23 August 2012

ZHGENJIMI I AMBASADORIT AMERIKAN - nga Traboini


ZHGENJIMI I AMBASADORIT AMERIKAN
Një libër që hedh dritë mbi kaosin  politik shqiptar

Libri  “Zhgënjimi i Ambasadorit Amerikan”  i gazetarit Kolec  Traboini përmban esè mbi zhvillimet bashkkohore në jetën politiko-shoqërore në Shqipëri dhe përpiqet të hedhë dritë mbi kaosin politik shqiptar. Libri ndahet në katër kapituj me trajtesa sipas problematikave që rrok  këndvështrimi i autorit.
 Vendin kryesor e zë shkrimi që i jep titullin librit e që ka të bëjë me përpjekjet e mëdha që ka bërë kohët e fundit  Ambasadori Amerikan në Tiranë për sjelljen në një hulli të kahjeve të ndryshme të politikës, të cilët parapëlqejnë më shumë se mirëkuptimin e debatin e qetë, ndërtimin e marrëdhënieve konfliktuale deri në mosfunksionimin e parlamentit shqiptar në atë nivel që kërkon demokracia e vërtetë e jo ajo fallso. Një aspekt i veçantë i kësaj pasqyre të trishtueshme u pa në zgjedhjen e presidentit ku në parlamentin shqiptar u luajt si në teatrin e kukullave. Mungesa e Ambasadorit Amerikan në momentin kur u zgjodh presidenti përbën një rast të paprecedent e megjithatë u kalua nga politika dhe mediat shqiptare si një çudi që zgjat tre ditë. Mirëpo rrënjët janë më të thella nga se shfaqen në dukje. Në shkrimin në fjalë që botohet shqip dhe anglisht analizohen tiparet e kësaj politike që më shumë të kujton mexhliset e kohës së pashallarëve sesa të një vendi  në shekullin e 21 që pretendon të hyjë në bashkimin e shteteve më të civilizuara të botës.
Libri përbëhet edhe nga disa kapituj si “Histori me histeri nuk shkruhet” në të cilin mbartet shqetësimi qytetar për politika personale pozitat e pushtetit, herë-herë imponuese sa të krijojnë përshtypjen e reminishencave me të kaluarën e trishtë ku gjithçka në jetën e njeriut imponohej nga lart me dhunë. Trajtohen edhe probleme të figurave historike apo lajthitjeve të historianëve të cilët anipse jetojnë në një kohë tjetër nuk dalin dot prej skemave konceptuale atavike të së djeshmes.
“Brainwashing- trushplarja” është kapitulli tjetër me esè në të cilin trajtohen efektet e mbrapshta të politikës  dhe medias mbi njerëzit,  të cilët ndodhen nën një presion thuaj të përditshëm të propogandave partiake, sikur çdo ditë e vitit dhe çdo orë e ditës të jetë një fushatë demagogjike zgjedhjesh, apo paradokset e moskuptimeve të krahëve të politikës, ku e djathta del me parulla majtise dhe e kundërta, sepse asnjë krah i politikës nuk ka një program të qartë dhe ky kaos politik krijon efektet e veta edhe në popull ku me shumë se njerëz që përkrahin ide, shfaqen thjesht fansa liderësh partiakë. Në këtë kapitull trajtohet, pos të tjerash edhe  problemi se çfarë në të vërtetë mishëron parlamenti shqiptar që të kujton më së shumti “muhaxhirët” e Faik Konicës.
Kapitulli i katërt “Rrënjët tona janë në Arbëri” përmban shkrime që kanë natyrën e kujtimeve, ku  përkujtohet figura e arvanitasit më të madh të shekullit të kaluar, Aristidh Kola.  Krahas të tjerave ka edhe një përshkrim mbi mitingun antikomunist të intelektualëve e krijuesve të kryeqytetit në fillimvitin e 1991 para stadiumit kombëtar,  i organizuar nga vetë autori i librit që atëkohë ishte kineast e punonte në Kinostudio,  si dhe shënimet e tij gjatë 15 vjetëve jetë në Boston me ngjarje e zhvillime nga jeta në komunitetin shqiptar në Amerikë. 


11 August 2012

HAJNI LAJMESH NE PRISHTINE

HAJNI LAJMESH NE PRISHTINE

 



Nga  
KOLEC  TRABOINI


Gje e bukur qenka ta shohesh shkrimin tend te botuar ne gazeten "LAJM" ne Prishtine apo dhe ndonje gazete tjeter. Gezon njeriu ani pse nuk merr asnje cent. Gezon e thote, epo ne Prishtine do ta lexojne emrin tim, por vec ata, nuk e lexojne badihava sic shkruajme ne,  se gazeten do ta blejne prishtinasit.

Po kur shoh faqet e gazetes, si autor nuk me mbetet vec te ve duart ne koke. Pshtjellim i madh.Shkrimi im eshte pa autor, si me thane jam i padukshem, ndryshue titullin nga "Flaken ne rruge femijet e Komandant Telit" ne "Pullazxhiu i la pa kulm", mire kete,  po mbiemrin e komandant Telit nga Koxhaj ne Goxhaj pse ja ndrruan, se keshtu mbase ju duket se e kane shkrue vete...I dyti rast brenda dite me te njejtin shkrim e me nje te rene te lapsit marrin shkrimin e botojne dhe e heqin autorin sepse i bezdis. Se keshtu edhe lexuesit rreken e genjehen kinse shkrimin e kane shkrue gazetaret e gazetave te Prishtines.
Vij verdalle si atij njeriut qe e kane vjedhur kalin ne mes te dites e ne mes te pazarit e nuk di ku te ankohet. Kruaj koken e them me vete: A thue ne Kosove te gjithe jane hajna lajmesh?! Mos o Zot...Se mos vec ne Kosove?! Se mos vec lajmesh.... Po keto vec lajme jane, fjale. Ne fatin e poezive edhe lajmet... E ku peshon fjala nder ne. E merr era nga une e shkon direkt tek redaksite e Prishtines e ata i kullundrisin si simite. E thone, ta kemi rregulluar shkrimin mire e mire. Dhe emrin ta hoqem se pse e do...me mire anonim, popull, si ne revolucionin kulturor kinez qe i hoqen kopertinat e librave sepse u be edhe kolektivizimi i truve. 
Dhe, a thue edhe kete lajm qe po shkruaj tani do ta marrin e do ta botojne ne faqet e gazetes si ate per Florin Krasniqin e pullazeve te New Yorku, qe zbriti nga pullazet e drejt e deputet ne Prishtine. Po fundja le ta marrin. Sepse edhe te duan te mos e marrin nuk munden, se kush eshte mesue nuk rrin pushue thone ne Shkoder, e shkodranet i dine mire keto pune se thone hajni e kopili...Kur ma bejne mua qe jam gazetar qe 30 vjet, qe nga koha e kash e lashes, kush e di cfare behet me te tjeret.
Kjo gazeta "Lajm" e M. Bytycit ne Prishtine, si gjithe te tjerat,  ka shkrue ne faqe te pare edhe Copyright dhe All Rights Reserved. Sa ne mendime po me ve ky shenim. A dine ndopak anglisht ata te gazetes "Lajm" qe po mi ruaka shume mire shkrimet e mia, ma mire se vete...madje edhe prej meje. Mi ruaka dhe mi rruaka!
Perralla ne lesh e shendeti prej nesh, o koleget e mi gazetare ne Kosove! Thone korbi korbit s'ja nxjerr syte, po gazetari gazetarit ja nxirrka...

Gazeta"Lajm" Prishtine, M.Bytyci, Adresa: Rruga UÇK, Nr. 58, Prishtine, Tel: 038 221 567, Mobil: 044 215 791, Web: www.gazetalajm.info, Email:  mbytyqi@gazetalajm.info.

05 August 2012

🔴 Komandant Teli dhe Flamuri në Haraçinë - nga K. P. Traboini



 
NJE AMANET QE S'E TRET DHEU

11 vjet më parë, me 7 gusht 2001 ra me tradhti prej segmenteve të Shtabit të UÇK-së në bashkpunim me policinë sllavo-maqedone , në një shtëpi të Gazi Babës kryetrimi i luftës së shqiptarëve në Iliriadë Komandant Teli -Lefter Koxhaj, bashkë me luftëtarët e njësitit të tij “Teli-69”, Ndriçim Koxhaj, Pajtim Roçi, Arben Bajrami e Abaz Beqiri. Edhe sot e kësaj dite kjo tradhti ka mbetur enigmë por veç një gjë është e deklaruar që tradhtia ka ardhur nga segmentet e Shtabit të cilët i sakrifikuan e tradhtuan djemt e masakruar nga frika se u dështonin bisedimet që atë kohë zhvilloheshin në Ohër, çfarë përfundoi me vrasjen e djemve natën në gjumë pasi i kishin helmuar dhe firmosjen e  Marrveshjes së Ohrit, cila më shumë se paqen gjysmake na kujton Tradhtinë e Madhe.
Komandant heroik Teli, ka mbetur i gjallë në mendjen e zemrën e shqiptarëve
atdhetarë që mendojnë e punojnë për Bashkimin Kombëtar. Lavdi të përjetshme djemve që luftuan për ideale të mëdha kombëtare. Ideali i tyre le të vlojë në zemrat e të gjithë brezave të sotëm e të së ardhmes. Atdheu është kudo ku flitet shqip, kudo u është derdhur gjak shqiptar, e kudo ku pushojnë eshtrat e të parëve tanë.
Ky është amanet që s'e tret dheu...
Këtu keni një episod të luftës së Komandant Telit në Haraçinë pjesë e një libri që po shkruhet.

K. Traboini, 6 gusht 2012




KOMANDANT TELI DHE FLAMURI NË HARAÇINË
 
Ngjarje e jetuar 
Nga KOLEC P. TRABOINI

Një Flamur dhe një Hero. Koha i solli të dy në Haraçinë në një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Beteja e Haraçinës i bashkoi edhe heroin edhe flamurin në një simbolikë me dimensione kombëtare. Flamuri kishte një histori të gjatë nëpër kryeqytetet e Europës. Heroi asokohe ishte ende fëmijë, ndoshta jo më shumë se dhjetëvjeçar diku në fshatrat e Skraparit kur flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenare kish nisur të valëvitej në demostratat e shqiptarëve nën thirrjet “Kosova Republikë”.
Në vitet `90 ndodhën shumë ngjarje që do të shkruhen në histori. Me ardhjen e lirisë në Kosovë, Flamurit i kishte ardhur koha të qëndronte në familjen Abazi në Haraçinë. Ishte Flamuri i familjes, i krenarisë së saj si një vatër me tradita shqiptare.
Pranvera e vitit 2001 erdhi me luftëra në trevat shqiptare në Maqedoni. Jo vetëm njerëzit por edhe flamuri si simbol i indentitetit kombëtar u përfshi në këtë luftë.
 
*      *      *
 
Në fillim në Haraçinë u shfaq Teli me njësitin e tij special për të vëzhguar e pastruar terrenin. Më pas erdhën trupa të tjerë të UÇK-së dhe Haraçina u shpall zonë e lirë.
Armiqtë u përpoqën disa herë ta merrnin Haraçinën duke përdorur tërë arsenalin e ushtrisë. U përdorën armët më moderne. Tanket dhe avionet u vërsulën si të çmendur mbi atë Haraçinë që për nga shkalla e rezistencës po krijonte një legjendë. Ministri i brendshëm, Lube Boshkovski kishte deklaruar se duhej t`i bënin gati një kafe që ta pinte triumfator kur të mbërrinte në Haraçinë. Por ky ministër kriminel nuk e piu dot kafenë në Haraçinë. Në vend të kafesë e pritën me plumba. Aq e madhe ishte rezistenca e luftëtarëve sa nuk bënin punë as tanket e avionet.
Në një nga ditët e luftimeve më të ashpra, Komandant Telit iu plagos luftëtari më trim në njësit, Arben Bajrami. Sulmet e armiqve ishin të furishme dhe rrezikohej të çahej mbrojtja. Për të shpëtuar situatën Komandant Hoxha i dha urdhër Telit që bashkë me njësitin e tij të bënte një tërheqje taktike për të ruajtur forcat, por ai nuk u tërhoq. Përgjigja e tij qe: - “Vetëm më sillni armatim se po mbaron. Nuk i lë armiqtë të kalojnë veç mbi trupin tim”. Dhe armatimi erdhi. Madje erdhën edhe disa forca të reja të freskëta nga njësiti Skënderbeu. Veç ta shihje atëherë komandant Telin. I ngulur aty në llogore ai luftonte si një luan. Shokët e tij e shihnin dhe nuk u besonin syve. Tek shihnin Telin që luftonte atyre ju mbushej shpirti me besim. Atje ku ishte komandanti kishte vetëm fitore. Ndërkohë që në frontin përballë duke e parë se nuk po përparonin asnjë pëllëmbë tokë në Haraçinë kishte nisur paniku. Të vrarët ishin të panumërt. Por as që mund t`i tërhiqnin trupat e të vrarëve sepse zjarri që lëshonte Teli dhe njësiti i tij ishte i tmerrshëm. Dhe erdhi një çast kur trupat sulmuese që kishin ardhur me aq pompozitet, sapo u përhap fjala se përballë në front kishin Komandant Telin, i thërritën me zë të lartë njëri-tjetrit “"Begaj begaj ide Zhica (Ikni, ikni se po vjen Teli").
Gjatë ditëve të luftimeve kishte dhe situatë armëpushimi për tërheqjen e të vrarëve. Por ishin të shumta edhe situatat e tensionuara kur predhat binin kamos si shi i metaltë. Kaq i furishëm ishte sulmi i forcave qeveritare sa dikush hapi fjalë paniku sikur luftëtarët e derrmuar kishin ngritur flamurin e bardhë për dorëzim. Komandant Teli atëherë doli përballë ushtarëve të vet e u tha "Jo, nuk jemi dorëzue e as dorëzohemi për të gjallë".
Komandant Teli kishte parë në shtabin e improvizuar në një shtëpi një flamur, pikërisht flamurin e familjes Abazi që kishte kaluar nëpër tërë Europën dhe në Luftën e Kosovës.
“Ky është territor i lirë. Këtu do të valëvitet flamuri ynë kombëtar.”- tha komandant Teli. Dhe urdhëroi komandantin e policise ushtarake të brigades 114 Jahi Vishticën, të ngrinte Flamurin e kuq me shqiponjë dykrenore. Dolën Jahi Vishtica, Xhezmi Nebiu dhe Baki Abazi dhe e vendosen flamurin. Gjatë gjithë ditëve të betejave ai flamur qëndroi në ballë të Haraçinës.
Armiqtë që ishin vendosur përballë e kishin halë në sy atë flamur dhe meqë nuk arrinin të çanin frontin e mbrojtjes së luftëtarëve të UÇK-së, menduan të përdornin ndonjë mënyrë djallëzore për t`ua ulur frymën luftarake. Nisën disa forca speciale me qëllim që ta rrëmbenin flamurin e kuq me shqiponjën e zezë, pastaj atë rrëmbim ta trumbetonin si një fitore, sikur shqiptarët ishin tërhequr në panik dhe kishin lënë jo vetëm të vrarë, por kishin braktisur edhe flamurin kombëtar.
Ne realizim të planit djallezor filluan të qëllonin me breshëri në distancë mbi flamurin. Qëlluan aq shumë e pandërprerje dhe prisnin që me t`u rrëzuar flamuri nga shtylla, të lëshonin forcat speciale për ta rrëmbyer. Një ushtar e njoftoi Komandant Telin se ç’ po ndodhte në hyrje të Haraçinës: - “Armiqtë po duan të na rrëmbejnë flamurin.”
Djemt ushtarë të UÇK-së u përpoqen disa herë por ishte e pamundur të afroheshe pranë shtyllës ku qe vendosur flamuri për shkak të breshërisë së plumbave të forcave qeveritare.
Por erdhi një çast që flamuri u shkëput dhe ra. Nderkohë Komandant Teli erdhi me një frymë në vendin ku po luftohej për një flamur. Pa edhe disa forca speciale në frontin përballë që nisën të përparonin drejt vendit ku kishte rënë flamuri. Atëherë ju tha luftëtarëve të vet ta mbështesnin. Filloi një zjarr në të dy krahët. Nuk kish më kohë të mendohej se çfarë duhej bërë. Nuk e pa të udhës të urdhëronte ndonjë nga djemtë të shkonte të merrte flamurin në mes të breshërive të vdekjes.
I pa shokët në sy. Kish një dashuri aq të madhe të Komandantit për ushtarët e vet. Jo ai nuk mund të sakrifikonte asnjërin prej tyre. Shpëtimi, ushtari i tij trim që kish luftuar në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës ishte vetëm 21 vjeç, të tjerët po ashtu.
Si e vrojtoi terrenin me kujdes krejt papritur, me një shpejtësi e shkathtësi që vetëm ai mund ta bënte, Komandant Teli iu afrua shtyllës ku kish rënë flamuri. Shokët e njësitit nuk e reshtën zjarrin për të mos i lënë armiqtë të qëllonin mbi komandantin. Në këtë terren luftimi vdekja ishte e sigurt, por Komandant Teli nuk e kishte frikë vdekjen.
Përmes plumbave që vërshëllenin, me flamur mbështjellë pas gjoksit ai erdhi tek bashkluftëtarët. Kishte djem luftëtarë që ju mbushën sytë me lotë. E përqafonin komandantin e tyre dhe mendonin se ish njeri me flatra. Njeri që nuk e zë as plumbi pushkës dhe as predha e topit.
Forcat qeveritare përballë, kur e panë se flamuri tanimë ishte në duart e luftëtarëve të UÇK-së, reshtën së qëlluari. Ishte krejt i kotë harxhimi i municioneve.
Përpjekje për t`u marrë simbolin shqiptarëve kishte dështuar.
Tek e përqafonin komandantin e tyre ushtarëte njësitit vunë re se flamuri kishte marrë disa plumba. Armiqtë kishin dashur të vrisnin edhe Flamurin, por nuk mundën. As Haraçinën nuk e morën dot, as kafenë nuk arriti ta pinte në këtë vend ministri i brëndshem i shtetit.
Në Haraçinë valonte flamuri i lirisë, flamuri i shqiptarëve, simboi i shpirtit të tyre të pamposhtur.
Për të mos dalë të turpëruar në përpjekjen e tyre të dështuar armiqtë hapën fjalë me lajmin e rrejshëm se vetë shqiptarët e kishin ulur flamurin në Haraçinë dhe në vend të tij kishin vënë një flamur të bardhë kapitullimi. Mirëpo askush, madje as të huajt, nuk besonin që kjo të kish ndodhur. Tani që forcat luftarake shqiptare nga Haraçina e kishin fare afër Shkupin, u mor si një kërcënim serioz. Madje që andej komandanda e UÇK-së deklaroi se nëse nuk do të tërhiqeshin forcat qeveritare nga sulmet në Likovë e Mateç, do të bombardonin edhe aeroportin ku kishin zënë vend avionet luftarakë qeveritarë.
Nuk shkoi shumë dhe vëzhguesit e huaj vunë re se avionet luftarake qeveritare u ngritën e morën rrugën për në aeroportin e Ohrit, larg zonës së luftimeve. Por edhe trupat qeveritare u tërhoqen nga sulmet në zonen Likovë e Mateç, ku forcat e UÇK-së ishin nën presion e të rrezikuara. Ultimatumi i luftëtarëve shqiptare kish bërë efektin e vet në Shkup, por edhe qarqet diplomatike europiane u binden se shqiptarët në betejën e Haraçinës kishin triumfuar, duke gjunjëzuar shtetin megalloman që shpërfillte, shtypte dhe masakronte qytetarët e vet.
Të huajt bënë çfarë ishte e mundur për ta shpëtuar shtetin që po gremisej në luftën etnike dhe bënë presion mbi shqiptarët që të terhiqeshin nga Haraçina në shkëmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm por që kurrë nuk u respektua nga forcat qeveritare.
 
*      *      *
 
Mbas luftës, Flamuri me shenja plumbash, që e mbrojti dhe e shpëtoi Komandant Teli, vazhdoi të qëndrojë në familjen Abazi në Haraçinën heroike, atje ku u zhvillua beteja më e lavdishme e shqiptarëve që tronditi themelet e një shteti megalloman.
Kur bëhen luftra vriten e plagosen luftëtarët, por vriten e plagosen dhe flamurët.  

 
© Copyright Traboini 2012 
Nuk lejohet ribotimi i këtij materiali letrar në median e shkruar apo elektronike.



23 July 2012

PER DED GJO LULIN PSE NUK FLITET ASNJE FJALE - APO PSE ESHTE KATOLIK? - nga Kolec Traboini

Kreshniku i Traboinit të Hotit dhe i gjithë maleve shqiptare Ded Gjo Luli


PER DED GJO LULIN PSE NUK FLITET ASNJE FJALE - APO PSE ESHTE KATOLIK?

KOLEC TRABOINI

A e keni vënë re se Kryeministri shqiptar nuk e përmëndi as në janar kur e hapi 100 vjetorin e Festimit të Pavarësisë dhe as më pas, kohët e fundit kur përmëndi edhe Ahmet Zogun për një shtatore në Tiranë, emrin e Ded Gjo Lulit. A thue është rastësi që Kryeministri i vendit tone( i të gjithëve pra), sa herë mban fjalime të përditëshme nuk përmënd asnjë emër katoliku nga ata që kanë bërë emër në Histori, aq më tepër se Ded Gjo Luli ka qënë i vetmi që ka organizuar një kryengritje me përmasa të mëdha, Kryengritjen e Malësisë së Madhe, e paparë ndonjë herë në Shqipëri që nga koha e Gjergj Kastriotit- Skenderbeut, dhe më kryesorja ka ngritur i pari në Shqipëri pas 450 pushtim otoman, Flamurin kombëtar në Deçiqit me 6 prill 1911.
Ded Gjo Luli ka luftuar që në moshën 20 vjeçare për shqiptari, ka qënë 73 vjeç kur ka udhëhequr luftën për liri e pavarësi kundër gjeneralit turk Turgut Pasha dhe ka fituar mbi të, për të cilën ka shkruar edhe gazeta “New York Times” në Amerikë duke e bërë të njohur kështu çeshtjen shqiptare anë e mbanë botës.
Ded Gjo Luli ka dhënë jetën e dy djemëve të vet dëshmor për Atdhe e së fundi ështe i vetmi udhëhëqes i kryengritjesh në historinë tonë që pushkatohet për veprimtarinë e idealet kombëtare nga armiqt e kombit shqiptar në moshën 75 vjeçare, duke e mbyllur jetën e vet me lavdi e me gjakun e tij ja ngriti lavdinë edhe kombit shqiptar.
Mirë Kryeministri i këtij vendi e i të gjithëve, u gjend, mbase rastësisht, në një udhë pa krye, po zonja Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e vetmja katolike në krye të shtetit e pushtetit (!!!), vallë nuk e di se Ded Gjo Luli është heroi më i panjollë në Historinë e Shqipërisë, për të cilin Ismail Qemali ka thënë"Ded Gjo Luli është pushke e ngrehun për Shqipërinë."
Pse kjo harresë. Aq shumë më lodh e më tundonn edhe personalisht kjo pyetje sepse në këtë pavarësi kam edhe vepren, luftën dhe plaget e tim eti që ka qënë sekretar i Ded Gjo Lulit dhe e ka sjellë atë Flamur të Deçiqit prej Vjene përmes Dalmacisë për ta ngritur e valëvitur në malet e epike që bota i quajti termopilet shqiptare.
Pse pra!? Mos vallë ....Mos vallë...
Meqë ka kohë për të ndrequr këto gabime që unë i quaj të pakonceptueshme që Ahmet Zogu ti zërë vendin në Pavarësi Ded Gjo Lulit,Nikoll Kaçorrit e Luigj Gurakuqit( të tre katolikë)...e me dëshirën e mirë për ti konsideruar si rastësi e të mundshme për tu shmangur si incidente, nuk po aludojmë por gjithësesi tingllojnë fatalisht të dëmshme për mjedisin shqiptar dhe ekuilibrin shoqëror.
Ka ca mardhënie delikate ndër popuj që kanë diversitete kulturash e besimesh të cilat qeveritarët duhet të dinë si ti trajtojnë për të mirën e vendit, e për të cilat edhe zoti Neritan Ceka që e njeh historinë dhe është këshilltar i kreut të Qeverisë nuk ka pse të zgjedh rolin komod të vegjetuesit apo soditësit pas kolltukut të qeverisë.
Faqen njeriu e ka për tu nderuar por edhe për tu turpëruar gjithësesi. Eshtë tepër e rëndë për çdo qeveri e çdo qeveritar që të marr mbi supe një turp të tillë, një akt të paprecedent përveçse në diktaturë, aq më tepër që 100 vjetori i Pavarësisë Kombëtare festohet vetëm një herë dhe përbën një ngjarje që ruhet gjatë në kujtesen e popullit.


23 korrik 2012
___________________________________


Ju sjell shkrimin tim botuar ne gazeten "Tirana Observer"me 21 dhjetor 2011, mund ta lexoni ne BLOG ose ne faqet elektronike te gazetes ne fjale duke kerkuar emrin e autorit.

http://traboini1.blogspot.com/2010/09/kush-dhe-pse-e-denigrojne-ded-gjo-lulin.html

20 July 2012

IKJA QE TE LE PA FJALE...- nga Kolec Traboini

 

IKJA QE TE LE PA FJALE...

 KOLEC TRABOINI


Lajmet në media në ditët e nxehta të korrikut thane se" Bamir Topit i hiqet e drejta e fjalës në dorëzimin e mandatit si President !" - e dikush po e percillte si një farë gabimi fatal. Po mirë more ti bëhet. Kush po ka dëshirë ta dëgjojë?! Po ky nuk la  komunist të Enver Hoxhës pa dekoruar. Edhe së fundi, në korrik kur kishte edhe  fare pak ditë në zyrë, e tregoi veten sërish admirues i flaktë i komunistëve, të cilëve u vë dekorata në gjoks plot pompë. 

 
Shqetësimin për joshjen e çuditshme të presidentit  drejt elemenit ish komunist e kam ngritur që në shkrimin “Mjeshtri i madh i turpit”, botuar 3 prill 2012  në gazetën “Standart”. Por kjo histori turpesh të dekorimit të ish komunistëve, sekretarëve të partive të sistemit diktatorial vazhdon me këtë Bamir Topin deri në ditën e fundit. Nuk kam gjëra personale as prona për të ndarë me Doktorin vetriner  Bamir Topi. Ajo që mua më ndan me të është anashkalimi që i ka bërë historisë, Kryengritjes së Malësisë së Madhe e sigurisht dëshmorëve të Pavarësisë. Ky president pa kulturë nuk e di as historinë e popullit të vet.  Po pse more u zgjodh ai? Të dekoronte familjet e kriminelëve komunistë? Po si nuk gjeti një dëshmor të Malësisë sonë trime e heroike të dekoronte. E kam sugjeruar këshilltarin e presidentit privatisht, por tanimë jam detyruar tia them emrin, Afrim Krasniqi, por mesa shoh edhe ai nuk ka patur fuqi ti ndrroj kursin Topit që të ndalojë dekorimin e komunistëve dhe sekretarëve të Partisë së Enver Hoxhës dhe të hedh sytë nga kryengritsit e vitit 1911-12. Dikush më sugjeron po dale...tani që po ikën i thua? Për mua nuk ka rëndesi koha. Nuk ia përtoj kurrkujt nga pushtetarët kur e shoh se ata ja kanë hipur kalit të pushtetit nga bishti si Don Kishotë. Kjo me shkakun se rroj me djersën time e nuk i lëpihem për tasin e pilafit, as të shtetit e as të pushtetit, as të klanit e birit të dreqit.
Per mua  njerëz si Topi e  urrejnë Malësinë e Malësorët pikërisht se e luftuan perandorinë otomane.  Konkluzioni është i thjeshtë,  mesa duket edhe ai bën pjesë në atë idenë e shpifur të neootomanizmit që po përhapet si murtajë prej Endreneje.
 More shtrohet pyetja ky ishte 100 vjetori i Pavarësisë, i atyre që e formuan këtë shtet shqiptar apo i komunistëve. Ku mi ke o president( tanime i bërë ish) luftëtarët e vitit 1911. Më duket se ky president pa indentitet( sepse e ka mbiemrin Topi që nuk thotë kurrgjë veç armatim, as fis, fshat, as komb,as shtet, as kontinent vec topçi) do të jetë ndonjë nga ata turqeli të vjetër që mbeten në Shqipëri pas vitit 1912,  se ndryshe si i la pa nderim luftëtarët kryengritës që u vranë në ballë të luftës kundër otomanëvë. Pa le kur thonë se ne nuk dekorojmë pa ardhur propozimi nga shoqatat. Po Dëshmorët e fshatit tim Traboini që konsiderohen Termopilet e Shqiptare,  nuk kanë nevojë ti marrin dorën askujt nëpër ca shoqata apo individ që i përdorin më së shumti për dallavere.Shumë prej atyre dëshmorëve as varrin nuk e kanë, nuk u dihet, veç emrat kanë, nuk ka pse pra ti kërkojnë ndokujt për të propozuar. Ka këshilltar ky president i bërë ish, dhe këta këshilltar që paguhen nga taksapaguesit shqiptar të shtrojnë kurrizin e të punojnë, të mësojnë historinë, ti njohin njerzit e jo të vegjetojnë.
Po ky shtet i korruptuar totalisht mjerisht nxjerr në krye jo njerzit me kulturë por ca sa njerëz që çfardo mund ti quash por atdhetarë kurrë. Nuk mund të duash atdheun duke dekoruar ish komunistin kuadër i lartë i monizmit që bëri çfarë mundi të internonte të birin e Kristo Dakos dhe Sevasti Qiriazit  inxhinierin Aleksandër Dako  vetëm e vetëm për ti marrë shtëpinë, çfarë indinjoi at kohë Profesor Skender Luarasin që i shkroi nje ankim edhe një prej eksponentëve më të lartë të diktaturës Hysni Kapos.
Vurr  Presidenti Topi dekoratën në gjoks persekutuesit  pas 22 vjet demokraci kur viktima e tij inxhinjer Aleksander Dako kish ndrruar jetë e nuk mund të ankoj e protestonte.Viktima kishte heshtur përgjithmonë e Topi dekoronte persekutorin .
Po ky  Topi dekoroi edhe sekretarin e Ramiz Alisë, që kish shkruar një palo roman ku priftërinjt e pushkatuar i nxiroste si kriminelë, një mi gjyqesh komuniste,  me të cilin dilte edhe në fotografi nëpër restorante,  e duke e harruar sekretarin e Ded Gjo Lulit, që ka sjellë Flamurin e Deçiqit, e ka ngritur ate flamur me shokët në Bratilë me 6 prill 1911, është plagosur në luftë me 15 korrik 1912 dhe po shtoj se ka qënë publicist atdhetar që ne 1910 dhe 40 vjet mësues i gjuhës shqipe në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri.Po jo more, ky shkon e zgjedh sekretarin e diktatorit e bamp dekoraten Mjeshtër i Madh në gjoksin e vogël të dëshmitarit të gjyqeve.
Dhe thonë se ne bijt e Malësisë së Madhe dashka të shkojmë e të lutemi  për ti vlerësuar dëshmorët tanë tek ca shoqata fantazmë.  Jo more jo. Nuk i shtrijmë dorën kurrkujt për këtë punë. Ky shtet në është i shqiptarëve le ti nderojë ata që e bënë pavarsinë, në është i turqeve le ti mohojnë.
Këshilltarët e tij as që dinë nga historia e popullit, e Bamir Topi jo e jo mesa duket. Të ish se zgjidhej edhe një herë tjetër( Mos o Zot), do të dekoronte të 100 mijë trimat komunistat të nënës Parti. Edhe Haxhi Lleshi do ta kishte zili.
 Ky president më duket më i  paafti që ka patur ndonjëherë Shqipëria, ndërsa pyetjes që më parashtrohet se çfarë do të jetë presidenti i zgjedhur Bujar Nishani, nuk e di,  por ajo çfarë di është se libohovitët kanë qënë të njohur në histori si njerëz të drejtësisë, ata kanë patur më shumë universitar në fushë të drejtësisë se Gjirokastra e rrethe të tjera në jug, e kjo që në kohën e perandorisë otomane. Besoj se tradita ndikon në karakterin e njeriut ashtu si Hoti, Traboini dhe im Atë kanë ndikuar tek unë. Se çfarë do të ndodh do të shohim. Të mos e paragjykojmë por ta gjykojmë kur ti shohim punët. Ajo çfarë kemi përpara syve është se këtij Topit të presidencës ja pamë punët dhe na ka lënë me gojë hapur prej inteligjencës baritore... Më është formuar bindja se është fatkeqësi kombëtare kur zgjidhen në krye të shtetit vetrinerë, se Shqipëria është një shtet me popullsi,  me njerës e jo një fermë kafshësh. Zatën për të i kemi punët aq bukur...se kemi në krye njerëz me kulturë të madhe sa përmban praku i derës dhe oborri i shtëpisë...


13 July 2012

SHPIRTI I ARBERIT RRON - dy fjalë me At Antonio Bellusci, pas 10 vjet ndarje me mikun tonë të përbashkët, Aristidh Kola.



ARISTIDH P. KOLIA
(1944-2000)

Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së studiuesit dhe veprimtarit të shquar arvanitas Aristidh P. Kolia, miqtë e admiruesit e veprës së tij, organizuan një mbledhje përkujtimore në sallën e Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Tiranë. Kishin ardhur jo vetëm ata që e kanë njohur nga afër këtë figurë që tashmë në sytë e shqiptarëve ka marrë përmasat e një heroi, por edhe lexues të shumtë të veprës së tij. Shumica e të pranishmëve ishin nga Tirana por kishin ardhur edhe nga qyteti i Shkodrës i njohur për traditat art e kulturëdashëse. Fjalën kryesore e mbajti gazetari dhe kineasti Kolec Traboini, i cili e ka njohur Aristidh Kolian nga afër në kohën kur nxirrte gazetën shqipe “Egnatia” në Athinë dhe ka botuar librin “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”.

06 July 2012

MINISTRIA E ARSIMIT "I JEP DIPLOME PJEKURIE" SKENDERBEUT


MINISTRIA E ARSIMIT "I JEP DIPLOME PJEKURIE" SKENDERBEUT

Ministri Myqerem Tafaj duhet të jap dorëheqjen nesë e ndjen veten kombtarisht shqiptar.


KOLEC TRABOINI

Shihni  formularin model për dëftesat shkollore, që Ministria e Arsimit ka nisur për Drejtorinë Arsimore në Tiranë, ku udhëzohen për të plotësuar dëftesat e llojit të ri e në të cilin lakohet emri i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti pikërisht  në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare.  Madje i shkruhet datëlindja  25 qershor 1993 lindur në Krujë  të Tiranës. Ky Gjergj Kastrioti Skendërbeu,  nxënës i ministrit Myqerem Tafaj,  paska marrë nënta por paraqitet mesatar në gjuhë anglishte dhe akoma më përdreq në fizikë. Gjithësesi heroi ynë kombëtar në këtë 100 vjetor të Pavarësisë  ka arritur më së fundi pas 5 shekujve në një varr pa eshtra,  të marrë diplomën e pjekurisë shtetrore, a thënë ndryshe ka marrë diplomën e një Ministrie skandaloze që e drejton ministri Myqerem Tafaj,  i cili për nga mbiemri të kujton një ministër tjetër Tafaj tabani ( shokun Xhemal) që merrej me punët komunale të Shqipërisë në kohë të diktaturës dhe ishte ekzemplar i rallë për nga gojtaria e vulgut.
A thua këta të ministrisë , të sotmit  pra, nuk kishin mundësi të sajonin ndonjë emër tjetër fiktiv por u desh të përdorin emrin e Gjergj Kastriotit. Kaq shumë i ka ra vlera këtij emri ndër zyrtarët tanë, dhe pikërisht nga ajo ministri që merret me edukimin e brezave të rinj e i ushqen ata me dashurinë për atdheun dhe krenarinë për historinë e popullit tonë.
Por sikur, (larg qofte) të ishte shënuar emri i vetë ministrit Myqerem Tafaj? Po sikur ( mos o Zot) të ishte shënuar emri i kryeministrit shqiptar në atë formular, kush do të tundej e shkundej e kush do të pushohej nga puna? Por në rastin e Gjergj Kastriotit jo sepse këta që kemi sot mesa duket qënkam më të madhërishëm se ai që kemi pasur si një idhull në histori e frymëzim lirie gjatë  pesëqind vjet robërie. Dhe një gjë duhet menduar disi më thellë me këto mysubete që po ndodhin; kërkesat që po u bëhen historianeve të Institutit të Beqir Metës , për rishimimin e historisë sipas orekseve, mos vallë janë në këtë  sens për tu tallur me historinë e për ta përdorur si një leckë apo një top futbolli.  Nuk kam parë akt më të shëmtuar , veç atyre që shkatrrojnë monumentet e njerëzve të mëdhej të këtij kombi,  por të paktën ata janë rrugaçë e jo nënpunës të lartë qeverie me kollaro e që paguhen nga taksapaguesit shqiptar.  Eshtë akti më i shëmtuar që mund ti bëhet një heroi kombëtar.
Kësisoj tallje nuk i kanë bërë as turqit që kanë një kujtesë të hidhur historike e që ja morën eshtrat për hajmli.
Nuk e kuptoj se si pas këtij skandali Myqerem Tafaj mund të ketë krebilitetin e një ministri Arsimi. Si nuk jep dorëheqjen. Çka pritet tjetër pas këtij skandali?!  
A kanë ndërgjegje këta funksionarë shteti apo u është bërë fytyra shollë këpuce. Do me thënë faqja e zezë e historisë.

Po e shkruajmë të plotë përmbajtjen e model-formularit dërguar Drejtorisë Arsimore Tiranë


Drejtoria  Arsimore  Rajonale Tiranë Bashki
GJIMNAZI  “ISMAIL QEMALI”  TIRANE


Nr.i amzës 123456  Nr.regjistrit të veçantë: 123456


NXENESI:  GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU

Lindur 25 qershor 1993 në Krujë të rrethit të Tiranës
Në vitin shkollor 2011-2012 ka përfunduar studimet me këto rezultate:

Piket mesatare për kredit         5.5
Provimet e Maturës Shtetrore

1-Letërsi dhe gjuhë shqipe             9
2- Matematikë                                     9
3-Ekonomi-Filozofi                           9
4- Gjuhë e huaj anglisht                   8
5- Fizikë                                                 7

Në bazë të rezultateve të arritura nxënësit  
GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU

I  jepet DIPLOMA e MATURES SHTETRORE

ID e Maturës 123456                      DREJTORI
Data 15 korrik 2012                    HALIL HALILI