë i binte në qafë. Se adoleshentë ishim e frynim erë. Madje e kalonte gjendjen me një buzëqeshje të sinqertë. Që në njohje i thashë “djalë Tropoje” të cilën ai e priti mirë. Por në klasën tonë në shkolle Pedagogjike në Shkodër nuk kishim vetëm Zeqir Lushën nga Tropoja. Mbaj mend se ishin edhe katër djem të tjerë nga Tropoja, Frrok Vuka, Rifat Hajdarmataj, Halil Gjoni dhe Sadri Ponari, por mua më pëlqente që vetëm Zeqirit ti thosha “djalë Tropoje”. Ajo çfarë ruaj në kujtesë është së një herë që Zeqiri shkoi në Tropojë, na solli gështenja. Gështenja kishte edhe Shkodra andej nga Reçi, por gështenjat e Tropojës ishin më të mëdha dhe u shkëlqente lëkura. Vija re se ndër biseda herë pas here me fliste për vendlindjen. Këto biseda më së shumti bëheshin kur ishim në konvikt. Dimri, bora, pranvera, Shkëlzeni, Maja e Hekurave, Maja e Fushave, Sopoti, Grija, Dragobia, Valbona, ajri i pastër, gështenjat, por edhe arrat, pa harruar kumpirat, se kështu u thoshte patateve.Një prej atyre ditëve që po fliste me pasion për Tropojën më tha: “Kur të mbarojmë vitin mësimor e të vemi me pushimet e verës, do të marr në shtëpinë time të rrish tërë verën në Tropojë e do të bindesh sa e bukur është. Dhe më tej më pyeste: “Do të vish?”. “Po!”, - ja ktheja,- “do të vij”. E kisha ndare mendjen, do te shkoja sa të vinte vera. Mirëpo përpara verës ishte dimri, po afronte dhjetori kur pa pritur më thirrën në Degën Ushtarake Shkodër. Nuk e dija përse. Sapo hyra në ndërtesën e Degës Ushtarake vura re një grup djemsh të rinj që prisnin në korridor. Na thirrën brenda një e nga një dhe gjëja e parë që na thoshin ishte “zhvishu”. Një doktor ushtarak na vizitonte e thoshte “i aftë”. Si mbaruam vizitat na thanë se për dhjetë ditë do të shkonim ushtar. Madje na caktuan edhe datën.Kuptohet dëshpërimi im. Do të ndahesha nga shkolla dhe shokët për të shkuar kush e di se ku. Më vinte keq se kësisoj më prishej edhe ëndërrimi të bëhesha mësues.“Kështu, djalë Tropoje”,- i thashë shokut tim të bankës Zeqir Lusha kur ndamë!- “Por ti mos u mërzit se unë do të vij në Tropojë kur të mbaroj ushtrinë, veçse ti mbaje fjalën.”U ndamë të përmalluar. Por ndodhi ajo që nuk pritej. Më vunë në kamion me një grup rekrutesh shkodranë e drejtë e në Tropojë. “Eh, more Zeqir Lushaj”, - thashë kur u gjenda në Tropojë në mes të dimrit e ku bora binte deri në brez, - Si ma ndolle kështu, o djalë Tropoje!”I shkrova një letër duke i thënë se të gjitha ato bukuritë që më ke thënë, o djalë Tropoje, më dolën “të vërteta,... por ke harruar të më thuash se këtu të ngrijnë veshët e të dridhet mjekra”.Dimri ishte i gjatë, madje një herë na ra borë edhe në mes të majit. Por kur erdhi vera, vërtetë vendi kishte një bukuri mahnitëse. Bjeshkë, ajër i pastër e i freskët, qiell i kaltër, bari i blertë dhe lulet, luginat e malet që të shoqëronin kudo. Kur isha në shkollë në Tiranë vuaja nga morthi i këmbëve dhe duarve, më ënjteshin sa më bëheshin gjak. Por për dy vjet në Tropojë nuk e njoha më morthin, madje nuk mu shfaq kurrë më. Tropoja kishte një të ftohtë e borë të shëndetshme.
Djalin e Tropojës nuk e pashë më. Duhej të kalonin vite që ta takoja. Kur vazhdova studimet universitare e takova shokun e bankës, ai tashme ishte student në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve.
Të dy u emëruam në Tiranë, unë në Kinostudio dhe ai në gazetën “Zëri i Rinisë” e kësisoj takoheshim herë pas here. Kishim edhe një shok të përbashkët gazetar, Tonin Shtjefnin me të cilin Zeqiri e bashkonte puna. Pastaj ndodhi emigrimi. Me gjithë atë nuk u harruam. Ishte dhe në Amerikë, por vendosi të kthehej në Shqipëri dhe zgjodhi si vendbanim Shëngjinin. Këto ditë nëntori Zeqir Lushaj ishte shtruar në spital i infektuar me Covid, sëmundje që i mori jetën.
Paç dheun e lehtë shoku im i bankës, djalë Tropoje, Zeqir Lushaj! 
 
11 nëntor 2021

 

10 October 2021

🟣 Saga Idromeno, monografi nga K. P. Traboini

 
SAGA IDROMENO

Monografi nga K. P. Traboini, Pantheon Books / Emal 2021

Jeta e të madhit Kol Idromeno nuk ka qenë tabu. E kanë trajtuar, kanë folur për të nëpër vite, në kohë të shkuar e të mëpastajme, madje dikush nga vogëlsia e vet edhe e ka përgojuar. Ajo që ka qenë tabu gjithherë ishte fati i rrethit të tij familjar. Synimi i kësaj monografie është që të sillen para lexuesve ato që njihen e çfarë nuk njihen si një e tërë në Universin Idromeno, krejt ndryshe nga se konceptohet nëpër galeri apo ekspozita nën ndriçimin e projektorëve mbi veprat, duke u dhënë dritën e duhur për ti përjetuar estetikisht. Mirëpo pjesa tjetër që e rrethon këtë mjeshtër të pikturës shqiptare dhe plot arteve të tjera, lihet gjithherë në tymnajë e harrim. Dihet që kërshëria njerëzore ka qenë e mbetet tundimi për të njohur atë që i fshihet syve të publikut, që mbetet nën hije, në prapaskenë apo pas tablove. Në këtë monografi kemi një shfaqje të tillë ku skena e prapaskena njëjtësohen, ashtu siç ka qenë në jetë. Dhe Sagë. Pse Sagë? Sepse Saga në prejardhje vjen nga rrëfimet e moçme në ishujt e veriut të kontinentit, të cilat konsideroheshin më së shumti kronikë bëmash historike, përmbajtja e tyre ishte dramatike, shpesh shprehte pikëllim për jetët e humbura njerëzore duke u përshkruar kësisoj edhe me elementë tragjikë. Në rrethin familjar të Kol Idromenos dhe motrës së tij Antoneta Idromeno- Skanjeti (Motra Tone), i gjen të gjitha këto elemente; gëzimin, melankolinë, vuajtjet dhe tragjizmin.
Libri përbëhet nga katër kapituj, Familja Idromeno & Skanjeti, Pasardhësit e tyre në Shqipëri, Pasardhësit e tyre në Kosovë dhe një Album i pasur fotografik nga e shkuara deri në ditët e sotme. Në fund të librit është vendosur treguesi i emrave, Gjenealogjia sipas familjeve Idromeno, Skanjeti: Zef Andrea Skanjeti, djali i Motrës Tone, si dhe pesë vajzave të saj Milena Zorba, Orsolina Çoba, Katrina Traboini si dhe dy vajzave të martuara në Pejë të Kosovës, Domenika Vila dhe Matilda Nulleshi.
Monografia “Saga Idromeno” ka 260 faqe dhe është pasuruar me 116 fotografi me shpjegime sipas thënies kuptimplotë një fotografi një histori dhe shënon librin e 40 në krijimtarinë e autorit K. P. Traboini.
 
Pantheon Books Info

21 September 2021

🟢 Trimi Aristidh Kola dhe presidentët që pshurrën prej frikës së grekëve - K .P. Traboini


TRIMI ARISTIDH KOLA
dhe presidentët që pshurrën prej frikës së grekëve

Nga K. P. Traboini

Aristidh Kola mbeti një Martir i Kombit shqiptar në vazhdën e Anastas Kulluriotit, Papa Kristo Negovanit, Petro Nini Luarasit e plot të tjerë të vrarë nga shovinistët e jugut, ndaj arbërorin e madh e quaj shqiponjë flamuri se vërtet një shqiponjë ish. Ai e lartësoi kombin shqiptar në fushë të studimeve e dijeve duke sjellë krenari për historinë e shqiptarëve që nga kohët pellazgjike e deri në ditët tona. Çfarë është një titullar apo ministër para një gjigandi të tillë? Pse pra nuk po tunden ta nderojnë, por mjaftohen me një emër rruge vendosur një shtegu të ngushtë fshati në Sauk që nuk e sheh kurrkush veç ca banorë që as nuk e dinë kush është Aristidh Kola. E si mund ta dinë kur përnatë na dalin në ekran ca zvarranikë, ca flliqana partish si vemje që vegjetojnë nëpër kolltukë me mendjen vetëm si e ku ta rrjepin këtë popull. Si mund ta besoj unë ta zëmë Bamir Topin, këshilltarit të të cilit, kur ishte president i kam kërkuar disa herë të nderojnë Aristidh Kolën. Por as këshilltari i vogël dhe as presidenti i “madh”,  nuk e luajtën qimen për të nderuar ata që treguan trimëri që përshkruhen si në legjenda. Bënë të kundërtën, dekoruan një ish-sekretar partie, një komunist fanatik me një rreth familjar që kanë terrorizuar popullin, Rrofsh moj Parti e Punës, e ngordhur je, por si mbretëreshë mbretëron edhe nga varri. Nuk le segment të shtetit pa i futur  pinjollët e tu. Erdhi nje tjetër president...një hukubet me karabojë me emrin Bujar Mehmeti,  që për të qenë i pëlqyeshëm në politikë e kërtheu mbiemrin Nishani. Edhe ky vuri nishane nëpër gjokse këngëtarësh tallava dhe disa miqëve të tij politikë, shqiptarë në Amerikë. Bëri edhe dy a tre emra artistësh mediokërr me titullin “Nderi i Kombit”, por Aristidh Kolës jo edhe pse i shkuan 1800 firma dhe kërkesa nga tre shoqata nga Shqipëria e Kosova. Nuk e preku dosjen ky nishanlliu. Pastë hijen e vet. Hijen e vet pastë edhe karabushi në krye të Akademisë së Shkencave të leshit e pambukut të kuq komunist. Po edhe ky tjetri që kemi në krye nuk e di pse po hesht?Kaq frikë kanë prej grekëve të Grekidhisë këta presidentët tanë, na hiqen trima të çartun në Shqipëri e mirë bëjnë, po pse bien squk e qullen e qe besa edhe pshurrën para serbëve e grekëve dhe lëpihen si lakej para turqëve.Çfarë pret pra qytetari nga ky lloj politikani apo të tjerë që punojnë veç për të mbajtur sumën majë kolltukut. Asgjë nuk pret.Veç rrena e mashtrime. Shpresën e kemi tek të rinjtë. Ai brez që po kuqëlon me zemër të zjarrtë për bashkim kombëtar e shporrjen e vemjeve që vegjetojnë si krimba në trungun e shtet-pushtetit. Poshtë krimbat, pra! Rrofshin heronjtë që dinë t’i venë gjoksin dallgëve e fortunave, ashtu siç trimërisht bëri edhe i dituri e trimërori arbëror Aristidh Kola! E mos prisni këto fjalë t’i botojë ndonjë gazetë, as t’i citojë ndonjë TV, sepse edhe pushteti i katërt është kapur, është qelbur, i ka rënë murtaja e zezë e korrupsionit. Janë bërë bij kumbullash që të gjithë politikmutbërsit, hapin universitete, gazeta, TV, revista idiote për vipa e rripa, dhe për karrierë, pushtet e para shesin edhe nënat e veta. Kjo politikë idiote me këta marroqë skandalozë që i drejtojnë nuk të japin kurrfarë shpresë se një ditë do të jetojmë të qetë në këtë vend që po e shkatërrojnë materialisht dhe shpirtërisht. U hiqni vizë kërrmave të vjetra. Nuk kanë më ç’të thonë. Janë shterpëzuar në ide. Kanë marrë fund. Le të shpresojmë tek brezi i ri e jo tek kërrmat e vjetra.

22 July 2021

Autokrati - nga Kolec P. Traboini

🟥 AUTOKRATI

Nga Kolec P. Traboini


Miliona mesazhe dërgon autokrati në drejtim të zgjedhësve. Mesazhet e tij si stuhia e karkalecave pushtojnë gjithë qiellin elektronik e nuk lënë gjeth të blertë mbi faqe të dheut, e nuk është çudi që në këtë delir madhështie e drithërimë rrëzimi me votën e popullit, ti ketë dërguar një mesazh edhe vetes. I pangopur në pushtet, i etur deri në çmenduri për të qenë babai i kombit kur Autokrati nuk është tjetër veç shtrigu i kombit.  Sinonimi i makutërisë, është një përsëritje komike e të gjithë diktatorëve që  kësisoj nisin e bitisin, që përshkallëzojnë uzurpimin e pushtetit pa u ndalur nga arsyeja sepse logjika e tij qytetare është e lëkundur, sepse ata që aspirojnë autokracinë e pushtet të pakufizuar nuk u konvenon liria e qytetarëve. Por nuk është e keqja vetëm tek një njeri patologjik në babëzinë për pushtet, më e keqja janë vemjet që i vinë nga pas dhe e mbajnë në pushtet, aparati i instaluar si një mekanizëm i metaltë, një lloj prangash sociale që atrofizon mendimin qytetar. Pas tij si skotë e zezë  janë urithët që nuk e duan dritën e meqë nuk kanë vetë sy ta shohin duan edhe ne të tjerëve të na lënë pa dritë dhe në errësirë. Një pjesë urithëve po vinë edhe nga Kosova se ka urithë edhe andej, vinë të votojnë në Shqipëri duke mos pas të drejtë të votojnë këtu, sa kohë që ne qytetarëve të Shqipërisë nuk na lejohet të vemi të votojmë në Kosovë. Por ky Autokrat që ka instaluar në Shqipëri një diktaturë e pushtet personal, i ka marrë masat duke shpërnda karta identiteti shqiptar me shumicë  në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo duke u dhëne madje nga dy karta. Punishtet e kartave të rreme punojnë me shumicë në Tiranë, shtypi i zbulon e policia ngre supet.  E natyrisht kësisoj nuk është çudi të fitojë me një shumë sa dyfishi i zgjedhësve në Shqipëri. Nga babëzia ka humbur kontrollin e vetvetes e jo më të drejtoj një shtet normal. Se në fakt ai është shteti dhe pushteti, legjislativi dhe ekzekutivi, ai është prokuroria dhe gjyqi, është Zoti, është mbret është Diell. Ai nuk do të ikë. Se natyrisht si do të bëjë ky shtet pa Diellin e tij që konvenon me errësirën tonë. Ai është fataliteti ynë. Por unë që kam shpëtuar nga diktatura e komunizmit një herë nuk e fus më kokën nën një diktaturë tjetër të një njeriu që punon me një platformë vrastare për lirinë e demokracinë në këtë vend. Kjo pjellë tinëzare e komunizmit është  si një virus me imunitet nga çdo lloj antibiotiku në trupin e Shqipërisë  të cilës i ka sjellë shumë mundime që nuk është vendi këtu të përmenden, por koha do të vijë që të shkruhet gjithçka për të,  për ta vizatuar kësisoj përfundimisht portretin e shtrigut të kombit.

Mënyra më e mirë për ta vrarë lirinë qenka që të dalësh ta kërkosh me zë të lartë në rrugë e në momentin që ajo të shfaqet, ta qëllosh në zemër. Këtë ka bërë dje e po bën sot Autokrati. Por unë shpresoj tek populli im, tek dëshira e tij për liri e demokraci të vërtetë e të pakushtëzuar, shpresoj se njerëzit do të binden më  së fundi se demokracinë nuk na e solli si tortë në pjatë ky Autokrat mendje errët i qorruar nga ambicia e pushtetit,  por e fituam vetë ne, populli..E për at Zot, mos pyesni se kush na qenka ky Autokrati. Nëse jeni i molepsur nga hashashi ideologjik është e lehtë ta drejtoni gishtin diku larg në kahen tjetër, kur atë mund ta keni fare pranë e jetoni nën hijen frikën e tij; por, nëse jeni i lirë në ndërgjegjen tuaj, nuk do të ngurroni t’i vini një emër, ta stigmatizoni e ta rrëzoni nga pushteti cilindo që inspiron tiraninë mbi ty.Liria e demokracia paska kërkuar nga ne shumë sakrifica ani pse kanë kaluar kaq vjet e duhej të ishim të plotë në lirinë tonë, në demokracinë tonë, në mirëqenien tonë, në mundësitë tona për një jetë më të qetë, më të begatë e më të bukur. Nuk mund populli të gënjehet pafundësisht, por nëse me ndërgjegje lejojmë të gënjehemi sërish e serish jemi të vrarë. Se duke u vrarë demokracia,  jemi të vrarë edhe ne që e inspirojmë atë.Por edhe autokrati duhet ta dijë mësimin historik, dijet e të mençurve të kësaj bote, se nuk është as i përjetshëm e as i pavdekshëm, se mund të lëndohet një brez njerëzor, mund të vritet një tjetër, mund ta mbahet me gënjeshtra akoma dhe një tjetër, por liria e demokracia janë si Dielli, sado të zgjatë nata, nuk ka çajre pa dalë.

 traboini@yahoo.com